Dita e Sipërmarrjes në UET: Studentët mësojnë mbi eksperiencën dhe riskun
Dita e Sipërmarrjes në UET: Studentët mësojnë mbi eksperiencën dhe riskun
Në Universitetin Europian të Tiranës vijon prej pesë vitesh tradita e Ditës së Sipërmarrjes. Të ftuar ishin sipërmarrës të cilët kanë krijuar bizneset e tyre të suksesshme. Data 20 nëntor është Dita e Sipërmarrjes dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që konsiderohen si vendi që u bë nga sipërmarrësit
Dita e Sipërmarrjes për Universitetin Europian të Tiranës tashmë është kthyer në një traditë. Për vitin e pestë radhazi është organizuar sërish ky aktivitet i cili në thelbin e tij synon që të festojmë dhe të ndajmë disa nga eksperiencat më të mira në fushën e sipërmarrjes, të atyre individëve që me shumë përpjekje dhe kurajë kanë marrë riskun e zgjuar të ndërtimit të një biznesi, punësimit të njerëzve, të sjelljes së inovacionit në jetën tonë, si dhe pasurimin e tyre.
Në Universitetin Europian të Tiranës në kuadër të ditës së Sipërmarrjes e kthyer tashmë në një traditë prej pesë vitesh, ishin të ftuar sipërmarrës të cilët kanë krijuar bizneset e tyre të suksesshme. Data 20 nëntor është Dita e Sipërmarrjes dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që konsiderohen si vendi që u bë nga sipërmarrësit. Kjo ditë konceptohet si një festë në nderim të sipërmarrësve, vjen si e tillë nga viti 2010 dhe herë prezantohet si “National Entrepreneurs’ Day”, herë si “Women’s Entrepreneurship Day”. Ishte presidenti amerikan Barack Obama që në vitin 2012, deklaroi Nëntorin si muajin e sipërmarrjes, në përgjigje të iniciativës së tre sipërmarrësve. Sot, mbështetës të “Ditës së Sipërmarrjes” janë duke bërë përpjekje për ta kthyer atë në një festë kombëtare në SHBA, në të martën e tretë të muajit Nëntor.
Rritja ekonomike e vendit dhe hapja e vendeve të reja të punës, varet nga aftësia për të suportuar sipërmarrjen, e cila krijon kompani të reja, hap tregje të reja dhe bën që të lulëzojnë aftësi të reja. UET ka një qasje proaktive ndaj edukimit sipërmarrës, e kjo reflektohet në punën e përditshme me studentët e Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit e Zhvillimit, por dhe në përqasjen e zgjedhur për të punuar me idetë e biznesit, projektet, konkurset e ideve me të mira, projektet me industrinë, vizitat në ambientet e bizneseve, praninë në auditorë të sipërmarrësve dhe që nga ky vit brenda strukturës Alumni është ngritur Alumni Sipërmarrës.
Prof. dr. Ermira Qosja si përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut në Universitetin Europian të Tiranës ka shpjeguar qasjen e re që UET ka tashmë si traditë mbi Ditën e Sipërmarrjes. Universiteti Europian i Tiranës vazhdon të jetë shumë proaktiv dhe ruajtës i traditës për Ditën e Sipërmarrjes. Reflekton në çdo gjë për sa i përket kurrikulave të reja, reflekton projekte në industri, projekti 250+, konkursi mbi idetë më të mira të biznesin dhe pse jo dhe në projektet europiane që i kushtohen sipërmarrjes.
