Konkursi “Eseja më e mirë” në UET/ Vlerësim monetar dhe intership për studentët e tre vendeve të para
Sfidat dhe dinamikat në fintech ishte tema e konkursit të trembëdhjetë të esesë, zhvilluar nga Departmaneti i Ekonomiksit dhe Financës në Universitetin Europian të Tiranës, me mbështetjen e Economic Fundamentals Initiative (EFI), Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF) dhe Union Bank.
Suada Brahimi dhe Adelajda Sinani u shpallën dy fitueset e vendit të parë në këtë edicion, që zhvillohet për studentët e vitit të dytë në lëndën “Tregjet financiare”, e cili eksploroi tematikën “Fintech, sfidat dhe dinamikat”.
Nën kujdesin e dy pedagogeve, MSc. Joana Shima dhe PhD (c) Emirgena Nikolli studentët u ndanë në grupe pune dhe përgatitën një punim mbështetur në aspekte të ndryshme të fintech, të impaktit që jep në jetën tonë ndërthurja mes teknologjisë dhe financës, facilitetet e krijuara, pagesat digjitale, e deri te sfidat e reja, blockchain, siguria kibernetike, përdorimi i Inteligjencës Artificiale etj.
Pas dëgjimit të nëntë grupeve të studentëve, juria e përbërë nga dekania e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, prof. asoc. dr. Ermela Kripa, Përgjegjësja e Departamentit të Ekonomiksit dhe Financës, dr. Elona Shehu, përfaqësuesja e Union Bank, Gentiana Duka dhe përfaqësuesi i AMF-së, Enis Brumbulli përzgjodhi tre grupet më të mira.
Për vendin e parë u dha vlerësim monetar nga EFI dhe intership në AMF, për vendin e dytë intership te Union Bank, e po ashtu intership edhe për fituesit e vendit të tretë në një institucion partner.
Presidenti i UET, prof. assoc. dr. Selami Xhepa, në cilësinë e pedagogut siç ai u shpreh, falënderoi në nisje të eventit studentët, jurinë dhe përfaqësuesit e sektorit privat, që vijnë për të talentet e ardhshme, ata që do të marrin nesër në dorë ekonominë.
“Tema është tmerrësisht interesante dhe e gjerë. Ndërlidhja e teknologjisë me financën revolucionarizon mënyrën se si funksionojnë tregjet financiare, por edhe politikën në përgjithësi në dekadat që do të vijnë”, u shpreh Xhepa, ndërsa inkurajoi studentët të bëhen pjesë e kompeticioneve të tilla.
Gentiana Duka, drejtuese e produkteve të kartave në Union Bank, theksoi ndikimin që ka sjellë zhvillimi teknologjik në sektorin financiar e kryesisht në atë bankar.
“Tani nuk ka nevojë të shkoni në degët e bankës, pasi mund t’i bëni aksesoni direkt llogarinë rrjedhëse, të bëni transfertat, të paguani kartën e kreditit, detyrimet që keni. Edhe kartat si një instrument më vete kanë lehtësuar pagesat dhe blerjet.”
Për të njëjtin efekt të fintech në shoqëri foli edhe Enis Brumbulli, shef i mbikëqyrjes së fondeve të investimeve në Departamentin e Tregjeve, Kapitaleve dhe Investimeve në AMF. Përfaqësuesit e sektorit privat që ofruan intershipet për studentët fitues treguan edhe për përfitimet dhe eksperiencën që do kenë studentët pranë institucioneve të tyre.