Përvoja e drejtimit akademik të UET përmes stilit të katër rektorëve
Përvoja e drejtimit akademik të UET përmes stilit të katër rektorëve
Në 12 vjet UET arriti të prodhojë katër rektorë duke filluar nga rektori i parë, prof. dr. Ferit Duka nga viti 2006-2007, i dyti në pozicionin e rektorit ka qenë presidenti aktual i universitetit, prof. dr. Adrian Civici, i treti për dy mandate të plota ishte prof. dr. Tonin Gjuraj dhe së fundmi, historiania e njohur, profesoreshë Nevila Nika. UET, gjithashtu, ka mundur të nxjerrë dhe një numër shumë të madh burimesh njerëzore apo personalitete të jetës publike që kanë marrë një spunto dhe janë në institucione të tjera, politikë apo administratë. Nuk ka mision më të përmbushur se ky, dhe që njerëz, profile, CV nga UET janë jo vetëm ripërtëritëse, por kontribuojnë në sistemin e arsimit të lartë. Një përvojë e gjatë në administrim e një lloji të ri institucionesh në hapësirën publike shqiptare siç është universiteti privat. Nuk e kemi pasur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë. Por e prodhuar duke kontribuar me profile, eksperiencë, llogari profesionale dhe interesat e karrierës individuale.
Fitorja e betejave të ndryshme të Universitetit Europian të Tiranës është një fitore e cila ishte në kufijtë e të pamundurës për një institucion me një ndjeshmëri dhe sensibilitet të veçantë në shoqëri, e cila është një arenë, profilesh, karakteresh të cilat prodhojnë një shërbim arsimor dhe një materie në dobi të shoqërisë.
Universiteti Europian i Tiranës ka hyrë tashmë në dekadën e tij të dytë dhe me fillimin e viti të ri akademik, ka zhvilluar takimin e asamblesë së pedagogëve, ku ndër dinamikat që ky institucion ka, ka bërë edhe prezantimin e rektores së re profesoreshës Nevila Nika, e cila është një historiane e njohur me kontribut të veçantë në fushën e historisë, por edhe në agorën akademike të vendit. Paraardhësi i saj prof. dr. Tonin Gjuraj pas dy mandatesh të suksesshme afro10-vjeçare tepër konstruktive në drejtimin e institucionit, i dorëzon drejtimin profesoreshës tepër të njohur, historianes Nevila Nika. Gjuraj ka qenë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës që prej themelimit të tij, ku ka patur pozicione të rëndësishme si, zv.rektor dhe më pas rektor i UET. Ish- rektori Gjuraj mund të konsiderohet si rektori i procesit të akreditimit, ku nën drejtimin e tij UET arriti të akreditohej me 5 vjet me vlerësimin maksimal “Fully Met”, por edhe si rektori i zgjerimit të universiteti, ku nga 3 fakultete UET u zgjerua me 5 të tilla. Të shumta kanë qenë problematikat, por janë menaxhuar në një trajtë shumë pozitive falë përbërjes mikse identitare me një kapiten ekipi akademik i cili është profesor Tonin Gjuraj, i cili është karakterizuar nga një përkushtim shumë i lartë, një kusht bazë që gjërat në një organizatë kaq dinamike të ecin përpara. Si dhe nga një tipar tjetër i prof. Toninit, është sensi shumë i lartë i përgjegjshmërisë edhe në raport me përfaqësimin e tij.
Ky ndryshimi vjen pikërisht në kohën kur UET është kthyer në një universitete polivalent, ku prej këtij viti akademik ka si ofertë akademike një gamë të gjerë programesh dhe profilesh studimi. Tashmë me përfundimin e procesit të optimizimit, UET Polivalent, universiteti nis një rrugë edhe më dinamike duke e kthyer këtë institucion të arsimit të lartë, në një universitet tashmë të plotësuar, me një drejtim të ri akademik dhe menaxherial.
