“UET përfaqëson qasjen e universiteteve perëndimore”
“UET përfaqëson qasjen e universiteteve perëndimore”
Ira Elbasani, fituese e Çmimit të Karrierës, themeluese e kompanisë “We Translate Albania”, tregon se si është të kthehesh në UET pas 10 vitesh diplomimi dhe si ajo i besoi vizionit të UET që në vitin e parë të këtij universiteti
Ky ishte një vit jubile për rrjetin UET Alumni, ku Ira Elbasani, studente e brezit të parë në UET, u shpall fituese e Çmimit të Karrierës. Ira i përket atij brezit të parë, ku slogani i UET ishte sfidues si për vetë universitetin, por edhe për studentët që studionin. Gjatë dhënies së Çmimit të Karrierës për vitin 2019, Ira tregon përshtypjet dhe emocionet e para për këtë çmim. “U ndjeva e nderuar, e privilegjuar dhe e lumtur që në këtë jubile, 10 vite nga diplomimi i brezit të parë të UET, të isha fituese me Çmimin e Karrierës. UET mbetet gjithmonë si një shtëpi e dytë, ku rikthehem me dëshirë, takoj miq të mirë dhe përfitoj gjithmonë nga këshillat e tyre të çmuara. Në fakt u befasova paksa nga ky çmim, pasi nga brezi ynë ka shumë ish-studentë të tjerë me karrierë të shkëlqyer e që kanë arritur në maja të larta. Megjithatë, pas disa vitesh investimi në karrierë e pune të palodhur, kompania që themeluam bashkë me kolegen bashkëthemeluese Eldën, me të cilën ndajmë të njëjtin vizion, e quajtur ‘We Translate Albania’ një markë tashmë, ka dëshmuar që është një histori suksesi. Nga një staf prej tre personash në gjenezë tashmë jemi rritur në 10 persona staf i brendshëm dhe rreth 40 bashkëpunëtorë të jashtëm dhe një portofol klientësh prej korporatash e biznesesh më të mëdha në vend e rajon dhe institucioneve më të rëndësishme shqiptare. Kjo, falë përkushtimit tonë dhe klientëve që na besuan që në krye të herës dhe që vijuan në vite të jenë partnerët tanë. Ambicia jonë është për një zgjerim në treg ndërkombëtar në një të ardhme të afërt. Jemi në prag të hapjes së filialit të parë jashtë vendit dhe jemi shumë të përkushtuar për ta realizuar këtë objektiv”.
Ndërkohë, për sa i përket rrugëtimit të saj prej një dekade në tregun e punës, Ira Elbasani tregon se i ka prekur pothuajse të gjithë sektorët, që nga administrata publike e deri te sektori privat. “Tregu ynë i punës ka vështirësitë dhe dinamikat e tij, ku është fat dhe të duhen shumë aftësi të mund të punosh në profesionin apo profilin ku je diplomuar. Në rrugëtimin tim kam prekur pothuaj të gjithë sektorët: që nga administrata publike deri te sektori privat. Sigurisht që suksesi në punë i atribuohet konsiderueshëm studimeve dhe investimit akademik”.
Ndër të tjera ajo shton se zgjedhja për të studiuar në UET 13 vite më parë nuk ka qenë aspak rastësore, por duke i besuar vizionit të themeluesve të këtij universiteti, ajo zgjodhi të ishte studente e brezit të parë. “Një eksperiencë jo përfaqësuese në tregun e punës më solli në fakt në dyert e UET në 2006-n, si zgjedhje për një diplomë të dytë. Një zgjedhje që më rezultoi shpërblyese dhe madje përtej pritshmërive të asaj kohe. Në vitin 2006 zgjodha të regjistrohem në UET pas një eksperience në administratën shtetërore, e cila nuk më rezultoi sipas pritshmërive. Asokohe e zhgënjyer nga niveli mediokër në administrata dhe me një ndjenjë paplotësie në dije dhe, duke qenë se i përkas një familjeje akademikësh (babai pedagog me grada e tituj shkencorë, si dhe autor tekstesh akademike, po ashtu dhe ime motër – tejet e kompletuar), ngaqë të mësuarit e kemi stil jete, iu drejtova një universiteti të ri, pikërisht UET, i cili më intrigoi me faktin kuptimplotë se të katër themeluesit e tij qenë të diplomuar jashtë, vizionarë, tejet të artikuluar, që i dhanë UET një qasje shumë perëndimore. Ishte pikërisht ajo kohë që sapo kisha përjetuar dhe eksperiencën e parë të punës në administratën shtetërore, e cila më shtyu të investoj në studime të tjera për të dalë nga mediokriteti që ekzistonte rëndom në administratë.
