Pano dhe Nano: Letërkëmbimi Mapo-Danas shtron urën mes Shqipërisë dhe Serbisë
Pano dhe Nano: Letërkëmbimi Mapo-Danas shtron urën mes Shqipërisë dhe Serbisë
Serbë dhe shqiptarë u bënë bashkë në Universitetin Europian të Tiranës në një aktivitet të organizuar nga OSBE dhe Instituti Europian Pashko. Në qendër të diskutimeve ishte mundësia e ngritjes së urave nga media mes Shqipërisë dhe Serbisë
Përfaqësuesit e OSBE në Shqipëri nuk kish si të mos e ndjenin veten mirë. Në atë sallë flitej serbisht, shqip dhe anglisht. Të hënën, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u mbajt takimi me temë: ‘Media si urë midis Shqipërisë dhe Serbisë’.
Seminari u organizua nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë- Prezenca në Shqipëri dhe ajo në Serbi, në bashkëpunim me Institutin Europian Pashko.
Në fillim të aktivitetit foli drejtori i Institutit Pashko, Ervis Iljazaj, që tha se ndjehet i emocionuar si mikpritës i këtij eventi, së pari si drejtues i gazetës Mapo dhe më pas edhe si pedagog i UET.
Në qendër të këtij takimi ishin pikërisht dy gazetarët e njohur në dy vendet respektive, Mustafa Nano në Shqipëri dhe Zoran Panoviç në Serbi. Letërkëmbimi mes tyre për çështje të ndjeshme të dy vendeve është një nga urat më të mira mes Serbisë dhe Shqipërisë. Letrat e tyre të hapura publikohen rregullisht në gazetën Mapo në Tiranë dhe atë Danas në Serbi.
Gordana Jankoviç, Shefe e Departamentit të Medias në misionin e OSBE në Serbi, tha se tashmë ata njihen si Pano dhe Nano.
“Kur na u sugjerua që ne të fillojmë të prezantojmë vendet tona përmes shkëmbimeve të gazetarisë, isha shumë e paduruar për të parë si do të shkonin gjërat, por mjaft skeptike në të njejtën kohë. Unë dhe ekipi im dhe unë punuam për një farë kohe për të identifikuar partnerët, dhe Mapo e Danas, sot, të dy mediat shumë të rëndësishme kanë filluar shkëmbimin mes dy gazetarëve të mrekullueshëm. Nëse nuk do të ishte për dy gazetarët mahnitës, ne i quajmë ata Pano dhe Nano ose Panoviç dhe Nanoviç, kjo nuk do të ishte aq e bukur dhe e madhe për të punuar, ata me të vërtetë janë kritikë të mëdhenj të kohës së tyre. Ata i kuptojnë kulturat e tyre në një mënyra të ndryshme, ata gjithashtu janë në të njëjtën kohë shumë kozmopolit, kështu që ata janë në gjendje të shkëmbejnë dhe të krahasojnë me mënyra shumë të ndryshme reagimet ndaj politikës globale, reagimet ndaj politikës lokale, kulturës, muzikës, edhe një sërë fushash të tjera. Është shumë pozitive që ne do të fillojmë diskutimin këtu me dy ata në krye,” tha ajo.
Bashkëbisedimi u moderua nga znj.Irina Radu, Oficere e Lartë për Zhvillimin e Medias nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri.
Një fjalim të bukur mbajti fillimisht Robert Wilton, zëvendëskreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri.
“Ne varemi nga komunikimi, ne ekzistojmë për të lehtësuar komunikimin. Unë nuk pretendoj se OSBE-ja ofron parajsën, nuk pretendoj se OSBE-ja garanton paqen. Shpesh pjesëmarrësit në diskutimet e OSBE, kanë dallime shumë të vështira, polemika. Unë nuk mund t’i bëj ato të zhduken, nuk mund të pretendoj se ato nuk ekzistojnë. Ne ekzistojmë në një realitet, i cili përfshin polemika, ndarje dhe vështirësi. Ajo që mund të bëjmë është të krijojmë një hapësirë dhe mundësi për komunikim të sinqertë dhe dinjitoz. Me këtë ka të bëjë OSBE. Me këtë ka të bëjë ky aktivitet, ky projekt. Organizimi i sotëm është shkëmbimi i pikëpamjeve, jo vetëm me panelin, por me audiencën dhe kjo përsëri është një mundësi për një komunikim të sinqertë dhe dinjitoz. Sigurisht që media është një pjesë e madhe e punës sonë si OSBE; ne besojmë se media ka një rol esencial në demokracitë vetjake dhe në një bashkësi të demokracive”, u shpreh Wilton.
Ai theksoi rëndësinë që media ka në ndërtimin e raporteve positive të vendeve: “Bota e medias është thelbësore në këtë fushatë. Mediat kanë një rol thelbësor, unik për të mbajtur një standard të debatit publik. Mediat kanë një rol thelbësor për të qenë zëri i njerëzve, për të qenë një avokat për njerëzit. Mediat kanë një rol thelbësor për të sfiduar, për të sfiduar qeverinë, për të sfiduar interesat klienteliste, për të sfiduar gjuhën e shëmtuar negative të racistëve…. Sot po luftojmë për diçka shumë të rëndësishme për shoqëritë tona, demokracitë tona”.
