[:en]Në përgatitje të UET për dekadën e dytë: Komunikimi për publikun vjen nga ish-studentët dhe studentët[:]
[:en]
Në përgatitje të UET për dekadën e dytë: Komunikimi për publikun vjen nga ish-studentët dhe studentët
Dalja e tyre tek emisioni “Zonë e lirë” e Arjan Çanit, debati dhe prezantimi i “Liberalëve të Djathtë” si dhe shpallja e krijimit të Universitetit Europian të Tiranës, u shndërrua stampën më të fortë që do të vuloste modelin më të ri të komunikimit. Ajo që nisi fillimisht me prezantimin dhe debatin e fortë, politik por edhe akademik, në emisionin “Zonë e lirë” u shndërrua në një “traditë”, ku ky institucion komunikon në mënyrë të pandërprerë me audiencën, me një gjuhë të pastër dhe të drejtpërdrejtë, me një qasje bashkëkohore, duke përqafur risitë dhe duke patur në themel një frymë liberale.
Shumë shpejt pas themelimit, UET u shndërrua në një sensacion mediatik. Ndodhej kudo, ashtu si një ndër sloganet e mëparshme të tij, “Ne jemi kudo” e thotë. Në faqe gazetash dhe revistash, në panele emisionesh televizive, në tryeza të ndryshme të shoqërisë civile, në forume e debate politike ose filozofike…
Standardi i komunikimit e shndërroi UET në një markë, e bëri të identifikohej si një universitet idesh, si një qendër krijimi, si një “vullkan” energjie dhe si vendi ku dija ishte primare.
Sipërmarrja e cila nisi si një shprehi guximi dhe idealesh, mbështetur nga pasioni dhe përkushtimi, është sot një ndër institucionet e arsimit të lartë, më cilësore në vend.
Dekada e dytë, përqafon sërish parimet me të cilat është themeluar ky universitet, vlerat, idealet, guximin, risinë… Krahas shërbimit cilësor në fushën e arsimit, komunikimi mbetet një ndër armët më të forta të tij.
Ekipi i komunikimit në UET sot përbëhet nga vetë ish-studentët dhe studentët e tij, të cilët e kuptojnë filozofinë e UET më mirë se gjithkush tjetër.
Të rinj, energjikë dhe të motivuar të vazhdojnë traditën e Universitetit për të krijuar “të renë”, ata japin kontributin e tyre në atë që quhet “Zyra e Marrëdhënieve me Publikun” dhe që është një ndër strukturat më aktive të Universitetit Europian të Tiranës.
Me aktivitete të shumta në të cilat dija, kultura dhe aktivizimi janë në fokus, me një jetë studentore “të gjallë” dhe të larmishme, me një qasje më rinore, më kah teknologjisë dhe risive, UET vazhdon dhe forcon më tej, traditën e tij të komunikimit cilësor.
Drejtuesi i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, Edi Vlusha, është ish-student i UET.
Ai ka studiuar në degën Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim dhe prej 3 vitesh tashmë ka një pozicion drejtues në universitetin ku ka studiuar.
“Unë si student i përkas dekadës së parë të UET nën moton ‘A e bën dot?’. Pjesë e stafit të zyrës së Marrëdhënieve me Publikun u bëra pothuajse në përmbyllje të dekadës së parë dhe në vigjilje të dekadës së dytë në vitin 2015 nën sloganin “Gjëra të mëdha na presin”. Prej tri vitesh tashmë drejtoj këtë zyrë”, tregon ai.
Vlusha thotë se përzgjedhja e tij si drejtues vjen në saje të rëndësisë që studenti ka në kuptimin e institucionit ku studion dhe transmetimin më tej të vlerave me të cilat edukohet.
“Arsyeja e përzgjedhjes sime në këtë post ishte fakti që vetë komunikimi, duhet të vijë nga studentët, fakti që ata dinë më mirë se çfarë duhet dhe se çfarë do një student sot, pasi kohët kanë ndryshuar dhe studentët nuk janë të njëjtë me 20 vite më parë. Studentët e vitit 2018 janë inovatorë, teknologjikë dhe me ndryshimin e këtyre kohërave ka revolucionarizuar komunikimin si në formë ashtu edhe në përmbajtje”.
