[:en]Risitë e shkollave sezonale të UET[:]
[:en]
Risitë e shkollave sezonale të UET
Zhvillimet e ditëve të sotme janë shumë të shpejta dhe përfshijnë një sërë fushash, duke filluar që nga ajo sociale deri tek ajo teknologjike. Në përshtatje me këto ndryshime universitetet ofrojnë tanimë jo thjesht programe standarde studimi, por janë në tentativë të përhershme që të ecin krah për krah me inovacionin. Prej kohësh universitet perëndimore kanë vënë në zbatim një praktikë mjaft kreative, siç është zhvillimi i shkollave sezonale për të rinjtë. Këto organizime janë një metodë arsimimi gjithnjë e më popullore dhe ofrohen nga një numër i konsiderueshëm universitetesh në thuajse të gjithë botën. Shumëllojshmëria e asaj që ofrohet nga shkollat sezonale në Europë apo jashtë saj është e madhe. Disa programe fokusohen për shembull në një lëndë të caktuar, duke zhvilluar dijet për të, me anë të një kursi intensiv kohëzgjatja e të cilit varion nga disa ditë në tetë javë. Sigurisht që metodat janë interaktive dhe argëtuese në mënyrë që procesi i nxënies të jetë sa më i frytshëm për të rinjtë. Këto shkolla vlerësohen për përfitimet e shumta që u ofrojnë pjesëmarrësve, duke filluar që nga aspekti akademik, por dhe përtej tij, tek ai kulturor dhe social. Përmirësimi i aftësive personale, krijimi i miqësive të reja, zgjerimi i rrjetit të njohjeve, kontakti me pedagogë dhe përfitimi i njohurive të reja, si dhe frymëzimi për të ardhmen apo argëtimi janë vetëm disa oportunitete. Shkollat sezonale organizohen prej disa vitesh edhe në Universitetin Europian të Tiranës, duke pasur si pjesëmarrës maturantë nga e gjithë Shqipëria. Organizimet tre-katërditore që mbahen në një ambient jashtë Tirane ofrojnë ndër të tjera leksione me të ftuar pedagogët më në zë të fushës apo personalitete me emër që ndajnë me të rinjtë eksperiencën dhe këndvështrimet e tyre origjinale mbi temat e trajtuara. Me ristrukturimin e tij këtë vit, UET-i në bashkëpunim me Institutin Europian “Pashko”, sjell për herë të parë në total pesë shkolla sezonale, të cilat i përgjigjen secilit prej pesë fakulteteve të tij.
Takimet Liberale të Dardhës, Anuarët e Humaniteteve, Shkolla e Lidershipit, Shkolla Dimërore e Inovacionit, si dhe Forumi i Shëndetit Publik vijnë në kuadër të ristrukturimit dhe zgjerimit të universitetit.
Takimet Liberale të Dardhës – Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit
Rrethi Liberal i Dardhës është një nismë për të promovuar lëvizjen dhe qasjen liberale në Shqipëri. Këto takime liberale konsistojnë në një grupim studiuesish, profesorësh të ekonomisë, filozofisë, gazetarë, studentë etj., që mblidhen dhe diskutojnë se si idetë liberale mund të kenë më shumë hapësirë në jetën publike, në ekonomi, arsim, kulturë dhe në gjithë jetën e vendit. Gjatë qëndrimit disaditor në Dardhë, maturantët bëhen pjesë e një grupi aktivitetesh të tilla si prezantime, takime, biseda, diskutime dhe një sesion shkencor. Forumi i Dardhës, i cili ka një pjesëmarrje mikse me pedagogë, studentë, aktivistë të shoqërisë civile, aplikantë të lirë, të rinj, përfaqësues nga bota e biznesit, shoqata të biznesit, si edhe të ftuar ndërkombëtarë, mblidhet çdo vit si një formë e aktivizimit të lëvizjes liberale në Shqipëri, duke promovuar vlerat e lirisë, konkurrencës, tregut të lirë, kundër etatizmit, kundër populizmit dhe kundër pranisë së shtetit në ekonomi.
