UET: Pas afro 10 vitesh përfundon mandati i Gjurajt, Nevila Nika, rektorja e re
UET: Pas afro 10 vitesh përfundon mandati i Gjurajt, Nevila Nika, rektorja e re
Tonin Gjuraj përfundon dy mandatet si rektor i UET. Pas një drejtimi të suksesshëm gati 10-vjeçar, ai kaloi shumë procese akademike, si akreditimi institucional me 5 vite me vlerësimin “Fully Met” dhe finalizimin e procesit të riorganizimit dhe zgjerimit. Rektore e re do të jetë historiania e njohur, profesoreshë Nevila Nika
Si çdo të hënë Universiteti Europian i Tiranës zhvillon mbledhjen e rektoratit, por kjo ka qenë mbledhja e fundit e rektoratit për profesor Tonin Gjuraj, në cilësinë e rektorit të UET, pjesë e universitetit që prej themelimit të tij.
Prof. dr. Tonin Gjuraj përfundon dy mandatet e tij në drejtimin e UET. Me përvojën gati 10-vjeçare në drejtimin e Universitetit Europian të Tiranës ai vendosi të mos garonte për një mandat të tretë. Përveç të qenit rektori i universitetit, Gjuraj ka qenë edhe zëvendësrektor dhe pjesë e stafit akademik si pedagog. Gjatë drejtimit si rektor, falë punës së tij dhe ekipit mbështetës, UET arriti të merrte akreditimin institucional nga agjencia britanike QAA, me 5 vite me vlerësimin “Fully met”.
Gjithashtu, finalizoi me sukses procesin e riorganizimit dhe zgjerimit të UET Polivalent, nga 3 fakultete, në 5 fakultete, ku më të fundit janë Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, si dhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës me një gamë të gjerë programesh dhe profile studimi në të tria ciklet.
Prof. dr. Gjuraj e deklaroi vendimin e tij gjatë mbledhjes së djeshme të rektoratit, duke sjellë në vëmendje proceset e shumta akademike dhe disa momente të veçanta përgjatë dy mandateve të tij. Ai shprehet se pas kësaj rruge të gjatë akademike, ka vendosur disa praktika të mira që është kontributi i të gjithëve në UET.
“Kur isha në Pragë, në CEU për studime Master në Sociologji, 1994 – 1995, bënim leksione 90-minutëshe, pa pushim, jo siç bëjmë ne sot, pas 50 apo 60 min, një pushim të shkurtër dhe një profesor gjerman na thoshte: ju keni plotësisht të drejtë qe nuk jeni te vëmendshëm deri në fund, sepse ne akademikët jemi boring dhe shtonte fjalinë “we can’t be interesting for 90 minutes”. Tani imagjinoni se si do të vijonte rektor Gjuraj të ishte interesant dhe jo ‘boring’ edhe një mandat tjetër 4-vjeçar apo një dekadë tjetër 10-vjeçare. Siç thotë anglezët “enough is enough”. Unë kam patur një mirëkuptim të plotë kohëve të fundit me pronarin, Henrin, tani kryetar i Bordit të Administrimit, por dhe një prej themeluesve të UET, një mik, koleg, bashkëpunëtor, me të cilin kemi ndarë shumëçka, në kuptimin e mirë të fjalës, për një menaxhim sa më të mirë dhe eficient të universitetit. Meqenëse unë bëra pothuajse 10 vite në drejtim, 8 vite si rektor, ku dihet që menaxhimi është tough dhe siç thotë avokati i njohur Ngjela: “menaxhimi është krijimtaria më e lartë”, kjo e ditur mjaft mirë nga ekonomistët që janë të shumtë në Concilium, si dhe duke patur parasysh që ne tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër të UET, të UET-it polivalent, ku lipset një tjetër administrim, mendoj se tashmë kam dhënë dhe konsumuar të gjithë energjitë, dijet, përkushtimin dhe gjithçka që lidhet për këtë institucion, me përfundimin me shumë sukses të dy mandateve të plota, ku për hir të së vërtetës, siç dihet gjerësisht, mu ofrua nga pronësia dhe administrimi dhe një mandat tjetër. Por, unë vendosa që t’i them jo këtij propozimi, për një mandat tjetër, sepse është punë dhe impenjim tjetër shumë i madh, e lodhshme dhe gjërat kur ndryshojnë duhet të ndryshojnë në kuptimin domethënës të tyre, kështu që meqenëse ky institucion tashmë është zgjeruar dukshëm, riorganizuar pothuajse i tërë, duhet dhe meriton që dikush tjetër të vijojë punën në pozicionin e rektorit dhe në mirëkuptim të plotë me z. Çili, kam vendosur të tërhiqem nga marrja e një mandati të tretë të