Profesori i UET për Çështjet e Sigurisë: Pandemia po godet sigurinë në themele
Profesori i UET për Çështjet e Sigurisë: Pandemia po godet sigurinë në themele
Kristaq Xharo
Në se globalizmi e ktheu botën në një fshat të madh, korona virus (Covid-19) e trajtoi atë si një tullumbace. Ndërsa bota ringriti gardhet gjeografikë siç bëri 400 vite më parë(1648) në Traktatin e Vestfalisë, korona virus i treti këta kufij në më pak se 3 muaj. Më të fuqishmit e botës Amerika, Europa, Kina, Japonia u gjunjëzuan dhe tërhoqën brenda guaskës së tyre. Krijesat e tyre G7 e G20, G66 humbën jo vetëm ekuilibrin por edhe axhendat e tyre. BE po kthehet aty ku u nis, ku shtetet po ringrenë muret edhe midis tyre. Pamja po ju ngjan skenarëve apokaplitik të Hollivudit. Duket se kështjellat më të fuqishme të botës kanë rënë dhe spitalet po shihen si qëndresa e fundit.
Pas dy luftërave botërore dhe një të tretë, megjithëse e ‘ftohtë’ bota u ndodh papritur në një luftë të re, të cilën Ajnshtajni e kish parashikuar ‘me gurë’. Merkel e krahason situatën edhe më të vështirë se Lufta e Dytë Botërore, që mori 60 milionë jetë. Janë gati 80 vjet, që shtetet nuk ndaluan së përgatituri për një luftë të re, për të fundosur njëri-tjetrin, ndoshta dhe vetë botën, por ajo nuk erdhi siç pritej. Armët që do të luftonin në tokë, det, ajër, apo yje u kthyen në lodra idiote përpara corona-virusit.
Jemi në luftë, jo atë që planifikuam, por në një të ndryshme të pamenduar dhe paradoksale. Është tërësisht ndryshe nga të gjitha luftërat që ka bërë njerëzimi që nga koha kur u shfaq në ‘tufë ’, ndoshta 7 000 vjet më parë. Tashmë, të gjithë liderët e deklarojnë luftë totale, që nuk filloi as me shpallje, ultimatume, as me avionë, tanke e artileri.
Armiku nuk është aspak siç e njohim dhe e kemi shkruar në strategji, doktrina. Ai u shfaq atje ku dhe kur nuk pritej, atje ku ndoshta ishim më të dobët. Corona virus zhduku idenë e luftës me uniformë, më armë dhe me fronte. Ai hyri si ‘kolonë e pestë’ e goditi në pikën më të dobët. Efektet janë të paparashikueshme.
Flasim për luftë, por jemi mësuar të luftojmë me objektiva të dukshëm, me strategji në mësymje apo mbrojtje, me fronte dhe thellësi luftimi, me epërsi në forca dhe teknologji. Asnjë prej këtyre standarde nuk njeh dhe respekton kundërshtari. Gjeneralët e mjekësisë vlerësojnë se kundërshtari është i padukshëm, por edhe dinak edhe mjaft inteligjent.
Çfarë duhet e mund të bëjmë? Ashtu siç paraqitet situata edhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë luftën tonë, me një strategji afatgjatë që na mundëson vetëm fitoren. Aktualisht ne po bëjmë të njëjtën skenarë që po aplikon edhe bota, vende të mëdhenj e të fuqishëm, por edhe të vegjël e delikat. Ne nuk kemi kapacitete luftarake kundër këtij virusi që kanë vendet e perëndimit. Në pamjen që duket, vështirë se do të kemi edhe aleatë të fuqishëm.
Të gjithë aleatët po bëjnë luftërat e tyre. Ata ndjehen të pushtuar nga virusi, kaosi dhe paniku, por edhe me kapacitete të pamjaftueshme për këtë lloj lufte. Edhe pse agresori është global, vendet çuditërisht kanë ‘zgjedhur’ ta luftojnë atë nacionalist. Megjithëse i vështirë edhe suksesi do të jetë fillimisht. Në mungesë të aleatëve, ose deri kur ata mund të ndihmojnë, mbetet të mbështetemi dhe të luftojmë tërësisht ose kryesisht në kapacitetet modeste kombëtare.
Ndryshe nga luftërat klasike, sot, çuditërisht, spitalet dhe armata e mjekëve ndodhen në vijën e parë e të fundit të mbrojtjes. Ky fakt është sa ironik po aq edhe i vështirë, pra, kur vija e parë bashkohet me vijën e fundit. Më parë e deri në këtë kohë, në çdo luftë, spitalet kanë qenë diku në thellësi, shpesh herë përtej zonës së luftimit. Qëllimi ishte që armiku të dëmtohej, të goditej rëndë, pa arritur të kalojë vijat e luftimit. Simbolikisht dhe realisht ne duhet të ringrem vijat dhe frontet…të pengojmë armikun (korona virusin) të plagos njerëzit aq rëndë sa të përfundojnë në barelat e spitalit.
Humbja e avantazhit dhe mundësisë për ta goditur armikun në kohë dhe hapësirë, e për ta dobësuar në rrugë n e lëvizjes, nuk do të thotë se lufta nuk mund të vazhdojë e të ketë sukses. Ekziston plotësisht aftësia dhe mundësia për të krijuar kohë dhe hapësirë për ta mundur virusin. Armata e mjekëve ka nevojë për fronte të tjera lufte kundër korona virusit dhe për aleatë në betejën e tyre heroike.
Përderisa e konsiderojmë luftë duhet të sillemi dhe të respektojmë parimet e arta të saj. Kjo është një luftë ‘totale’ dhe ndaj duhet luftuar si e tillë. Të gjitha burimet e fuqisë vendosen në funksion të luftës. Të qëndruarit jashtë kontaktit është një taktikë që ka dhënë efekt, vetëm për të ndihmuar sadopak raportin e forcave në luftën që po bën armata heroike e shëndetësisë dhe gjithë strukturat shtetërore : polici, ushtri e deri punonjësit komunalë.
Duke qenë luftë totale ajo do të duhet të bë het me të gjitha armët dhe kapacitetet e fuqisë , ku të gjithë marrin pjesë dhe kontribuojnë jo thjesht në mënyrën e vet, por tepër të centralizuar. Por, ndryshe nga çdo herë tjetër, kjo luftë tashmë do të bëhet në një territor, ku korona gati e ka pushtuar dhe e mban nën terror e panik. Vullneti që secili të bëj atë që na kërkohet është kontributi më i mirë për veten, komunitetin dhe kombin.
Kjo luftë fitohet larg dhe jashtë spitaleve, le ta mundësojmë atë. Le ta zhvillojmë atë në shtëpi, rrugë, komunitet e më larg. Lufta fitohet me strategji, por secili nga ne mund të bëjmë e fitojmë betejat tona të ‘vogla’. Kjo luftë duhet dhe do të fitohet.
*Kristaq Xharo : Lektor për Çështjet Ndërkombëtare të Strategjisë (UET)
Departamenti i Shkencave Sociale