‘Startup Europe’ në UET, iniciativa që bashkon sipërmarrës, biznesmenë e studentë
‘Startup Europe’ në UET, iniciativa që bashkon sipërmarrës, biznesmenë e studentë
SEC2U është një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Europian (Startup Europe) për të krijuar një kulturë të fortë sipërmarrjeje dhe inovacioni në universitetet në të gjithë Europën
Universiteti Europian i Tiranës organizon për vitin e tretë radhazi ‘STARTUP EUROPE’, një iniciativë që bashkon sipërmarrës, biznesmenë, përfaqësues universitetesh, të qeverisë dhe organizatave me fokus suportin ndaj sipërmarrjes për një javë, për të treguar në universitetet e çdo vendi, mundësitë dhe mbështetjen për biznesin, për të sjellë rastet e suksesit por dhe rastet e dështimit si një mënyrë për të mësuar dhe të bëjë të mundur krijimin dhe zgjerimin e network-ut si dhe shkëmbimin e kontakteve mes pjesëmarrësve. Prof. dr. Ermira Qosja si përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në Universitetin Europian të Tiranës së bashku me Lutjona Lulën, nga Zyra e Projekteve dhe Partneriteteve në Universitetit Europian të Tiranës kanë organizuar për Shqipërinë prej 3 vitesh duke synuar të sjellin sipërmarrës, krijues të startup-eve, studentë e kolegë si dhe ta organizojnë mirë dhe ta promovojnë atë në vendin tonë. SEC2U promovohet nga anëtarët e Startup Europe University Network (SEUN), një network që përfshin universitete, parqe teknologjike dhe organizata që merren me kërkimin dhe inovacionin në Europë dhe më gjerë. Duhet thënë që SEUN është i promovuar nga Komisioni Europian. Mënyra se si organizohet është shumë e qartë. Anëtarët e SEUN promovojnë SEC2U dhe inkurajojnë organizatorët lokalë të punojnë së bashku, të ndajnë të njëjtën filozofi e qëllim gjatë organizimit të aktivitetit.
Prof. dr. Ermira Qosja si përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në Universitetin Europian të Tiranës shprehet se kjo nismë kërkon mbështetje në Europë dhe Shqipëri si dhe iu jep mundësinë studentëve që kanë aftësi në sipërmarrje të kenë një eksperiencë Erasmus në një nga bizneset në Europë.
“Startup Europe Comes to University është një nismë europiane në kuadrin e Komisionit Europian që synon të afrojë universitetet me sipërmarrjet, është pjesë e universiteteve ku përfaqësues nga Shqipëria në këtë network është Universiteti Europian i Tiranës. Setup Europe është viti i tretë që po organizohet. Kjo nismë synon të bashkojë pedagogët e universiteteve me persona që kanë marrë nismën për të krijuar biznesin e tyre. Kjo ditë ngjan me ditën e sipërmarrjes, por ky në thelb synon afrimin me të rinjtë që krijojnë sipërmarrje. Të ftuar kemi dhe disa alumni tanët. Ish-studentët tanë që tashmë janë sipërmarrës dhe janë pjesë e UET-it në klubet studentore etj. Synimi është të hyjmë në fazën e Erasmus që u jep mundësi studentëve që kanë aftësi në sipërmarrje për të bërë një semestër pranë një biznesi diku në Europë. Kjo nismë kërkon partneritet në Europë dhe në Shqipëri. Përzgjedhja e studentëve bëhet më e komplikuar sepse nuk është një Erasmus i thjeshtë që të të njihen kreditet në UET dhe të mjaftojë. Synojmë të punojmë shumë me studentët dhe të arrijmë më të mirën”, -shprehet Qosja.
Prorektorja e Universitetit Europian të Tiranës Drita Kruja shprehet se pika jonë më e fortë janë startup-et. Kjo vjen dhe si shkak i rritjes së UET-it në 5 fakultete. Inovacioni është fjala e parë nëse duam zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.