UET ndodhet tashmë në një stad të ri, atë të “zgjerimit” dhe të zhvillimit, duke iu shtuar 3 fakulteteve ekzistuese edhe 2 të tjera.
“Për Universitetin Europian të Tiranës tashmë është një moment i veçantë duke marrë parasysh faktin që UET po kalon në një universitet polivalent me shumë degë, pothuajse gjithëpërfshirës duke filluar nga Inxhinieritë, Inovacioni, Shkencat Humane, Arteve po ashtu edhe degë të mjekësisë. Në këtë stad komunikimi merr një rëndësi edhe më të veçantë”, shprehet Vlusha, duke shtuar se në UET çdo gjë bëhet, komunikohet dhe çdo gjë që komunikohet bëhet.
Zyra e Marrëdhënieve me Publikun, përbëhet dhe nga 5 studentë të Universitetit Europian të Tiranës, ku secili prej tyre jep kontributin e vetë, karakterizuar nga pasionet dhe prirjet individuale.
Kristi Maçi dhe Hamerald Agolli, janë artistët e këtij universiteti, ku falë prirjeve që kanë për artin, I japin komunikimit të këtij institucioni një risi duke e ndërthurur artin pamor me botën teknologjike që ne jetojmë.
Kristi Maçi është student i Universitetit Europian të Tiranës, në degën Komunikim-Dizajn, viti i dytë. Ai vjen në UET pas një eksperience trevjeçare, në Vjenë, ku ka studiuar për Arkitekturë Interiori. Pas përfundimit të studimeve, ai zgjedh të kthehet në Shqipëri dhe të ndjekë pasionin e tij të vjetër për Dizajn.
“Unë kam studiuar në Vjenë për tri vite. Atje kam përfunduar studimet në Interior Design por gjithmonë kam pasur dëshirën të vazhdoja për dizajner grafik dhe kjo gjë më shërbeu si një shtysë më tepër t’u kthyer në Shqipëri. Pas kërkimeve të shumta për një universitet cilësor në këtë drejtim, zgjodha UET pasi vura re se pedagogët e dizajnit ishin ndër emrat më të shquar të kësaj fushe dhe pata shumë dëshirë të merrja pjesë si student në auditorët e tyre. Unë e ndiej veten shumë me fat dhe ndihem shumë mirë sepse atë që kërkoja e gjeta në UET”, tregon Kristi në lidhje me rrugëtimin e tij.
Për shkak të natyrës së tij kreative dhe prirjes së tij në organizim Kristi mban pozicionin e Event Organizer dhe shpesh kontribuon dhe në aspektet vizuale të komunikatave të institucionit.
Hamerald Agolli gjithashtu studion në degën Komunikim-Dizajn. Shpesh e dëgjon ta thërrasin “Artisti i UET”. Pas tri viteve studim në degën Veterinari, Hameraldi merr vendimin që të ndërpresë studimet e tij, për t’i rinisur ato, në atë që është pasioni i tij i vërtetë, Dizajni, duke u bërë pjesë e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, si dizajner.
“Unë kam studiuar për tri vite në degën Veterinari, por pasioni im ka qenë gjithnjë dizajni. Gjatë kohës kur studioja kam punuar në mënyrë të pavarur me projekte dizajni por mendova që kishte ardhur koha të formohesha më tepër nga ana akademike, ndaj zgjodha të studioj në UET. Ky universitet më ka tërhequr fillimisht për shkak të aktiviteteve të shumta që zhvillonte në lidhje me artin dhe dizajnin, si dhe ekspozitat nga Profesor Bujar Kapexhiu dhe Shpend Bengu. Për më tepër ideja e një dege që përfshin brenda edhe dizajnin edhe komunikimin më pëlqeu shumë. Prej pothuajse 6 muajsh tashmë, jap kontributin tim në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun si dizajner”.
Elda Dedja dhe Mirgen Çela, “lajmësit” e UET
Elda Dedja është studente e vitit të tretë, në Universitetin Europian të Tiranës, për degën Komunikim-Dizajn. Prej pothuajse një viti tashmë, ajo është pjesë e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun si reportere për këtë universitet.