Shkolla Dimërore e Inovacionit – Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës
Muaji shkurt i përket Shkollës Dimërore të Inovacionit, ku Universiteti Europian i Tiranës në kuadër të traditës së tij të shkollave sezonale, sjell këtë aktivitet katërditor trajnimi si një mundësi shumë të mirë për të gjithë ata të rinj kreativë që dëshirojnë të përfitojnë nga një qasje dhe këndvështrim inovator. Këtë vit të ri akademik, shkolla dimërore ka ardhur me një organizim risi në kuadër të hapjes së Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Maturantët që u bënë pjesë e edicionit të parë të kësaj shkolle dimërore do të kenë mundësinë të paraqesin idetë dhe punimet e tyre në fushat përkatëse të inxhinierisë, arkitekturës dhe informatikës përpara një jurie profesioniste, ku në përfundim të konkursit, idetë më novatore do të përfitojnë bursa studimi. Qëllimi i kësaj shkolle është promovimi i të rinjve të talentuar dhe krijimi i një oportuniteti për të mësuar e për t’u argëtuar njëkohësisht, falë aktiviteteve të zhvilluara, por edhe falë njohjeve të reja dhe socializimit me maturantë të tjerë që vijnë nga e gjithë Shqipëria.
Forumi i Shëndetit Publik – Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike
Universiteti Europian i Tiranës ka tashmë një fakultet të dedikuar mjekësisë. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka hapur dyert e tij këtë vit për studentët duke ofruar mundësinë për studim në degë të tilla si: Fizioterapia, Imazheria dhe Infermieria, ndërkohë që pritet të zgjerojë mundësitë e zgjedhjes në vitet në vijim. Në këtë kuadër, IEP në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit Europian të Tiranës, kanë organizuar Forumin e Shëndetit Publik 2018, në muajin dhjetor. Pjesë e aktivitetit të parë të këtij lloji, maturantë nga e gjithë Shqipëria, kanë pasur mundësinë të bëhen pjesë e diskutimeve të shumta mbi sektorin e shëndetësisë në vend. Ata u njohën me disa nga problematikat që shoqërojnë mjekësinë sot, si dhe mënyrat se si mund të zgjidhen ato. Në atë që mund të konsiderohet një “takim brezash”, të rinjtë përfituan nga eksperienca e rrëfyer e shumë prej mjekëve më në zë shqiptarë që ishin të ftuar në këtë aktivitetet. Pedagogët e nderuar prezantuan në një sallë ku gjendeshin ata të cilët aspirojnë të bëhen e ardhmja e mjekësisë në vend. Forumi i Shëndetit Publik ka për qëllim të shndërrohet në një traditë të mirëfilltë, ashtu si shkollat e tjera sezonale të UET-it.
Shkolla pranverore e Lidershipit, Dhërmi – Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare
Shkolla Pranverore, e cila organizohet në Dhërmi, bën bashkë maturantë dhe studentë nga e gjithë Shqipëria, të cilët nxiten të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre të lidershipit. Presidentë të qeverive studentore, maturantë të rrjetit të ekselencës nga gjimnaze të ndryshme të Shqipërisë, të cilët kanë nisur t’i aplikojnë që tani aftësitë e tyre të lidershipit, duke drejtuar qeveri studentore, me objektiva që të jenë nesër liderët e ardhshëm në politikë dhe jetën publike, kanë qenë çdo vit pjesë e këtij organizimi. Pikasja e tyre në bankat e shkollës është edhe synimi i Universitetit Europian të Tiranës, i cili e ka kthyer Shkollën Pranverore të Lidershipit, në një traditë të përvitshme. Organizimi ka pjesë të tij lektorë të ndryshëm të ftuar, të cilët me temat e trajtuara nxitin diskutimin mes pjesëmarrësve që ndajnë me të tjerët këndvështrimet e tyre, argumentet dhe eksperiencat. Të rinjtë mund të ndajnë mes tyre idetë dhe të mësojnë nga socializimi me të rinjtë e tjerë. Kjo është një nismë frytdhënëse për të gjithë pjesëmarrësit, të cilët nxiten të vijojnë më tej zhvillimin e aftësive të lidershipit, por edhe të edukimit, talentit dhe vizionit të tyre.