“Është një nismë prej disa vitesh që ka nisur dhe e miratuar nga ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama. Në disa raste merr formën e ditës së Sipërmarrjes Femërore dhe herë formën e ditës Kombëtare të Sipërmarrjes. Tashmë muaji nëntor është kthyer në një muaj që i kushtohet sipërmarrjes me disa aktivitete të cilat në thelbin e tyre synojnë që të festojmë dhe të ndajmë disa nga eksperiencat më të mira në fushën e sipërmarrjes, të atyre individëve që me shumë përpjekje dhe kurajë kanë marrë riskun e zgjuar të ndërtimit të një biznesi, punësimit të njerëzve, të sjelljes së inovacionit në jetën tonë, si dhe pasurimin e tyre. Universiteti Europian i Tiranës vazhdon të jetë shumë proaktiv dhe ruajtës i traditës për Ditën e Sipërmarrjes. Reflekton në çdo gjë për sa i përket kurrikulave të reja, reflekton projekte në industri, projekti 250+, konkursi mbi idetë më të mira të biznesin dhe pse jo dhe në projektet europiane që i kushtohen sipërmarrjes. Një nga sfidat ka të bëjë me edukimin dhe me të gjitha punët që arsimi duhet të bëjë për të nxitur sipërmarrjen tek studentët dhe nxënësit. Sfida të tjera lidhen me procedurat administrative, me tërheqjen e investitorëve dhe pse jo që lidhen dhe me faktin që duhet ndryshuar qasja që njerëzit hasin përballë dështimit”, shprehet Qosja.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës Selami Xhepa shprehet se shumë prej tyre që i nisin nismat, mund të dështojnë dhe është më se normale. Nuk do të quhej biznes nëse nuk do të kishte dështim. Duhet të shfrytëzojmë dijet dhe kreativitetin tonë për të krijuar një Shqipëri më të begatë.
“Duke qenë fans i një profesori të famshëm, Talebit, ai ka propozuar një gjë interesante duke qenë se bota është kaq e rrezikshme, që siç kemi ditën e punëtorëve 1 majin, ditën e rinisë dhe plot ditë të tjera, të ketë dhe një ditë për sipërmarrjen. Duhet të jetë një ditë t’i dedikohet respektit që ne duhet t’u kushtojmë sipërmarrësve. Puna e tyre sipas Talebit është heroike. Shumë prej tyre që i nisin nismat, mund të dështojnë dhe është më se normale. Nuk do të quhej biznes nëse nuk do të kishte dështim. Shoqëria duhet t’i nderojë fort dhe ata që dështojnë. Më pëlqen që të ftuar kemi dhe ish-studentët tanë që sot janë sipërmarrës në fushën e biznesit, të këshillojnë studentët aktualë se si të kenë sukses në të ardhmen e tyre. Në gjitha raportet ndërkombëtare, shkalla e inovacionit, përdorimi i teknologjisë etj. Duhet të shfrytëzojmë dijet dhe kreativitetin tonë për të krijuar një Shqipëri më të begatë”, shprehet Xhepa.
Një emër francez, por një markë shqiptare. Administratori i Mon Cheri Julian Balliu si një sipërmarrës i hershëm tregoi se si të jesh një sipërmarrës i suksesshëm. Ai u këshilloi studentëve që të jenë më të etur për të studiuar dhe për t’i parë gjërat në terren më nga afër në këtë rast bizneset dhe mënyrat se si ato funksionojnë.
“Mendoj se duhet më shumë prakticitet dhe më shumë kontakt i përbashkët në raport me eksperiencat tona, sa të bukura dhe të hidhura. Diçka shumë e rëndësishme mendoj se ideja e të qenit sipërmarrës, ose ata që vazhdojnë studimet e mendojnë fakultetin si faza finale të rrugëtimit të tyre të dijes. Unë mendoj se është fillimi. Nuk duhet menduar që boll investova për të mësuar, por mendoj se kjo të bën të kufizuar në pikëpamjen e përqasjes. Sot lexoj më shumë me kuptim dhe i kthej në praktikë gjërat që më duhen. Të gjithë sipërmarrësit kanë interes për njerëz të kualifikuar që tentojnë t’i shtyjnë gjërat përpara, nuk di të them si të bëheni akademikë por si të bëheni sipërmarrës. Unë mendoj se po nuk u mboll një mentalitet i të pranuarit dhe të ditës së dështimit, nuk mund të kesh sukses në sipërmarrje. Jo çdo gjë arrin majat në mënyrë të papritur. Nganjëherë duhet 1 për qind fat dhe 99 për qind këmbëngulje dhe nerv për ti bërë gjërat dhe mendoj se ky është thelbi kryesor për të qenë një sipërmarrës i suksesshëm. Për sa i përket studentëve mendoj se duhet të jenë më të etur për t’i parë gjërat në terren. Duhet harruar çfarë vuajte dje, por si t’i bësh gjërat më mirë sot”, shprehet Balliu.
Feridiola Berberi, një vajzë e cila ka ndërmarrë nismën e sipërmarrjes në Shqipëri në fushën e Dizajnit tregoi qartë se si e arriti suksesin. Studentët duhet të kuptojnë mirë se çfarë duan të bëjnë dhe më pas t’i përkushtohen dhe të bashkëpunojnë për të arritur atë që duan.
