500 EUT graduates in the Master cycle throw their hats
500 EUT graduates in the Master cycle throw their hats
U zhvillua Ceremonia e Diplomimit për studentët e vitit akademik Master 2020-2021, vit që përkoi me 15-vjetorin e themelimit të UET. Studentët e u mblodhën sëbashku për të kremtuar finalizmin e arritjeve të tyre
Në praninë e familjarëve, pedagogëve e mentorëve të tyre, studentët e diplomuar në ciklin Master ndanë gëzimin dhe krenarinë e përmbylljes me sukses të këtij rrugëtimi akademik, për t’i lënë vendin sfidave të tjera të rritjes personale dhe profesionale.
Rreth 500 studentë, nga 5 fakultet e UET-së dhe nga dhjetëra programe e profile që ky universitet ofron, patën mundësinë që përveçse të hedhin kapelet, duke festuar suksesin, të marrin këshilla të vyera nga drejtuesit e universitetit dhe pedagogët e tyre, por edhe nga një prej motivuesve më të mirë në Shqipëri, presidentit të Agna Group, Z.Vasil Naçi.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa e cilësoi një ceremoni të veçantë, për faktin se studentët takohen fizikisht pas dy vitesh mbylljeje që diktoi pandemia. Në këtë realitet të ri të krijuar, Xhepa tha se shtrohet nevoja e gjetjes së përgjigjeve për problemet e reja dhe të vjetra.
“Nga sot ju vendosni në kartëvizitën tuaj edhe një titull të një rangu akademik të lakmueshëm, siç është i i përfundimit të ciklit të dytë të studimeve në programet Master. I kryehet studimet në një kohë të pazakontë dhe do t’iu duhet t’i zhvilloni më tej dijet tuaja në këtë realitet të ri që është krijuar. Të gjithë jemi në kërkim të përgjigjeve për të panjohurat që na rrethojnë dhe ju tashmë i përkisni këtij klubi të kërkuesve të rinj. Kjo është natyra e progresit të dijes dhe shkencës dhe nëse në një të ardhme do të ktheheni sërish në auditoret tona në një kapacitet të caktuar, me siguri do të gjeni përgjigje të reja për problemet e reja, por edhe të vjetra. Siç e thotë prof. Fridman, ne vazhdojmë t’iu bëjmë studentëve të njëjtat pyetje vit pas viti, ajo që ndryshojnë janë përgjigjet”, u shpreh Xhepa.
Presidenti i Agna Group, Vasil Naçi, ndau me të sapodiplomuarit eksperiencën e vet të rritjes profesionale dhe solli në mënyrë të përmbledhur disa sugjerime që do iu shërbejnë studentëve në hedhjen e hapit të ri jetësor. Ai i këshilloi fort që të jenë optimistë, të kenë objektiva, të kenë integritet dhe të punojnë me pasion.
“Besoj se ju e keni dëgjuar këshillën, “gjej një punë që të pëlqen”. Unë jam dakord me këtë, është një shprehje shumë e bukur. Por unë do t’iu them diçka tjetër: Çdo punë që gjeni, kthejeni në pasion! Çdo punë që duhet të bëni, bëjeni me pasion! Nëse kjo punë ju shërben për rritjen tuaj, për arritjen e rezultateve tuaja, mund të gjeni edhe pasionin. Por pyetja është: Si? Ne mund ta gjejmë pasionin duke rritur veten gradualisht dhe duke u kujdesur për punën, duke rritur profesionalizmin tonë. Vetëm kështu mund të gjejmë pasionin në çdo punë që mund të bëjmë. Një këshillë që do të thoja, se disa presin punën magjike: Asnjëherë mos e lini veten pa punë. Mos prisni sa të gjendet ajo puna ideale. Çdo lloj pune është ekeperiencë, çdo lloj pune do t’iu japë energji, do t’iu japë kuptim, pavarësisht se mund të duket punë force, jo mendje”, u shpreh Naçi.
Rektori i UET-së, Prof. Dr. Tonin Gjuraj zgjodhi t’iu drejtohej studentëve në statusin e një kolegu, duke shpresuar që lidhjet me universitetin t’i kenë të përhershme. Gjuraj këshilloi që të kenë besim te vetja dhe dijet e marra, pasi vetëm kështu suksesi do të jetë kryefjala e jetës së tyre.
“Ju vërtetë ndaheni nga auditorët e UET, pra, me jetën e universitetit dhe filloni sot kalimin drejt jetës së profesionit, por besoj do të ruani fort lidhjen e përhershme me institucionin ku u formuat dhe edukuat, në një fazë të caktuar të jetës tuaj. Si kolegu juaj, nëse më lejoni, dëshiroj t’ju jap dy këshilla: Të keni kurajë civile dhe guxim për të marrë vendime, në çdo lloj pune a drejtimi që mund të jeni, duke nisur që nesër. Nëse ndieni kënaqësi gjatë ushtrimit të profesionit tuaj, është e sigurt se edhe më mirë do t’u shërbeni të tjerëve, përndryshe ikini, mos u zvarritni profesionalisht, pa kurrfarë qejfi a kënaqësie në punë. Ato që thashë më sipër bëhen të mundura, vetëm nëse keni besim në forcat tuaja, nëse ia keni arritur që gjatë 4 apo 5 viteve të studimit në UET, të keni akumuluar dije të mjaftueshme në fusha të ndryshme të shoqërisë”, said Gjuraj.
Administratori i UET-së, Tildi Çadri tha se situatat e kaluara e kanë bërë më sfidues edukimin dhe vetë universitetin. Ai u ndal në disa mësime që UET iu ka dhënë studentëve, duke i paraprirë rrugëtimit të ri.
“Moria e aktiviteteve që Universiteti ka mundësuar, si: Takime biznesi; Praktikat e dedikuara; Ftesat e shumë personaliteteve nga sfera të ndryshme të shoqërisë, të gjitha do t’iu ndihmojnë të definoni atë çka ju do të dëshironi të arrinit. Ky është padyshim proces i gjatë, për të cilën jemi të gatshëm t’iu udhëzojmë dhe pas përfundimit të studimeve tuaja, përmes rrjeteve tona të ekslencës dhe ALUMNI-t. Kujtoni ditën e parë që vendosët të studioni në UET dhe tashmë ju ia dolët. Shpresoj shumë që sfidat tuaja t’i udhëhiqni nën moton e UET-së: E bën dot? Urime dhe qëndroni krenar që jeni pjesë familjes UET”, nënvizoi Çadri.
Ceremonia u shoqërua me përshëndetjen e 5 ekselentëve të UET-së, për të vijuar me thirrjen e emrit të secilit të diplomuar. Hedhja e kapeles përmbylli një cikël jetësor, përmbylli një ceremoni, përmbylli dy vite të vështira sprove, me besimin se gjëra të reja presin gjithësecilin. Gjëra të reja presin edhe UET-në, sepse ëndrra vazhdon!