Department’s Book Review UET/ Alfred Peza: Shqipërinë e Enver Hoxhës e ka drejtuar Nexhmija
Department’s Book Review UET/ Alfred Peza: Shqipërinë e Enver Hoxhës e ka drejtuar Nexhmija
Në një bashkëbisedim me studentë e pedagogë të UET, për romanin e tij “Enveriada”, Alfred Peza shprehu bindjen se Shqipërinë komuniste e ka drejtuar Nexhmije Hoxha. Ai kritikoi qasjen ndaj së shkuarës së analistëve dhe historianëve në këta 30 vjet dhe tha se ideologët e së djathtës së sotme shqiptare, janë ata të së majtës së djeshme. Ai zbuloi se romani i tretë do të jetë një autobiografi politike
Një hakmarrje të ëmbël ndaj Enver Hoxhës, e cilësoi autori librin “Enveriada”. Kjo pasi bashkëshortja e diktatorit, në të gjallë të saj nuk pranoi të realizonte një libër intervistash me të. Në një bashkëbisedim me pedagogë dhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës, Alfred Peza zgjodhi të rrëfejë disa të pathëna rreth motiveve pse e shkroi këtë fiction bazuar në histori të vërteta, por edhe disa të vërteta të cilat ai pret të hapin debat.
Ishte Nexhmije Hoxha, ajo që drejtoi Shqipërinë gjatë regjimit diktatorial, mendon Peza. Ai bën një kontrast mes romanit të tij të mëhershëm “Sarah” dhe “Enveriadës” duke thënë se i pari u shkrua për të bukurën femërore, ndërsa e keqja në të dytin nuk ka gjini.
Një nga akuzat që Peza ngre ndaj Enver Hoxhës në këtë libër është zhdukja e deklaratës origjinale të Pavarësisë së Shqipërisë.
Duke pohuar se letërsia i ka dhënë një farë lirie në të shkruar, Peza kritikoi mënyrën sesi shoqëria shqiptare, njerëzit e mendimit apo historianë e gjykojnë të shkuarën përmes letrave, që janë ruajtur nga ajo epokë. “…atë sistem e kanë gjykuar përmes librave, ose ata që e kanë drejtuar, ose që kanë qenë shërbëtorët e sistemit, ose fëmijët e baballarëve”, u shpreh Peza, duke e cilësuar defekt të tridhjetë viteve pluralizëm.
Sipas Pezës, e majta do ta mundë të djathtën në Shqipëri, kur ata që kanë qenë bij të baballarëve që drejtuan atë sistem, do të jenë sot ideologët e së djathtës. Kritik dhe thumbues, por pa përmendur emra konkretë, autori tha se ideologët më të mëdhenj të së djathtës së sotme, janë ata të së majtës së djeshme.
Peza e cilësoi librin e tij si një homazh për të gjithë ata elemente dhe idealistë të talentuar, që kurrë nuk arritën të plotësohen. Një kontribut ndaj një elite të persekutuar gjatë komunizmit, por edhe një kthim borxhi ndaj historisë së të majtës shqiptare, që siç tha Peza, nuk nis dhe mbaron me Enver Hoxhën. Ashtu si edhe dimensioni i tij si shkrimtar, ndërsa gjatë bashkëbisedimit zbuloi se po përgatit një libër të tretë, që do të jetë një autobiografi politike.
Suela Mino: “Enveriada” i bashkohet kolanës së Literaturës së shtëpisë botuese “UET Press’, por që në një fashë të veçantë që përcjell atë që kemi kohë që e flasim, që ka lidhje me kujtesën kolektive të sjellë dhe përcjellë përmes artit. Është cilësuar nga autori një roman i frymëzuar nga histori reale, që do të thotë na vendos në një kontekst konkret, ndërkohë që në titull shpall edhe kontekstin “Enveriada”. Një lajmotiv që ndërton përsiatje dhe me të tjerë, por në këtë rast Peza ndërton një qasje të veçantë për të dekoduar zemberekun e sistemit, që në njëfarë mënyre tejkalon ideologjitë, për të zbërthyer mekanizmat e pushtetit, të vijimësisë së pushtetit. Në këtë libër të duket se jemi në një kontekst që e njohim mirë, edhe ne që s’kemi jetuar gjatë në atë sistem, por kemi qenë dëshmitarë në një masë të tij, besojmë se njohim instrumentet e këtij sistemi. “Enveriada”, nuk ndalet te instrumentet, por te mekanizmi duke sjellë një intrigë që të ndal për të menduar, për të kuptuar, duke tejkaluar ato që ne njohim si mekanizma famëkeqe, si Sigurimi i Shtetit. Këtu nuk flitet për Sigurimin dhe ky është një sqarim që duhet bërë, pasi ka ngjallur reagime.