Anuarët e Humaniteteve – Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale
Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale këtë vit të ri akademik vjen i ristrukturuar, me shumë degë të shtuara dhe mundësi të shumta zgjedhjeje. Në këtë kuadër edhe aktivitetet që UET-i organizon për të rinjtë, janë të shumta. Në javën e parë të janarit organizohet “Anuarët e Filozofisë”, ku Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, në bashkëpunim me klubin e filozofisë “Russell”, organizon çdo vit konferencën shkencore “Anuarët e Filozofisë”, me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve, maturantëve, studiuesve të filozofisë, gazetarëve, politikanëve, think tank-eve etj. “Anuarët e Filozofisë” prej vitesh zhvillohet në Llogora dhe u mundëson pjesëmarrësve të debatojnë dhe të diskutojnë mbi temën e përcaktuar duke shpalosur edhe pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre. Nga ana tjetër, “New Media Trends” është një aktivitet, i cili u zhvillua për herë të parë në fund të muajit shtator, me studentë nga universitete të ndryshme të vendit, që studiojnë Komunikimi dhe Marrëdhënie me Publikun. Organizuar nga Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, në bashkëpunim me IEP, ky aktivitet është konceptuar si tryezë për diskutim, mbi tematika të ndryshme të aktualitetit në botën mediatike dhe trendeve që parashikohen për të ardhmen. Për të rinjtë e talentuar UET ka konceptuar Koloninë e Artit në një mënyrë organizimi krejtësisht të re, në kuadër të hapjes së degëve të artit. 25 maturantë nga e gjithë Shqipëria, të pasionuar në arte pamore, punuan nën mentorshipin e tre mjeshtërve të njohur, Bujar Kapexhiu, Shaqir Veseli dhe Zaim Elezi. UET-i ofroi bursa të plota studimi për 10 maturantët më të mirë të kësaj Kolonie Arti. Ndërkohë Ditët Letrare të Razmës, janë një organizim i përvitshëm që ka në fokus autorët dhe letërsinë shqipe. Prej vitesh kjo tryezë treditore diskutimi mbledh studentë, kritikë, shkrimtarë, botues, akademikë dhe gazetarë në një aktivitet që ka për qëllim promovimin dhe ngritjen lart të vlerave të letërsisë shqipe. Organizimi i radhës do të bëhet edhe në kuadër të hapjes së degëve të letërsisë dhe gjuhësisë në UET.
Shkolla Dimërore e UET për ESS Raundi 9
Qëllimi i workshop-it ishte që kërkuesit e rinj të afroheshin më shumë me metodat e fundit që përdoren në Europë për të analizuar dhe për të nxjerrë një përfundim sa më të qartë të kërkimit të tyre.
UET-i, në bashkëpunim me INSTAT-in dhe Koordinatorin Kombëtar të Raundit të 9-të për projektin ESS, z. Alban Nelaj, zhvilloi këtë fundjavë shkollën dimërore në kuadër të raundit të 9-të të Hulumtimit Social Europian (ESS). Shqipëria është pjesë e këtij raundi dhe gjatë dy ditëve pjesëmarrësit patën mundësi të njihen me metodat e kërkimit, disa konkluzione dhe mësime të nxjerra nga puna në terren.