“Vlerësimi i Indeksit Botëror të Sipërmarrjes mat çdo vit shëndetin e këtij ekosistemi ku është i përfshirë edhe Shqipëria. Ne jemi në vendin e 89-të, një vend që s’është dhe aq i mirë. Pika jonë e forta është aftësia e startup-eve. Këtë vlerësim që kemi marrë nga ky indeks, rol kyç kanë institucionet e arsimit të lartë, por kjo duhet të fillojë që në shkollat e mesme. E para edukimi sipërmarrës, ku në kurrikulat e degëve të biznesit në fakt, aftësitë sipërmarrëse dhe sipërmarrja janë baza por krahas tyre, Universiteti Europian i Tiranës si një pararojë e të gjithave i jep rol të rëndësishëm aktiviteteve ekstrakurrikulare. UET ka klubet studentore të cilat janë rritur dhe 17 klube studentore. Kjo vjen dhe si shkak i rritjes së UET-it në 5 fakultete. Inovacioni është fjala e parë nëse duam zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë së vendit. Kemi dy klube studentore, Klubi i Inovacionit dhe Klubi i Sipërmarrjes. Kemi menduar për këto dy klube por nuk do të thotë që një student i një fakulteti tjetër të mos jetë pjesë e këtyre klubeve. Duhen ide kreative gjë që do ndihmojë dhe studentët. Universiteti Europian i Tiranës ka dhe një sallë Inovacioni, ‘Inovation Lab’ ku mund të diskutoni dhe të punoni mbi idetë që ju studentët keni. Universiteti Europian i Tiranës ofron mundësi për studentët, si dhe për alumnit, ish-studentët tanë që bëhen pjesë e forumeve, auditorëve për të ndarë eksperiencat e tyre”, -shprehet Kruja.
Lutjona Lula, përgjegjësja e Njësisë së Ndërkombëtarizimit në Universitetin Europian të Tiranës, orientoi disa prej studentëve se si të kenë mundësinë e aplikimit në Erasmus për të shkëmbyer një eksperiencë në një prej sipërmarrjeve në Europë.
“Erasmus Enterpreneur iu intereson studentëve të cilët do dalin në tregun e punës. Programi Erasmus ka shumë komponentë dhe i vlerësuar si programi më i suksesshëm i Bashkimit Europian për sa u përket politikave rinore, arsimit dhe sportit. Që këtë vit, është periudha e aplikimeve dhe ne si Universiteti Europian i Tiranës, aplikojmë për partneritete dhe për projekte. Në aplikimet aktuale përfshihet edhe pjesa e trajnimeve për të bërë praktikë Erasmus në një sipërmarrje në Europë. Bëni praktikën e punës në sipërmarrjen aty ku ju siguron universiteti pritës, dhe merrni dhe një bursë, pra nuk paguani asgjë ekstra. Erasmus Entrepreneur është pak më i veçantë se sa Erasmusi për universitetet, sepse merrni eksperienca pune. Ju aplikoni online me një CV dhe një letër motivimi tuajën në ciklet Bachelor ose Master. Erasmus Entrepreneur është një program që mbështetet në sipërmarrje dhe ka lindur si nevojë e një bashkëpunimi midis universiteteve dhe të rinjve për të patur ide sa më inovative për procese të ndryshme. Për gjashtë ose dymbëdhjetë muaj do jeni të punësuar në një kompani europiane. Ajo që ju lehtëson është se bursat mundësohen nga Komisioni Europian”, shprehet Lulo.
