Diplomohet brezi i 17-të në UET, 451 studentë finalizojnë studimet në ciklin bachelor

Thonë se historia përsëritet. Në fakt, vështirë se ka gjëra që mbeten njësoj në kohë të ndryshme. As ky rikthim i ceremonisë së diplomimit të Universitetit Europian të Tiranës në Pallatin e Kongreseve nuk ishte i ngjashëm. Vendi është i njëjtë, ende i disponueshëm për ngjarje madhore, por universiteti nuk është më ai i 2009-ës kur u zhvillua ceremonia e diplomimit të brezit të parë.
Atëherë ishte ende një institucion në formim e sipër, që punonte me vrull për të skalitur identitetin e vet. Sot, pas 17 vitesh, është një markë lider i cilësisë akademike, që vijon me të njëjtin zell sfida të reja të njehsimit me standardet ndërkombëtare. Nuk mund të jetë i njëjtë as në numra, qofshin ato fakultete, programe studimi, të diplomuar, studentë apo arritje.
Salla e mbushur përplot, ndoshta edhe më shumë se në aktivitetet më të rëndësishme të zhvilluara aty, me praninë e të gjithë brezave, nga të porsalindurit deri të gjyshërit, dëshmoi rëndësinë që ka kjo ngjarje për studentët shqiptarë dhe familjet e tyre.
Ajo u bë më e plotë me praninë e të ftuarve të veçantë, si: ambasadori i parë i Gjermanisë në Shqipëri, Werner Daum, njeriu që strehoi mijëra shqiptarë në selinë diplomatike në korrik të 1990-ës; ish-ministrja e Integrimit Europian dhe ish-Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, dhe ish-studentja e UET, Joana Meta, të cilët përshëndetën dhe motivuan të diplomuarit.
Me mbylljen e vitit akademik 2024-2025, Universiteti Europian i Tiranës diplomoi 451 studentë të ciklit bachelor nga të pesë fakultetet, të cilët përkojnë me brezin e 17-të të diplomuarve. Ata mbyllin një kapitull mjaft të rëndësishëm të jetës, duke ruajtur fort kujtimet dhe ëndrrat më të sinqerta, ndërsa çelin derën e përgjegjësive, sfidave, arritjeve profesionale, të realizimeve dhe sukseseve të reja.
“Ka qenë kënaqësi të punonim sëbashku këto vite që janë për ju themelet e gjithçkaje që vjen më pas në rrugëtimin tuaj profesional”, u shpreh presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa. Duke i përgëzuar për përkushtimin e treguar dhe aftësitë e fituara në tre vite, Xhepa iu tha të rinjve se jeta e tyre do të vazhdojë në dimensione më të mëdha, me auditorë të përmasave të reja dhe me aktorë të gjerë, ndërsa i këshilloi që të mos ndalen kurrë së fituari dije, të ruajnë miqësitë dhe vlerat e vyera për ta.
“Si dikush që është diplomuar 36 vite më parë, ka mjaft gjëra për të ndarë me ju sonte, por e përmbledhur në një fjali, ajo është: kultivoni moralin e lartë dhe dashuri për dijen. Bashkoni fjalën me veprën, rrituni për t’u bërë të mëdhenj dhe të virtytshëm.” Presidenti Xhepa i ftoi studentët të punojnë për të qenë vetë ndryshimi dhe aktorët që e prodhojnë atë, si dhe të përfshihen në proceset e ardhshme transformuese dhe modernizuese të Shqipërisë.
I mahnitur nga atmosfera, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri në vitet 1987-1990, Werner Daum, përgëzoi studentët, pedagogët dhe prindërit për këtë arritje të rëndësishme që hap një kapitull të ri në jetën e çdo të riu.
“Ju përfaqësoni të ardhmen e këtij vendi, por përfaqësoni edhe çdo gjë që ky vend ka arritur në të kaluarën. Ky është vërtet një vend evropian, i cili ka një histori të mrekullueshme, monumente të mrekullueshme. Ky vend është simbol i arritjeve, i dashurisë dhe i kulturës”, u shpreh ish-ambasadori.
z. Daum nuk u ndal gjatë te ngjarjet e para 35 viteve, ku shqiptarët rrëzuan e kapërcyen muret për të hyrë brenda ambasadave dhe për t’u larguar më tej drejt vendeve evropiane, një akt që tronditi themelet e regjimit. Ai foli për vlerat e Shqipërisë, të cilin e ka adhuruar që në momentin e parë që e shkeli, ndaj edhe i këshilloi studentët të japin kontribut për vendin e tyre.