Gjejmë një mekanizëm si Syri i Shqiponjës, i cili përmes hapësirës që i lejon letërsia, trilli artistik të autorit, ndërton atë që është zemra e një pushtetit, që punon për vijimësinë e tij, i konceptuar që vijojë përtej retorikës ideologjike që e mban në këmbë. Kjo është linja thelbësore. Pastaj ka gjetje interesante, për mua befasuese. Ka një zhdërvjellim të plotë se çfarë ishin letrat e popullit. Duke pasur disa linja romani në optikën e atij që i shkruan dhe prek letrat e popullit, të mënyrës sesi ngërthen informacionin mbi individin, për ta kthyer në një aset që i duhet për të mbretëruar dhe kjo është një linjë gjallëruese për tekstin, sepse ka kontraste të forta, duke përthyer të gjitha realitete që ne gjejmë brenda një diktature. Në një terren letrar të zhdërvjellë me kujdes ka edhe një linjë romantike, të një historie që është përfolur gjatë, që këtu vjen me të gjithë sharmin që autori ka zgjedhur t’i japë, që pasuron tekstin, por edhe jep një këndvështrim të ri të mënyrës sesi mund të jetohet dashuria nën regjim, si mund t’i mbijetohet dhunës dhe fatalitetit që ai mbart, sidomos për figurat kryesore. Alfred Peza në “Enveriadë”, dekodifikon jo thjesht sistemin komunist shqiptar. Në një terren shqiptar rreket të dekodifikojë mekanizmat e pushtetit dictatorial. Në rastin tonë komunizmi, ka një mjedis fizik siç është ish-Blloku, ka një rrjet personazhesh që ne i njohim, por ka edhe një underground, që është Syri i Shqiponjës, që mbart gjithë groteskun e mënyrës sesi vijon historia, sesi sigurohet dhe mbartet pushteti, që të ketë vijimësi. Me një cinizëm që është tërësisht i argumentuar dhe i qëndrueshëm, në mënyrën sesi arsyetohet në tekst, na vjen ajo që mbart kumtin e letërsisë, tejkalon një kohë reale, për të mbartur një kumt që u flet njerëzve dhe lexuesve shqiptarë. Është një kontribut i qenësishëm për të investuar në atë që kemi nevojë të bëjmë dhe artikulojmë në shumë rrafshe, jo vetëm në sociologji dhe shkenca politike. Mesa duket, letërsia, përtej publicistikës, ka ndërmarrë një mision të rëndësishëm për të kontribuar në ndërtimin e kujtesës kolektive, përmes produktit letrar.
Irena Myzeqari: Kam bërë një punë hulumtuese për të parë zhurmën që ka shkaktuar libri. Një ndër pyetjet që hasej në të gjitha portalet dhe intervistat që keni bërë, lidhej direkt me titullin dhe le të themi që është një pyetje shumë e gjetur e juaja për t’i keqdrejtuar. Kur ata shohin Enveriada, mendojnë se flitet për Enverin, ndërkohë që ka shumë më shumë aty. A është “Enveriada” një tribut ndaj Enver Hoxhës dhe komunizmit, një libër për individin apo sistemin?