Shqipëria, pjesë e anketimit europian
ESS është një studim ndërkombëtar, me karakter akademik, që është zhvilluar në të gjithë Europën që nga themelimi i saj në 2001-shin. Anketa mat qëndrimet, besimet dhe modelet e sjelljes së qytetarëve në më shumë se tridhjetë shtete dhe zhvillohet çdo dy vite. Për realizimin e këtij hulumtimi janë angazhuar 45 intervistues nga INSTAT-i, puna në terren e të cilëve konsiston në zhvillimin e intervistave individuale me një kampion të përzgjedhur në të gjithë vendin. Falë një procesi rigoroz mbledhjesh të të dhënave dhe përpunimi, me kritere të parapërcaktuara qartë që nga standardi i përkthimit deri te metodologjia e përdorur, Shqipëria do të mund të ketë një databazë të besueshme të dhënash për sa u përket qëndrimeve, besimeve dhe modeleve të sjelljes së qytetarëve të saj. ESS Round 9 in Albania u mbështet nga PERFORM, projekt i SDC dhe implementuar nga Helvetas & Universiteti i Fribourg. Për Shqipërinë kjo është hera e dytë që është pjesë e një anketimi të tillë, pas një shkëputjeje disavjeçare.
Shkolla dimërore që u zhvillua në Durrës erdhi në formën e një workshop-i ku merrnin pjesë 25 kërkues të rinj shkencorë nga universitetet shqiptare dhe kosovare, të cilët u trajnuan nga Alma Kondi, përfaqësuese e INSTAT-it, Alban Nelaj, në cilësinë e koordinatorit kombëtar, si dhe pedagogët Elvin Gjevori Phd, Dr. Klodjan Rama, Dr. Teuta Xhindi, e cila është dhe përgjegjëse e Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë në UET. Shkolla Dimërore për Raundin e 9 të Projektit ESS vjen pas tri trajnimeve të mëparshme që ishin zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës, ku çështjet e trajtuara kishin të bënin me përdorimin e anketave si metodave kërkimore, si dhe metodat statistikore që shërbejnë për të zhvilluar një projekt të tillë. Gjatë trajnimeve të mëparshme lektorët kanë diskutuar mbi qëllimet e anketës, punën përgatitore për hartimin e hulumtimit, metodologjinë e kërkimit, analizën e të dhënave, daljen në përfundime etj. Njëkohësisht është bërë i mundur edhe krahasimi i përfundimeve të anketimit të parë të realizuar në Shqipëri, ESS 2012, me përfundimet e përftuara nga anketimi në vendet e tjera europiane.
Në workshopin e zhvilluar në kuadër të Raundit të 9 të ESS, trajnuesit trajtuan çështje mbi mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin e tyre, sigurimin e cilësisë në studimet ndërsektoriale, për mënyrën se si të shkruajnë dhe të hulumtojnë për botimet e tyre akademike, të cilat lidhen kryesisht nga përpunimi i të dhënave, duke iu referuar rasteve nga projekti i mëparshëm i ESS në vitin 2012, i cili ishte mbi besimin dhe perceptimin e qytetarëve ndaj politikës.
Qëllimi i këtij workshop-i ishte që kërkuesit e rinj të afroheshin më shumë me metodat e fundit, që institucionet, por edhe universitetet e Bashkimit Europian, përdorin për të analizuar dhe për të nxjerrë një përfundim sa më të qartë të kërkimit të tyre.
Ndërkohë, drejtoresha e zyrës së “Zhvillimit të Projekteve dhe Partneriteteve” pranë Universitetit Europian të Tiranës, Dr. Ketrina Çabiri, deklaroi se ky workshop ka si qëllim që të arrijë dhe të përhapë standardet më të larta të cilësisë në hulumtimet ndërkombëtare në shkencat shoqërore, duke përfshirë, për shembull, hartimin e pyetësorit dhe para-testimin, marrjen e mostrave, grumbullimin e të dhënave, uljen e paragjykimeve dhe besueshmërinë e pyetjeve.
[:]