Nevila Nika, rektorja e parë grua në UET. Filozofia e këtij institucioni tashmë UET Polivalent, është te vëmendja që i kushtohet pikërisht pedagogut, studentit dhe procesit mësimor
Nevila Nika është në udhëtimin e saj akademik në UET prej fillimeve të këtij institucioni, duke qenë pjesë e bordit të parë të besimit të Universitetit Europian të Tiranës. Profesoreshë Nevila prej 4 vitesh ka qenë pedagoge e brendshme dhe ka drejtuar për një periudhë Fakultetin Juridik dhe tashmë vjen në këtë pozicion të ri të rektores si një gjë e natyrshme e karrierës së saj dhe si një zgjidhje harmonike e UET Polivalent. Gjatë jetës së saj të lartë akademike ka mbajtur edhe disa pozicione shumë të rëndësishme. Ajo ka qenë drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror, drejtore e Përgjithshme e DPA, gjithashtu titullare dhe hartuese e programit të masterit në Arkivistikë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Disa detyra të rëndësishme ka patur në fushën e shkrimit si Kryeredaktore e revistës “Arkivi Shqiptar”, Kryetare e Këshillit të Lartë të Arkivave, Kryetare e Komisionit të Deklasifikimit, drejtuese e seminareve të kualifikimit për arkivistët e rinj të sistemit arkivor në rang Republike.
“Kam qenë anëtare në bordin e parë kur u themelua Universiteti. Rrugëtimin e këtij universiteti e ndoqa për pak kohë pasi për shkak të detyrave të tjera nuk mund ta ndiqja, por u riktheva sërish si pjesë e universitetit. Dua të them për profesorët e shkencave ekzakte siç është Kimia, Mjekësia, të cilët përdorin fjalën solucioni i ngopur dhe solucioni i tejngopur. UET është një solucion që nuk ngopet asnjëherë me njerëz me përvojë dhe me dije. Në këtë drejtim është krejtësisht i veçantë për shkak të prurjes së mjaft njerëzve që kanë një përvojë të jashtëzakonshme. I ftoj të rinjtë brenda UET që janë pedagogë por edhe studentë që të përfitojnë në rastin më të mirë për t’u bërë dikushi në jetë. Filozofia e këtij institucioni tashmë UET Polivalent, është te vëmendja që i kushtohet pikërisht pedagogut, studentit dhe procesit mësimor që zhvillohet. Gjithashtu, UET është në rindërtimin e sistemit të ri të rregullores, ndryshimet në statut dhe pasojat e legjislacionit, legjitimimi i praktikave të mira dhe marrjen parasysh së dinamikave të reja që kërkon ky sektor dhe ky brez i cili ka nisur hapat akademikë”, u shpreh Nika.
UET vijon të ngelet një institucion i madh dhe tejet dinamik. Një element tjetër i rëndësishëm ndryshimi i filozofisë nga një universitet klasik drejt një lloj institucioni ku quhet apo bashkëlidhet me korporativin. Kjo do të thotë që secili duhet të bëjë mirë detyrën e tij. Ajo çka është vënë në synimet e këtij institucioni është rikthimi i vëmendjes fuqishëm në auditor. Kjo gjë do të thotë që ta ‘zhveshësh’ pedagogun nga ngarkesat e tjera dhe t’i japësh atij lirinë për t’u fokusuar në procesin e mësimdhënies. Si një institucion dinamik në treg, ka dhe aktivitetet të ndryshme, forume, promovime të cilat janë një network i mirë profesional për t’u zhvilluar më tej.
Ky fillim viti e gjen Universitetin Europian të Tiranës në një situatë ku përtej gjithë ndodhive të aktorëve dhe faktorëve në tregun e arsimit të lartë, e ka kapërcyer rreth mbi 15000 studentë në të dyja ciklet e studimit dhe në të gjitha fakultetet. UET ka një shtim stafi me rreth 25 kolegë të rinj këtë vit të ri akademik, të cilët do të atashohen pranë fakulteteve përkatëse po ashtu edhe mjeshtrat që do t’iu bashkëngjiten departamenteve të reja. Pra, universiteti po fillon zgjerimin me hapa të shpejtë dhe me cilësi të garantuar.
