Rexhep Meidani si lektor në Forumet UET: Presidenti jashtë loje, Shqipëria jo gati për Kushtetutë të re
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani ishte i ftuari i radhës në Forumet e UET në kuadër të diskutimeve për 25 vjetorin e Kushtetutës. Pas një leksioni mbi rrugëtimin kushtetues të Shqipërisë deri në referendumin e 1998, Meidani zhvilloi një diskutim me të pranishmit, duke iu përgjigjur pytetjeve edhe për situatën aktuale politike.
Ishte sugjerimi i një kontekstualisti francez për zgjedhjen e një date me vlerë për shqiptarët, gjatë takimeve që zhvilloheshin në kohët e trazuara të 1998, në zyrën e Presidentit, me ambasadorë e përfaqësues të qeverisë. “I thashë Pandeli Majkos: Po nuk e bëmë tani, do të presim një vit më vonë”. Kështu e kujton sot Rexhep Meidani procesin e dekretimit të Kushtetutës së re të Shqipërisë më 28 nëntor të 1998, miratuar nga Kuvendi më 21 tetor dhe votuar më 22 nëntor në referendumin mbarëpopullor.
Një vit më herët, në 1997, kishte marrë postin e lartë të kreut të shtetit, të cilin e mbajti deri në 2002, duke lënë një kontribut të çmuar në rrugëtimin politik, institucional dhe kombëtar, si një figurë unifikuese, ekuilibruese dhe nxitëse e dialogut mes palëve politike.
Një rikthim interesant, nostalgjik për të dhe i munguar për brezat e rinj, ishte pozicionimi i tij në rolin e lektorit në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Emri i tij është lakuar gjithmonë në fushën e politikës, por rrugëtimi i tij profesional ka filluar si pedagog, shef katedre dhe më pas dekan i FSHN-së, deri pas 1990 ku u përfshi në politikbërje dhe vazhdoi detyrën e një intelektuali të angazhuar.
“Për ne është ditë e veçantë të presim në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës presidentin Meidani, një personalitet i njohur, jo vetëm në politikë por edhe në auditor, në shkencë dhe arsimin shqiptar, i cili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”, tha rektori Tonin Gjuraj në fjalën e tij, duke kujtuar jo vetëm rolin e tij si ndërmjetësues në arenën e brendshme politike, por edhe kontributin në luftën e Kosovës e Konferencën e Rambujes.
Dekania e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Juelda Lamçe tha se takimi është në vazhdën e diskutimeve të rëndësishme për zhvillimet kushtetuese, të cilat pasqyrohen më tej edhe në revistën shkencore “Jus&Justicia”.
“Janë debate të cilat na përkasin të gjithëve, debate të cilat kërkojnë formim akademik por edhe ndërgjegjësim qytetar. Kam kënaqësinë që të trajtojmë sëbashku disa nga dilemat, sfidat, zhvillimet aktuale të raportit të institucioneve kryesore të kreut të shtetit në raport me insitucionet e tjera”, nënvizoi Lamçe.
Në leksionin para studentëve, pedagogëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij të dikurshëm, Rexhep Meidani, autor i librit “Kushtetuta, balanci dhe perspektiva”, trajtoi rrugëtimin kushtetues të vendit tonë, të ndarë në disa faza: periudha para 1912, periudha e shpalljes së Pavarësisë, periudha 1912- 1991 dhe faza e fundit ajo nga 1991 deri në ditët e sotme. Theksi i tij u vendos kryesisht gjatë përpjekjeve dhe më pas dekretimit të ligjit themeltar te shtetit shqiptar, që ne e kemi edhe sot, i cili ka pësuar disa ndryshime, herë sipërfaqësore e herë thelbësore.
“Kushtetuta nga 1998 deri sot, përveçse u miratua me referendum, ndërsa gjithë këto ndryshimet e tjera, përfshirë edhe ato të 2016 që ishin thelbësore për Kushtetutën, kanë kaluar pa referendum, pra nuk është marrë miratimi popullor. Kjo është një mangësi e gjithë procesit demokratik në Shqipëri. Në Zvicër, për çdo gjë të vogël përdoret referendumi, në kantone dhe nivel federate, pra një nga tiparet kryesore të sistemit demokratik në Zvicër është vota popullore”, tha Meidani.
Ndryshimin e parë Kushtetuta e ka pësuar në 2007, duke zgjatur qëndrimin në detyrë të autoriteteve të pushtetit lokal. Ndryshimi i dytë ishte në 2008, me bashkimin e votës së mazhorancës dhe opozitës, i cili preku disa çështje të rëndësishme. U ndryshua mënyra e zgjedhjes së presidentit, duke hequr konesnsusin politik. U vendos sistemi proporcional rajonal, KQZ humbi peshën e vet, si dhe u kufizua kohëzgjatja e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Ndryshimi i tretë u bë në 2012 për të zbutur imunitetin e funksionarëve të lartë të shtetit, ndërsa në 2016 ndryshimet kishin të bënin me Reformën në Drejtësi.