pozicionit të rektorit. Natyrisht unë do të vijoj të jem normalisht pjesë e UET, në Departamentin e Shkencave Sociale të Aplikuara, në pozicionin e profesorit, me të gjithë përkushtimin tim, me detyrimet, rolin dhe funksionet që ka një anëtar departamenti. Natyrisht, më lejoni të them se ky ka qenë një prej vendimeve më delikate dhe të rëndësishme të jetës sime akademike dhe profesionale. Ne nuk kemi patur ndonjë traditë të menaxhimit të universiteteve private për hir të së vërtetës. Ishte çimentuar para universitetit të parë privat, atij të New York-ut, ajo tradita e universitetit shtetëror, siç ju e dini. Fatkeqësisht vijon dhe me nuancat e veta, me deformime, rektori sikur vihet apo është në qendër të botës dhe vendos gjithçka për institucionin. Nuk mund të jetë ashtu më tej. Ne kur themeluam UET, pavarësisht se ishim, me prof. Ferit Duken dhe prof. Gurakuqin, disi virtualisht në drejtim, ne punonim gjithë ditën, nga ora 09.00 deri ne 19.00 dhe me të njëjtin ritëm edhe kur jam kthyer nga Izraeli, duke qenë në pozicionin e zv.rektorit. Kam punuar shumë, së bashku me prof. Civicin dhe drejtues të tjerë. Unë në fakt isha pro rektor, por de facto rektor, sepse e tillë ishte skema. Kanë kaluar shumë vite dhe po them se edhe pronësia kudo, por besoj në sektorin privat ka karaktere të ndryshme, shfaqet me nuanca të ndryshme dhe lipset kujdes që të ruhen ekuilibrat, raportet me pronësinë, por dhe administrimin, pse jo me studentët, që kanë të bëjnë me një sjellje konsumatore krejt ndryshe në sektorin privat, në çështje të mentalitetit etj. Megjithatë ia kemi dalë, sepse vetëm nga pikëpamja e numrit, por besoj dhe e cilësisë, reputacionit dhe imazhit, jemi të vendosur shumë mirë në hartën e IAL-ve, jo vetëm në Shqipëri. Në këtë hartën tonë, se nuk po them ne arenën ndërkombëtare, pasi kemi rrugë të gjatë për të bërë, por besoj kemi vendosur disa praktika të mira që është kontributi i të gjithëve, në vite, pra arritjet kanë qenë të jashtëzakonshme. Unë ndihem shumë mirë për këtë periudhe 10-vjeçare dhe në 9 vite në pozicionin e rektorit. Administrimi i ri që ka nisur, i cili është në drejtimin e duhur, ka stabilizuar shumëçka mjaft mirë, në çdo aspekt, duke bërë që institucioni të funksionojë normalisht. Kjo vërehej që sot në ditën e parë të shkollës, ku që në orën 08:00 pritëm studentët e rinj, e me një siguri të plotë dhe rregull të paparë, falë punës së administratës dhe sekretares së Përgjithshme, Besartës, dhe ndihmës që i vinte në çdo drejtim, duke mbështetur fort njëri-tjetrin. UET kështu ka qenë, komplementar, i gjallë, “i zhurmshëm”, dinamik, trendy etj. Unë kam qenë 15% pedagog i thjeshtë, ose student, sipas teorisë së radhëve që përdorim ne për silabuset, nga njëri cikël studimi në tjetrin, por dhe secili prej jush është 15% rektor, e kështu me radhë. Dhe ky administrim i ri që është i përforcuar, kërkon mbështetjen tonë dhe unë mendoj që edhe në linjën akademike ishte i nevojshëm një ndryshim i tillë. Kufizimi i mandateve është mrekullia, sipas meje, jo vetëm e demokracisë, por dhe e menaxhimit, pse jo dhe lidershipit, kudo në çdo fushë. A sjell ndryshimi gjithnjë diçka pozitive? Jo domosdoshmërisht, por një strukturë e re, një administrim i ri, një mendim tjetër, kërkon diçka tjetër, në rastin tonë, një linjë tjetër akademike. Thënë shkurt, kjo është mbledhja e fundit e rektoratit të “vjetër” që drejtohet prej meje. Unë këtu do jem në UET, me ju, me studentët. Përvoja që kam, ekspertiza që disponoj, luajaliteti ndaj institucionit, ndaj jush, ndaj ish-bashkëpunëtorëve të mi, do të vijojë siç ka qenë gjithmonë, sepse UET është këtu, do të mbetet këtu, i rëndë, ne mund të ikim një ditë, mund të lëvizim, të qarkullojmë, por UET-i do jetë i përjetshëm, tashmë i madh, polivalent, por, mbi të gjitha, cilësor. Ju falënderoj fort, sinqerisht, dhe le të vijojmë punën si çdo ditë, në rutinën tonë, në përditshmërinë tonë. Ne këtu do të jemi gjithnjë”, tha Gjuraj.