Profesor Ferit Duka dhe sfida e rektorit të parë, fillimet e ‘efektit pioner’ të UET
Profesor Ferit Duka ka qenë rektori parë i UET gjatë periudhën 2006-2007 dhe tashmë mban pozicionin e Dekanit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Profesor Feriti tregon se i ka ende të freskëta takimet dhe bisedat e para me djemtë tepër dinamike në atë kohë për themelimin e një universiteti krejtësisht të ri. “I kam ende të freskëta në kujtesë takimet dhe bisedat e bëra me djemtë nismëtarë të këtij projekti. Në të vërtetë, kurrë nuk më kishte shkuar ndër mend që gjatë një kafeje që po pinim te “Tajvani”, me kolegun Çili, një pasdite vere, ky i fundit do të më bënte të njohur idenë për themelimin e një universiteti! I gjendur përballë një njoftimi të tillë shokues, me vete thashë: “Mos është thjesht ndonjë ëndërrim rinor që miku im ka dëshirë ta artikulojë edhe për lezet të bisedës së tavolinës”! Mirëpo, bashkëbiseduesi im avancoi shpejt në shtjellimin e idesë së grupit që ai përfaqësonte, duke më bindur se ishte fjala për një projekt serioz, garanci për të cilin ishin dy gjëra themelore: kthjelltësia e vizionit si dhe vendosmëria e përkushtimi për ta jetësuar atë sa më shpejt. Me gjithë habinë e fillimit, deri këtu biseda ishte në një farë kuptimi “komode” për mua, sepse në fund të fundit, unë thjesht u njoha me projektin, por të tjerë do të ishin ata që do të përballonin sfidat e rënda të realizimit të tij. Këtë situatë e “trazoi” propozimi që më erdhi, po nga Çili, në emër të nismëtarëve për të qenë rektor i universitetit që po lindte. Që të jem i sinqertë kjo shkaktoi jo pak emocione, pse jo edhe luhatje e pasiguri tek unë. Megjithatë, besimi te kolegët e mi themelues, besimi te vetja, më shtynë ta pranoj këtë sfidë dhe të përfshihem në një aventurë e cila në saje të punës plot pasion e këmbëngulje të të gjithë stafit akademik e administrativ rezultoi tërësisht e suksesshme. Sot në krye 12 viteve që nga themelimi, Universiteti Europian i Tiranës është shndërruar në një nga operatorët më të fuqishëm në sektorin e arsimit të lartë në tërë hapësirën shqiptare. Institucioni ynë ka arritur të ketë një ofertë mjaft cilësore për tregun e punës gjë që përkthehet në qindra studentë të diplomuar në cikle të ndryshme studimi në një spektër të gjerë degësh e specialitetesh të harmonizuara si duhet me kërkesat e zhvillimit të sotëm e perspektiv të vendit tonë. UET-i sot përfaqëson jo vetëm një institucion prestigjioz të edukimit universitar sipas standardeve bashkëkohore, por edhe një qendër të rëndësishme kërkimore e botuese. Në këtë mënyrë, universiteti ynë po rrit me shpejtësi besueshmërinë publike brenda dhe jashtë Shqipërisë, po konsolidon të tashmen dhe po hedh hapa të sigurt drejt së ardhmes”.
Presidenti i UET, prof. dr. Adrian Civici dhe fuqizimi i UET me ekonomikun dhe idetë për zhvillimin
Prof. dr. Adrian Civici ishte rektori i dytë i këtij universiteti gjatë periudhës 2007-2010. Ishte pikërisht viti i dytë akademik, dhe universitetit Europian të Tiranës iu shtua një fakultet i dytë, ai ekonomik, i cili u bë pjesa më e rëndësishme e universitetit, ku ndjekin studimet, gjithmonë, rreth gjysma e studentëve të regjistruar. Fakulteti Ekonomik, në pikëpamje të programeve, është fryt i punës së prof. dr. Adrian Civici, i cili vinte jo thjesht nga një background akademik, por edhe si një ekonomist i njohur. Fakulteti Ekonomik është një kontribut esencial në strukturimin përfundimtar të