[:en]Ja përse gjimnazet duhet të kalojnë në “sitën” e akreditimit[:]
[:en]
Ja përse gjimnazet duhet të kalojnë në “sitën” e akreditimit
Të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend sapo kanë kaluar në një proces akreditimi, gjatë të cilit është kryer verifikimi i kritereve të cilësisë sipas standardeve europiane. Në këtë moment lind pyetja nëse edhe gjimnazet po ashtu duhet të kalojnë në një proces akreditimi.
Është zhvilluar në UET, forumi “Universitet-Gjimnaz”, i cili ka bërë bashkë 100 drejtues të gjimnazeve publike, ekspertë të arsimit, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të diskutuar rreth procesit të akreditimit të gjimnazeve dhe ngritjen e strukturave përkatëse. “Akreditimi i gjimnazeve: Kur? Si? Pse?”, ishte tema që nxiti diskutimin gjatë të cilit u bë një analizë e situatës aktuale të gjimnazeve publike në vend dhe mënyrës se si procesi i akreditimit mund të ndikojë në përmirësimin e cilësisë.
Akreditimi i gjimnazeve, prioritet për vitet në vijim
Çdo vit në forumin “Universitet-Gjimnaz” trajtohen tematika të ndryshme që i përgjigjen aktualitetit të edukimit në vend. Drejtues të gjimnazeve nga e gjithë Shqipëria bëhen pjesë e diskutimeve të gjera mbi çështje të interesit publik të lidhura me organizimin e sistemit arsimor, me administrimin dhe cilësinë e tij. Është i dhjeti vit që ky forum zhvillohet dhe këtë edicion, nisur nga dilema e akreditimit, janë diskutuar një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me cilësinë e edukimit në gjimnaze.
Këto çështje janë bërë objekt diskutimi nga paneli që ishte i përbërë nga Prof. Asoc. Dr. Edi Puka, Përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve, Prof. Dr. Nevila Nika, Rektore e UET, Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu, Administrator i UET, Prof. Asoc. Dr. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, si dhe drejtori i IZHA, Gerti Janaqi.
Prof. Dr. Ylljet Aliçka dhe Prof. Asoc. Dr. Tomi Treska kanë prezantuar mundësitë e realizimit të procesit të akreditimit të gjimnazeve, pikëpyetjet që lindin gjatë rrugës, si dhe mënyrat se si ky akreditim mund të zbatohet efektivisht.
Drejtuesit e gjimnazeve publike nga i gjithë vendi shprehën opinionin e tyre mbi realizimin ose jo të këtij procesi, ku në përfundim kanë rënë parimisht dakord se akreditimi është i domosdoshëm për të përcaktuar një standard cilësie.
Themelet e një edukimi të shëndoshë për të ardhmen, hidhen në gjimnaz. Kështu që është pika ku të gjitha rrugët e mendimit dhe veprimit në jetën sociale të çojnë. UET për të dhjetin vit merr një përgjegjësi sociale për të nxitur diskutime dhe hapur debate, gjithmonë në funksion të përmirësimit të cilësisë së gjimnazeve, sepse në fund të ditës nxënësit që dalin nga gjimnazet janë edhe “lënda e parë” edhe për universitetet.
“Universitetet e kanë shumë të vështirë të ‘përpunojnë’ maturantë që nuk kanë baza të shëndosha të marra nga gjimnazet, prandaj një marrëdhënie universitet-gjimnaz shikohet gjithnjë me një vëmendje të veçantë për të pasur një lloj bashkëpunimi akademik, institucional në funksion të krijimit të një kapitali human gjithnjë e më të trajnuar, qytetarë të mirë dhe profesionistë të mirë”, është shprehur Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu, Administratori i Universitetit Europian të Tiranës.
Duke cekur një sërë çështjesh të rëndësishme që kanë të bëjnë në tërësi me cilësinë e edukimit parauniversitar dhe duke bërë një pasqyrim të panoramës së përgjithshme të aktualitetit në vend, z. Gerti Janaqi, drejtor i IZHA – Institutit të Zhvillimit të Arsimit që është në varësi të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, u shpreh se e sheh akreditimin e gjimnazeve si një domosdoshmëri, duke shtuar se ky proces do të duhet të realizohet në një moment të dytë, pasi disa nga problematikat kryesore që lidhen me cilësinë të jenë zgjidhur.
“A duhet një akreditim i gjimnazeve apo jo? Në qasjen tonë, sigurisht që duhet. Por si shkojmë drejt akreditimit të gjimnazeve? Sigurisht që vetë universitetet publike apo private qofshin, do të kishin shumë nevojë të kishin një lloj renditjeje mbi cilësinë e gjimnazeve në Shqipëri, cilësinë e maturantëve, ashtu siç kemi sot një lloj renditje apo akreditimi për universitetet. Por që të fillojë ky proces do të duhet që ne të flasim për akreditim të stafit pedagogjik të gjimnazeve, flasim për akreditim të hapësirave fizike, ku kam parasysh cilësinë e klasave, numrin e nxënësve, laboratorët dhe duke parë zhvillimet e teknologjisë dhe kompetencat digjitale edhe për cilësinë e laboratorëve virtualë dhe asaj që ne aspirojmë të kemi në 10-20 vitet e ardhshme. Pikëpamja ime është që pa pasur një standard të mirë, të pranueshëm, të certifikuar të gjimnazeve ne nuk mundet që të fillonim kaq thjesht një akreditim të gjimnazeve. Do të duhej shumë buxhet, më shumë investime dhe më shumë hapësirë të barabartë në hapësira të ndryshme gjeografike.”
Problematika të tjera që kanë të bëjnë me kurrikulën, përgatitjen e stafit pedagogjik apo shpërndarjen e burimeve njerëzore në mënyrë jo të drejtë në vend, testimi i nxënësve në provimet e maturës në kohë reale online, pa nevojën e administrimit fizik të provimeve etj., ishin disa nga çështjet e tjera që ai shtroi për debat duke dalë në konkluzionin që procesi i akreditimit të gjimnazeve duhet parë me prioritet në vitet në vijim.
Gjatë këtij forumi, ndër të tjera, është prezantuar edhe projekti pesëvjeçar, Youth Activism, që Universiteti Europian i Tiranës së bashku me Institutin Europian “Pashko” ndërmerr për të zhvilluar kapacitetet e të rinjve në gjimnaz, në formën e mentorimit dhe orientimit si në aspektin e zgjedhjes së edukimit të mëtejshëm, ashtu edhe të zgjedhjes së karrierës.
[:]