Ja 11 aktivitetet rinore të Institutit Europian Pashko në bashkëpunim me UET
Ja 11 aktivitetet rinore të Institutit Europian Pashko në bashkëpunim me UET
Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës organizojnë 11 aktivitete rinore të shtrira përgjatë harkut kohor të një viti. Kjo vjen në kuadrin e programit për zhvillimin dhe impaktin social që IEP e ka si një nga politikat e saj kryesore.
Realitetet komplekse në të cilat jeton sot shoqëria jonë, ku forcat e globalizmit dhe ndryshimeve teknologjike po transformojnë rrënjësisht vetë natyrën e qytetërimit, kërkojnë një qasje inovative në lidhjen e kërkimit shkencor me edukimin dhe promovimin e një debati publik të mirinformuar, të paanshëm dhe në interesin më të mirë të publikut dhe interesave afatgjatë të vendit. Në këtë frymë, Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, japin kontributin e tyre, me anë të zhvillimit të 11 aktiviteteve rinore (youth activities) përgjatë harkut kohor të një viti. Kjo vjen në kuadrin e programit për zhvillimin dhe impaktin social që IEP e ka si një nga politikat e saj kryesore.
Instituti Europian Pashko është një organizatë jofitimprurëse themeluar nga EEI/ Iniciativa Europiane Për Edukim, si agregim i më shumë se 10 viteve veprimtari në mbështetje të lirisë ekonomike, inovacionit, lirisë së shtypit, botimeve dhe debatit, të ideve, kreativitetit dhe të trashëgimisë kulturore. IEP udhëhiqet nga vlerat e aksionit afirmativ, europianizimit të shoqërisë shqiptare, reformizmit, liberalizmit ekonomik dhe politik, për nder të ideve të profesor Gramoz Pashkos, emrin e të cilit mban ky institut. Nga ana tjetër, Universiteti Europian i Tiranës ka më tepër se një dekadë që investon në fushën e edukimit cilësor dhe këtë vit akademik sjell në ofertën e tij akademike një gamë më të gjerë zgjedhjesh, me tri fakultete të ristrukturuara, si dhe dy fakultete krejtësisht të reja: Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, si dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike. Secilit prej pesë fakulteteve i përgjigjet respektivisht të paktën një aktivitet rinor, nga 11 në total që organizon IEP dhe UET.
Anuarët e Filozofisë
Në javën e parë të janarit organizohet “Anuarët e Filozofisë”. Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, në bashkëpunim me klubin e filozofisë “Russell” organizon çdo vit konferencën shkencore “Anuarët e Filozofisë”, me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve, maturantëve, studiuesve të filozofisë, gazetarëve, politikanëve, think tank-ve etj. Universiteti Europian i Tiranës ka disa vite që po udhëheq në nivel kombëtar e ndërkurrikular promovimin e Filozofisë, me aktivitete shkencore, botime, sensibilizime, ndërgjegjësime, për t’i treguar shoqërisë se sa me vlerë është për një komb të zhvillohet dija filozofike. “Anuarët e Filozofisë” është kthyer në traditë dhe prej vitesh zhvillohet në Llogara dhe bën bashkë studentë, doktorantë, pedagogë, studiues por dhe dashamirës e kontribuues në fushën e filozofisë të cilët kanë mundësinë që të debatojnë dhe të diskutojnë mbi temën e përcaktuar duke shpalosur edhe pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre.
