DSSH, UET/ Universiteti hibrid, sfida e diktuar nga normaliteti i ri
Universiteti Europian i Tiranës zhvillon për të tetin vit radhazi konferencën ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare me temë “’Normaliteti i ri’- sfida dhe mundësi”. Në këtë konferencë janë paraqitur 60 kërkime, nga 100 kërkues vendas dhe të universiteteve partnere.
Ditëve të Studimeve Shqiptare është një ndër aktivitetet shkencore më të praruara dhe më në zë që zhvillon UET, duke bërë bashkë sa më shumë studiues shqiptarë dhe ndërkombëtarë të fushave të ndryshme. Në seancën plenare që u zhvillua ditën e enjte, 29 prill në ambientet e UET-së me të pranishëm pedagogë, kërkues shkencorë e studentë, ishte i ftuar kryesor Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, i cili foli për sfidat që ka hasur sistemi bankar në Shqipëri gjatë pandemisë dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë, për të mos lejuar rrënimin ekonomik individual dhe të bizneseve. Po ashtu, kjo seancë pati edhe tre referime të tjera nga presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, Përgjegjësja e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në UET, Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj dhe Drejtori i Burimeve Njerëzore të Deloitte për Kosovën, Roden Pajaj.
Konferenca u drejtua nga zëvendës rektorja për Procesin Mësimor dhe Kërkimin Shkencor në UET, Prof. Dr. Drita Kruja, e cila ndër të tjera theksoi arsyen pse në DSSH VIII është zgjedhur të trajtohet pandemia, duke u rikthyer tashmë në një realitet të ri, që i vë gjithë aktorët shoqërorë në kërkim të sfidave dhe mundësive të reja.
“Covid-19 ka transformuar jetën njerëzore, si identitetin profesional, ekonominë, punën dhe organizimin e familjes, menaxhimin e arsimit të fëmijëve, si dhe sjelljen e organizatave dhe qeverive, duke imponuar një rishikim rrënjësor të strategjive, strukturave, politikave dhe praktikave tradicionale. ‘Normaliteti i ri’ është një nga temat e ndjeshme që prek jo vetëm opinionin publik dhe politikat, por edhe botën akademike, e cila gjithnjë qëndron në vijën e parë për të ofruar studime dhe analiza, rezultate konkrete e praktike, të cilat më pas iu vijnë në ndihmë politikbërësve dhe zhvillimit ekonomik dhe social. Kjo konferencë synon të trajtojë impaktet individuale dhe organizative të çështjeve të tilla dhe të stimulojë një debat shkencor nga një perspektivë ndërpesonale dhe disiplinore”, u shpreh Kruja.
Konferenca u zhvillua e ndarë në 5 panele, të organizuara mbi bazën e 5 projekteve të mëdha kërkimore të 5 Fakulteteve të UET-së, pjesë e Programit të Madh Kërkimor 2021-2025: Zhvillimi i Tregjeve: Universiteti- Kërkimi- Shteti, të cilat u analizuan nën këndvështrimin e efekteve të Covid-2019. Të pesë panelet paraqitën analizimin e ngjarjeve, proceseve, fenomeneve, të fokusuar përmes 5 prizmave, përkatësisht: Modeli i ri ekonomik në Shqipëri; Shteti dhe e drejta në transformim; Roli i individit në zhvillimin e shoqërisë shqiptare; Impakti i inovacionit në industri e shërbime; Sfidat dhe e ardhmja në fushat mjekësore.
Më poshtë, sjellim të përmbledhur fjalën e Guvernatorit të BSH-së dhe 3 referatet e mbajtura, ku ndër të tjera nuk mungoi debati, hedhja e këndvështrimeve të reja, nëpërmjet optikave që dikton pandemia dhe ‘realiteti i ri’.
Guvernatori i BSH, Sejko: Sfidat e institucioneve në kuadër të evoluimit dhe inovacionit
Guvenrantori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko falenderoi UET për temën e përzgjedhur, teksa e cilësoi këtë universitet si një vatër dije, që pozicionohet “në qendër të edukimit, të diskursit akademik dhe të nxitjes së inovacionit”.
