Ekselenca e kërkimit shkencor tashmë rektore e Universitetit Europian të Tiranës
Nga 2008 si lektore në Universitetin Europian të Tiranës, sot rektore e tij. Prof.dr. Drita Kruja rrëfen rrugëtimin e saj akademik prej 16 vitesh në këtë institucion, me një kontribut domethënës në kërkimin dhe zhvillimin shkencor
Rrugëtimi akademik i prof. dr. Drita Kruja nuk mund të kuptohet i shkëputur nga ai i Universitetit Europian të Tiranës. Në shumë stade të zhvillimit dhe ngritjes së këtij universiteti ka dhënë kontributin e saj, me fokus në kërkimin dhe zhvillimin shkencor. Ishte viti 2008 kur filloi si lektore me kohë të pjeshme në UET. Në atë kohë as e imagjinonte se rrugëtimi i saj do të zgjaste kaq shumë në këtë institucion. Universiteti sapo kishte bërë zgjerimin e parë me Fakultetin e Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, aty ku ishte edhe formimi i saj akademik e profesional. Pas dhënies së mësimit për Masterin e Nivelit të Dytë, Menaxhim, në profilin Biznes dhe Marketing Ndërkombëtar, në vitin 2011 do të bëhej udhëheqëse e doktoraturës.
Vite më vonë, në 2015, do të zgjedhë përfundimisht UET-in, duke lënë kështu angazhimin si kryetare e Këshillit të Administrimit në Universitetin e Shkodrës. E përkushtuar pas kërkimit shkencor, ku bashkëpunimet me universitetet rajonale, europiane e më gjerë, janë të shumta. Nuk mungojnë as vlerësimet. Senati i Universitetit Óbuda i ka akorduar titullin Honorary Professor për kontributin e saj të jashtëzakonshëm dhe afatgjatë në aktivitetet shkencore të këtij universiteti.
Këtë kontribut sigurisht që e ka shtrirë në UET, pasi në 2017 mori postin e zv. rektores së Kërkimit Shkencor, e një vit më vonë atë të zv. rektores së Procesit Akademik. Me strukturimin e ri, përgjatë pesë viteve të fundit ka mbajtur pozicionin zv. rektores së Procesit Akademik dhe Kërkimit Shkencor, duke drejtuar shumë nisma e projekte që kanë ndihmuar në konsolidimin e rolit të UET si qendër ekselence në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Nën drejtimin e saj, janë rritur publikimet shkencore; është rritur numri i projekteve ku UET është bërë pjesë, si Erasmus+, IPA, Horizon 2020, apo ato të financuara nga AKKSHI; është rritur bashkëpunimi me universitetet ndërkombëtare, si dhe zhvillimi i konferencave e seminareve shkencore.
“Kam pasur privilegjin të jem pjesë e një institucioni që vlerëson dhe promovon ekselencën akademike dhe kërkimore”, shprehet Kruja.
“Përkushtimi im ndaj UET ka qenë gjithmonë për të kontribuar në zhvillimin e tij dhe për të siguruar që studentët tanë të marrin një edukim të cilësisë së lartë dhe mundësi për zhvillim profesional.”
Pas gjashtëmbëdhjetë viteve nga momenti që u prezantua për herë të parë, ajo zgjidhet rektore e Universitetit Europian të Tiranës, duke u bërë kështu gruaja e dytë në historikun e këtij institucioni që mban këtë post, ndërsa i shtohet emrave të profesorëve dhe akademikëve të nderuar që kanë drejtuar ndër vitte. E cilëson nder dhe përgjegjësi, por edhe një mundësi që të ndikojë pozitivisht në zhvillimin akademik dhe në përmirësimin e cilësisë së arsimit në Shqipëri.
“Synimi im është të avancoj më tej misionin e Universitetit Europian të Tiranës, duke promovuar ekselencën akademike, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Jam e përkushtuar të punoj me stafin dhe studentët për të arritur objektivat tona të përbashkëta dhe për të ngritur më tej standardet e edukimit dhe kërkimit.”
Marrja e një detyre kërkon bërjen e një bilanci e paraqitjen e një platforme për të çuar para atë mision që UET e mban me krenari për afro dy dekada. Rektorja Kruja thotë se të shumta janë arritjet e deritanishme: nga ofrimi i një gamë të gjerë programesh akademike në të treja ciklet e studimit, të akredituara dhe të përshtatura me nevojat e tregut të punës, te përparimet e mëdha në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, apo përparimet në sferën e kërkimit shkencor, me fuqizimin e njohjen ndërkombëtare të pesë revistave shkencore dhe qendrave kërkimore.
Në një institucion që ecën me ritmin e universiteteve ndërkombëtare, zhvillimi është i pashmangshëm. Prof. Kruja tregon se si rektore e Universitetit Europian të Tiranës përpjekjet nuk do të ndalen për të çuar përpara nismat e deritanishme për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe kërkimit, si dhe për të rritur ndikimin e universitetit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Thotë se do të punojnë fort për të shtuar financimet në kërkimet shkencore, për të përmirësuar inovacionin dhe teknologjinë në mësimdhënie, si dhe për të shtrirë më tej urat e bashkëpunimit.
“Jam e përkushtuar të vazhdoj rrugën drejt përmirësimit dhe inovacionit në arsimin e lartë, duke ndërtuar mbi themelet e forta që kemi krijuar deri tani”,thekson rektorja, e bindur që do të gjejë mbështetje dhe bashkëpunim te të gjithë anëtarët e komunitetit akademik e administrativ.
“Krenare për arritjet e universitetit dhe për rolin tim në këto suksese, pres me entuziazëm sfidat dhe mundësitë e ardhshme.”