Për të nxitur sipërmarrjen ka disa mënyra, natyrisht sipërmarrja lidhet me motivimin personal që ka gjithsecili, lidhet me edukimin dhe kontekstin social-ekonomik, si dhe me familje. Drejt sipërmarrjes shkojmë të gjithë njëlloj, ndër instrumentet që nxitin sipërmarrjen te të rinjtë është ai i modeleve të sipërmarrësve që tregojnë se si e kanë nisur biznesin e tyre. Një prej tyre është edhe Isa Fida, i cili tashmë menaxhon një rrjet të gjerë Network-u, si menaxhim dhe krijime faqesh online, portale, të cilat lidhen ngushtë me inovacionin dhe startup-et. Tashmë ai është menaxhues i sipërmarrjes së tij FIDAHOST, të cilën e ka nisur që në moshën e tij të vogël.
“FIDAHOST, hostingu është adresa ose emri i faqes suaj në internet, shtëpia është website që ju e krijoni dhe vendi është hapësira juaj në internet se ku qëndron faqja juaj. FIDAHOST ofron shumë produkte hostingu, deri te shërbimet e mëdha si serverat e dedikuar për institucione etj. Ofrojmë një menaxhim për kompanitë e ndryshme për serverat e tyre. Kjo ide ka lindur për faktin se kam qenë në kontakt me internetin që në moshën 10-vjeçare dhe kam qëndruar me orë të tëra para kompjuterit. Mora disa leksione në gjuhën programore, krijova më pas faqen time të parë në internet. Nuk e mendoja internetin si një mënyrë e mirë fitimi, por duke krijuar më shumë faqe thjesht për pasion dhe dëshirën që kisha arrita të xhiroj fitimet e mia të para nga google në moshën 12-vjeçare. Fitova diku te 100 dollarë dhe duke qenë se po i shtoja faqet e mia krijova dhe faqe për biznes e lokale, si të thuash krijova dhe klientët e mi të parë. Më pas mendova të merrja server të dedikuar dhe ishim në një forum për webmaster ku shumë njerëz nuk kishin mundësi të blinin. Kisha hapësirë dhe fillova ta shes aty, pas një viti m’u bënë rreth 50 klientë pasi më vinin njerëz që nuk blinin dot online etj. etj. Thashë pse mos ta krijoj si një biznes tamam, në vitin 2010 krijova FIDAHOST.COM. Një nga avantazhet tona kryesore ishte shërbimi cilësor dhe të gjitha llojet e pagesave, pagesa me bankë në Kosovë, Maqedoni dhe për disa vite u bënë shumë klientë. Në vitin 2014 vendosa ta regjistroj si një lloj SHPK-je. Kemi patur shumë klientë dhe kemi ndryshuar shpesh strategjinë e biznesit. Synojmë bizneset e mëdha jo se i anashkalojmë të vegjlit. Klientët e mëdhenj janë ata që kanë server të dedikuar dhe janë kompani të mëdha dhe kanë nevojë për informim ndaj klientëve dhe marketing për veten e tyre. Të gjitha portalet online shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë, 99% të tyre i menaxhojmë ne dhe i mirëmbajmë. Ndonjëherë një sipërmarrje kur e nis nuk e pret se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Duhet që ta synoni atë që doni dhe ta arrini. Thjesht niseni diçka, nuk është paraja ajo që të duhet gjithmonë është thjesht një ndihmë dhe kaq. Punoni fort për t’i arritur ato që dëshironi”, -shprehet Fida.
Enxhi Dyrmishi, një studente e diplomuar në arkitekturë por që bën një biznes të sajin ‘Social Media Marketing’, ku gërsheton më së miri gjërat që ajo di. Enxhi ofron menaxhimin e mediave sociale të disa kompanive në Shqipëri. Një rrugë e mirë zgjedhur për t’u futur në tregun e punës. Ajo shprehet se ka studiuar një profil krejt tjetër, por kjo nuk e pengoi që ajo të bënte atë që kishte dëshirë.