Ndërkohë që dy protagonistët e shumëpërfolur, gazetarët e njohur Nano dhe Panoviç janë bërë pjesë e bashkëbisdemit me opinionet e tyre.
Zoran Panovic ndau eksperincën e tij me auditorin.
“Dua të falenderoj gazetën Mapo, kolegun Nano dhe OSBE-në për realizimin e këtij projekti. Çfarë është e rëndësishme për mua në këtë projekt është se ia arritëm të dilnim jashtë kornizave. Të dilnim jashtë bisedave burokratike. Mendoj se fraza kryesore që do të përshkuante letërshkëmbimin tonë do të ishte ‘jo thjesht për t’u dukur’. Nuk kemi qëllime të ndryshojmë botën, nuk kemi qëllime as që të rregullojmë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, pasi përpara çdo gjëje tjetër këto letërshkëmbime janë bërë në pozitat e kolegëve, në pozitat e dy gazetarëve. Duhet të kemi në mendje se nisur nga lajmet dhe editorialet tona, duket se ndajmë një qëndrim të njejtë kur vjen puna tek demokracia dhe tek liria e fjalës. Ajo çfarë është e rëndësishme, është që kur një artikull i Mustafait botohet në Danas, dhe kur ne i publikojmë ato në portalet e ndryshme në Serbi, nuk janë letra projekti, apo policy papers, por janë disa shkrime shumë të mira gazetareske të shkruajtuara prej një gazetari shumë të mirë. Dhe unë do doja të falenderoja shumë OSBE-në për krijimin e një mekanizmi shumë të thjeshtë për dokumentimin e këtij projekti”,u shpreh Panoviç.
Nga ana tjetër Nano shprehet se kjo ka qenë një nga ekperiencat më të bukura në karrierën e tij.
“Kjo ka qenë një nga eksperiencat më të mira të jetës sime si gazetar. Sepse kam patur shansin të komunikoj me një jo-shqiptar, i cili ishte serb, për më tepër dhe i cili ka pasur pak a shumë një vizion të ngjashëm me botën time”, thotë Nano i cili pranon se për të nuk ka qenë fort e lehtë të bëhet pjesë e këtij projekti, por thotë se është i lumtur që ka marrë një vendim të tillë.
“Kam përshtypjen që për mua ka qenë më e vështirë kjo vendimmarrje sepse shqiptarët sot këtu dhe në Kosovë, janë me idenë që serbët duhet të kenë një kompleks faji që duhet t’i përndjekë akoma. T’i persekutojë. Dhe në këto rrethana ata nuk janë shumë të gatshëm për të kuptuar këtë lloj komunikimi deri në fund. Dhe ka shumë shqiptarë sidomos në Kosovë që mua më kanë shpallur ‘tradhëtar’. Miq të mi që futen në rrjete sociale, më kanë thënë që unë jam shndërruar në target të këtyre masave të mëdha nacionaliste, sidmos në Kosovë por edhe në Shqipëri. Siç e dini unë kam një emission të quajtur Provokacija dhe nëse nuk do kisha këtë komunikim me Zoran nuk do më shkonte mendja t’i vija një emër të tillë. Megjithatë dhe emri nuk është pranuar, ka një numër të ftuarish që nuk kanë pranuar të vijnë vetëm për shkak të emrit të programit. Kur kam dëgjuar nga ana e tyre refuzimin, të motivuar nga fakti që unë sipas tyre kam zgjedhur emrin e gabuar për programin tim, unë jam shokuar. Nuk janë shumë, tre-katër veta, por tre katër veta nuk janë pak. Tre katër veta që janë pjesë e elitës, dhe shokohen nga një fjalë serbe, për mua janë shumë.”
Gazetari dhe publicisti Mustafa Nano u shpreh se e gjithë kjo është një nisëm pionere për të cilën shpreson se e ardhmja do t’i tregojë më së mirë vlerat: “Jam i lumtur që kam hapur si të thuash një epokë të re, një erë të re. nuk ka të bëjë me ndonjë meritë timen. Unë qëllova thjesht të isha personi që u zgjodh në një rrethanë të caktuar dhe jam shumë i lumtur dhe shpresoj që kjo nisëm të kuptohet dhe vlerësohet pak më vonë. Unë nuk pres të marr një medalje, merita ime është thjesht që unë shkruaj mendimet e mia. Këtë medalje emeriton OSBE-ja në Beograd, OSBE-ja këtu, Ambasada Shqiptare në Beograd, Virgjil Muçi që ka qenë një nga promotorët e këtij projekti. Jam i sigurt që kjo është një nisëm pionere, që hap një epokë të re komunikimi.”
Debati ka vijuar edhe me të ftuarit e tjerë të cilët kanë ndarë me audiencën opinionet, eksperiencat dhe këndvështirmet e tyre mbi rëndësinë dhe rolin që media ka në ndërtimin e urave të komunikimit mes Shqipërisë dhe Serbisë.