Winter School of Innovation
Ndërkohë muaji shkurt i përket Shkollës Dimërore të Inovacionit. Universiteti Europian i Tiranës organizon shkollat sezonale prej vitesh tashmë duke e kthyer këtë në një traditë të këndshme e cila u jep mundësinë maturantëve nga e gjithë Shqipëria të përfitojnë një trajnim katërditor, mbi tematika të ndryshme. Këtë vit të ri Shkolla Dimërore është menduar të vijë me një organizim risi, në kuadër të hapjes së Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Gjatë promovimit të këtij fakulteti u hap konkursi i cili fton të rinjtë e talentuar nga të gjitha gjimnazet e vendit të sjellin idetë dhe punimet e tyre në fushat përkatëse të inxhinierisë, arkitekturës dhe informatikës. Në përfundim të këtij konkursi, maturantët me idetë më novatore do të jenë fitues të Çmimit të Inovacionit, i cili u mundëson atyre pjesëmarrjen në Shkollën Dimërore të Inovacionit. Ky organizim që ka si qëllim promovimin e të rinjve të talentuar është një mundësi shumë e mirë për të mësuar e për t’u argëtuar njëkohësisht, falë aktiviteteve që do të argëtohen por edhe falë njohjeve të reja dhe socializimit me maturantë të tjerë që vijnë nga e gjithë Shqipëria.
Forumet Universitet-Gjimnaz
Forumi Universitet-Gjimnaz është një organizim i përhershëm i UET me qëllim që të trajtohen çdo vit tematika të ndryshme që i përgjigjen aktualitetit. Drejtues të gjimnazeve nga e gjithë Shqipëria bëhen pjesë e një diskutimi të gjerë mbi çështje të interesit publik që lidhen me organizimin e sistemit arsimor, me administrimin dhe cilësinë e tij. Forumi është kthyer tashmë në një traditë disavjeçare dhe ka diskutuar më parë tema, si: vlerësimi i brendshëm i gjimnazeve, urdhrin e mësuesit dhe Kodin e Etikës në shkollë, këshillimin e karrierës nëpër gjimnaze, lidershipin e ri në arsim, strategjinë e zhvillimit të arsimit parauniversitar 2014-2020, arsimi parauniversitar shqiptar mes pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, maturën shtetërore etj. Aktiviteti zhvillohet gjatë muajit mars dhe krahas drejtuesve të gjimnazeve sjell gjithnjë të ftuar, ekspertë të fushës të cilët japin kontributin e tyre në diskutimet e zhvilluara. Bashkëbisedimi në të cilin trajtohen problematikat e ndryshme por dhe sugjerimet për zgjidhje finalizohet gjithnjë në një Policy-Paper për Ministrinë e Arsimit, që bën propozime konkrete që kanë të bëjnë me temën e diskutuar.
Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike
Java e parë e prillit i takon organizimit të Forumit të Tiranës për Liri Ekonomike i cili ka si qëllim promovimin e ideve liberale ekonomike. Ky aktivitet është shndërruar në traditë tashmë, duke mbledhur në Tiranë një numër lektorësh dhe diskutantësh që janë aktorë publikë, politikë dhe ekonomikë, mbi elementë apo indikatorë të lirisë ekonomike në Shqipëri dhe rajon. Forumi i Tiranës për Liri Ekonomike është në traditën e forumeve periodikë, që organizohen në vende të ndryshme të botës. Aty diskutohen çështje, debate, tema të mprehta të lirisë ekonomike që kanë ndodhur gjatë një viti në Shqipëri, në rajon apo në botë të cilat kanë impakt në zhvillimin e vendit. Ky aktivitet i Fondacionit për Liri Ekonomike nga vetë qëllimi i tij përpiqet të promovojë dhe të lançojë ide, pikëpamje dhe qasje liberale mbi elemente të lirisë ekonomike, mbi elemente të politikave publike, mbi funksionimin apo disfunksionimin e këtyre politikave, gjithnjë në funksion të lirisë së tregut, lirisë së sipërmarrjes dhe zhvillimit.
