Departament’s book Review në UET/ Nga Pabarazia te Populizmi, Politikja e së majtës shqiptare në “sitën” e studiuesit Florian Çullhaj
Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u mbajt promovimi i librit “Nga barazia te Populizmi, Politikja e së majtës shqiptare” i pedagogut dhe studiuesit të shkencave politike, Dr. Florian Çullhaj.
Zgjedhja për t’u thelluar në gjendjen aktuale të së Majtës në Shqipëri është shumë e përshtatshme nën perspektivën e autorit, për të nënvizuar rëndësinë e rivendosjes së politik(e)s në kushte të arsyeshme, gjendja faktike e së cilës shfaqet të jetë nën presion të thellë. Për të plotësuar këtë qëllim, Çullhaj beson se është i nevojshëm ripolitizimi i shoqërisë, rivlerësimi i stimujve demokratikë dhe i parimeve liberale të pranishme në të, duke ofruar në këtë mënyre një kornizë politike të përbashkët, e cila do të mbrojë shpërndarjen dhe copëzimin e këtyre energjive.
Ky libër vjen në kolanën Ide/Ese/Debate të botimeve UETPress, ndërsa dëshmon ‘fermentimin intelektual’ të nxitur nga projekti “Campaign Observer”, organizuar nga Instituti Europian Pashko dhe Gazeta Liberale, në bashkëpunim me Departamentin e Shkencave Sociale të Aplikuara në UET. Qëllimi i këtij projekti nuk ishte vetëm analiza e elementeve të komunikimit, që dy partitë politike më të mëdha në vend zgjodhën të përdorin gjatë fushatëselektorale, por mëtonte të përcillte një analizë ambicioze mbi kornizën vlerore të secilës parti, pikërisht sot, pas 30 vitesh tranzicion. Ky libër përmbush bash këtë ide, duke marrë në analizë kornizën vlerore të Partisë Socialiste pas ndryshimit të sistemit.
Në parathënien e këtij studimi, Alessandro Ferrara, Profesor i Filozofisë Politike në Univeristetin e ‘Tor Vergata’, ish–presidenti i “Italian Association for Political Philosophy”,vlerëson se “Nga Pabarazia te Populizmi është një libër i mbushur me analiza kritike, reflektime dhe ide që synojnë të rrugëtojnë në perspektivën aktuale të së majtës në vendin e autorit, dhe të qartësojë se si e majta shqiptare duhet të rindërtojë themelet e reja për të përballuar sfidat e së nesërmes. Puna e Çullhaj-it mbështetet në një mori përvojash, kërkimesh, vëzhgimesh dhe ofron një kontribut interesant për një reflektim të nevojshëm kolektiv, i aftë të shkojë përtej krizës aktuale. Studimi gjen legjitimitetin e analizës së tij në artikulimin e një marrëdhënieje midis kategorive ‘është’ dhe ‘duhet të jetë’, në lidhje me dimensionin aktual të së majtës shqiptare dhe në zbatimin e parimeve të saj në praktikë.
Autori përqendrohet në skizmën historike që çoi në lindjen e Partisë Socialiste: në atë moment lindi origjina e polarizimit midis vlerave të elitës së re dhe elitës së vjetër; përhapja e ndjenjës anti-politikë në shoqëri për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, si dhe mosbesimi e indinjata në rritje hedhin dritë mbi politike(e)n që pasoi. Një proces mosndërmjetësimi filloi të marrë jetë gradualisht. Çullhaj pretendon se ky proces, së bashku me transformimet ekonomike, prurje të një globalizmi të pa adresuar së brendshmi, ka çuar në dobësimin progresiv të parimeve të së Majtës dhe të klasës së mesme, duke i nënshtruar këto grupime ndaj një presioni politik dhe varfërimi në rritje, prej vizionit në nivel politik të së Majtës qeverisëse, e cila vendosi një konvergjencë dhe pajtueshmëri me ekonominë e tregut në versionin libertarian, si një domosdoshmëri të pashmangshme”.
Përballë kolegëve dhe studentëve të Shkencave Politike në UET, Çullhaj detajoi koncepte të trajtuara në këtë botim, si: çfarë nënkupton ‘e arsyeshmja” në sjelljen politike, dritëhijet e ‘populizmit’, konsiderimi i publikut para dhe pas marrjes së pushtetit, kultura e munguar e llogaridhënies në mjedisin shqiptar etj.