Sipas tij, politikëbërësit, akademikët dhe operatorët e sektorit privat janë të vetëdijshëm për realitetin e ri që i pret, i cili bashkë me të panjohurat sjell një sërë pikëpyetjesh, mbi mënyrën sesi do të operohet në këtë normalitet të ri. Teksa paraqiti opinion e Bankës së Shqipërisë mbi ndikimin e pandemisë, Sejko shpjegoi se masat kufizuese të ndërmarra për mbrojtjen e shëndetit publik shkaktuan një krizë të paprecedentë ekonomike në vend dhe botë.
“Në Shqipëri rritja e pasigurisë dhe kufizimi i detyruar i lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, rezultoi në kontraktimin e ekonomisë, pra në rënien e GDP-së prej 3% dhe në humbjen e mbi 40 mijë të vendeve të punës gjatë viti 2020. Përtej kësaj, pandemia u shoqërua me probleme ekonomike, në nivelin mikro dhe makro, dhe testoi qëndrueshmërinë e fondamenteve të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare”, sqaroi ai.
Kështu që ndërhyrja e institucioneve dhe marrja e masave ishte emergjente, ku pas nuk mbeti as Banka e Shqipërisë, e cila ndërhyri me një paketë masash monetare dhe financiare, që synonin jo vetëm kufizimin e ndikimeve afatshkurtra të pandemisë, por edhe ruajtjen e kapaciteteve prodhuese dhe të stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit
“Ulëm normën bazë të interesit në nivelin 0.5%, që është niveli më i ulët, minimal, historik dhe krijuam kushtet e favorshme operacionale për të furnizuar tregun bankar me likuiditet të mjaftueshëm. Krijuam lehtësi të nevojshme rregullatore dhe udhëzuam bankat tregtare të ndihmojnë bizneset apo individët që përballen me vështirësi, nëpërmjet ofrimit të një monatoriumi afatshkurtër, pra shtyrjes në kohë të kësteve të kredisë dhe nëpërmjet ristrukturimit të kredive, aty ku ishte e nevojshme për ata klientë që ishin të prekur më shumë nga pandemia. Ne hoqëm përkohësisht komisionet e aplikuara nga bankat për përdorimin e platformave të pagesave elektronike dhe tarifat për pjesëmarrësit në pagesat e brendshme që menaxhohen nga BSH. Pezulluam shpërndarjen e fitimit nga bankat e nivelit të dytë për vitin 2020 për të mundësuar rritjen e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat”, tha Sejko, duke sqaruar se këto politika stimuluese ulën rrezikun afatshkurtër, por normalja e re kërkon adaptim në sektorin privat dhe një rikonceptim të paradigmave të qeverisjes instuticionale. Cilat janë sfidat e së ardhmes?
“Rritja e barrierave në tregtinë ndërkombëtare, plakja e popullsisë, emigrimi, frenimi i inovacionit, ngrohja globale dhe rritja e pabarazisë dhe tensionet sociale në rritje, janë probleme dhe sfida aktuale globale, e jo vetëm në Shqipëri. Në përgjigje të tyre, autoritetet publike, duhet të angazhohen pa humbur kohë në reforma të koordinuara strukturore, të cilat adresojnë ndër të tjera nxitjen e inovacionit dhe rialokimin e burimeve midis sektorëve të ekonomisë, tregtinë e lirë, qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe gjithashtu ruajtjen e konsensusit social.
Për më tej, një nomrale e re, do të kërkojë një koordinim të kujdesshëm të politikave publike në mënyrë që të arrihet një balancë optimal mes rritjes dhe stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar. Kriza globale dhe pandemia sollën në vëmendje rolin e pazëvendësueshëm që ka politika fiskale, si instrument i stabilizimit të ekonomisë dhe zbutjes së krizave. Ky mësim pritet të mbetet relevant, edhe në afatin e mesëm dhe të gjatë, duke i hapur rrugë një roli më aktiv të politikës fiskale në të ardhmen.