Shkolla pranverore, Dhërmi
Shkollat sezonale të UET janë kthyer prej vitesh në një praktikë të konsoliduar që si qëllim kryesor kanë mbështetjen dhe vlerësimin për maturantët dhe studentët më të mirë në hapësirën shqiptare. Shkolla Pranverore e cila organizohet në Dhërmi bën bashkë maturantë dhe studentë nga e gjithë Shqipëria të cilët nxiten të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre të lidershipit. Presidentë të qeverive studentore, maturantë të rrjetit të ekselencës nga gjimnaze të ndryshme të Shqipërisë, të cilët kanë nisur t’i aplikojnë që tani aftësitë e tyre të lidershipit, duke drejtuar qeveri studentore, me objektiva që të jenë nesër liderët e ardhshëm në politikë dhe jetën publike, kanë qenë çdo vit pjesë e këtij organizimi. Pikasja e tyre në bankat e shkollës është edhe synimi i Universitetit Europian të Tiranës, i cili e ka kthyer Shkollën Pranverore të Lidershipit, në një traditë të përvitshme. Organizimi ka pjesë të tij lektorë të ndryshëm të ftuar të cilët me temat e trajtuara nxitin diskutimin mes pjesëmarrësve që ndajnë me të tjerët këndvështrimet e tyre, argumentet dhe eksperiencat. Të rinjtë mund të ndajnë mes tyre idetë dhe të mësojnë nga socializimi me të rinjtë e tjerë. Kjo është një nisëm frytdhënëse për të gjithë pjesëmarrësit të cilët nxiten të vijojnë më tej zhvillimin e aftësive të lidershipit, por edhe të edukimit, talentit dhe vizionit të tyre.
Ditët Letrare të Razmës
Ditët Letrare të Razmës të cilat filluan në ditët e para të muajit maj 2015 janë kthyer në një traditë, kanë një ide bazë: të mbledhin bashkë shkrimtarë, krijues, kritikë, pedagogë, dashamirës të letërsisë shqipe. Të flasësh sot për letërsinë shqipe, në kushtet e bestsellërëve dhe kulturës vizuale online është tipike një akt mecenati. Organizimi i ardhshëm i Ditëve Letrare të Razmës, do të bëhet edhe në kuadër të hapjes së degëve të letërsisë dhe gjuhësisë në UET, pasi ky universitet ofron tashmë një zgjedhje të tillë për të gjithë ata të rinj të pasionuar pas letërsisë. Prej vitesh kjo tryezë treditore diskutimi mbledh kritikë, shkrimtarë, botues, akademikë dhe gazetarë në një aktivitet që ka për qëllim promovimin dhe ngritjen lart të vlerave të letërsisë shqipe.
Shkolla Verore
Rreth 60 maturantë mblidhen çdo verë, në ambientet e një kompleksi jashtë Tirane, për të diskutuar mbi tematika të ndryshme të cilat kanë për qëllim aktivizimin e tyre dhe mësimin jo më nëpërmjet metodave tradicionale por nëpërmjet leksioneve interaktive si dhe aktiviteteve argëtuese dhe socializuese. Përgjatë viteve kjo shkollë është organizuar kryesisht në qytete bregdetare të vendit dhe lidershipi te të rinjtë ka qenë tematika kryesore. Ndërkohë këtë vit, me ristrukturimin e fakulteteve të UET, pritet të vijë me një risi në tematikë që i përgjigjet edhe aktualitetit, të drejtat e njeriut. Shkolla Verore – New Times New World New Rights është konceptuar si një seminar për të drejtat e njeriut. Në thelb qëndrojnë po të njëjtat parime, aktivizimi i të rinjve dhe promovimi i tyre, si dhe mësimi në mënyrë interaktive dhe argëtuese.
New Media Trends
New Media Trends është një aktivitet i cili u zhvillua për herë të parë në fund të muajit shtator, me studentë nga universitete të ndryshme të vendit, që studiojnë Komunikimi dhe Marrëdhënie me Publikun. Organizuar nga Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, në bashkëpunim me IEP, ky aktivitet është konceptuar si tryezë për diskutim, mbi tematika të ndryshme të aktualitetit në botën mediatike dhe trendeve që parashikohen për të ardhmen. Lektorë të njohur të fushës kanë qenë prezentë në organizim si dhe e ftuar e veçantë ka qenë gazetarja Eni Vasili, me të cilën studentët patën mundësinë të zhvillonin një intervistë kolektive. New Media Trends do të zhvillohet sërish dhe ka si objektiv të kthehet në një traditë të mirëfilltë.
