Department’s Book Review, UET e nis me librin “Fillimet” të Zogajt
“Department’s Book Review” vjen si aktiviteti më i ri që Universiteti Europian i Tiranës po organizon në kuadër të 30 vjetorit të tranzicionit në Shqipëri, në formë bashkëbisedimi me autorë librash dhe studentë të të gjitha departamenteve të UET, për të mësuar më shumë rreth historisë, marrëdhënieve politike, ekonomisë, kulturës dhe komunikunikimit të 30 viteve pluralizëm.
Tashmë dihet që Universiteti Europian i Tiranës ka nisur një maratonë aktivitetesh, dhe studimesh të cilat i dedikohen tranzicionit në 30 vjetorin e tij.
Për ta nisur që nga fillimi ashtu sikurse titullohet edhe libri i tij, siparin e “Department’s Book Review” e hapi autori i librit “Fillimet”, Preç Zogaj, si një nga protagonistët e lëvizjes së Dhjetorit 1990, në një bashkëbisedim me studentët e Departamentit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET.
Nën moderimin e Përgjegjësit të Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara, Prof. Asoc. Dr. Ervis Iljazaj, Preç Zogaj në cilësinë jo vetëm të autorit të librit, por edhe si politikan rrëfeu fillimet e pluralizmit, ndau mendime dhe fakte duke na sjellë një panoramë të asaj që ndodhi para 30 viteve nën thirrjen “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”.
“Ky është një takim në kuadër të diskutimeve që UET ka ndërmarrë rreth 30 vjetorit të fillimit të pluralizmit në Shqipëri. Sot kemi kënaqësinë të kemi Preç Zogajn si autor, politikan dhe si protagonist të atyre viteve, që e njihte nga afër atë atmosferë. Ai ka shkruar një libër që për mua jep atmosferën shoqërore, politike dhe kulturore të atyre viteve”, u shpreh profesor Ervis Iljazaj, duke e bërë edhe më interesante temën e diskutimit dhe duke rritur interesin për studentët e pranishëm në takimin online, sipas masave dhe protokollit shëndetësor për shkak të pandemisë.
Ndërsa diskutimit iu vu theksi menjëherë tek fillimi i pluralizmit në vitin 1990, Preç Zogaj solli ngjarje, dëshmi dhe refleksione të jetuara vetë.
Rrëfeu kronologjinë e ngjarjeve të dhjetorit 1990, duke treguar se si u gjend në mes të transformimeve dhe duke e cilësuar si një vit pritshmërie dhe shprese.
“Viti 1990 për mua është një vit pritshmërie dhe shprese, nuk mund të them që është një vit ankthi”, iu përgjigj pyetjes së Iljazat, se si do ta përkufizonte këtë peridhudhë ndryshimi.
Plot 30 vjet më parë, në paraditen e datës 14 janar të vitit 1990, me mijëra banorë të qytetit të Shkodrës u grumbulluan në qëndër të qytetit dhe për disa orë me rradhë zhvilluan një tubim proteste në heshtje, i cili synonte rrëzimin e monumentit të Stalinit që ndodhej në një nga lulishtet e shesheve kryesore të atij qyteti.
Kjo demostratë masive e cila shënonte dhe protestën e parë antikomuniste pas më shumë se gjysëm shekulli të sundimit të regjimit të Enver Hoxhës, bëri bujë të madhe brenda e jashtë vendit.
“Shqipëria është demokratizuar shumë vonë pasi të gjitha vendet ish-komuniste kishin vendosur sistemin shumë partiak. Në ngjarjet që shënonin një finalizim të ndryshimit është 14 janari në Shkodër, për të protesuar, me synim rrëzimin e bustit të Stalinit. Në të gjithë Shqipërinë u përhap lajmi që janë njerëz që duan të rrëzojnë monumentin e Stalinit i cili mendohet si simbol i asaj që ndodhi më pas. Më pas vijnë disa protesta spontane në Tiranë, pa zhurmë, por që kanë ndikim. Ngjarja e ambasadave që pësuan një goditje të fuqishme. Ikja e Kadaresë është një ngjarje e rëndësishmë, për shkak të “madhësisë” së shkrimtarit. 1990 është viti i pritshmërive, i përpjekjeve dhe shpresës që erdhi me finalizimin e Lëvizjes së Dhjetorit”, u shpreh Preç Zogaj.