UET. Duke filluar nga viti i tretë, falë këtij fakulteti, UET kishte mbi 1000 studentë. Nga pikëpamja e numrave, Fakulteti Ekonomik ndihmoi në plotësimin e një prej kritereve bazë të standardeve ndërkombëtare në shndërrimin nga “Institucion i Arsimit të Lartë” në “Universitet”. Si rektor, por edhe më pas si president i këtij Institucioni të Arsimit të Lartë, Civici, i cili ka qenë edhe pjesë e grupit të hartimit të ligjit të arsimit të lartë ka shprehur gjatë gjithë kohës se ka ardhur koha të kalohet nga nocioni i arsimit të lartë në nocionin e një sektori të arsimit të lartë, me të gjitha elementet e tregut, që është konkurrenca dhe një shërbim më i mirë ndaj studentëve dhe shkencës shqiptare
Arbi Agalliu: Me hapjen e degëve të reja, UET po fillon zgjerimin real
Administratori i UET, prof. asoc. dr. Arbi Agalliu, që më parë ka mbajtur pozicionin e zv.rektorit gjatë mbledhjes së asamblesë shprehet se: nga kalimi në universitet të orientuar me tri fakultete bazë me kalimin tashmë me sukses drejt universitetit polivalent. “Pas zgjerimit të institucionit në 5 fakultete, e ka të pamundur që të menaxhohet nga një person apo një grup personash të caktuar. Çdo gjë kalon në departament, çdo gjë shkon aty ku realisht duhet të jetë për sa i përket anës akademike. Universiteti Europian i Tiranës kaloi një periudhë tepër dinamike me përfundimin me sukses të hapjes apo marrjes së licencave për programet dhe profilet e reja të studimit dhe riorganizimit të fakulteteve. Për këtë gjë dua të falënderoj pa fund personalisht por dhe në emër të institucionit stafin akademik i cili është marrë me procesin e vështirë të hapjes së degëve të reja. Pedagogët përkatës me silabuset, përgjegjësit e departamenteve, dekanët, pedagogët e jashtëm që kanë qenë pjesë e procesit, zyrat përkatëse të administratës dhe mbi të gjitha prof. dr. Tonin Gjuraj, i cili le të themi udhëhoqi këtë reformë akademike duke i dhënë tashmë një koncept tjetër, një kuptim tjetër institucionit, atë të kalimit në universitet ‘Polivalent’. Sot ndodhemi në UET-in e dekadës së re. Ka disa elemente që duhen vënë në pah. Duke patur pavarësinë e pedagogut, duke i patur sytë drejt procesit të mësimdhënies. Dua të them që filozofia e institucionit apo vëmendja do të përqendrohet pikërisht te pedagogu dhe procesi mësimor. Pedagogu merr një koncept tjetër, ku është ai që organizon, zhvillon dhe merr përsipër të bëjë një proces mësimor të saktë dhe cilësor. Gjithashtu, i monitoruar qartësisht tashmë nga zyrat përkatëse të cilat janë të ristrukturuara këtë fillim viti, pikërisht për të mos lejuar po themi ndryshimin në cilësi dhe përmirësimin e praktikave që janë përdorur deri më tani”. Ky fillim viti e gjen UET-in në një situatë ku përtej gjithë ndodhive të aktorëve dhe faktorëve në tregun e arsimit të lartë, unë do ta quaj pozitive. Ne tashmë kemi kapërcyer rreth mbi 1500 studentë në të dyja ciklet e studimit dhe në të gjitha fakultetet. Vijojmë të ngelemi një institucion i madh dhe tejet dinamik. Një element tjetër i rëndësishëm është ajo që ne e quajmë ndryshimi i filozofisë nga një universitet klasik drejt një lloj institucioni ku quhet apo bashkëlidhet me korporativin. Kjo do të thotë që secili prej nesh duhet të bëjë mirë detyrën e tij. E kemi parë më se të rëndësishme që të rikthejmë vëmendjen fuqishëm në auditor. Kjo gjë do të thotë që ta ‘zhveshësh’ pedagogun nga ngarkesat e tjera dhe t’i japësh atij lirinë për t’u fokusuar në procesin e