Një mendim ishte që të largohesha për të studiuar në ndonjë universitet jashtë vendit, në Europë! Por shkak u bë atëkohë një intervistë televizive e katër themeluesve të Universitetit Europian të Tiranës. Nga ajo intervistë hoqa dorë nga ai mendim. Pa hezitim, shkova në UET, ku më priti profesor Ermali (Hasimja), i cili në krye të herës mendoi se po aplikoja për punë, kur pa CV-në dhe diplomën. U regjistrova për Marrëdhënie Ndërkombëtare me bindjen se po bëja një investim për veten dhe të ardhmen time. Kombinimi mes profesorëve të shkëlqyer dhe programi i duhur nën një liri akademike pa cenuar as studentin e pedagogun ishte çelësi i suksesit. Mund të them me bindje se eksperienca në UET i tejkaloi pritshmëritë e mia për thjesht një zgjerim dijesh. Ajo rezultoi si një qasje ndryshe ndaj dijes: me mendjehapje, jashtë kornizave dhe në thelb me përfitim dijesh të konsoliduara. Çfarë bënte diferencë është se nga ambienti akademik del i frymëzuar për më shumë thellim në dije. Koha në universitet më ka shërbyer jo vetëm për të marrë dije, por edhe për të përfituar një rrjet njohjesh. Njohje që më kanë rezultuar të paçmuara sot, ku mund t’i drejtohem në çdo moment për një mendje a sugjerim të mençur a zgjidhje për një sfidë pune që mund të përballem”.
Të kthehesh 10 vjet më pas në një universitet ku jo thjesht je diplomuar, por edhe që i ke besuar investimin për profesionin, për Irën është si të kthehesh në shtëpi, për më tepër kur aty gjen edhe miqtë që ke kaluar përditshmërinë si studente. “Këtu ndihem njëlloj, si të kthehem në shtëpi. Kontaktet me UET nuk i kam humbur kurrë, pasi si me kolegët, miq me të cilët jemi diplomuar bashkë, ashtu dhe me pedagogët, jam këshilluar vazhdimisht në vitet pas diplomimit. UET ka qenë që në krye të herës (në 2006), ku brezi ynë u regjistrua për herë të parë, një mjedis i ngrohtë, që të krijonte besim, të frymëzonte me energji pozitive dhe profesionalizëm, plot natyrshmëri, pa pompozitet dhe pa imponim marrëdhëniesh vertikale. Është vërtet luks që të mund të qëndrosh sa më gjatë në një ambient akademik. UET përfaqësoi për mua (dhe mendoj se përfaqëson ende) një ambient të mirëfilltë akademik me një staf akademik që bën diferencën dhe një mjedis frymëzues për dije njohuri dhe marrëdhëniesh njerëzore të shkëlqyera”.
Ndërkohë, UET sot është edhe më i madh se 10 vite më parë, kur Ira është diplomuar, jo thjesht për faktin se në UET janë diplomuar mbi 10 mijë student, por edhe se tashmë UET është zgjeruar nga 2 fakultete ku Ira filloi të studionte në 5 të tilla. “Fakti që UET, nga viti në vit ka një rritje sasiore studentësh (sigurisht dhe cilësore) dëshmon drejtpërsëdrejti për një histori suksesi. Përfshirja e shumë programeve të reja në bachelor dhe në master, si dhe në programet e doktoraturës flet qartë se nga ana e drejtuesve dhe e stafit akademik është pasur kujdes i veçantë në ruajtjen e objektivit madhor: një formim sa më solid akademik i studentëve dhe si përfshirje e tyre në programe e praktika aplikative, që sot i kërkon tregu i punës. Kjo dëshmohet nga kërkesat e tregut për të punësuar studentët cilësorë nga ky universitet. Dhe kjo bën që kërkesa për studime të jetë në rritje. Shifrat flasin vetë, si për numrin e studentëve ashtu edhe për stafin e mirëpërgatitur e vizionar.”
Së fundmi, fituesja e Çmimit të Karrierës ka edhe një këshillë për studentët që studiojnë, por edhe për maturantët e sotëm. “Nisur nga përvoja ime, them me bindje se UET është i orientuar në mënyrë perfekte ndaj nevojave të tregut duke udhëhequr studentët në fushat ku ata janë më të prirur. Këshilla ime për maturantët dhe të gjithë ata që do të donin të ndiqnin studimet në UET të marrin më të mirën nga pedagogët dhe mjedisi, të mos i neglizhojnë këshillat nga stafi profesional, që është gjithnjë aty për t’ju ndihmuar të gjeni fushën ku mund të kanalizoni prirjet tuaja. Këshilla ime miqësore është që studentët së pari të përfitojnë sa të munden nga studimet dhe mbështetja pa kursim nga pedagogët dhe eksperienca e tyre e vyer. Studentët duhet të përballen sa më parë me përvojën e punës pas përfundimit të bachelor. Të rinjve u këshilloj që t’i krijojnë disa kontakte duke u këshilluar me mentorët e tyre profesorë që tani e të përgatiten për ku synojnë të punojnë që në vitet e studimit. Secili duhet të fillojë nga një pyetje drejtuar vetes: ‘Çfarë më përfaqëson dhe çfarë di të bëj më mirë?’ Studentët kanë mundësinë e parë përgjatë praktikës të krijojnë eksperiencën e parë. Studentët duhet të jenë të përulur, por me vetëvlerësim, kuriozë e këmbëngulës dhe me dinjitet e shumë punë do e pozicionojnë vendin e tyre në tregun e punës. Tregu i punës ka gjithmonë nevojë për profesionistë, të cilët me këmbëngulje e shumë punë suksesojnë dhe pas dështimesh të pozicionojnë veten e tyre, e ata që ankohen janë mediokër dhe të paaftë. Moton e UET ju sot e superuat nga ‘A e bën dot?’ në ‘Po ia dolëm mbanë’”