Dita e parë e UET Polivalent për vitin akademik ‘18-19
Dita e parë e UET Polivalent për vitin akademik ‘18-19
Universiteti Europian i Tiranës vjen me pesë fakultete në këtë vit të ri akademik. Tri fakulteteve të mëparshme iu janë shtuar dhe dy të tjera, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, si dhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Përveç studimeve në Bachelor, Master dhe Doktoraturë, Universiteti Europian i Tiranës vjen me 5 programe në Diploma Profesionale në Kontabilitet, Menaxhim, Turizëm, Aplikime Informatike, Dizajn dhe Modë.
Ditën e djeshme i gjithë stafi i Universitetit Europian të Tiranës është angazhuar në mirëpritjen e studentëve të rinj në ditën e parë të rrugëtimit të tyre akademik. Nga sallat e leksioneve, të seminareve, sekretaria e Përgjithshme, biblioteka, libraria, laboratorët e informatikës apo me mjediset rekreative që ofron kampusi i UET-it. Gjithë çka i duhet të dijë një studenti për ta nisur vitin mbarë! Studentët e rinj tashmë nuk e kanë njëlloj si në gjimnaz, por tashmë përpara një godine më të madhe, të cilën ende nuk e kanë eksploruar. Pas dymbëdhjetë vitesh kontribut në historinë e arsimit të lartë shqiptar, rikujtojmë se UET vjen i reformuar, me një ristrukturim dhe “zgjerim” të ofertës së tij akademike. Tashmë fakultetet e UET janë 5, ku tri fakulteteve të mëparshme u janë shtuar dhe dy të tjera, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, si dhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës. Përveç studimeve në Bachelor, Master dhe Doktoraturë, Universiteti Europian i Tiranës vjen me 5 programe në Diploma Profesionale në Kontabilitet, Menaxhim, Turizëm, Aplikime Informatike, Dizajn dhe Modë.
Universiteti Europian i Tiranës ditën e djeshme priti, gjithashtu, studentët e parë të dy fakulteteve të reja të cilat i janë shtuar këtij Universiteti. Fjalën mikpritëse për studentët e parë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike e shprehu edhe dekani i këtij fakulteti, Isuf Kalo. Ai shprehet se studentët e rinj të këtij fakulteti do të mbeten në historinë e Universitetit Europian të Tiranës si studentët e parë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, një fakultet i sapothemeluar.
Studentët e parë të fakultetit të prof. Isuf Kalo
“Iu shpreh admirimin tonë studentëve të rinj të fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Ju studentë zgjodhët fushën e mjekësisë, një fushë ku do të mësoni dhe do të punoni për të ndihmuar njerëz që vuajnë. Nuk është zgjedhje e lehtë. Ju i keni bërë një nder të madh vetes tuaj, ju do të hyni në historinë e këtij universiteti pasi jeni studentët e parë të këtij fakulteti. Ju do të jeni në fjalën tonë, në punën dhe në zemrën tonë dhe ju uroj shumë suksese në rrugëtimin tuaj akademik që tashmë sapo ka filluar”, shprehet Kalo.
Inxhinieritë dhe arkitektura me strehën e re në UET
Gjithashtu, fjalën e mirëseardhjes për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës e tha edhe dekani i këtij fakulteti, Arben Dushi. Ai shprehet dhe shpreson që rezultatet e këtij fakulteti të jenë sa më pozitive dhe së shpejti të bëhemi kompetitivë dhe konkurrentë në tregun e universiteteve të arsimit shqiptar dhe konkurrentë në tregun e punës.