“Kam studiuar arkitekturë por bëj diçka krejtësisht ndryshe. Bëj social media marketing, pra menaxhim rrjetesh sociale. Të gjithë e dimë sa e rëndësishme të jemi online dhe të reklamojmë ose të promovojmë atë që një biznes ka. Kam startuar këtë punë kur isha shumë e vogël. Që e vogël mendoja pse mos të filloj të fitoj para me këtë punë. E fillova me kompani të vogla duke menaxhuar rrjetet e tyre sociale. E fillova me Mon Cheri, krijova rrjetet sociale të tyre dhe i kam akoma klientët e mi më besnikë. Shikoja në internet se si të bëhem më profesioniste në atë që unë bëj. Më pas vazhdova arkitekturën dhe pasi e mbarova po mendoja se çdo bëja. M’u dha një mundësi shumë e artë, programi i vetëpunësimit dhe u krijua mundësia për të marrë 500 mijë lekë të vjetër për të krijuar biznesin tënd. Unë po trajnohesha pak në biznes dhe u futa në rrugën e marketingut se si të krijoj biznesin tim. Tashmë jam në një target group me bizneset e mesme dhe jo më të vogla. Akoma vazhdoj të debatoj me prindërit e mi për të pasur një punë 8 me 4, por mua nuk më pëlqen. Nuk është e thënë që nëse studion në një profil të caktuar, ajo do të jetë definitive për profesion në jetën tuaj. Bëni atë që ju pëlqen dhe nëse dëshironi të krijoni një biznes thjesht fillojeni”, -shprehet Dyrmishi.
Alban Deda, një sipërmarrës i cili tashmë gëzon kompaninë e tij ‘Robustech Al’ tregoi se si e filloi biznesin e tij dhe se si tashmë ai arriti suksesin. Sugjerimi më i veçantë sipas tij ishte se nisjen e një biznesi të mos e bëni vetëm, por me dy ose tre persona për të mirëfunksionuar gjithçka pasi tregu është shumë i vështirë.
“ Startupi im është në fushën e teknologjisë, kryesisht në smarthome, shtëpitë inteligjente. Zanati ose shkolla ku studion është e vërtetë që nuk të ndalon atë që dëshirosh të bësh. Unë disa nga tentativat e mia i kam pasur jashtë profilit tim. Kjo nuk do të thotë se kjo metodë është më e mirë. Biznesi është dhe instinkt dhe kjo bindje më vjen si rrjedhojë e aktualitetit. Biznesmenë janë dhe persona që s’kanë aspak shkollim por tashmë janë të suksesshëm. Janë mjaftueshëm inteligjentë për të mos i bërë gjërat vetë por për të rekrutuar persona të shkolluar për të vazhduar biznesin. Dikush e fillon biznesin shumë ngadalë, por unë zgjodha një metodë tjetër, pak më të dhimbshme. Hyra në një nivel jo të lehtë për mua por pati një lloj logjike se atë rrugë kisha. Arsyeja ishte e thjeshtë. A mundem unë të hyj në tregun e mbushur plot? Ose e fillon ngadalë dhe të mbyt ai që është më i madh ose futesh direkt dhe fuqishëm në treg ku nuk ka shumë konkurrencë. Rasti i kompanisë sime kishte pak konkurrencë të paktën për Ballkanin. Smart Home është shtëpia inteligjente. Pra, komandimi i elementeve të shtëpisë në distancë nëpërmjet celularit, krijimin e skenarëve të ndryshme pa bërë veprime. Nëse zgjohesh në mëngjes mund t’i kesh ngrohjen perdet dhe të gjitha gati me programim. Biznesi është i bukur, do përkushtim dhe rëndësi ka të mos dekurajoheni në momentin kur e filloni. Sugjerimi është të mos e filloni vetëm, të paktën dy persona ose tre”, – shprehet Deda.
Keti Gjipali është një tjetër sipërmarrëse sociale, e cila aplikon për projekte të ndryshme. Të gjithë mund të kemi dështuar në jetë, ashtu siç edhe Keti tregon eksperiencën e saj të dështimit. Ajo shprehet se nga dështimi duhet të marrim anën pozitive, se si pas dështimit të punojmë më shumë.
