Diplomohet brezi i parë i dekadës së dytë në UET
Diplomohet brezi i parë i dekadës së dytë në UET
Diplomimi i këtij brezi përkon me një etapë të veçantë të universitetit, atë të dekadës së dytë, në të cilën oferta akademike është zgjeruar dhe ka përfshirë tashmë pesë fakultete
Elda Dedja
Fillimi i shkollës shoqërohet gjithnjë me ndjesinë e të pasurit shumë kohë dhe punë deri në diplomim, por kur momenti vjen, të gjithë studentët ndihen të “shokuar” nga fakti se koha ka fluturuar dhe ata tashmë kanë përfunduar programin e studimit.
Pas ditëve të gjata të leksioneve, orëve edhe më të gjata të studimit, netëve të panumërta pa gjumë, sfidave, pengesave, sukseseve, dështimeve, ndjenja e diplomimit nga universiteti është me të vërtetë ndërthurje e lumturisë me krenarinë.
Kurorëzimin e përkushtimit të tri viteve e kanë përjetuar këtë të premte studentët e brezit të njëmbëdhjetë, të të diplomuarve në UET. Në ceremoninë më kryesore për nga pesha dhe rëndësia si akademike, por dhe emocionale, në shoqërinë e familjarëve, miqve dhe pedagogëve që kanë qenë mbështetje për ta gjatë viteve të studimit, janë hedhur në ajër kapelat, si një simbol i sukseseve që sapo kanë filluar. Diplomimi i këtij brezi përkon me një etapë të veçantë të universitetit, atë të dekadës së dytë, në të cilën oferta akademike është zgjeruar dhe ka përfshirë tashmë pesë fakultete. Me pothuajse të gjitha degët që përmbushin pritshmëritë e profesionistëve të së ardhmes, UET bëhet i pari universitet privat në vend që ofron një gamë kaq të gjerë disiplinash studimi: nga Financa e Menaxhimi, tek Inxhinieria dhe Arkitektura, Teknologjia e Informacionit, Imazheria, Infermieria, Fizioterapia apo Sportet, pa harruar gjithashtu edhe studimet për Filozofi, Gjuhë-Letërsi, Studime Fetare, Gjuhët e Huaja, Artet Pamore, Skenike apo Muzikore. Me zgjerimin e departamenteve dhe krijimin ose riorganizimin e fakulteteve të UET, është rritur edhe numri i degëve të studimit që ofrohen, por mbi të gjitha numri i profileve ose kombinimeve për çdo diplomë studimi, si në nivelin Bachelor dhe në ato të Masterit Profesional dhe Shkencor. Aplikimi i parimit të ndërdisiplinaritetit, për të cilin ju pyesni, është në radhë të parë kërkesë e mjedisit profesional dhe tregut të punës, por edhe një sfidë e mjedisit akademik.
Ndërkohë që brezi i parë i besoi vizionit të një universiteti të sapothemeluar, brezi i parë i dekadës së dytë i beson eksperiencës dhe traditës së UET. Ceremonia e diplomimit në Universitetin Europian të Tiranës kishte të ftuar të veçantë, të cilët mbajtën për studentët “commencement speech”, ose i quajtur ndryshe, “fjalimi i fillimit të jetës”.
Këto fjalime, ashtu si në universitetet e mirënjohura ndërkombëtare, shërbejnë për të motivuar dhe frymëzuar studentët e sapodiplomuar në rrugëtimin e ri që i pret.
Znj. Herjola Spahiu, Administraore e Institucionit Financiar NOA, e ftuar në ceremoninë e diplomimit, ka dhënë këtë mesazh për studentët: “Besoni në sipërmarrjen në Shqipëri! Besoni tek ekonomia e lirë, te fuqia e kapitalit, te marrja përsipër e oportuniteteve që ofron biznesi. Mos bini pre e “mendimit në tufë”, se në Shqipëri nuk ka të ardhme. Përkundrazi, sa më shumë të jetë i përhapur ky mendim, aq më shumë vend ka për të rinj si ju që kanë etje për të qenë të suksesshëm, etje për t’u pavarësuar. Sipërmarrja ju mundëson ngritjen në ashensorin social, rritjen e mirëqenies suaj personale e familjare, zhvillimin e vendit tonë. Ndaj pa asnjë droje ju them se sipërmarrësit janë heronjtë e kohëve moderne, sepse ata sjellin zhvillim, liri dhe meritokraci.” Ndërkohë që drejtoresha e përgjithshme e “World Vision Albania”, znj. Eljona Boce, vuri theksin te fuqia që studentët kanë për të zgjedhur.
“Unë do të ndalem për të folur për një fuqi të jashtëzakonshme që ka secili nga ju dhe që në fakt e ka çdo njeri. Fuqia për të bërë zgjedhje. Fuqia për të zgjedhur është kaq e madhe, e pavarësisht nga kjo, nuk jemi gjithnjë të vetëdijshëm sa e madhe është”.