Duke e quajtur “borxhi” i brezit të saj ndaj të rinjve, ish- ministrja e Integrimit Europian, Majlinda Bregu, foli për rëndësinë e kultivimit të një mendjeje të hapur dhe zhvillimit të mendimit kritik, të cilat mund të lulëzojnë vetëm në ambiente universitare që i kanë pjesë të misionit të tyre. “Pa mësues, profesorë, të cilët janë interesantë për ju, ngacmojnë mendimin dhe kurajon tuaj, do të bëhet krejtësisht e pamundur që ju të mbani mend që një ditë keni arritur të mësoni diçka të mirë nga dikush.”
Znj. Bregu theksoi se pa arsim të mirë dhe cilësor, çdo sistem shoqëror e politik mbetet i brishtë, dhe po ashtu çdo lloj mundësie për t’u rikuperuar në të ardhmen mbetet një slogan.
“Uroj që rrugëtimi juaj të jetë po kaq i bukur sa është kjo mbrëmje e sotme e festimit të diplomës, por mbi të gjitha uroj që të jetë i vërtetë, dhe të keni mundësi, që çfarëdo që të bëni në jetë, të mos keni frikë nëse duhet të jeni ata që nuk duhet të kapërceni gardhet, por vetëm të vrisni paragjykimet.”
Rektorja e UET, prof. dr. Drita Kruja, bëri një bilanc të arritjeve të studentëve në këtë vit akademik, duke nisur nga shkëmbimet studentore me universitetet partnere, ku 48 studentë të UET zhvilluan një semestër mësimor në një universitet europiane. Ajo përmendi më tej studentët që janë bërë pjesë e konkurseve, shfaqjeve, ekspozitave dhe projekteve ndërkombëtare, duke arritur rezultatet më të larta.
“Arritjet e studentëve tanë gjatë vitit akademik janë një tregues i cilësisë së mësimdhënies, seriozitetit akademik dhe potencialit transformues të brezit të ri. Në çdo fakultet kemi shembuj frymëzues të përkushtimit dhe suksesit, që nga konkurset ndërkombëtare e deri të angazhimi qytetar, nga kërkimi shkencor te arti, sporti dhe inovacioni”, theksoi Kruja,
Rektorja ftoi të diplomuarit të konsiderojnë studimet master si një mundësi për t’u rritur profesionalisht dhe për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave të tregut të punës. Po ashtu, Kruja ndau lajmin e mirë të miratimit të doktoraturave të reja në UET në Inxhinieri-Ndërtim-Arkitekturë, krahas atyre aktuale në shkencat sociale.
Përveç përshëndetjes dhe njohjes me pesë studentët ekselentë, përfaqësues të secilit fakultet, të diplomuarit u frymëzuan me historinë e ish-studentes së UET, Joana Meta. Ajo udhëtoi enkas nga Londra, ku aktualisht jeton dhe punon, për të qenë e pranishme në këtë ngjarje dhe për të motivuar me rrugëtimin e saj.
“Kampusi i UET është vendi ku u rrita dhe u formova. Aty kuptova për herë të parë rëndësinë e modeleve të suksesit dhe pikërisht në ato auditorë ka lindur shkëndija e çdo gjëje që ka ardhur më pas.”
Joana ka mbaruar ciklin bachelor për Financë- Bankë në vitet 2012- 2015 dhe më tej vijoi studimet master në Poloni. Pas disa viteve punë në Varshavë aplikoi për të shkuar në Londër. U deshën dhjetëra refuzime gjatë 11 muajve, derisa më në fund erdhi përgjigjja pozitive, që e çoi në një rrugë dhe në një ëndërr të re.
“Mos reshtni kurrë së ëndërruar. Çdo gjë që është shpikur sot ka qenë ëndrra e dikujt dje”, iu drejtua ajo të rinjve, duke i nxitur të jenë të qartë dhe këmbëngulës për atë që duan të arrijnë në jetë.