Në fushën e bankingut qendror, normalja e re do të vijojë të karakterizohet nga një kurbë Philipsi e sheshuar, ku pagat, punësimi apo rritjet ekonomike, do të vijojnë të kenë një lidhje të dobët me inflacionin. Sfidat në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve do të vijojnë të pranishme në të ardhmen afatshkurtër dhe afatmesëm. Kjo dikton nevojën për përmirësimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, duke e bërë të nevojshëm eksplorimin e instrumenteve jokonvencionalë të politikës monetare, si opsione të mundshme, të vlefshme, për administrimin e goditjeve në të ardhmen. Të gjitha këto sfida e bëjnë të nevojshme rritjen e fleksibiliteti të institucioneve publike, për t’i bërë ato më të afërta për të evoluar, për të përvetësuar ndryshimet rreth tyre dhe për të nxitur inovacionin”, nënvizoi Sejko.
Presideni i UET, Xhepa: Deformimi i ekonomisë, shkaktari kryesor i produktivitetit të ulët
Për presidentin e UET-së Selami Xhepa, ky normalitet i ri ka prekur sektorin ekonomik që me krizën globale të vitit 2007 dhe ka sjellë nivelet e ulëta të produktivitetit dhe ekonomisë dhe për pasojë edhe të rritjes ekonomike. Pandemia, sipas tij, i dha një dimension të ri fjalës normalitet, duke sjellë nevojën e ridimensionimit të të gjithë zhvillimit ekonomik e social, jo vetëm në kontekst shqiptar, por edhe global.
“Në veçanti në sektorin e të mirave publike, arsim dhe shëndetësi mendoj se marrin një kontekst të ri dhe një përmbajtje të re të diktuar nga kushtet që po përjeton njerëzimi për shkak të pandemisë”, tha Xhepa.
Teksa trajtoi temën “Produktiviteti: ‘Growth by force’ vs ‘Smart growth”, Xhepa e quajti një paradoks faktin që nga njëra anë ka një rritje të fortë të teknologjisë, por që ky progres nuk gjendet në statistikat e produktivitetit. Ndërsa ekonomia shqiptare në këtë kontekst performon dobët.
“Pika kryesore e produktivitetit lidhet me inovacionin dhe teknologjinë. Përmes inovacionit, sofistikimit të biznesit, teknologjisë, është atje ku gjenerohen fitimet dhe është atje ku buron rritja ekonomike. Po përmend dy faktorë, kapaciteti për inovacionin i Shqipërisë dhe më specifikisht, kultura dhe kërkimi në zhvillim, që janë dy burimet kryesore të rritjes së ekonomisë, Shqipëria performon jo mirë, dobët. Një nga indikatorët e fundit, ndërtuar nga profesor i Havardit, Richard Hoffman, që ishte edhe këshilltar i kryeministrit të Shqipërisë, për politikat ekonomike. Ka ndërtuar një indeks që quhet indeksi i kompleksitetit. Ideja është që vendet që kanë shkallë të lartë sofistikimi prodhojnë edhe produkte të sofistkuara, edhe bën sens. Është treguar që ky indeks shpjegon më mirë sesa indekset e mëparshme të ndërtuar nga World Economic Forum. Përsëri Shqipëria performon jo mirë, krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit, që do të thotë se gjendja e ulët në Shqipëri lidhet edhe me gjendjen e ulët të konkurrueshmërisë së ekonomisë së vendit”, sqaroi Xhepa.
Çfarë po bën Shqipëria për të rinovuar stokun e teknologjisë? Teksa bëri një përmbledhje të sektorëve që janë më të investuar dhe që mbizotërojnë ekonominë shqiptare, Xhepa doli në konkluzionin se shkaktari kryesor i produktiviteti të ulët në Shqipëri është deformimi i ekonomisë dhe më pas niveli i ulët i pagave.