“Është hera ime e dytë të jem pjesë e Universitetit Europian të Tiranës për të treguar eksperiencën time të jetës përpara një auditori. Kam qenë shumë e vogël kur ika në Itali dhe kam ndjekur të gjithë ciklin e studimeve deri në atë të lartën. Italia ka një fat të mirë që në klasën e tetë nxënësit drejtohen drejt degëve ku ata më shumë priren. Dega ime ka qenë ajo e artit në Firence dhe pas pesë vitesh të mesmen kam bërë një vit specializim në restaurime. Më pas kam konkurruar për Dizajn, ishte diçka e re në ditët e sotme. Pas këtij cikli, këtu doli konkluzioni që unë doja. Prapë nuk isha e kënaqur dhe doja që në Shqipëri të vija dhe të investoja diçka, sepse nuk e njihja sepse vija vetëm për pushime. Pas njëzet vitesh jetesë në Itali kur u ktheva ishte një realitet komplet tjetër. Hapa një faqe në Instagram dhe kjo faqe lindi pas një studimi të tregut shqiptar. Arkitektët në Shqipëri ishin dizajner dhe bënin diçka që përshtatej me atë që unë doja. Duhej studiuar ajo gjë që mos të kisha luftë, konkurrencë, por bashkëpunim. Fillova të bashkëpunoj dhe krijova produkte pikture, arredime dhe i këshilloja arkitektët se si të menaxhonin punën. Tashmë kam shumë prenotime në lidhje me dizajnin dhe arredimin dhe më në fund doli një produkt shumë i suksesshëm. Faqja ime mori goxha famë dhe korri sukses pasi u publikua dhe në faqet e Londrës, në dekorimet murale në Bullgari dhe Itali. E vetmja këshillë që u jap studentëve, iu them që të kuptojnë mirë se çfarë dua të bëjnë, do ketë vështirësi por me pasion, përkushtim dhe bashkëpunim do keni sukses të padiskutueshëm”, shprehet Berberi.
Drejtoresha e Junior Achivement Suela Bala tregoi eksperiencën e saj në fushën e sipërmarrjes dhe se si Junior Achivement kontribuon te nxënësit për t’u bërë sipërmarrës në të ardhmen.
“Junior Achivement merret me sipërmarrjen e të rinjve nën 18 vjeç. Jemi fokusuar te kjo grupmoshë, ne besojmë fort dhe Junior Achivement është një program i krijuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth 100 vite më parë. Bazuar në idenë se sipërmarrja dhe ideja për sipërmarrjen krijohet që në moshë të vogël. Sigurisht që në kopsht apo shkollë fillore nxënësit të mësojnë si të ngrenë një sipërmarrje. Por është e rëndësishme që ato të jenë në gjendje të krijojnë aftësitë e para të të ndërvepruarit në skuadër, krijimin e një produkti të vogël i cili i shërben diçkaje dhe të zhvilluarit dhe të kuptuarit logjik të ngjarjeve të ndryshme që të çojnë në krijimin e një produkti të dobishëm dhe krijimin e një sipërmarrjeje. Fokusohemi shumë tek edukimi për financat, sipërmarrësit e dinë mirë se nëse nuk di të menaxhosh paratë nuk ke një sipërmarrje të suksesshme. I mësojmë nxënësit se si të kuptojnë se ç’është paraja, vlera e sendeve dhe produkteve. Programi kryesor është programi i kompanisë së nxënësve. Është një modul profesional për një hark kohor 1-vjeçar dhe aty nxënësit fillojnë të kuptojnë se çfarë është një sipërmarrje, bëjnë një studim tregu si grup dhe dalin me një produkt përfundimtar. Parashikojnë të ardhurat, ndajnë aksionet, bëjnë marketingun dhe në fund të lëndës i mbyllin kompanitë e tyre. Junior Achivement nuk ekziston dot pa mbështetjen e sipërmarrësve dhe biznesit të cilat zgjedhin që të vijnë 1 orë në javë nëpër shkolla dhe të ndihmojnë nxënësit. Universiteti Europian i Tiranës është një ndër mbështetësit në trajnimin e mësuesve në Junior Achivement”, shprehet Bala.