Për autorin e librit “Fillimet”, Lëvizja Studentore është ajo e cila e përmbysi regjimin diktatorial, si pasojë e një akumulimi, i cila solli një lëvizje të papërgatitur, por me mjaft ndryshim.
Po ashtu protestën e studentëve të Dhjetorit, Zogaj e krahason duke sjellë në vëmendje shembje diktaturash të të njëtit model.
“Unë them që lëvizja studentore e përmbysi regjimin, erdhi si një lëvizje e papregatitur, por e akumuluar tek shumica e njerëzve, e studentëve. Ishte akumulim jo vetëm nga pakënaqësia, por ishte akumuluar vetëdija e një pjesë të madhe të shoqërisë, që Shqipëria nuk duhet të vazhdojë kështu. Protesta prodhoi pluralizëm dhe kjo nuk ndodhi vetëm tek, ne por edhe në Hungari apo dhe në Gjermaninë Perëndimore, pluralizmi erdhi me protesta”, u shpreh ai, ndërsa ndryshimin e sistemeve e quajti një pluralizëm të negociuar i cili erdhi si një lëvizje studentore, intelektuale dhe qytetare.
Menjëherë pas ngritjes studentore, u kërkua krijimi i një partie studentore, por shkrimtari Zogaj rrëfeu se ishte nevoja e një partie opozitare, kundrejt Partisë së Punës dhe në këtë mënyrë lindi Partia Demokratike.
“Studentët erdhën nga takimi me Ramiz Alinë. Ishte Azemi ai që kërkoi krijimin e Partisë së Studentëve, por një grup intelektualësh që nuk ishim student menduan që ky ishte naivitet dhe se duhej një parti e madhe popullore që të ishte opozita e Partisë së Punës”, rrëfeu autori i librit.
Mirëpo përpos arritjeve të këtyre 30 viteve, Preç Zogaj e sheh shqetësuese situatën aktuale pasi sipas tij, populli është i sunduar dhe nuk sundon, ashtu sikurse duhet të ishte në një sistem demokratik dhe siç secili prej nesh pretendonte të ishte.
“Pas momentit të bukur të lëvizjes studentore, u bënë zgjedhjet, filloi liria e fjalës e së drejtës, por që nuk shoqërohet me një evoluim të vërtetësisë. Në sferën politikë dominon mendësia antidemokratike, e veshur me terma demokracie. Ka një uzurpim të partive, një luftë e egër kundër demokracisë së brendshme të partive. Është një luftë e brendshme që zgjon jehonat e turmave të Enver Hoxhës dhe Stalinit, pasi atë kishin model. Përpos arritjeve të mëdha që vihen re në nivelin e jetesës, të ardhurat, të veshurit etj., ne kemi ende pandërshkueshmëri, kemi një lloj sundimi nga politika. Populli është i sunduar, nuk sundon”, u shpreh Zogaj duke treguar shkurtimisht se çfarë ndodh sot e kësaj dite.
Ai thotë se sot pas 30 vitesh Shqipëria është përpara ëndrrës, por prapa kohës së Lëvizjes së Dhjetorit.
“Është prapa kohës edhe pse duket sikur nuk bën sens”, u shpreh Zogaj.
Ndërsa sa i përket zgjedhjeve përgjegjësinë ia lë opozitës, duke u shprehur se nëse i humb zgjedhjet nuk është për meritë të Ramës, por për përgjegjësi të saj.
“Në analizën time dhe në ndjeshmërinë time, unë them që fati i zgjedhjeve është në duart e opozitës, fitorja është në duart e opozitës. Nëse opozita nuk fiton nuk është merita e Ramës, por nëse opozita nuk fiton është për përgjegjësi të saj. Zgjedhjet I humb apo i fiton, jo mazhoranca, por opozita”, përfundoi ai.