“ Unë vij nga një familje me traditë në biznes dhe le të themi ata prisnin nga unë që të vazhdoja biznesin e tyre pasi vazhdova të studioja Administrim Biznesi. Që në vitin e dytë në universitet aplikuam në startup-e dhe me grupin tim fituam çmimin e parë. Ideja s’kishte lidhje me IT, por ne kishim ide të thjeshtë dhe të realizueshme pa fonde. Kjo e bëri jurinë të na votonte pozitivisht. Ideja mbeti aty por unë vazhdova një degë me punimet artizanale etj. Automatikisht të gjithë prisnin që unë të merresha me artizanat. Emisionet filluan të më ftonin dhe unë aty dështova në momentin kur dola gjithandej. Arsyeja e dështimit ishte sepse unë dola gjithandej, filluan shumë kërkesa për produkte por unë nuk kisha, kisha vetëm nga një model dhe më pas thjesht hoqa dorë. Nuk mendoj se duhen shumë persona në sipërmarrje, por varet nga aktiviteti që zhvillon. Vendimmarrjen kryesore e kam shumë të vështirë ta ndaj me dikë pasi kam idetë e mia dhe nuk dua t’i ndaj me dikë. Me qenë se dështova dua të them diçka që asnjëherë nuk duhet të ndalojmë së punuari pasi jo gjithçka shkon ashtu siç duhet. Ne duhet të mësojmë dhe të marrim mesazhin se çfarë dimë të bëjmë më mirë. Asnjëherë nuk kam punuar në një agjenci të mirëfilltë marketingu. Pas një viti që kisha nisur me AGOG dhe punoja part time, dhashë dorëheqjen dhe vendosa ta bëj vetë diçka prej vërteti. Biznesi do një kohë të plotë. Këtu nisi çdo gjë ku fillova me rekrutimin e punonjësve. Tregu ynë është i vogël por marketingu digjital mund të depërtojë në Europë. Një tjetër nxitje se pse ju futa kësaj industrie është sepse investimi fillestar është zero. Një laptop, një celular dhe vetëm mund të kërkosh për klientë. Krijon një prototip, testoje, ndryshoje ndërsa për një agjenci është shumë e thjeshtë. Mjafton krijimi i një ideje se çfarë do të ofrosh dhe mund të fillosh të shesësh që ditën e parë” -shprehet Gjipali.
‘Nji Mar, Nji Mrapsht’, është një biznes i dy motrave shkodrane dhe biznesi i tyre mbështetet në tradita dhe në teknologjinë bashkëkohore. Anisa Bushati e cila është sipërmarrëse e këtij biznesi shprehet se kurrë nuk duhet hequr dorë dhe nuk duhet të trembemi nga konkurrenca në biznes. Sipas saj konkurrenca të bën armik, por konkurrenca të bën të rritesh.
“Të gjithë përballemi me të njëjtat sfida. ‘Nji Mar, Nji Mrapsht’, pra biznesi ynë synon të jetë përfaqësues i punëve me shtiza, punëve të dorës. Është e rëndësishme të bazohesh tek ajo çfarë di të bësh. Jo detyrimisht shkolla që ke bërë të punësohesh në të njëjtin profil, por mund të jesh shumë i mirë në komunikim. Puna 8 orë më ka mërzitur shumë, dhe vendosa ta lë punën. Kur e lë punën të duket vetja mendjemadh, në një kohë që është vështirë të gjesh punë. Motra