Në analizën e tij, Meidani u ndal kryesisht te roli i presidentit, kufizimi i pushtetit të tij, humbja e peshës ekuilibruese dhe zhveshja përballë pushtetit ekszekutiv. Sipas tij, balancimi mes pushteteve ka qenë i drejtë vetëm në 1998 dhe me ndryshimet e herëpashershme, ky balancim është shkërmoqur.
“Aktualisht presidenti është pothuajse jashtë loje, pavarësisht se në Kushteutë është ai që drejton politikën e jashtme, është Komandant i Forcave të Përgjithshme të Armatosura, ka një rol noterizues, por jo më atë fuqi që kishte më parë sa i përket disa emërimeve në drejtësi. Aktualisht Presidenti, në raportin presidencë- pushtet ekzekutiv- parlament, është relativisht i dobët. Nuk mund të luajë rolin e rregullatorit midis forcave të ndryshme politike.”
Meidani trajtoi edhe raportin e presidentit me qytetarin, teksa theksoi se presidenti i sotëm nuk ka as autoritetin moral dhe as atë legal.
“Presidenti i ’98 ishte shumë më i ekuilibruar, me shumë kompetenca në zgjedhje. Madje edhe zgjedhja e kreut të RTSH bëhej nga presidenti. Ishte një president që kishte kompetenca ekzekutive. Aktualisht presidenti kompetencat ekzekutive i ka minimale, natyrisht edhe kompetencat legjislative akoma më minimale. Ka të drejtë vetëm të kthejë ligjin.”
Por pavarësisht kësaj, ai u shpreh kundër rregullimeve kushtetuese apo nxjerrjes së një kushtetute të re, duke e quajtur një moment të papërshtatshëm në Shqipëri për diskutime të tilla. Kjo për shkak të situatës politike, ku mungon konsensusi mes subjekteve partiake, por edhe harmonia e brendshme mes tyre.
“Rastin e opozitës e kemi shumë problem dhe me një opozitë të tillë nuk mund të arrihet në status quo pozitive, konsensuale për një Kushtetutë demokratike që i duhet Shqipërisë, sidomos në të ardhmen për t’u përgatitur për procesin e integrimit, nëse do të miratohet një Kushtetutë për në BE.”
Ish- presidenti nuk i quajti normale ndryshimet që janë bërë në legjislacion dhe në rregulloren e parlamentit, ku kufizohet pjesëmarrja e qytetarëve apo grupeve të interesit në komisionet parlamentare.
“Iu solla rastin e Zvicrës përsa i takon referendumeve. Komisionet parlamentare duhet të kishin hapësirën maksimale sepse ato i japin fymëmarrje demokratike, jo vetëm parlamentit, por gjithë shoqërisë, e cila duke ndjekur debatet në komisione, do të fitojë elementin demokratik”, u shpreh ai.
Lidhur me rolin e presidentit Bajram Begaj apo me përplasjet e vazhdueshme parlamentare, ai nuk pranoi të drejtojë gishtin drejt palëve, por kërkoi reflektim nga klasa politike për t’i dhënë fund krizës së tejzgjatur.
“Në të gjitha rastet kur ka konflikt, ai që ka pushtetin duhet të tërhiqet. Këtë kemi bërë edhe ne. Logjika normale këtu të çon, se ai që ka pushtetin ka edhe mënyrat e gjetjes së zgjidhjes dhe në këtë rast i takon mazhorancës. Duhet të bëjë hapin e rëndësishëm pozitiv”, u shpreh Meidani.
Pyetjes të një studenti, se çfarë duhet të bëjnë të rinjtë sot në Shqipëri, përballë një klase të tillë politike, mospërfillëse, arrogante dhe e fokusuar në interesin vetjak dhe jo të qytetarit, Meidani këshilloi që të mos heqin dorë nga e drejta e tyre e votës. Duke pranuar se elementë të domosdoshëm të demokratizimit janë cenuar, ish-presidenti tha se duhet pjesëmarrja qytetare dhe pjesëmarrja politike.
“E vetmja forcë që mund të bëjë rregullime është pjesëmarrja në jetën politike, qytetare, e në mënyrë të veçantë pjesëmarrja në votime. Zëri intelektual duhet të jetë i pranishëm në jetën e përditshme, në median e shkruar, atë elektronike, qoftë në median sociale. Keni një armë të fuqishme që ne nuk e kishim në kohën tonë”, tha ai duke u ndalur më tej në rastin e reagimit qytetar për plehrat kimike, në vitet 2013- 2014.
“Ishin mediat sociale që u hodh në aksion, që u fuqizua roli i qytetarit dhe qeveria u tërhoq nga marrja e helmeve, kimikateve helmuese që mund të ishin edhe radioaktive. Ishte një nga lëzizjet që periciptoi me një shpejtësi shumë të madhe. Brenda disa ditëve e detyroi ekzekutivin që të tërhiqet. Është kjo media sociale që bëri shumë ndryshime thelbësore në shumë vende të Lindjes së Mesme, kështu ranë shumë pushtete”, nënvizoi Meidani.