Risia më e fundit në UET/ Skuadra e futbollit Sport Club UET futet në Kategorinë e Tretë
Ambiciet dhe përpjekjet e skuadrës së futbollit Sport Club UET kanë regjistruar një tjetër arritje të rëndësishme. Ata janë regjistruar në Kategorinë e Tretë dhe këtë të diel 17 nëntor, ora 13:00, në Qendrën Sportive Kamëz do të kenë përballjen e parë kundër Himarës.
Trajneri Gianni De Bias duket se ka qenë një ogur i mirë jo vetëm për Kombëtaren e Shqipërisë por edhe për Universitetin Europian të Tiranës. Ishte pikërisht koha kur De Bias u nderua me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” në 2015, i cili shkaktoi një shkëndijë që edhe UET të ketë skuadrën e vet të futbollit.
Në vitin akademik 2018-2019 u themelua Sport Club UET, fillimisht si një Klub Studentor për aktivizimin e studentëve të programeve të sporteve në UET. Në këtë rrugëtim pesë vjeçar, falë punës, përkushtimit e përpjekjeve, ata kanë regjistruar arritje të rëndësishme duke kaluar sukses pas suksesi.
Në muajt prill 2024 Sport Club UET rrëmbeu dy trofe. Nën drejtimin e pedagogëve Tomi Treska e Marjo Shabanaj, fillimisht u shpall fituese e kupës debutuese “FSHF Sunday League Albania” organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Një muaj më vonë u shpall kampion i Shqipërisë në Kampionatin Kombëtar Universitar, duke triumfuar përballë Universitetit të Sporteve. Synimi për të kaluar në Kategorinë e Tretë është arritur brenda disa muajve.
Universiteti Europian i Tiranës ka më në fund një skuadër gjysmë-profesioniste, e cila është regjistruar me të drejta të plota në Kategorinë e Tretë. Ajo do të nisë garën këtë të diel, 17 nëntor, ora 13:00, në Qendrën Sportive Kamëz. Përballjen e parë e ka me Himarën.
Skuadra përbëhet nga 24 lojtarë: Një pjesë e rëndësishme e tyre janë studentë të UET në degën e sporteve. Po ashtu, Sport Club UET do të ketë një trajner të ri. Ish-drejtuesi i Korabit, Shpend Kumbarçe merr drejtimin me objektivin për ta ngjitur atë në Kategorinë e Dytë. Drejtuesi sportiv i skuadrës do të jetë pedagogu Marjo Shabanaj.
Në javën e parë të nëntorit, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u hodh shorti për edicionin 2024-2025 të kampionatit të Kategorisë së Tretë, i cili do të ngrejë siparin duke nisur nga data 17 nëntor. Klubet pjesëmarrëse u njohën me kundërshtarët respektive të çdo jave për këtë edicion të ri, në të dyja grupet A dhe B, që do të tentojnë ngjitjen për në Kategorinë e Dytë.
Nga Kategoria e Tretë në atë të Dytën do të ngjiten automatikisht fituesit e grupeve A dhe B.
Në Grupin A bëjnë pjesë skuadrat: Bulqiza, Partizani B, Shiroka, AS Himara, Klosi, Eagle Football, Sport Club UET, Olimpic Shkodra FC.
Nga ana tjetër, në Grupin B bëjnë pjesë skuadrat: Përmeti FK 1930, KF Skrapar, SK Tepelena, Bylis B, Labëria Sport Klub.