UET, marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Mikrofinanca Shqiptare
Universiteti Europian i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën Mikrofinanca Shqiptare, për të zgjeruar më tej shkëmbimet mes dy institucioneve.
Marrëveshja u nënshkrua ditën e hënë mes pedagoges së Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës, dr. Elona Shehu dhe Sekretares së Përgjithshme të Shoqatës, znj. Junida Tafaj, e cila bëri një prezantim të shkrurtër të institucioneve financiare në vend dhe në veçanti për institucionet e mikrofinancës, duke u ndalur te misioni institucionit që bën pjesë.
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare bashkon institucionet financiare jo bankare më të konsoliduara në vend, me aktivitet kryesor mikrofinancën dhe promovon edukimin e njohuritë financiare, aksesin në financim, financimin e përgjegjshëm dhe atë social.
Znj. Tafaj ishte e ftuar në UET për të zhvilluar një leksion të hapur me studentët, në kuadër të praktikave profesionale, ku iu përgjigj pyetjeve dhe interesimit të studentëve mbi fushën e mikrofinancës.
Ajo u ndal gjithashtu në specifikat e aktivitetit të anëtarëve të Mikrofinanca Shqiptare dhe mbi rolin dhe impaktin e tyre në ekonomi, si dhe risitë e anëtarëve në digjitalizim dhe përfshirjen financiare.