“Degën Komunikim-Dizajn e kam zgjedhur pasi ishte e vetmja degë në universitetet shqiptare e cila plotësonte ambiciet e mia në aspektin akademik, falë kombinimit të dy fushave mjaft interesante, komunikimit dhe dizajnit. Të dyja këto, pasione të mia të hershme…”, tregon Elda.
Bindja se UET ishte universiteti i duhur për të, e shtyu të aplikonte për bursën “Pashko”, të cilën e fitoi. Falë kësaj burse përfitoi tri vite studimi me tarifë zero. Krijimi tek Elda nuk vjen vetëm në formën vizuale por edhe në të shkruar, pasi siç tregon ajo të shkruarit është një ndër pasionet e saj.
“Krahas dizajnit, të lexoj dhe të shkruaj janë ndër aktivitetet e mia të preferuara. Dëshira për të përmirësuar veten në këtë aspekt dhe për të mësuar më tepër në lidhje me komunikimin, më kanë motivuar t’i shtoj identitetit tim edhe një aspekt të ri, atë të gazetarit. Për këtë arsye prej disa kohësh tashmë jap kontributin tim në Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun në UET”.
Edhe Mirgen Çela është së fundmi pjesë e ekipit të PR, gjithashtu si reporter i UET.
Ai studion në degën Shkenca Politike. Është e habitshme se përse ai ka zgjedhur pikërisht këtë degë kur vjen nga një frymë komplet tjetër, pasi ka mbaruar Liceun Artistik të Tiranës për Oboe. Me frymën e një lideri të ri, i motivuar dhe me vizion të qartë për të ardhmen ai shprehet se çfarë e shtyu të zgjidhte këtë degë dhe pse pikërisht UET.
“Ajo që më motivoi më shumë për të studiuar Shkenca Politike, ishte dëshira për të qenë një lider dhe një person i cili mund të sjellë ndryshime në vendin ku jetojmë duke pasur sa më shumë marrëdhënie me publikun. Këtë zgjedhje e kam bërë në momentet e fundit pas maturës dhe zgjodha UET pasi është një ndër universitetet më serioze. Në UET m’u dha mundësia për të punuar në median online ‘Mapo’. Kam zgjedhur që të jem pjesë e gazetarisë së sotshme, duke qenë se ne ndodhemi në fundin e tranzicionit të komunikimit, ku tashmë çdo njeri mund të informohet online në portale dhe rrjete sociale”, tregon Mirgeni. Me energjinë dhe motivimin që e karakterizon dhe në aktivizimin e tij në jetën studentore të UET, Mirgeni mundohet që ta transmetojë edhe në “detyrën” e tij si reporter.
Klaudia Trezhnjeva, zëri virtual i UET
Klaudia është një studente e UET e cila sapo ka përfunduar studimet e saj në ciklin Bachelor për degën ‘Menaxhim Biznesi’ dhe tani vazhdon programin master për të njëjtën degë me profil Marketingu. Klaudia është përfshirë së fundmi në ekipin e komunikimit të UET në pjesën e menaxhimit të mediave sociale, duke patur edhe më parë eksperienca personale të ngjashme, jashtë UET.
“Pas një eksperience jo të mirë në një universitet tjetër, vendosa pritshmëri të reja për sa i përket cilësisë akademike që duhet të ketë një universitet, komoditetit që ofron dhe mundësive pasi mbaron studimet. Gjëja që më bëri më shumë përshtypje sapo hyra në UET ishte mikpritja e stafit dhe se sa mirë të orientonin për çdo detaj. Pasi bëra zgjedhjen për të studiuar në programin Menaxhim Biznesi, çdo ditë e më shumë më përforcohej ideja që kisha bërë zgjedhjen e duhur, për shkak të pedagogëve, jetës studentore, aktiviteteve, trajnimeve…”.
Klaudia mundohet gjithmonë të përcjellë frymën e ngrohtë rinore të UET-it duke qenë se edhe vetë është e tillë, me energjinë dhe komunikimin cilësor që e karakterizon.
“Fakti që jap kontributin tim në zyrën e Marrëdhënieve me Publikun më bën të mendoj se e gjithë përgatitja teorike që kemi marrë në universitet është e vlefshme për tregun e punës, për aq kohë sa universiteti vetë përzgjedh studentët e tij”, tregon ajo.
[:]