“Ju uroj mirëseardhjen studentëve të rinj që kanë ardhur në UET këtë vit të ri akademik 2018-2019, veçanërisht studentët e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, fakulteti të cilin unë përfaqësoj. Shpresoj që vitin tjetër të jeni akoma më shumë. Filozofia e këtij fakulteti qëndron në hapjen e profilit të Inxhinierit Industrial. Inxhinieri Industrial është një qasje e re ndaj tregut të ri të punës që po valon me shumë shpejtësi dhe në përgatitje të dekadës së tretë të këtij mijëvjeçari. Inxhinieri Industrial është një inxhinier me shumë përgatitje, larg skemave klasike që jemi mësuar deri sot, inxhinieri mekanik, elektrik etj. Me profile të caktuara që dallojnë me 5 deri në 6 lëndë nga njëri-tjetri. Shpresojmë që kjo të jetë një risi e Universitetit Europian të Tiranës. Uroj që rezultatet të jenë sa më pozitive në të ardhmen sepse ne tashmë startojmë këtë vit të ri akademik për herë të parë në UET. Shumë shpejt do të bëhemi kompetitivë dhe konkurrentë në tregun e universiteteve të arsimit shqiptar”, -shprehet Dushi.
Olsi do të bëhet politikan, studenti paraplegjik në Shkenca politike
Ndër rastet e veçanta ndër të cilat është vënë re ditën e parë të këtij viti akademik në Universitetin Europian të Tiranës, ishte rasti i Olsi Alushajt, një student me aftësi ndryshe, i cili ka zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës për të studiuar degën Shkenca Politike si një pasion dhe një ëndërr e tij. Ai tregon vullnetin dhe dëshirën e madhe për të qenë një student i aftë për të qenë sa më pranë dhe në ndihmë të personave me aftësi ndryshe dhe për të bërë një ndryshim rrënjësor në epokën e tranzicionit që jetojmë.
“Gjendja ime fizike më vështirësoi që t’i ndiqja studimet më parë, sëmundja që unë kam është distrofia muskulare, unë jam 30 vjeç dhe tashmë kam ardhur me vullnetin më të madh për të studiuar. Vendosa të studioj Shkenca Politike pasi më tërheq shumë si degë, e kam si një pasion të madh. Zgjodha pikërisht Universitetin Europian të Tiranës pasi kam dëgjuar se është ndër universitetet më të mira shqiptare, UET mundëson studentët e tij që të arrijnë majat. Kjo gjë më bëri të vendos preferencë të parë këtë degë dhe Universitetin Europian të Tiranës. Për mua të studiosh Shkenca Politike do të thotë, që në të ardhmen të bëhesh i aftë të bësh një ndryshim rrënjësor në epokën tonë të tranzicionit që po jetojmë aktualisht. Kam dëshirë të jem në ndihmë të personave me aftësi ndryshe. Shkencat Politike i shikoj si një pasion dhe një profesion në të ardhmen”, -shprehet Olsi.
Maks Çipi i kthehet Shqipërisë përmes lektorimit tek inxhinieritë e ndërtimit në UET
Maks Çipi, një pedagog me një eksperiencë të gjatë akademike i është bashkuar Universitetit Europian të Tiranës, në Fakultetin e ri të Inxhinierisë Informatikës dhe Arkitekturës. Ai tregon eksperiencën e tij prej më shumë se 10 vitesh në Itali dhe se si tashmë është rikthyer dhe është bërë pjesë e Universitetit Europian të Tiranës.
“Jam në proceset mësimore akademike në lidhje me universitetet, janë disa vite eksperiencë që prej vitit 1982. Fillimisht kam qenë pjesë e universitetit shtetëror të Tiranës në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas kam pasur eksperienca dhe në universitete të tjera. Gjithashtu kam një eksperiencë prej më shumë se 10 vite në Itali. Jam rikthyer pas viteve 2016-2017, kam filluar përsëri në universitete të ndryshme të Shqipërisë. I informuar për zhvillimet dhe parimet që ka patur gjithmonë Universiteti Europian i Tiranës, me të gjitha arritjet e tij, me rastin e hapjes së Fakultetit të Inxhinierisë Informatikës, pashë një mundësi shumë të mirë të aktivizimit tim në Departamentin e Inxhinierisë dhe Arkitekturës, ku tashmë të themi bëj pjesë. Jemi në kohën e zhvillimeve dhe të mundësive të mëdha, por ama çdo gjë ka dhe kohën e vet, për studentët kjo është koha e studimeve. Ju rekomandoj të studiojnë me këmbëngulje me përpjekje për të ardhmen e tyre për të gjetur më pas mundësi punësimi kudo brenda dhe jashtë vendit. Nga ana tjetër mendoj se Universiteti Europian i Tiranës dhe Fakulteti i ri i Inxhinierisë Informatikës dhe Arkitekturës, me zhvillimet e reja që ka ndërmarrë do të ofrojë mundësitë më të mira për të ardhmen e mirë të studentëve”, shprehet Çipi.