mësimdhënies. Si një institucion dinamik në treg, ka dhe aktivitetet të ndryshme. Ka forume, promovime të cilat në fund të ditës nuk janë gjë tjetër vetëm se një kontakt profesional për t’u zhvilluar. Ne bëjmë ftesë që të gjithë të bëjnë pjesë aty ku ne kemi interesin profesional të këtyre takimeve të cilat nuk është se duhet t’i shohim me konceptin e lodhje. Besoj se ndarja qartësisht e aktiviteteve që një fakultet do të organizojë, duhet të burojnë nga vetë departamentet. Pra, të burojë vetë, dhe pjesëmarrja do të ketë një lloj kënaqësie siç ka ndodhur deri tani. Në këtë fillim viti ajo që kemi dëgjuar apo bëjmë thashetheme në kuptim e mirë të fjalës në përditshmëri, kush erdhi e kush iku etj. etj. Universiteti Europian i Tiranës është riorganizuar, gjithsecili ka qenë në një farë procesi sidomos përgjegjësit e departamenteve dhe komisionet përkatëse për rekrutimin e stafit të ri. Kemi një shtim stafi me rreth 20 kolegë të rinj. Të cilët do të atashohen pranë fakulteteve përkatëse po ashtu edhe mjeshtrat që do të bashkëngjiten në departamentet e reja. Pra, universiteti po fillon zgjerimin jo vetëm në letra por dhe reale. Më specifike në këto ditë dinamike është ndryshimi i drejtimit akademik ku prof. dr. Tonin Gjuraj pas një dekade 10-vjeçare tepër dinamike dhe konstruktive në drejtimin e institucionit hap rrugën duke patur kënaqësinë duke qenë sërish në institucion, i hap rrugën një drejtuese të re prof. dr. Nevila Nika, e cila ka qenë pjesë e UET që nga ditët e para të saj këtu, duke përmbyllu me sukses krijimin e këtij institucioni të ri një institucion Polivalent. Diçka tjetër e rëndësishme ka të bëjë më tepër me përgjegjësit e departamentit dhe me stafin përkatës për të mos krijuar keqkuptime. Përgjegjësi i departamentit ka një kuptim të ri, ka pavarësinë e tij për të zgjedhur pedagogë të jashtëm, ka pavarësinë e tij për të ndarë orët mësimore, por nga ana tjetër, me fillimin e këtij viti akademik ose me mbylljen e fundit të regjistrimeve pasi janë ende ditët e fundit të regjistrimeve. Do të fillojë procesi i monitorimit. Kjo nuk do të thotë të gëzojmë kur kapim një person gabim. Kjo nuk është një koncept pozitiv. Proces monitorimi do të thotë të ndihmojmë njëri-tjetrin për të arritur një sukses të caktuar dhe zyrat përkatëse duke filluar nga zyra e cilësisë dhe të gjithë zyrat horizontale që monitorojnë sistemin nuk do të bëjnë gjë tjetër vetëm se do të zbatojnë rregulloren për të rritur cilësinë në auditor. Pedagogët, kolegët, miqtë tashmë për çdo problematikë kanë përgjegjësin e departamentit për zgjidhjen e problemit të tyre. Përgjegjësi i departamentit shkon tek dekani, dekani te zëvendësrektori, dhe më pas te rektori. Kjo është le të themi e reja e këtij fillim viti. Të përqendrohemi në departamentet përkatëse duke mos u hallakatur në aspektet e tjera. Çdo gjë që themi e bëjmë dhe çdo gjë që e bëjmë e themi. Këtë vit sipas studimit të profesor Edi Puka janë rreth 10 mijë studentë më pak. Universiteti Europian i Tiranës e fitoi dhe këtë vit betejën me numrat duke siguruar tashmë një epokë të re. Duke ju uruar me gjithë shpirt suksese në këtë vit dhe duke besuar në frymën e një ekipi ku gjithsecili nëse e bën mirë punën e tij, e kemi bërë mirë të gjithë bashkë sepse në fund të ditës ky është institucioni ku ne kalojmë kohën më të madhe të ditës. Ju uroj shumë suksese dhe mbarësi dhe më tepër përgjegjshmëri në trajtim të studentit dhe njëri-tjetrit”, -shprehet Arbi Agalliu.
