Nga SHBA-ja dhe India në Tiranë/ Profesori i ekonomisë, Krishna K Ladha, sjell kursin e tij për studentët e UET

Vitet e fundit Shqipëria është përfolur si destinacion i preferuar turistik duke u parë si vend ekzotik për turistë të natyrave të ndryshme. I grishur nga kjo ide për të zbuluar një vend e kulturë të re, erdhi edhe profesori Krishna K Ladha. Ajo që gjeti do të ishte më e fortë se çdo mendim për t’u rikthyer në vendin e tij. Morën vendimin për të shpenzuar disa kohë këtu, kështu që tashmë jeta dhe përditshmëria e tyre po përshtatet me ritmin e Tiranës.
I diplomuar në 1971-in për Matematikë në Universitetin e Kalkutës, qytet i lidhur ngushtë me emrin dhe veprimtarinë e shenjtores sonë Nënë Tereza, prof. Krishna e vijoi zhvillimin profesional me marrjen e një diplomë pasuniversitare për Menaxhim nga Instituti Indian i Menaxhimit. Do të punësohet në Departamentin e Energjisë Atomike të qeverisë indiane, fillimisht si anëtar i Grupit të Planifikimit dhe Analizës (1973-19776) e më tej si Kryetar i Grupit të Planifikimit dhe Analizës (1976-1979).
Rrugëtimi i tij akademik do të vijojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku në 1986-të mbrojti doktoraturën për Ekonomi në Universitetin Carnegie Mellon, një nga universitetet më të mira private në Pitsburg. Përgjatë 25 viteve veprimtaria e tij do të jetë mes Universitetit të Uashingtonit në St. Louis, Universitetit të Çikagos dhe atij të Nju Jorkut, për t’u rikthyer në 2009-ën në vendlindjen e tij, Indi. Iu bashkua për nëntë vite Institutit Indian të Menaxhimit Kozhikode, e prej 2022-shit u bë pjesë e Shkollës Indiane të Politikave Publike. E ndërsa mbetet i pandarë nga karriera akademike, është edhe një bashkëpunëtor i shquar në Fondacionin e Zhvillimit të Indisë.
Fusha e tij e interesit kërkimor dhe në mësimdhënie përfshijnë ekonominë, shkencat politike, politikat publike, gjyqësorin indian dhe kushtetutat demokratike. Ka botuar gjetjet e tij në revista të njohura amerikane, është bërë pjesë e shumë forumeve dhe konferencave shkencore, si dhe ka fituar më 1991-shin Çmimin Duncan Black, i cili mban emrin e ekonomistit suedez Duncan Black dhe jepet për punimin më të mirë në fushën e teorisë së zgjedhjes publike.
I mësuar gjithmonë me auditorët, me studentët, debatet, nuk mund t’ia pranonte aq lehtë vetes idenë e largimit. Kur mori vendimin për të ardhur në Shqipëri, pjesë e bisedës me miqtë ishte gjetja e një mënyre për të qenë i pandarë nga pasioni i tij, duke vijuar kontributin akademik edhe në këtë vend të Ballkanit. Miqtë i sugjeruan Universitetin Europian të Tiranës, drejtuesit e të cilit ranë dakord me kërkesën e tij.
“Ata pranuan që të jap disa kurse. Kështu që unë propozova Teorinë e Lojës në ekonomi dhe demokraci”, tregon profesori. Ai tashmë ka në UET kursin e tij me 12 orë, me fokus në ndikimin dhe mënyrën se si mund të përdoret Teoria e Lojës në ekonomi, demokraci, çështjet sociale dhe si mund të jetë ajo e dobishme për të përmirësuar aspekte të caktuara në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Profesor Krishna thotë se ka pritshmëri të mira nga studentët, ashtu siç ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me kolegët e tij, ekspertin e ekonomisë dhe presidentin e UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa dhe dekanin e Fakultetit të Ekonomisë, biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Mateo Spaho.
Pavarësisht kohës jo aq të gjatë të qëndrimit në Shqipëri, eksperienca e dr. Krishna ka qenë mjaft pozitive. Jeta e tij mes auditorit, librave, shëtitjeve në Liqenin Artificial të Tiranës ka qenë për të mjaft produktive dhe e shëndetshme. E ndërsa universitetet shqiptare, me në krye Universitetin Europian të Tiranës, po synojnë tërheqjen e studentëve të huaj, profesori sheh këtu mjaft benefite. “Shqipëria është një vend ekonomik, i sigurt, e po ashtu cilësia e edukimit është e mirë,” thekson ai.
Kursi i dr. Krishna dhe sjellja e një eksperience ndërkombëtare është një tjetër mundësi që UET ofron për studentët e tij, qofshin shqiptarë, të ardhur me Erasmus+ apo studentë të huaj që vijojnë studimet këtu. Gjithastu, ai vjen në vazhdën e hapave të mëhershëm për ndërkombëtarizimin e plotë, përmes partneriteteve, ardhjes së pedagogëve vizitorë, realizimit të seminareve, workshope-ve, forumeve të hapura etj.