ime ishte më e lirë dhe vendosëm të bënim diçka. Pamë që rreth nesh sa herë duhet të bënim një dhuratë e kishim të vështirë ta gjenim. Vendosëm të merreshim me gjëra specifike dhe tradicionale. Pra, diçka na mungonte jo vetëm ne por dhe tregut. Kishim kontakte rastësore me artizanë të zonës ku tashmë kemi produktet tona dhe vendosëm të hapnim dyqanin. Tradita është bërë dhe artizanati në kohën e komunizmit u kthye në diçka artistike. Unë pak me dizajn dhe motra ime Manjola me komunikimin, për të mos bërë ndarjen o je një gjë, o je një tjetër, ne kemi artizanatin që është çdo ditë me ne. Jo gjithmonë financat janë problemi kryesor, ne e kemi nisur me 700 euro. Kur diçka vetes të zien, e gjen mundësinë. Nuk kemi marrë punëtorë për raftet në dyqanin tonë, por arkat e një dyqani lagjeje dhe i kam lyer vetë. Pra, kemi diçka tonën me kosto zero përveç kohës. Kam lexuar një shprehje që ‘asgjë s’është perfekte’ dhe nisëm të prodhojmë gjëra duke e nisur me tri artizanë. Tani në prill bëjmë 5 vjeç dhe kemi më shumë se 230 artizanë që kanë kaluar nga ‘Nji Mar, Nji Mrapsht’. Një tjetër gjë e rëndësishme është se produktet janë vetëm tonat, ose realizime të menduara nga ne ose të artizanëve ku vlen të theksohet bashkëpunimi. Konkurrenca nuk të bën armik por konkurrenca të bën të rritesh. Ka artizanë që vijnë në dyqanin tonë me produktet e tyre dhe ka plot që ju themi jo me këtë gjë, përdore përgjigjen tonë jo për të bërë diçka më të bukur. Thjesht vazhdoni të përpiqeni, në të shumtën e rasteve kemi elemente shqiptare jo për të qenë nacionalistë por për të thënë që ka edhe shqip. Kemi bllok shënimesh i cili nuk mund të jetë i blerë vetëm online por i bërë me një copë i punuar me tezgjah, kemi vathë të ndryshëm që kanë Shote Galicën etj. I përdor dhe vetë produktet e dyqanit jo për reklamë por për ta jetuar atë që unë kam. Ne mezi po presim të hapet një dyqan tjetër si ne, për të krijuar diçka të re. Për sa u përket mediave sociale, për mua është e pamundur që ta bëj vetë marketingun e produkteve të dyqanit tonë. Pra, do më duhet të punësoj një person që e bën këtë punë për mua. Ky lloj marketingu është një mënyrë shumë e mirë, dhe ka qenë kanali kryesor për të arritur dhe klientët. Mos hiqni dorë nga ëndrrat dhe thjesht niseni biznesin me gjëra të vogla, mjafton të keni vullnet” – shprehet Bushati.
Valbona Rusi, sipërmarrësja tashmë e suksesshme e ‘Albpastrim’, tregoi eksperiencën e saj të nisjes së një biznesi dhe se për këtë nuk nevojitet gjithmonë kapitali ashtu siç mendojnë shumë prej atyre që nisin një sipërmarrje. Rusi shprehet se sfidat në jetë janë të vështira por kurrë nuk duhet të kemi frikë, sepse frika është ajo që na ndalon t’i çojmë deri në fund idetë tona.