Për shkak të rrjeteve sociale, shoqëria është bërë shumë sipërfaqësore dhe gjykojnë nga kopertina. Kjo është pjesë e kulturës sonë, që nuk shkojmë përtej provokimit letrar, artistik dhe përtej anti-simboleve, siç ndodh edhe në këtë rast. Ne kemi 30 vjet që e kemi rrëzuar murin tonë të Berlinit dhe vijojmë të gjykojmë atë epokë përmes letrave që na ka lënë ajo epokë. Është njësoj sesi të gjykosh politikanët e sotëm nëse janë të korruptuar ose jo, përmes deklarimit të pasurisë që ata kanë bërë të LDKPI-ja. Ne duam të kapin komunizmin përmes letrave që ka lënë ai sistem. Për mua ky është gabimi më i madh në këto 30 vjet, sepse jemi rrotulluar rreth vetes. Kjo nuk na ka lënë që të shikojmë se çfarë përfaqëson në thelbin e vet ky sistem. Këtu vijmë në gabimin e dytë, kur lexuesit keqkuptohen për Sigurimin e Shtetit. Unë nuk do të arrija të gjykoja dhe të jepja mesazhe legale përmes instrumenteve jo legale të pushtetit, aq më tepër të një diktature.
Diktaturat janë pushtetet legale nga pikëpamja ligjore, formale. Problemet në diktaturë nuk vijnë nga letrat apo ajo çfarë ata kanë lënë, por ajo që ka ndodhur prapa. Këtu kam marrë spunton për të bërë narracionin tim dhe për të thënë, sipas meje, sesi funksiononte zembereku i atij sistemi që e kurdisnin të gjithë qytetarët shqiptarë, përmes një manipulimi që ai u bënte mendjeve të thjeshta njerëzore, duke i bërë shqiptarët të besonin se ishin bashkë-aksionerë në pushtet. Aksionet ishin letrat. Ata besonin se duke çuar letra, mekanizmi do të funksiononte më mirë dhe do të bëhej i përsosur. Këtu qëndronte i gjithë kurthi, sepse sistemi i nxiste njerëzit që ta bënin këtë gjë duke shpresuar se po i jepnin mend sistemit, në fakt po zbulonin veten e tyre.
Në Shqipëri, përveçse kemi rënë në kurthin që duam ta shpjegojmë komunizmin përmes letrave që ka lënë, është edhe fakti tjetër që atë sistem e kanë gjykuar përmes librave, ose ata që e kanë drejtuar, ose që kanë qenë shërbëtorët e sistemit, ose fëmijët e baballarëve. Për mua është defekti që kemi pasur në këta 30 vjet. Por ka një shpjegim të dhimbshëm. Ai sistem e bëri pjesën e djathtë të shoqërisë, të familjeve të mëdha, pjesën më të ndritur të kombit që kishin trashëguar deri në Luftën e Dytë Botërore, ta shkatërronte gjenetikisht. Shkatërrimi ka qenë sistematik në dy apo tre breza. Kështu që, nuk besoj se ka ende të djathtë të vërtetë shqiptare që të bëjë një analizë të thelluar nga pikëpamja historike, jo vetëm letrare. E majta do ta mundë të djathtën në Shqipëri, kur ata që kanë qenë bij të baballarëve që drejtuan atë sistem, do të jenë sot ideologët e së djathtës. Kemi ardhur në pikën kur ideologët më të mëdhenj të së djathtës së sotme, janë të së majtës së djeshme. Kjo është ironia e këtij vendi. Shpesh herë atë që nuk e bën dot historia, e bëjnë mediumet e tjera, e bën letërsia dhe arti.
Mesazhi tjetër është se pushtetin e komandojnë gjithmonë ata që nuk duken. Ky është një libër për të treguar se nuk është e vërtetë se femrat nuk e kanë drejtuar ndonjëherë Shqipërinë. Shqipërinë e Enver Hoxhës e ka drejtuar Nexhmije Hoxha. Ky libër është për Nexhmije Hoxhën, është hakmarrja ime e ëmbël, pasi ajo nuk ka pranuar në gjallje që të bënte një libër intervistash me mua. Këtë përmend edhe te libri i fundit para se të vdiste, që i kam kërkuar intervista dhe në mënyrë cinike tregon edhe refuzimin e vet prej Nexhmije. Ashtu siç “Sara ishte një roman për të bukurën femërore, ky është një roman për pjesën tjetër. E keqja nuk është as femërore, as mashkullore.