Milva Ikonomi: Sfidat e ekonomisë së dijes që ju presin pas diplomimit
Ajo që do të karakterizojë daljen tuaj në treg dhe shkuarjen përpara do të jetë ekonomia e dijes, e cila s’është tjetër por ajo ekonomi ku përdorimi i njohurive shërben për të krijuar mallra dhe shërbime. Kjo do të thotë që punonjësve të njohurive, do u nevojitet më shumë kohë për të menduar dhe për të manipuluar informacionin, në krahasim me lëvizjen ose hartimin e objekteve fizike. Kjo lloj ekonomie qëndron në kontrast me një ekonomi agrare, ku kërkesa kryesore ishte puna manuale, ose me një ekonomi të industrializuar, ku shumica e vendeve të punës janë relativisht të pakualifikuara. Në ekonominë e dijes, forca e specializuar e punës do të karakterizohet nga shkathtësitë kompjuterike, edukim i mirë për trajtimin e të dhënave, zhvillimin e algoritmeve dhe modeleve të simuluara, si dhe inovimin në proceset dhe sistemet. Profesori i Shkollës së Biznesit të Harvardit, Michael Porter, pohon se ekonomia e sotme është shumë më dinamike dhe se përparësia krahasuese është më pak e rëndësishme sesa përparësia konkurruese, e cila bazohet në “përdorimin më produktiv të imputeve, që kërkon inovacion të vazhdueshëm”.
Bujar Kapexhiu: Fitojeni respektin jo me servilizëm, por me punë e ndershmëri!
Ju në jetën tuaj do të filloni punë në sektorë të ndryshëm, me siguri do të keni një epror, e unë në këto pak fjalë nuk do t’ju shpjegoj e t’ju këshilloj se si do të silleni me eprorët, por ju them, fitojeni respektin e tyre jo me peqe e lepe dhe me servilizëm, por me punë, ndershmëri, sinqeritet e dinjitet! Ndoshta ndonjëri nga ju mund të jetë që në fillim epror dhe si i tillë fitoni respektin e vartësve me dashamirësinë, urtësinë, mençurinë dhe respektin për ta. Meqë e nisa si këshillë, po e vazhdoj dhe me një tjetër. Mos e braktisni librin, shoku më i mirë në jetë! Vazhdoni të kualifikoheni, se kështu do të fitoni respektin e eprorëve, për ata që do të jenë vartës dhe për ata që në një ditë do të jenë eprorë, të mos heqim dorë nga libri, që të jenë të respektuar. Përmenda librin, sepse natyrisht nuk mund të kuptohet fjala student apo universitet pa librin.
Selami Xhepa: Kërkoni më shumë realizim të vetvetes dhe të merrni më shumë përgjegjësi
Çdo fund ka një fillim të ri. Nga nesër ju nisni një tjetër rrugëtim të jetës. Familja pret prej jush të filloni jetën tuaj të pavarur, universiteti pret që të materializohet vlera e diplomës suaj, shoqëria pret të shohë këtë kapital njerëzor të kontribuojë në përparimin dhe modernizimin e vendit. Në kohën e një bote thellësisht materialiste dhe individualiste, ju duhet të kërkoni të gjeni më shumë realizim të vetvetes dhe të merrni më shumë përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe vendit, veçanërisht kur kohët janë kritike për të ardhmen e tij. Sot, më shumë se përherë, Shqipëria i ka sytë te ju të rinjtë dhe të rejat që diplomoheni dhe i jepni shpresë vendit për një të ardhme më të mirë të përbashkët, këtu në vendin tonë. Rruga e jetës është gjithnjë e vështirë, shumë e pasigurt dhe ku rastësia është shpeshherë përcaktuese në fatet tona. Universiteti ynë do të qëndrojë pas gjithsecilit prej jush, do ju asistojë fort dhe kudo që është e mundur që ju të integroheni në jetë, të bëheni pjesë e tregut të punës dhe të tregoni vlerat tuaja, dijet dhe aftësitë tuaja për t’i shërbyer sa më mirë sipërmarrjes, administratës apo kudo ku ju do të shërbeni nesër.
Rektorja e UET, Nevila Nika: UET është një familje e madhe
Të dashur studentë, keni mbyllur një etapë të rëndësishme të jetës suaj. Njerëzimi ka ecur shumë përpara me anë të teknologjisë, por një gjë nuk kemi arritur të bëjmë dot, ta ndalim kohën. Sa mirë do të ishte të isha edhe unë sot studente. UET është një familje e madhe, ndërkohë që unë kujtoj diplomimin e brezit të parë të këtij universiteti, ku ka qenë shumë më e thjeshtë ceremonia. Por në 13 vite tashmë ne jemi bërë shumë të mëdhenj, ku me mijëra studentë kanë studiuar në UET dhe jo më kot them se UET është një familje e madhe. Sot unë nuk dua t’ju jap përvojën time, pasi atë ua kam dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në auditor, dhe në këtë mënyrë unë dua thjesht t’ju uroj suksese në jetë, duke ju falënderuar juve si studentë, prindërit që ju kanë mbështetur, por edhe një falënderim për stafin e Universitetit Europian të Tiranës. Dua ta mbyll fjalën time duke ju dhënë vetëm një këshillë, kurrë mos u tërhiqni dhe duajeni profesionin tuaj, pasi do të keni sukses në jetë!
Administratori Agalliu: Duhet të jeni vetvetja dhe të vërtetë!
Sot e në vijim duhet të jeni vetvetja dhe të jeni të vërtetë. Nuk ka si e vërteta. Do të jetë miku juaj më i shtrenjtë. Sot, shoqëria jonë vuan nga e pavërteta, duke rënë nën kthetrat e mashtrimit. Mashtrimi nuk të çon më shumë sesa hija jote e më pas të ngelet vetëm dështimi. Mos e shisni shpirtin për asnjë moment, shikoni të vërtetën në sy dhe kjo do t’ju bëj të suksesshëm.