60 kompani në Panairin e Karrierës, prezantojnë ofertat e tyre për studentët

Universiteti Europian i Tiranës dhe Tirana College of Technology organizuan së bashku edicionin e radhës së Panairit të Karrierës, hapësira që vendos studentët përballë tregut të punës. Mbi 60 kompani të mëdha në vend nga sektori i ekonomisë, mbrojtjes, medias, bankave, sigurimeve, ndërtimit etj., prezantuan nevojat e tyre dhe mundësitë që ofrojnë për studentët për praktika, internship-e dhe punësim.
Në fjalën hapëse, presidenti i UET, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa tha se është e rëndësishme të promovohet bashkëpunimi mes universitetit dhe biznesit, në kuadër të zhvillimit dhe rritjes profesionale të studentëve.
“Duhet të ndërtojmë një kulturë të re pune, një kulturë që promovon kooperimin dhe integrimin në mënyrë që tregu dhe vendi i punës realisht të jetë mjedisi ku individi zhvillon në nivelet më të larta produktivitetin e tij.”
Edhe rektori i TCT, Prof. Dr. Andonaq Lamani e vuri theksin te nxitja e mëtejshme e bashkëpunimit, si mënyra më e mirë për t’iu ofruar studentëve punësim dhe karrierë të sigurt.
“Po punojmë së bashku me biznesin për të realizuar një dimension të tretë të arsimit të lartë dhe të botës akademike që është lidhja e ngushtë me biznesin.”
Pjesë e këtij rrjeti ekskluziv partneriteti dhe bashkëpunimi me kompanitë më të mëdha në Shqipëri janë edhe Top Channel dhe Digitalb. Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof. Dr. Belina Budini vlerësoi praninë e përvitshme të sektorit të medias, si një mundësi e shkëlqyer orientimi dhe punësimi për studentët e arteve dhe komunikimit.
“Jemi të lumtur shumë të kënaqur që ju kemi të pranishëm për studentët që t’i orientoni t’i udhëzoni por dhe t’u ofroni mundësi konkrete punësimi intershipe praktika profesionale sikurse keni bërë edhe vitet e tjera.”
Panairi i Karrierës është një nga aktivitet më të rëndësishme që organizojnë universitetet, pasi nuk janë vetëm vendi ku çdo biznes prezanton veten. Ky panair është një mënyrë për të mbajtur të fortë lidhjen me industrinë, për të mësuar nevojat më të reja të tregut, e cili afektohet në ndryshimin e kurrikulave të programeve të studimit dhe përgatitjen e studentëve me njohuri dhe aftësi të reja që kërkojnë zhvillimet teknologjike.