Tjetër debat që pres për librin dhe nuk është thënë asnjëherë, është se unë e akuzoj Enver Hoxhën në libër se ka zhdukur deklaratën origjinale të Pavarësisë së Shqipërisë, për arsye të manipulimit qenësor dhe thelbësor të historisë në favor të xhaxhait të tij, Hysen Hoxhës, i cili nuk ka qenë firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, veçse i pranishëm. Enver Hoxha ngriti mitin, se pushteti i takonte, pasi familja kishte kontribuuar në themelimin e shtetit shqiptar. Nga një njeri që e ngriti pushtetin e tij mbi një manipulim historik, nuk mund të presësh që nëpërmjet letrave që ai la, të shkruajmë historinë e tij. Nuk mund ta gjykosh një manipulator nëpërmjet letrave të tij legale.
Po ashtu, kam një dedikim për Petro Markon, i cili sipas meje ka qenë shkrimtari i parë shqiptar potencial për të fituar Nobelin. Historia e Nobelit në Shqipëri është goxha e varfër në një pikëpamje dhe goxha interesante. I pari autor i nominuar për këtë Çmim ka qenë At’ Gjergj Fishta, gjë që shpesh herë është mohuar për shkak të historisë së komunizmit, pasi nuk duhej që një fetar, në vendin e vetëm ateist të historisë së njerëzimit, të ishte kaq i iluminuar. Libri është një homazh për të gjithë ata elemente dhe idealistë të talentuar, që kurrë nuk arritën të plotësohen. Gjithmonë, letërsia shqipe, arti dhe kultura shqiptare do të jenë të copëzuara, jo vetëm nga manipulimi në interes të pushtetit dhe ideologjisë së kohës, apo trushpëlarjes kolektive, por për shkak se të talentuarit e vërtetë, me këtë dua të them se ata që u atashuan jo se nuk ishin të talentuar, nuk morën atë që meritonin. Jam munduar t’u kthej një borxh sado minimalist, ashtu si jam munduar t’i kthej një borxh historisë së të majtës shqiptare, e cila nuk fillon dhe mbaron me Enver Hoxhën. Përkundrazi, ai s’ka lidhje fare me të majtën nga pikëpamja e ideologjisë. Aty ka disa grimcash fillesash, për një pjesë të të majtëve të vërtetë idealistë.
Klementin Mile: Cilës kulturë i shërben ky libër? Mund të ketë shumë linja, por mendoj se mund ta vendosim në funksion të njërës, nuk e di si mund ta emërtojmë…
Libri i shërben kulturës së kujtesës. Ne jemi një popull me kujtesë të shkurtër. Pas pjesës jemi të gjithë bashkëfajtorë dhe të gjithë bashkëvuajtjes, ne vijmë te pjesa ku pas 30 vitesh askush nuk është penduar për atë që ka bërë, askush nuk është gjykuar, askush është dënuar. Nuk jam për dënimin për hir të dënimit, pasi edhe Nurenbergu ishte më tepër simbolik, me numrin e atyre që u dënuan, në raport me masën e krimeve të përbindshme. Në Shqipëri na mungon edhe kjo simbolikë. Duhet të ngrihet kultura që për gjithçka që bëhet ka edhe një ndëshkim. Ushqyer edhe nga mungesa e kujtesës kolektive, vijmë te momenti kur p.sh një parti i ngritur në emër të anti-komunizmit, kujtohet pas 30 vitesh të bëjë një Sekretariat për të Persekutuarit, ndërkohë që ky proces duhet të ishte mbyllur. Vlerën e librit do ta tregojë koha, sepse ndonjëherë kanë fatin e njerëzve, mund të mbijetojnë ose jo. Gjykoj se kemi shumë nevojë poër këtë pjesë të kulturës së kujtesës dhe për të shkuar përtej asaj që është parë deri më sot. Kultura e dyshimit, e ngritjes gjithmonë të pikëpyetjeve, kur është përballë pushtetit. Kjo ka të bëjë edhe me luftën kundër kulturës së manipulimit, kulturë e cila gjendet në themelet e çdo pushteti. Duket sikur kultura e dosierëve është përmbyllur, po tejkalohet bashkë me një brez që duket sikur nuk rri dot pa u ushqyer me atë lloj gjëje dhe kemi vitet e fundit një qasje tjetër, kur ajo epokë, ajo periudhë vjen përmes anëve artistike, kam parasysh koncerte apo ekspozita që bëhen në vilën e diktatorit apo romane artistike. Mungon një cikël mediumesh, që mund të shndërrohen më pas edhe në filma artistikë apo seriale, ku të tregohet përmes zhanreve më masive një mesazh, që është i vështirë të merret përmes leximit, aq më tepër që jetojmë në një kohë ku fatkeqësisht njerëzit nuk kanë raportin e tyre më të mirë me këtë pjesë.