Drejtimi i UET në dekadën e parë; Gjuraj, rektori i akreditimit dhe ‘zgjerimit’
Pas thuajse 12 viteve ekzistence Universiteti Europian i Tiranës shënon arritje në një sërë objektivash të paracaktuara që në fillimet e veta. Tashmë UET është një nga universitetet lider për zhvillimin e dijes në shoqërinë shqiptare, një qendër ekselence në formimin akademik të studentëve, një qendër ekspertize e specializuar në fushën e studimeve shoqërore-politike, ekonomike e juridike në vend, me ndikim në rajon e më gjerë, si dhe një qendër ekselence për kërkimin shkencor në drejtimet specifike ku zotëron potencial. Studentët në UET përfitojnë një edukim cilësor falë përkushtimit të stafit të këtij universiteti në mësimdhënie, partneriteteve me tregun e punës si dhe atyre ndërkombëtare. Kjo dekadë e dytë e UET, e gjen këtë universitet si ‘polivalent’. Me 5 fakultete, 2 krejtësisht të rinj dhe 3 të riorganizuar, sfida për të ruajtur cilësinë e deri më tanishme por edhe për ta çuar atë më tej, është prezente. Puna për ‘zgjerimin’ dhe ristrukturimin e universitetit ka nisur që në dekadën e parë, e cila ka qenë mjaft dinamike, pasi njëkohësisht institucionit i është dashur të kalojë një sërë procesesh certifikuese dhe akredituese nga agjenci kombëtare dhe ndërkombëtare. Në përmbyllje të dhjetëvjeçarit të parë, UET arriti të akreditohej me 5 vjet me vlerësimin maksimal “Fully Met” nga Agjencia Britanike e Akreditimit (QAA) në të 5 fushat e vlerësimit. Sigurisht që këto procese kanë paraqitur vështirësitë dhe problematikat e tyre, por rezultatet e suksesshme janë arritur falë këmbënguljes dhe përkushtimit të stafit të Universitetit Europian të Tiranës. Në krye të këtij ekipi ka qenë për dy mandate prof. dr. Tonin Gjuraj, i cili fillimisht ka mbajtur pozicionin e zv.rektorit dhe më pas atë të rektorit të UET. Gjuraj njihet si rektori i akreditimit dhe zgjerimit për shkak se ka qenë në krye të këtyre dy proceseve shumë të rëndësishme akademike që kanë karakterizuar dekadën e parë të UET, akreditimit institucional me 5 vite me vlerësimin “Fully Met”, si dhe finalizimin e procesit të riorganizimit dhe zgjerimit.
Kontributi i tij në fazën më të rëndësishme të zhvillimit të universitetit ka qenë mjaft i vlefshëm dhe i vyer. Prezent që në hapat e parë, me një punë të karakterizuar nga një përkushtim dhe përgjegjshmëri shumë e lartë, ai e ka parë UET të rritet gradualisht në universitetin që është sot.
Një institucion i arsimit të lartë që shënon arritje edhe në aspektin e ndërkombëtarizimit. Janë plot 33 universitete në të cilat stafi dhe studentët e UET mund të realizojnë një periudhë mobiliteti në kuadrin e programit Erasmus+, si dhe një numër i madh universitetesh të tjera partnere me të cilat UET ka marrëveshje të ndryshme partneriteti. Pas një përvoje gati 10-vjeçare në drejtimin e Universitetit Europian të Tiranës, me një sërë suksesesh dhe arritjes, Gjuraj vendosi të mos garonte për një mandat të tretë. Ai është shprehur mirënjohës ndaj stafit me të cilin ka punuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe falënderuar për përkushtimin dhe punën e palodhur që të gjithë si ekip kanë bërë për ta sjellë UET këtu ku është sot. Gjuraj do të vijojë të japë kontributin e tij në rritjen e cilësisë së UET dhe ndërkombëtarizimit të tij dhe shprehet se përkushtimi dhe luajaliteti ndaj universitetit do të jetë i palëkundur. Pas një drejtimi të suksesshëm në dekadën e parë, drejtimin e merr prof. dr. Nevila Nika, të cilën ish-rektori e vlerëson si një personalitet të spikatur akademik dhe shkencor, një drejtuese serioze dhe e aftë duke i uruar asaj suksese në detyrën e re.
Prof. dr. Tonin Gjuraj njihet për një karrierë të gjatë akademike, me një sërë kualifikimesh akademike. Studimet e tij ai i filloi në Universitetin i Tiranës, në Filologji Angleze për të vijuar më pas me studimet Master, MA në Shoqëria dhe Politika, në Central European University, Pragë, Republika Çeke.
Studimet e Doktoratës i ka përfunduar në Universitetin e Tiranës, në Sociologji, duke marrë kështu titullin Doktor i Shkencave në Sociologji. Gjuraj ka realizuar studime postdoktorale dhe kërkim shkencor në St’ Anthony’s College të Universitetit të Oxfordit, Mbretëri e Bashkuar. Ndërkohë që ka zhvilluar kurse të ndryshme specializimi: Edukimin Qytetar Demokratik të Universitetit të Uashingtonit, Seattle, SHBA dhe në shumë universitete të tjera jashtë vendit: Norvegji, Poloni, Itali, Hungari, Mali i Zi, Holandë, Gjermani, Izrael etj. Ka përvojë të gjatë në mësimdhënie në nivel universitar, eksperiencë të pasur pune për agjenci të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, në çështje që lidhen me fetë dhe demokracinë, shoqërinë civile dhe gjakmarrjen, punë në terren me romët etj. Gjuraj ka shërbyer si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit midis viteve 2007–2009.