Liberal Meetings of Dardha
Rrethi Liberal i Dardhës është një nismë për të promovuar lëvizjen dhe qasjen liberale në Shqipëri. Këto takime liberale konsistojnë në një grupim studiuesish, profesorësh të ekonomisë, filozofisë, gazetarë, studentë etj., që mblidhen dhe diskutojnë se si idetë liberale mund të kenë më shumë hapësirë në jetën publike, në ekonomi, arsim, kulturë dhe në gjithë jetën e vendit. Gjatë qëndrimit disaditor në Dardhë, pjesëmarrësit bëhen pjesë e një grupi aktivitetesh të tilla si prezantime, takime, biseda, diskutime dhe një sesion shkencor. Ky aktivitet i Institutit Europian Pashko vjen në bashkëpunim me departamentin e Ekonomiksit dhe Financës në Universitetit Europian të Tiranës. Forumi i Dardhës, i cili ka një pjesëmarrje mikse me pedagogë, studentë, aktivistë të shoqërisë civile, aplikantë të lirë, të rinj, përfaqësues nga bota e biznesit, shoqata të biznesit, si edhe të ftuar ndërkombëtarë, mblidhet çdo vit si një formë e aktivizimit të lëvizjes liberale në Shqipëri, duke promovuar vlerat e lirisë, konkurrencës, tregut të lirë, kundër etatizmit, kundër populizmit dhe kundër pranisë së shtetit në ekonomi.
Kolonia e Artit
Kolonia e Artit e cila zhvillohet përgjatë muajit nëntor, këtë vit erdhi me një organizim risi, në kuadër të hapjes së degëve të artit në Universitetin Europian të Tiranës. Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Departamentin e Arteve të Aplikuara në UET organizuan për tre ditë, edicionin e pestë të Kolonisë së Artit. 25 maturantë nga e gjithë Shqipëria, të pasionuar në arte pamore, punuan nën mentorshipin e tre mjeshtrave të njohur, Bujar Kapexhiu, Shaqir Veseli dhe Zaim Elezi. UET që finalizoi me sukses përpjekjet për të krijuar Departamentin e Arteve të Aplikuara, ofroi bursa të plota studimi për 10 maturantët më të mirë të kësaj Kolonie Arti. Kolonia e Artit është një iniciativë, e ndërmarrë nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Departamentin e Arteve të Aplikuara në UET që synon të krijojë një komunitet të artistëve dhe të sjellë vëmendjen tek arti. Katër vitet e mëparshme, Kolonia e Artit është zhvilluar me 10 mjeshtra, duke e kthyer atë në një festival dhe ankand të pikturave të tyre për Shqipërinë e mesme. Piktorët të cilët kanë qenë pjesë e Kolonisë së Artit, vijnë nga një traditë e mjeshtëri pikturimi por edhe kanë spikatur për modernitetin në skenën e arteve pamore. Ndërkohë që me themelimin e Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, Kolonia e Artit do të vazhdojë edhe në vijim të jetë një promotor i talentit.
Public Health Forum
Universiteti Europian i Tiranës ka tashmë një fakultet të dedikuar mjekësisë. Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike ka hapur dyert e tij këtë vit për studentët, duke ofruar mundësinë për studim në degë të tilla, si: Fizioterapia, Imazheria dhe Infermieria, ndërkohë që pritet të zgjerojë mundësitë e zgjedhjes në vitet në vijim. Në këtë kuadër, Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit Europian të Tiranës, organizojnë Forumin e Shëndetit Publik 2018, në muajin dhjetor.