Xhovalin Hasanaj, ish-student i Universitetit Europian të Tiranës, tashmë brenda strukturës Alumni është ngritur këtë vit Alumni Sipërmarrës, tregoi se si arriti të krijonte biznesin e tij, sfidat dhe vështirësitë që është përballuar dhe se si tashmë mund ta quajë të suksesshme punën e tij prej vitesh.
“Unë bashkë me familjen kemi një punishte të madhe në prodhim e djathërave të ndryshme dhe të veçantë se sa ai i fabrikës. E filluam para nëntë vitesh, dhe tani pas nëntë vitesh jemi nëntë herë më të fortë dhe të mëdhenj. Kam synuar për të zënë një vend pune më parë, ndoshta dhe për të emigruar, por gjatë universitetit kuptoja çdo ditë e më shumë se si ta ndihmoj familjen dhe si ta zgjeroja biznesin që familja nisi. Në çdo lëndë që studioja thjesht e mendoja se si mund ta vija në praktikë në biznesin tim. E shoh punishten tonë më perspektivë dhe e kam me pasion këtë fushë pasi prodhojmë dhe në mënyrë modeste jemi të vlefshëm për vendin, zonën përreth dhe biznesi jonë është i lidhur me rreth 40 fermerë të vegjël familjarë. Mendoj se deri tani po shkojnë mirë. Ne kemi bashkëpunuar shumë me projekte të Bashkimit Europian, Ambasada Holandeze, gjithashtu dhe me Gizin pasi po na ndihmojnë në ndërtimin e një stalle, një ferme më të madhe. Duam ta kthejmë dhe si një zonë turistike pasi ka shumë turistë që kalojnë, vijnë dhe duan të kalojnë një natë me ushqime tradicionale, produkte të veçanta etj”.
Është diskutuar shumë kohët e fundit se sa shumë të rinjtë po kërkojnë të largohen dhe të emigrojnë jashtë vendit. Duhet që të mendojnë më shumë se si të arrijnë të krijojnë diçka vetë, ndoshta nuk kanë mundësinë ku të gjejnë një vend pune, por të përpiqen të krijojnë.
Si mund të punësohen të tjerët nëse dikush nuk mendon të hapi një biznes dhe të krijojë vende pune. Ka shumë fshatra dhe kanë nevojë për burime njerëzore. Për shumë studentë ndoshta do ishte mirë që të tentojnë të marrin nisjen e një sipërmarrje me gjëra të vogla. Të kontribuojnë në këtë vend, pasi ka mundësi zgjerimi. Nëse ti fokusohesh te cilësia do kesh sukses të vazhdueshëm dhe mundësi e rritjes mund të jetë e pafundme, -shprehet Hasanaj.
Luven Nurellari vjen për të ndarë eksperiencën e tij në Universitetin Europian të Tiranës dhe një këshillim për studentët e rinj.
“Unë kam një biznes familjar dhe e kemi parë veten në treg që fitojmë ndaj suksesit. Edhe unë jam përfshirë tek agropërpunimi te produkti i dalë nga fermentimi i rrushit që është Vera. Është një fushë e ndërlikuar se si bëhet vera e kuqe, e bardhë dhe vera blu së fundmi. Është një botë e pafundme si ajo e artit, e pikturës etj. Biznesi ynë filloi në vitin ’95-97. Pas vitit ’97 familja ime mbolli një vresht dhe më pas ata menduan për një sipërmarrje. Donin të bënin atë që dinin të bënin. Në vitin 2002 blemë një objekt në fshat që atëherë ka qenë i rezervave të shtetit, nuk zgjodhëm të largoheshim pasi menduam që mund të zhvillohej diçka dhe ishim shumë spontanë. Menduam se ia vlen të investosh. Në vitin 2009 krijuam kantinën tonë dhe sot kemi rreth 40-45 mijë shishe verë. Nuk e imagjinoja që kaq shpejt që jemi këtu ku jemi tani. I këshilloj studentët që të këmbëngulin për atë që duan. Jo gjithmonë paraja është ajo që të nevojitet. Këmbëngulni, krijoni ide dhe do arrini sukses”, shprehet Nurellari.
Valbona Paluka e cila në kuadër të projektit të Gizit, mbështet bizneset e vogla për të thelluar ekspertizën e tyre, për të prodhuar dhe realizuar produkte dhe shërbime të standardeve europiane. Në këtë mënyrë ajo zgjodhi të shpjegonte se si mund t’ia arrijmë të gjithë së bashku për të bashkëpunuar dhe të krijojmë komunikim sa më të qartë me të gjitha grupet shoqërore.