“Problem kryesor që rezulton është deformimi i ekonomisë, që është shkaktari kryesor i produktiviteti të ulët, një konkluzion që e nxjerr edhe raporti i CID, i cili thotë që me këtë strukturë prodhuese që ka Shqipëria, është e pamundur që produktiviteti në këtë vend të përmirësohet. Shqipëria ka 18.4 % bujqësi, ndërkohë që Maqedonia e Veriut ka vetëm 7.2%. Industria përpunuese në Shqipëri është 6.15% ndërkohë që është 14 dhe 13 % në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Ndërtimi, që është burim i rritjes ekonomike, por nga pikëpamja e produktiviteti dhe impaktit në vlerën e shtuar, efekti i saj është problematik.
Një nga shkaqet e ulëta të produktivitetit, është edhe niveli i ulët i pagave. Hapësirat për rritje tëpagave janë shumë të larta në shumë sektorë të ekonomisë. Fakti që politikat kompensuese të pagave nuk kanë arritur që të përkthehen edhe në rritje të mirëqenies për punëtorët, është ndoshta edhe një nga shkaqet pse e mban ekonominë në këtë gjendje dhe pa rritje të mëtejshme të konkurrueshmërisë. Unë në këtë prezantim ngre vetëm pyetje, sepse përgjigjet duhet t’i marrim përmes kërkimeve të mëtejshme. Unë them që këto janë realisht shqetësime të rëndësishme të ekonomisë, mbi të cilat ne duhet të ndërtojmë edhe një axhendë kërkimore tonën dhe mendoj se mund t’i bëjmë një shërbim të mirë vendit dhe politikëbërjes në Shqipëri, duke ofruar disa alternative sesi vendi ynë mund të kapërcejë këtë ekuilibër, në gjykimin tim jot ë shëndetshëm të produktiviteti të ekonomisë dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit”, përfundoi Xhepa.
Përfaqësuesi i Deloitte, Pajaj: Pandemia dikton nevojën e universiteteve hibride
Drejtori i Burimeve Njerëzore të Deloitte për Kosovën, Roden Pajaj u ndal në fushën e arsimit në pandemi dhe post-Covid, teksa trajtoi temën “Tendencat transformuese të institucioneve të arsimit të lartë post- Covid 2019”. Duke iu referuar një studimi të Deloitte në Amerikë, Pajaj tha se një problem i madh i arsimit të lartë është që me zhvillimin e shpejtë të revolucionar industrial në teknologji, universitetet nuk po arrijnë dot ritmin që të japin dhe përshtatin kurrikulat e tyre në mënyrë të duhur, për të krijuar aftësitë e duhura që nevojiten për tregun e punës.
“Edhe kompanitë kanë bërë paqe me këtë fakt dhe kanë kuptuar që nuk mundet të mendojmë gjithë kohës që e riaftësuam forcën e punës dhe tani të presim se ndoshta edhe për nja 5 vjet nuk kemi nevojë të investojmë, pra kanë filluar të përdorin strategji të reja, sepse nevoja për t’u riaftësuar është në mënyrë të vazhdueshme. Ajo që po investohet shumë sot, është ato aftësitë njerëzore, që ta bëjnë forcën e punës për të mësuar në mënyrë të vazhdueshme vetë, patjetër duke i dhënë infrastrukturën dhe mundësitë e nevojshme kompanitë, qoftë edhe institucionet akademike, nëse bëjnë atë transformimin e nevojshëm, të cilin e diktoi pandemia”, tha Pajaj, teksa shtoi se problematikat e tjera të hasura, janë rënia e regjistrimeve të reja dhe mos përfundimi i studimeve nga studentët.
Ndërsa në Shqipëri, nga një vrojtimi i kryer gjatë viteve 2018- 2020 vihet re një rënie të regjistrimeve të reja në institucionet e akademike. Vrojtimi i kryer nga Deloitte në fillim të vitit 2020 me pjesëmarrjen e mbi 1 mijë studentëve nga universitet apo kolegjet profesionale, rezultoi se më shumë se gjysma mendojnë se marrin përgatitjen e duhur nga institucionet arsimore. Sa i përket bizneseve të marra në studim, nevojë urgjente del riaftësimi i forcës së tyre të punës, për t’i bërë ballë presioneve të tregut dhe për zhvillimet e tregut që po ndodhin.
