Libri i chef Alfred Markut, Isuf Kalo: Dietologjia dhe kulinaria, të dobishme jo vetëm për shëndetin
Në librin “Rapsodi në pjatë” të chef Alfred Markut, botim i UET Press, Isuf Kalo i gjen në një marrëdhënie harmonie, shijen dhe shëndetin
Mjekësia dhe kulinaria kanë histori të gjatë bashkëjetese, mendon mjeku i njohur Isuf Kalo. Bashkëjetesë që shpesh ka qenë e një lloji konfliktual. Megjithatë, në librin “Rapsodi në pjatë” të chef Alfred Markut, botim i UET Press, ai i gjen në një marrëdhënie harmonie, shijen dhe shëndetin
Në praktikën mjekësore, ushqimi i pacientëve është ‘i harruari’ i madh. Të fokusuar tek diagnoza dhe tek barnat kimike, profesionistët bluzëbardhë duket sikur çuditërisht besojnë që pacientët dhe qytetarët “ushqehen” me tableta dhe pilulat e panumërta farmaceutike. Ushqimin ata e përmendin pak, ose kryesisht si fajtor: Çfarë nuk duhet të hanë pacientët! Ai rrallë vlerësohet si element thelbësor në suksesin apo dështimin e ndërhyrjeve tona mjekësore. Qytetarët dhe pacientët ndryshojnë në moshë, kulturë, tradita, kushtet social-ekonomike dhe në gjendjet shëndetësore të secilit. Ata meritojnë jo predikime monotone skematike, por variacione ushqimore të personalizuara.
Nevojat dhe kërkesat metabolike, estetike e të shijes, evoluojnë pandalshëm tek çdonjëri prej tyre. Veç këtyre, ata mbartin me vete si kujtesë shijeje edhe nostalgjitë e kënaqësive fëminore të lidhura me ngjarje, njerëz të dashur, çaste të gëzueshme të përjetuara ndër vite.
Mu për këto arsye, dietologjia dhe kulinaria janë shndërruar në shkenca dinamike të dobishme jo vetëm për shëndetin, por edhe për mirëqenien shpirtërore dhe kënaqësinë estetike e emocionale të qytetarëve. Ato po pleksen me artin kreativ në mënyrat plot fantazi të gatimit e të paraqitjes estetike bashkëkohore, duke ruajtur me delikatesë edhe traditat e zakonet shekullore vendore të ushqyerjes dhe gatimit.
Mjekësia dhe kulinaria kanë histori të gjatë bashkëjetese. Në jo pak raste, kanë qenë në konflikt mes tyre. Prioritizimi i shijes dhe kënaqësisë së ushqimit nga ana e kulinarisë, ka qenë dhe është në kundërshtim me disa nga këshillat dhe dogmat ushqimore shëndetësore. Përdorimi nga mjeshtrit kulinarë, me synim rafinimin e shijes së ushqimit, të substancave si kripa, sheqeri, yndyrat shtazore apo i salcave, piperit, erëzave e pikantëve të tjerë, ka sfiduar rekomandimet e mjekësisë për profilaksinë dhe mjekimin e disa sëmundjeve gjerësisht të përhapura, si hipertensioni arterial, diabeti, obeziteti e arteroskleroza, sëmundjet gastrointestinale etj.
Ndërkohë, dietologjia si degë e mjekësisë ka ndihmuar jo vetëm kulinarinë me të dhënat shkencore për përbërësit esencialë të ushqimeve në kuptimin e prezencës së balancuar në to të proteinave bimore e shtazore, sheqernave të thjeshta e komplekse, yndyrave të saturuara e të pasaturuara, si edhe me përllogaritjen e fuqisë kalorike ushqimore si karburant të secilës prej tyre. Dietologjia ka orientuar kulinarinë dhe mjekësinë me
rekomandimet e saj të vyera për mënyrën e duhur të marrjes dhe shpërndarjes së ushqimit ditor të njerëzve, si dhe për gradën e shpejtësisë së tretjes e të absorbimit të tij brenda organizmit. Diabetologjia ka zhdramatizuar edhe ‘mëkatet episodike’ të të sëmurëve, shkeljet e vullnetshme të dietës së rekomanduar, pre të tundimit nga një ushqim tepër i shijshëm. Mjafton të jenë episode të rralla, por edhe të sëmurëve u falen kënaqësitë e pashëndetshme që burojnë nga një ushqim i parezistueshëm, jo dietik. Ekuacioni ynë i dikurshëm: ‘Ushqim = Bukë dhe Gjellë’, është shndërruar tani në një formulë të re: ‘Ushqim = Shëndet, Kënaqësi, Art, Traditë, Biznes’. Restorantet me menytë tradicionale të përpunuara dhe ato origjinale e kreative, janë tanimë në mbarë botën, pikat më atraktive për turistët vendorë e të huaj. Shqipëria është në të njëjtin trend, falë mjeshtrave tanë të talentuar të gatimit dhe servirjes.
Ndoshta jo rastësisht, restoranti “NOMA” në Kopenhagë, i famshëm për recetat origjinale të shëndetshme të gatimit dhe i laureuar për tre vitet e fundit radhazi me Çmimin “Restoranti më i mirë në botë”, ka për mjeshtër kuzhine Rene Rexhepin, me baba shqiptar.
Siç do ta shihni dhe në këtë libër të mrekullueshëm, edhe restoranti “Rapsodia” i mjeshtrit të talentuar Alfred Marku në Shqipëri, performon të njëjtën filozofi të gatimit befasues – frymëzuar nga tradita, sjellë me kreativitet e art, gjithmonë i kuruar me dashuri.
Tag:Alfred Marku, chef, dietologjia, Isuf Kalo, kulinaria, shendeti, uet