Rikthimi i informaticienit Petraq Papajorgji në aulat e një fakulteti të ri
Petraq Papajorgji, ish-pedagogu i Universitetit Europian të Tiranës, tashmë i rikthyer në UET. Tashmë si pjesë e Departamentit të Teknologjisë së Informacionit ai shprehet se: “Fusha e Teknologjisë së Informacionit është çdo ditë në zhvillim dhe nuk është si fushat klasike si Historia, që ndoshta dhe 10 vite mund të rrijë pa i ristrukturuar njohuritë që kanë marrë. Në fushën e Teknologjisë së Informacionit një periudhë e tillë është vdekjeprurëse”, shprehet Papajorgji.
“Në kohën kur unë isha pjesë e Universitetit Europian të Tiranës, ekzistonte vetëm Departamenti i Informatikës Ekonomike dhe me sa mbaj mend sapo ishte hapur dhe ishte në vështirësitë e hapave të parë. Më pas unë u largova dhe mora një detyrë në shtet e më pas ndoqa një drejtim tjetër në karrierën time. Tashmë që rikthehem në Universitetin Europian të Tiranës shoh që ka një mjedis të ri, ka një numër të madh fakultetesh të reja që janë hapur dhe ndër to është dhe Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit. Mendoj se jemi në kushte mjaft të mira dhe optimale. Ne pedagogët kemi detyrë të krijojmë një brez të ri të aftë për realizimin e detyrave që i presin. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë që specialistët që ne do të përgatisim, të jenë totalisht të punësuar dhe nëse kjo gjë do të arrihet do të jetë kënaqësia më e madhe për ne pedagogët dhe reputacioni më i mirë i vendosur për Universitetin Europian të Tiranës. Dua t’ju them studentëve që sot për herë të parë nisin rrugëtimin e tyre akademik, të mos mërziten nëse pedagogët janë shumë kërkues, pasi është një gjë në të mirën e tyre. Teknologjia avancon me një hap shumë të shpeshtë, gati 5 deri në 7 vjet kemi një teknologji të re që del dhe është mjaft e vështirë të përgatisësh studentë në fushën e teknologjisë, si shkak i ndryshimit të shpeshtë dhe të shpejtë të teknologjisë. Në këtë fushë ato do të jenë të detyruar të lexojnë të studiojnë gjatë gjithë jetës së tyre pa ndërprerje. Nuk është si fushat klasike si Historia që ndoshta dhe 10 vite mund të rrijë pa i ristrukturuar njohuritë që kanë marrë. Në fushën e Teknologjisë së Informacionit një periudhë e tillë është vdekjeprurëse”, shprehet Papajorgji.
Erind Trungu, studenti i parë i arkitekturës
Erind Trungu, studenti i vitit të parë në Universitetin Europian të Tiranës ka zgjedhur të studiojë degën e Arkitekturës. Ai tregon vullnetin dhe dëshirën e tij për t’u bërë një arkitekt i ardhshëm, shprehet plot bindje se ka bërë zgjedhjen e duhur duke i besuar maksimalisht Universitetit Europian të Tiranës.
“Zgjodha Universitetin Europian të Tiranës pasi jam i mirinformuar për këtë universitet. Flitet shumë për aspektet e saj të mira, për pedagogë të kualifikuar dhe për cilësinë e organizimit, mësimdhënies dhe kurrikulat e reja të avancuara. Kam dëgjuar për shumë pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës dhe ishte një ndër shkaqet që zgjodha të studioj këtu. Shpresoj të kem një rrugëtim të mirë akademik dhe besoj se do ia dal mbanë falë punës dhe vullnetit pa përjashtuar mundësitë që ky universitet ofron”, -shprehet Erindi.