“E ndiej veten me fat që universitetet sot kanë mundësi të ndajnë kaq shumë me ju. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj. Nucleus Albania është një shoqatë e cila mbështet biznesin mikro, të vogël dhe të mesëm. Nëse do të shkosh shpejt shko vetëm, nëse do të shkosh larg, shkojmë bashkë. Kjo është ai motivi që ne kemi me sipërmarrjen e vogël dhe të mesme. Nucleus Albania është e krijuar nga pesë organizata shqiptare si ajo e vajit të ullirit, blegtorisë, ortikulturës, turizmit dhe artizanatit. Qëllimi është t’i ofrojmë këtij biznesi nëpërmjet një ekspertize dhe fasilitimi profesional, t’i bashkojmë këto grupime në të ashtuquajturën bërthama. Ne jemi krijuar pas një periudhe 2-vjeçare ku falë mbështetjes së Ministrisë Federale të Ekonomisë gjermane, nëpërmjet Gizit, bashkëpunimit teknik, provoi që kjo metoda bërthamë e cila u krijua në vitin ’91 në industrinë e automobilave në Bavari të Gjermanisë dhe ishte shpërndarë në mënyrë të suksesshme në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi të shikojmë pse kjo nuk mund të implimentohet dhe në Shqipëri. Kemi thënë jo që nuk bëhet, që njerëzit nuk bëhen bashkë. Por fatmirësisht dhe fatkeqësisht të gjitha këto ngarkesa mendore dhe emocionale i kemi ne dhe jo sipërmarrësit pasi ata janë më të lirë. Flas për sipërmarrje që është dhe në fshatra të vogla larg qyteteve që të mrekullojnë me mendjen e tyre të hapur në lidhje me bashkëpunimin. Ne kemi në ambicien tonë të bëhemi një qendër ekselence për biznesin mikro, të vogël dhe të mesëm duke i kthyer në promotorë të ekonomisë shqiptare. Ne dimë që bizneset e vogla janë të ndrydhur dhe kanë frikë të flasin. Nga ana tjetër e shohin njëri tjetrin si konkurrentë. Do kisha dëshirë të madhe që fëmijët tanë të zgjedhin ku do shkojnë përpara se të jetë vonë. E komplimentoj këtë projekt që Universiteti Europian i Tiranës ka marrë përsipër, që fëmijët të kenë idenë se çfarë bëhet”, shprehet Paluka.
Auron Basha, një tjetër ish-student i Universitetit Europian të Tiranës brenda kuadrit të strukturës Alumni është ngritur Alumni Sipërmarrës këtë vit. Auron Basha i cili gëzon dy biznese në Tiranë, shprehu mënyrën se si ia arriti t’iu dalë përballë sfidave të ndryshme.
“Historia ime me menaxhimin dhe biznesin ka nisur shumë vite më parë kur isha thjesht futbollist, doja të isha një menaxher i futbollit por nuk u realizua. Më pas mendova të nis një shkollë për Menaxhim Biznesi. Gjithçka nisi këtu, u prezantova me universitetin. Historia ime e sipërmarrjes nisi ekzaktësisht në vitin e dytë në universitet kur u njoha me lëndën e Menaxhimit dhe Sipërmarrjes. Në atë kohë ishin dhe vëllezërit e mi që kishin eksperienca të ndryshme jashtë Shqipërisë. E nisa me një bar të thjeshtë, sot quhet The Rooms Restaurant. Deri përpara këtij viti ishte një dështim. Shumë njerëz më thoshin tërhiqu se ajo ka marrë fund. Por këmbëngula dhe arrita ta çoja përpara këtë gjë. Doja ta bëja të funksiononte patjetër. Menaxhimi u bë diçka e rëndësishme në çdo detaj, si me punonjësit, si me produktin, furnitorët e biznesit dhe që nga ai moment për ta bërë këtë gjë të suksesshme atëherë mori kuptim. Mos e humbni besimin kurrë dhe punoni fort për atë që doni të arrini. Sot The Rooms është një biznes i suksesshëm dhe jam shumë i lumtur që sot ka shumë modele biznesi të cilat i japin vlerë vendit”, shprehet Basha.