Në këtë kuadër, Drejtori i Burimeve Njerëzore të Deloitte, Roden Pajaj tha se sfidat për universitetet janë njëkohësisht edhe oportunitete për ta. Sipas tij më herët ka filluar koncepti blended learning, ndërsa sot po flitet për krijimin e i-campus.
“Nëse në vende të tjera, jo më larg, por kemi edhe Italinë, u fut në dhjetë vjeçarin e fundit ajo që quhet blended learning, pra edhe leksione në sallë por edhe leksione online, ku po ndërtonin edhe kurrikulat. Sot koncepti që po flasim është i-campus, që shkon përtej programeve blending online. Të gjesh një universitet sipas konceptit i-campus do të thotë që gjëja e parë që vë në fokus është eksperienca e studentit dhe matja e suksesit të tij për atë studim që po kryen në raport me tregun. Çdo gjë tjetër që rrotullohet rreth saj, është fokusuar rreth asaj sesi institucioni akademik mund të krijojë një eksperiencë sa më të mirë studentit, gjatë gjithë jetës akademike, në disa aspekte”, tha Pajaj.
Më tej, ai shpjegoi edhe fushat kryesore që Deloitte ka specifikuar, në mënyrë që një universitet të kthehet në një i-campus.
“Një nga gjërat kryesore është rishikimi i kalendarit akademik. Ndarja në semestra nuk është sot më diçka që vjen nga dhënia e eksperiencës por edhe dhënia e dijes, por duke pasur parasysh të gjitha këto problematika, rënien e regjistrimeve. Pra zhvendosja nga një kalendar akademik me semestra, në një kalendar akademik të përzier, me zgjedhje, me lëndë, mjafton që të përfundosh programin siç duhet. Implementimi i teknologjive të reja që kanë të bëjnë qoftë me dhënien e mësimit online, por edhe me kuadrin efecient të vetë qeverisjes të universiteteve, me mënyrën si dizenjon kurrikulat. Trajnimi i stafit akademik. Marrja e trajnimeve në një porcion të vogël, në kohën dhe momentin e duhur, për të kryer një punë të caktuar. Krijimi i bashkëpunimeve të reja, aleanca me universitete të tjera, për të krijuar mundësi dhe paketa të ndjekjes së mësimit edhe duke u zhvendosur nga një universitet ne një tjetër. Nuk po flasim më për Erasmus, por aleanca trajnuese brenda vendit mes universiteteve.
Aspekti i dytë është dizejnimi i punës, i stafit administrative, por edhe i vetë ambienteve të kampuseve universitare. Kur flasim për këtë aspekt, do të thotë sesi ne nëpërmjet portofolit të shërbimeve ndaj studentëve ta lehtësojmë punën dhe të ravijëzojmë rolet e punës brenda institucioneve akademike, duke e ndërthurur me teknologjinë, pra sa më shumë automatizim. Si do të japim një ambient të përshtatshëm për këtë ambient akademik? Kjo është kthyer në një nga çështjet kryesore të universiteteve sot në botë.
Aspekti i tretë është ripërcaktim i përvojës së studentëve, si një proces i vazhdueshëm. Çfarë duam ne që këta studentë të keni si përvojë gjatë gjithë jetës së universitetit? A mos duhet të krijojmë tipologji studentësh, qoftë ai i vitit të parë, të dytë, të tretë, ai që sapo diplomohet, ai që vendos të ndjekë studimet master? Cfarë duan, çfarë ndiejnë, çfarë vlerësojnë nga gjithë jeta akademike në një universitet të caktuar dhe mbi bazën e kësaj të ndërtojmë gjithë? Nga ana tjetër si mund të krijojmë komunitete virtuale, në mënyrë virtuale, qoftë për hobe të caktuara”, përfundoi Pajaj.
Pedagogia e UET, Ymeraj: A ia vlen të paguash kontribute për kujdesin shëndetësor?
Përgjegjësja e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në UET, Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj u fokusua te fusha e shëndetësisë dhe trajtoi temën “A ia vlen të paguash kontribute për kujdesin shëndetësor?”, një temë në pamje të parë provokuese, por që i mbështetur në fakte dhe evidenca të jetës së përditshme nxori të dhëna të panjohura prej qytetarëve.