Elsida Sinaj, ekselente e UET, fillon rrugën e asistent-lektores
Në kuadrin e Alumnit, ish-studentja e Universitetit Europian të Tiranës, Elsida Sinaj rikthehet sërish në universitet, tashmë në rolin e pedagoges. Ajo tregon arsyet e rikthimit të saj dhe shpreh mesazhin e saj për studentët të cilët nisin për herë të parë rrugëtimin akademik.
“Ishte pak e rastësishme eksperienca ime në Universitetin Europian të Tiranës, pasi në Shkodër ku unë kam kryer Bachelorin nuk ishte hapur dega e Masterit. Kontaktin e parë pozitiv e kisha me pedagogët nga Shkodra që janë në UET dhe kështu që ata u bënë nxitës që unë të zgjidhja UET për të vazhduar studimet Master Shkencor në degën Psikologji. Pasi mbarova studimet Master, vendosa të vazhdoj pa shkëputje edhe studimet në nivelin Doktoraturë. Eksperienca ka qenë ndër më të mirat. U riktheva në UET pasi më pëlqen fusha e mësimdhënies. Mora një sugjerim për t’u rikthyer në UET, konkurrova pasi kisha dëshirën për të qenë pjesë e UET. Konkurrova dhe mora një email konfirmimi që isha shpallur fituese për të qenë pjesë e stafit akademik të UET. Mendoj se UET është zgjidhja më e mirë si për studentët ashtu si dhe për të ushtruar profesionin. UET ka favorin që bën një orientim shumë të mirë. Studentët që në ditët e para kanë mundësinë të mirorientohen në UET dhe të mos kenë vështirësinë ashtu siç unë për shembull i kam pas në universitetin shtetëror. Studentët duhet ta marrin lehtë me pozitivitet, dhe t’i përkushtohen sepse UET e ofron mundësinë që të ndihesh rehat”, shprehet Sinaj.
Elson Frroku, ish-studenti i UET rikthehet tani si asistent-lektor
Elson Frroku, ish-studenti i Universitetit Europian të Tiranës. Ai rikthehet në UET jo më si student por tashmë si pjesë e stafit akademik. Elsoni shprehet se: “Rikthimin në UET dua ta shpjegoj me simbolikën e rikthimit në fole, pas shtegtimit sezonal”.
I pyetur se si i kujton Elsoni vitet e studimit, ai pohon se pjesë e Universitetit Europian të Tiranës u bë në vitin 2013 si student i Bachelor për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
“Zgjodha UET për tri arsye të thjeshta, shton ai: 1) Ishte një konglomerat i emrave më të njohur në fushën e arsimit të lartë në Shqipëri; 2) Komunikimi dhe mikpritja e stafit; 3) Çmimi ishte shumë konkurrues në treg”. Ndër të tjera ai shprehet me nostalgji duke thënë: “Më kujtohet mirë dita e parë në UET. Shikoja teksa korridoret gumëzhinin nga lëvizja e studentëve dhe pedagogëve. Isha Student. Për pedagog thjesht ëndërroja. E di çfarë? Kjo ëndrra për të qenë pedagog më bëri që të isha edhe ekselent sepse ky ishte dhe është kusht i panegociueshëm për stafin e UET. Elsoni shpjegon konceptin e ‘Mitit të Mikut’, këtë e kam për studentët, shprehet ai: “Studentë të dashur që sapo jeni ulur në bankat e universiteteve. Miku i vetes tuaj jeni vetëm ju. Erdha në UET pa njohur njeri, nga një familje e mrekullueshme modeste, të panjohur nga jeta publike dhe akademike. Mikun e krijova nga hiçi. I vendosa objektiva vetes dhe i arrita ata. Do thoni ju cilëy janë objektivat?! E para: Evidentimi me fakte i arritjeve të matshme. Notat të gjitha 10-ta, punime shkencore etj. E dyta: Evidentimi me fakte i arritjeve të pamatshme. Aktiv në “POLIS” (jeta publike). Themelimi i OJF-së, USUP. Kjo verifikohet lehtësisht, duke gugëlluar (Google) emrin Elson Frroku. KY ISHTE MIKU IM”, -shprehet ai. Rikthimin në UET ai e lidh me gjithë kalvarin e rrugëtimit të tij, sipas të cilit rikthimi në UET është pjesë e rrugëtimit edhe si doktorant. Mobiliteti në karrierë në UET është akt dhe fakt. Gjej rastin të falënderoj të gjithë stafin për mundësinë dhe pranimin si pjesë të tyre integrale”, shprehet Elsoni.
