Panairi i Karrierës në UET/ Partneriteti universitet-biznes, domosdoshmëri për punonjës të kualifikuar
“Asnjë nga ne nuk mund t’iu mbijetojë kërkesave që ka shoqëria e sotme dhe e nesërme, nëse nuk zhvillojmë një filozofi pune të përbashkët dhe komunikimi intensiv.” Ishte kjo kërkesa e presidentit të Universitetit Europian të Tiranës, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, drejtuar bizneseve e sipërmarrjeve pjesëmarrëse në Panairin e Karrierës, zhvilluar në ambientet e universitetit.
Kjo ngjarje e përvitshme mbledh në fund të majit burimet njerëzore të pothuajse të gjitha kompanive që operojnë në treg dhe që kanë shkëmbime me UET, të cilat prezantojnë ofertat dhe nevojat për punonjës, ndërsa studentët vendosin komunikimin dhe shtojnë mundësitë e punësimit.
Eksperti i ekonomisë u shpreh se fatkeqësisht burimet njerëzore vendosen në rend të dytë, duke u trajtuar si kosto dhe jo si kapital, duke mos investuar në rritjen dhe zhvillimine tyre. Prandaj Xhepa bëri thirrje që në këtë aspekt të ndryshojë filozofia e sipërmarrjes, por edhe politika publike, në partneritet të ngushtë me universitetet.
“Punësimi aktualisht po kalon sfida të mëdha, jo vetëm në kuptimin e ndryshimit për profesionet, impaktit që kanë proceset teknologjike, të cilat kanë krijuar kriza dhe dilema, edhe për punëmarrësit edhe për universitetet, sepse procesi i përshtatjes së kurrikulës mësimorë tani duhet të bëhet edhe me dinamik”, tha Xhepa në takimin e përvitshëm të Programit 500+ me drejtuesit e burimeve njerëzore.
Një imperativë të domosdoshëm e quajti presidenti i UET lidhjen e përhershme midis tregut privat, industrive dhe universiteteve, për të përgatitur punonjës me aftësitë e nevojshme që kërkon tregu. Më tej ai sugjeroi që të shtohen takimet, me pjesëmarrjen në Bordin e Punës, me prezencën në auditorë, në mënyrë që studentët të jenë më të familjarizuar me atë që i pret pas daljes nga auditori. “Kjo është mundësia e vetme për t’i dhënë një shans brezit të ri, por edhe për të ulur kostot për të gjitha palët.”
Më tej, përfaqësuesit e disa kompanive dhe bizneseve folën për bashkëpunimin e nisur me UET, por edhe për nevojën që kanë për burime njerëzore të kualifikuara, të apdejtuara me zhvillimet dhe që mbeten kërkues ndaj vetes dhe risive.
Drejtori ekzekutiv i NAREA-s, Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme, Reinaldo Pipiria foli për partneritetin më të ri me Universitetin Europian të Tiranës, i cili vjen në vijimësi të një bashkëpunimi për intershipe të nisur në 2022. Ai tha se UET ishte partneri i duhur pasi garanton shpejtësi, cilësi dhe një staf akademik shumë të mirë.
“Ky do të jetë programi i parë që ofrohet në real estate në Shqipëri. Do të jetë i certifikuar nga institucionet ndërkombëtare, partnere të NAREA-s në Bruksel. Ky vend është i rëndësishëm jo vetëm nga ana politike për Shqipërinë, por edhe sepse 25% e tregut të real estate iu shërben shtetasve të huaj”, sqaroi Pipiria, duke theksuar se bashkëpunimi me UET do të ndihmojmë në rregullimin dhe zhvillimin e tregut të real estate.
Nga ana tjetër, Edlira Gjuraj, shefe e Departamentit të Burimeve Njerëzore në Balfin Group, foli për vështirësitë e gjetjes së punonjësve të kualifikuar. Siç theksoi ajo, teknologjia mund të blihet në treg, por aseti njerëzor kërkon investim për ta zhvilluar dhe për ta mbajtur si talent.
“Ajo që po përballemi sot është se nuk po gjejmë kapacitetet e duhura, me njohuritë e duhura dhe kjo është një dritë e kuqe për të gjithë universitetet, në përmirësimin e vazhdueshëm të kurrikulave”, theksoi Gjuraj, duke vlerësuar organizimet e UET për ndërlidhjen mes biznesit dhe punonjësve të tyre të ardhshëm.
Zv. rektrorja e UET, prof. dr. Drita Kruja tha se në aktivitetet që universiteti zhvillon me pjesëmarrjen e biznesit, merr parasysh mendimet, kërkesat dhe sugjerimet e bëra prej tyre. “Tregu evoluon, kërkesat evoluojnë, teknologjia është aq e shpejtë sa duhet të ecim me hapin e saj dhe po përpiqemi të implementojmë çdo gjë që na vjen nga tregu i punës”.
Sa i përket pjesës së kurrikulave, Kruja nënvizoi se ato janë pasuruar dhe rregulluar, sidomos pas 2018 ku UET u bë me pesë fakultete. “Kemi futur dy master interesantë: Fintech dhe Komunikim në mediat digjitale, të cilët janë në bashkëpunim me biznesin, i pari me Credins dhe i dyti me Euronews. Nëpërmjet formuve e trajnimeve, nëpërmjet policy paper, mundohemi që të kontribuojmë te komuniteti. Zyra e Projekteve, Qendra UET, e bëjnë këtë më së miri”..
Më tej ajo u shpreh se UET mundohet të përshtatet me kërkesat e studentëve, që janë fleksibiliteti, rritja e përdorimit të teknologjisë, duke siguruar se bashkëpunimi do të vijojë me intershipe e praktika pune, shkëmbime, vizita studimore e diskutime për tematika të ndjeshme të zhvillimit profesional.
Pjesë e fjalimit hapës u bënë edhe disa përfaqësues të kompanive të ftuara nga pesë fakultetet e UET. Përfaqësuesja e RTSH, Megi Llakmani; Justin Goçi nga Qendra Braman e Meditimit Transcendental; Xhoana Sula nga Wellness Albania Clinic; Enisa Kokona nga Kreston Albania, një kompani e krijuar nga një studente e UET, treguan filozofinë e punës së tyre dhe inkurajuan studentët të aplikojnë e të bashkëngjiten në misionin që ata kanë.