“Nuk duhet të jem cinike dhe këtë nuk dua ta mendoni si një thirrje që s’duhet të paguajmë taksa, apo kontribute të kujdesit shëndetësor, sepse i gjithë sistemi kapitalist është i mbështetur mbi ushtrimin e përgjegjësisë individuale si fillim dhe më pas të përgjegjësisë shoqërore, por nga ana tjetër është e drejta jonë që të kërkojmë politika më të përgjegjshme, sepse këto politika të përgjegjshme iu krijojnë mundësinë qytetarëve të ndiejnë veten mirë në shoqërinë që kontribuojnë dhe ndërtojnë çdo ditë”, sqaroi Ymeri në krye të prezantimit.
Më tej, ajo sqaroi se në qendër të vëmendjes së analizës së saj kishte vendosur konceptin e solidaritetit social, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë shfaqet në pagesën e taksave, por edhe mund të konsiderohet në mënyrë indirekte i shfaqur nëpërmjet kontributit shëndetësor. Ymeri tha se studimi është përqendruar vetëm te aspekti ekonomik i vlerësimit të barazisë në akses dhe barazisë në përdorim, duke përdorur të dhënat mbi shpenzimet publike, shpenzimet nëpërmjet kontributeve dhe shpenzimet nëpërmjet skemave private. Duke bërë një përmbledhje të mënyrës, sesi funksionon sistemi i taksimit dhe kontributeve, për të prezantuar edhe gjetjet interesante të studimit.
“Gjetja e parë, fakti se 42% të punësuarve, e atyre që janë të regjistruar si të punësuar nga INSTAT në fakt janë të pambuluar me kontribute të sigurimit shëndetësor. Dhe çka është më e keqja ata nuk figurojnë në legjislacion, pra nëse do të merrnin ndihmë ekonomike, kanë të drejtën të paraqesin kartonin e ndihmës ekonomike dhe të marrin shërbimet falas. Mund të ishte 5% apo një shifër tjetër e ulët, por 42% është një çështje jashtëzakonisht e rëndë.
Nga ana tjetër edhe ata që paguajnë kontributet nuk është se arrijnë të realizojnë të drejtën e tyre, për shkak të faktit se është ky numër kaq i madh i individëve të pambuluar. Një person që punon paguan kontribut të sigurimit shëndetësor, por në 2014 paguante 3.4 herë më shumë taksa për kujdes shëndetësor, ndërsa në 2018 ka ardhur duke u ulur dhe paguante 2.7 herë më shumë taksa sesa kontributi, që do të thotë se nëse administrohen si duhet atom und të mbulojë edhe dy persona të tjerë me kontribut shëndetësor. Ky koeficient i solidaritetit social ekziston në vendin tonë, sepse njerëzit paguajnë për vete dhe dy persona të tjerë. Çfarë ndodh, kush përfiton? Dhe këtu del pjesa se të gjithë jemi të paqartë. A vlen ky mundimi im? Shpenzimet për person janë 39% e asaj që paguan. Është normale që një pjesë e pagesës të shkojë për të tjerët, por numri i mjekëve ka ndryshuar nga 2006 në 2020, vetëm 5 mjekë për 1000 banorë. Shqipëria ka numrin më të ulët të personelit mjekësor për frymë në të gjitha vendet e rajonit”, tha Ymeraj.
Në përmbyllje të studimit, Ymeri doli në konkluzionin, se “aksesi është jashtëzakonisht i cenuar ehe çështja e barazisë në përdorim është e cenuar nga të dyja palët, si ata që nuk paguajnë, si ata që paguajnë. Për të dy grupet, solidariteti social nuk arrin të japë rezultatet e tij, edhe pse qytetarët e realizojnë një gjë të tillë. Kështu që është shumë e nevojshme të jenë më efektive, të mbështeten në evidenca dhe të marrin në konsideratë jo vetëm nevojat, pra edhe mundësinë e përdorimit me eficiencë të burimeve që kanë në dispozicion”.