Studentet e parë të programit të sporteve
Anton Ndoj, Ardit Sulo dhe Ernest Biçaku, janë studentë të vitit të parë në Universitetin Europian të Tiranës. Ata kanë zgjedhur të jenë pjesë e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale. Ata kanë zgjedhur të studiojnë në degën e sporteve. Katër djem të cilët shprehin vullnetin dhe dëshirën e madhe për t’u bërë sportistët e ardhëm për të përfaqësuar pse jo dhe vendin e tyre.
Anton Ndoj, njëri prej djemve shprehet se ka zgjedhur Universitetin Europian të Tiranës, pasi është një ndër universitet më prestigjioze. Ai tregon se ka zgjedhur të studiojë pasionin e tij, sportin.
“Kam dëgjuar shpeshherë për Universitetin Europian të Tiranës nga miqtë e mi, nga mediat televizive, si dhe rrjetet sociale. Që ditën e parë që erdha në UET, pritja e të gjithë stafit ishte shumë e ngrohtë. Unë ndihem sikur kam kohë që jam pjesë e UET-it. Është dega që unë kam pasion, sportet pasi vetë unë jam futbollist, luaj me Internacionalin. Kam mbaruar shkollën e futbollit në Tiranë me ekipin e ‘Shkëndijës’. Zgjodha të studioj në UET pasi jam informuar se diploma në këtë universitet njihet brenda dhe jashtë vendit”, shprehet Antoni.
Studentja e parë e programeve profesionale zgjedh Grafik-Dizajn dhe Modë
Studentja e parë, e regjistruar në një prej pesë diplomave profesionale që Universiteti Europian i Tiranës ofron, është Danjela Peci. Ajo vjen nga qyteti i Lezhës, sapo ka përfunduar gjimnazin dhe ka zgjedhur të studiojë “Dizajn i Aplikuar dhe Modë”. Danjela tregon se ka qenë pasioni i saj i madh për modën dhe stilimin që e ka shtyrë të bëjë këtë zgjedhje.
“Kam zgjedhur të studioj për Dizajn të Aplikuar dhe Modë sepse stilimi është pasioni im. Që në fëmijëri jam dalluar për talentin tim në vizatim. Gjithnjë më ka pëlqyer ta diferencoj veten nga të tjerët nëpërmjet një stili unik në veshje. Ndaj për mua kjo është zgjedhja ideale”.
Dëshira për të qenë një stiliste ka qenë gjithnjë pjesë e saj. Danjela tregon se që fëmijë e ka dashur këtë profesion, frymëzuar jo vetëm nga shtysa e saj e brendshme, por edhe përkrahja e miqve dhe të afërmve të saj për të ndjekur këtë rrugë.
“Moda ka qenë gjithmonë ëndërr e imja. Kam dashur të bëhem stiliste që fëmijë. Kushërira ime, e cila vazhdon këtë profesion në Itali, ka qenë frymëzim për mua. Por edhe miqtë dhe familja ime më kanë inkurajuar gjithmonë të ndjek këtë ëndërr. Kur pashë që ofrohej kjo mundësi aplikova menjëherë. Për më tepër UET më pëlqente shumë si universitet pasi kisha dëgjuar vlerësime shumë pozitive për të shokë dhe të afërm të mi që kanë qenë studentë atje”. Ajo shprehet mjaft optimiste në lidhje me të ardhmen profesionale të saj.