Kush është Nevila Nika, rektorja e UET
Prof. dr. Nevila Nika është rektorja e re e Universitetit Europian të Tiranës. Nika është pjesë e stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës që prej vitit 2015. Ajo njihet për një karrierë të gjatë akademike. Studimet e saj ajo i filloi në Universitetin i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Histori.
Gjatë jetës së saj të lartë akademike ka mbajtur edhe disa pozicione shumë të rëndësishme. Bashkëkoordinatore me prof. Antonella Ercolani, Universiteti “S.Pio V”-Romë, e projektit “Marrëdhëniet italo-shqiptare midis dy Luftërave Botërore dhe problemi i minoriteteve”, financuar nga qeveritë italiane e shqiptare. Ajo ka qenë drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror, drejtore e Përgjithshme e DPA, gjithashtu titullare dhe hartuese e programit të masterit në Arkivistikë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Disa detyra të rëndësishme ka patur në fushën e shkrimit si Kryeredaktore e revistës “Arkivi Shqiptar”, Kryetare e Këshillit të Lartë të Arkivave, Kryetare e Komisionit të Deklasifikimit, drejtuese e seminareve të kualifikimit për arkivistët e rinj të sistemit arkivor në rang Republike.
Ka qenë pjesë e shumë intervistave për mediat e shkruara dhe pjesëmarrjeve në biseda e debate në televizione e radio shtetërore e private shqiptare e të huaja (italiane, amerikane, gjermane dhe kosovare).
VEPRIMTARIA PROFESIONALE e prof. dr. Nevila Nikës
2018-vijim -Rektore e Universitetit Europian të Tiranës
2017-18 – Dekane e Fakultetit Juridik pranë UET
2015-17 -Pedagoge pranë Universitetit Europian të Tiranës
2014-15 -Drejtore e Shërbimit të Botimeve Parlamentare
2005-13 – Drejtore e Përgjithshme e DPA
2009-13 – Titullare dhe hartuese e programit të masterit në Arkivistikë (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës)
2008-13 – Anëtare e redaksisë “Vjetari”, organ i Arkivit Historik të Kosovës
2008 – Drejtore e Stazhit Teknik Arkivor Ndër-rajonal (Shqipëri, Mal i Zi, Kosovë e Maqedoni)
2005-13 – Titullare dhe hartuese e programit të lëndës “Arkivistikë” (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Histori-Arkivistikë, Universiteti i Tiranës)
2005-13 – Kryeredaktore e revistës “Arkivi Shqiptar”
2005-13 – Kryetare e Këshillit të Lartë të Arkivave
2005-13 – Kryetare e Komisionit Qendror të Ekspertizës
2005-13 – Kryetare e Komisionit të Deklasifikimit
2001-13 – Drejtuese e seminareve të kualifikimit për arkivistët e rinj të sistemit arkivor në rang Republike
2001-05 – Anëtare e Këshillit të Lartë të Arkivave
2002-04 – Bashkëkoordinatore me prof. Antonella Ercolani, Universiteti “S.Pio V”-Romë, e projektit “Marrëdhëniet italo-shqiptare midis dy Luftërave Botërore dhe problemi i minoriteteve”, financuar nga Qeveritë italiane e shqiptare
2001-05 – Shefe e Sektorit të Kontrollit të Cilësisë, AQSH
1999-01 – Anëtare e Redaksisë së revistës “Arkivi Shqiptar”
1998-01 – Specialiste e parë në Sektorin e Rilindjes e Pavarësisë, AQSH
1992-97 – Drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror
1993-97 – Anëtare e Këshillit të Lartë të Arkivave
1993-96 – Lektore në Kursin e kualifikimit të arkivistëve pranë DPA
1989-93 – Anëtare e Këshillit Shkencor të DPA
1983-88 – Shefe e Sektorit të Pavarësisë, 1912-44, AQSH
1977-82 – Arkiviste në Sektorin të Mesjetës e Rilindjes, shek.6-1912 AQSH
1976-77 -Stazhiere në Sektorit të Mesjetës e Rilindjes, shek.6-1912 AQSH