“Shumë mendojnë se të ndërtosh një biznes të duhet kapital. Realisht jo gjithçka fillon nga kapitali. Unë kam filluar shumë herët që kur isha studentë në IT, por aty më lindi ideja të bëj biznesin tim. Doja të bëja shumë angazhime dhe s’mund të punoja tetë orë në ditë e kornizuar. Ishte e vështirë, fillova të kërkoja në Shqipëri dhe lëviza drejt Shqipërisë nga Greqia, nga vendi ku jam rritur për të parë si funksionojnë gjërat këtu. Kur e diskutova idenë me të afërmit, ishte diçka e çmendur, pra do lija Greqinë ku unë isha e punësuar për ta filluar sërish nga zero. Mendoja se pse s’më kuptojnë të afërmit mua. Askush s’ma besonte idenë. Unë nuk i tregova asnjeriu, hapa një NIPT dhe atëherë ua bëra të ditur njerëzve. E vetmja gjë që më motivonte ishte dëshira. Kam shitur makinën time atëherë me një vlerë shumë të vogël dhe çdo gjë e nisa nga fillimi. Kështu që nuk kisha asnjë kapital të madh. E vetmja gjë që na tremb është frika se mos dështojmë. Mos kini frikë, sepse kjo frikë nuk na lë të marrim përsipër dhe të çojmë idenë deri në fund. Fillova në sektorin e shërbimeve, hasa vështirësi por vështirësia më e madhe ishte për ta krijuar shërbimin ndryshe nga çfarë ofrohej në treg. Për të sjellë brande të reja në shërbimet dhe produktin e pastrimit. Nëse ju nuk do të keni ide të qartë për ta zhvilluar idenë tuaj deri në fund me angazhim real nuk do të keni një histori suksesi dhe për ju. Të gjithë të tjerat vijnë më pas, ju vetë angazhohuni. Fokusi ynë me kalimin e viteve ka qenë punonjësi, për të motivuar gratë, për t’i trajnuar ato për një forcë reale pune. Mendoj se ia kemi dalë dhe së fundi po lançojmë një kompani tjetër në fushën e brandeve, e cila do të jetë dhe online për produktet e pastrimit jo vetëm për bizneset e vogla por dhe të mëdha”, -shprehet Rusi.
Anxhela Çikopano, ish-studente e Universitetit Europian të Tiranës është një person optimist për të shkuar përpara, një nga tiparet kryesore për të qenë një sipërmarrës. Ajo tashmë ka biznesin e saj ‘Ajkuna’ dhe për këtë ajo tregoi hapat e parë por mbi të gjitha tashmë bën një punë jashtë profilit që ajo ka studiuar dhe e ka bërë më të suksesshme.
“ Historia ime është e çuditshme, kam studiuar Regji Teatri. Kam punuar me filmat dhe me televizionet ku mësova një gjë. Nëse ti nuk bën një projekt që nuk është i shitshëm në ekran atëherë projekti yt nuk vlen. Më pas punova në marketing, një punë që e bëja për herë të parë dhe mësova mirëfilltazi të shes. Ishte si një shkollë e madhe për mua. Mësova të shes, dhe kur një ish-shefi im më kërkoi sërish në punë i thashë tashmë mësova të shes, po të ngelem keq do të kthehem. Tentativa ime e parë për të bërë biznes ishte kur një shok i imi ishte webmaster në një nga televizionet shqiptare, vendosëm të bënim një online book store. Kur aplikuam për një projekt, donim para për të shfrytëzuar për të bërë marketing me ato para. Puna jonë sigurisht që ka kosto, por neve na thanë që ky biznesi juaj është pa rrezik. Asnjëri prej nesh nuk ndaloi, por unë vazhdova dhe pak në marketing deri kur nuk duroja dot shef mbi kokë. Unë jam përkthyese prej 20 vitesh. Por vendosa të bëja reçel dhe gliko. Njerëzit filluan të riktheheshin nga produktet e mia kur fillova t’i shisja. Gjatë marketingut kisha mësuar se kur një klient rikthehet aty ka vend për biznes. Hapa një faqe internet për nevojat bazike. Kisha shumë klientë me përkthimet por doja ta ngrija këtë biznes me reçelin dhe glikotë. Shtëpia ime u kthye në një punishte, pra vendosëm që të kemi një dyqan tonin dhe më pas produkti të shpërndahej në bizneset e tjera. Kisha produkte shumë cilësore dhe më mësuan se ku duhet të shkojë më shumë produkti. Është mirë që në biznes të hysh me një ortak pasi mund të kesh më shumë gjasa për të dështuar vetëm. Një nga dëmet më të mëdha që ka bërë komunizmi në Shqipëri është se ka zhdukur sipërmarrjet, mentalitetit të sipërmarrjes dhe zhdukja e bizneseve familjare. Në biznes duhet të kesh një ortak, duhet të kesh së pari vullnetin dhe mos të heqësh kurrë dorë” – shprehet Çikopano.