“Kur erdhi momenti që duhet të zgjidhja, thashë ose do shkoj tek UET ose nuk do e vazhdoj shkollën fare, sepse kam dëshirë të vazhdoj vetëm për atë që më pëlqen. Ky është pasioni im, të cilin unë dua të shndërroj në profesion pas përfundimit të studimeve. Do të më pëlqente që në të ardhmen të hapja atelienë time të modës përse jo”, shprehet Danjela.
Marisa Dhoska, ekselente që i bashkohet departamentit të komunikimit
Marisa Dhoska, ish-studente e Universitetit Europian të Tiranës e cila ka studiuar për Marrëdhënie Publike dhe Komunikim në të dyja ciklet, tashmë është rikthyer në UET, jo më në statusin e studentit, por si pjesë e stafit akademik në mësimdhënie.
“Studimet Bachelor në Universitetin Europian të Tiranës i kam nisur në vitin 2008 për t’i mbyllur në vitin 2011. Dhe fill pas Bachelorit, studiova po në Universitetin Europian të Tiranës Masterin Shkencor. Dega e Komunikimit ishte një degë relativisht e re në periudhën që unë fillova universitetin, ashtu siç është vetë komunikimi një shkencë e re në Shqipëri. Duke patur dëshirën për të studiuar në këtë degë, UET ishte ndër të paktët Universitete që e ofronte si mundësi në atë periudhë në të dyja ciklet dhe si një degë të plotë sa i takon tërë kapacitetit të teksteve akademike dhe nivelit të pedagogëve. Prandaj zgjedhja ime ishte pikërisht UET. Eksperienca ime 5–vjeçare në UET si studente më vërtetoi që nuk bëra zgjedhjen e gabuar në përzgjedhjen e universitetit ku studiova. Siç e përmenda edhe më lart, tekstet akademike dhe niveli i cilësisë së pedagogëve ishte i lartë. Kur fillova të punoj në profesionin tim, u ndërgjegjësova edhe më tepër mbi këtë fakt. Gjithashtu, kushtet në të cilat kemi studiuar në universitet, biblioteka e pasur, sallat komode, të gjitha aktivitetet ekstra kanë qenë në favorin e studentëve për të zgjeruar dhe përpunuar dijet e fituara në auditor dhe për t’u ndjerë pjesë e universitetit me kënaqësi. Siç e përmenda pak më lart, unë ndihem pjesë e UET. UET ka kontribuar tek unë dhe unë pata dëshirën për të kontribuar tashmë në Universitetin tim. Do të jetë privilegj për mua të jem përkrah pedagogëve të mi, tashmë si pjesë e stafit akademik. Zgjodha sërish UET, tashmë si një institucion në të cilin do të punoj, pasi e di që profesionin e mësimdhënies do të ma bëjë më të lehtë dhe më të këndshëm. Është shumë mirë të punosh me kënaqësi në një institucion dhe të ndihesh e mbështetur nga ai”, -shprehet Marisa.
Lektor i Filozofisë në UET, kthim nga Sorbona për projektin e filozofisë
Iljaz Shehu, ish-student i Universitetit Europian të Tiranës në vitin 2008 ku studioi Shkenca Politike. Me një eksperiencë të gjerë studimesh akademike brenda dhe jashtë vendit Shehu tregon rikthimin e tij në UET.
Studimet universitare i kam nisur në vitin 2008, në UET, për Shkenca Politike, ku edhe jam diplomuar me gradën Bachelor. Pastaj, me zhvendosjen në Paris jam diplomuar ne Bachelor në Filozofi, viti i tretë, në universitetin e Paris 8 Vincennes Saint-Denis dhe më tej me master në Filozofi Bashkëkohore në Paris 1 Sorbonne-Pantheon. Aktualisht, po bëj studime doktorale, po ashtu në Sorbonne, të cilat konsistojnë në një kritikë të korrelacionizmit fenomenologjik duke ndjekur linjën e autorëve Husserl-Barbaras-Meillassoux”, -shprehet Iljazi.