Belina Budini: Në pritje të një libri që keni për periudhën aktuale, duke u nisur nga një koncept që ju keni në këtë libër, që është qendra okulte, a shikoni një lloj aktualizimi të kësaj qendre sekrete edhe në politikën aktuale, edhe duke e lidhur me diskutimet e fundit në hapësirën publike. Koncepti që keni përdorur në “Enveriada”, a do t’ju shërbejë për një lexim të zhvillimeve politike aktuale? Ekziston qendra sekrete dhe a e shikoni të lidhur me emërime, me mënyrën sesi sot ushtrohet pushtet në rrugë të fshehta?
Sot ju jap lajmin se romani i tretë do të jetë një autobiografi politike. Në fund të romanit “Enveriada” unë e kam hapur këtë lojë për ta vijuar më tej. Aty përmendet ajo që unë e quaj institucioni i listave. Produkti më unik i qendrës sekrete ishin listat, përmes të cilave ky sistem i qendrave sekrete përpilonte udhëheqësit e së ardhmes në të gjitha fushate e vendit. Citoj bashkëshorten e një ish-presidenti amerikan, që thotë se “asgjë në politikë nuk ndodh rastësisht. Edhe nëse ndodh ju mund të vini bast për të kundërtën dhe do ta fitoni”.
Unë nuk jam konspiracionist dhe nuk i besoj teoritë e tilla. Besoj te realiteti dhe shkenca. Kjo nuk më heq të drejtën që unë të kem një qasjen time dhe një shpjegim origjinal, në lidhje me këtë tezë që do ta shtjelloj në romanin e tretë. Gjithmonë kam shkuar drejt dimensioneve të tjera duke e sfiduar veten, në gjëra që deri dje, ndoshta e dija që i zotëroja, por nuk e kisha dhënë provën konkrete, produktin konkret, të cilin e kam përgatitur. Kjo është pjesa që unë i shfrytëzoj lirisë, për të kontribuuar modestisht, jo për të dhënë lajme gazetareske në një aktivitet letrar. Do të isha totalisht i mangët, nëse nuk do të kisha hyrë në politikë, për ta njohur sistemin nga brenda. Sa isha gazetar, drejtues shumë i suksesshëm i debateve televizive, por edhe analist. Mendoja se dija gjithçka në këtë lëmë, ushqyer edhe me shikimin e debateve politike televizive italiane, CNN, BBC, apo lexime në fushën e politologjisë apo letërsisë dokumentare, prapë kur hyra brenda kuptova se nuk dija asgjë. Por nuk është se hyra aty dhe u ndriçova dhe tani jam një njeri tjetër. Efekti i politikës është se i ka harmonizuar teorinë me politikën, duke më bërë alkiminë e mendimit, duke hequr gjërat e tepërta dhe duke shkuar drejt produktit të pastër si mendim.
Ermir Nika: A të ka prekur auto-censura?
Absolutisht jo. Letërsia më shpëtoi, edhe nga politika, për të vërteta që nuk i thua dot. Nuk është se unë jam i censuruar. Kur dal atje si analist, mbroj idetë që i besoj vërtet, nuk shtirem. Ato që nuk i besoj, nuk i them. Auto-censura është deri te pjesa për të qenë politikisht korrekt, brenda një loje kolektive, që luhet me disa rregulla. Derisa luaj futboll, do t’u përgjigjem disa rregullave që topi nuk kapet me dorë. Unë nuk e kap topin me dorë në politikë, por kjo nuk më heq të drejtën e lojës. Të vërtetat që jepen përmes letërsisë janë të vërteta aq të mëdha sa nuk ka pasur kurrë mundësi kush t’i thotë në fushat që operon. Është aq magjike liria në letërsi, aq sa i bën edhe njerëzit më të pushtetshëm të kenë zili shkrimtarët. Zilia e Enver Hoxhës për Ismail Kadarenë, është e njohur. Edhe liderë të periudhave të tjera janë po aq xheloz për letërsinë e të tjerëve. Berisha ka thënë, “nëse s’do të bëhesha mjek do të bëhesha shkrimtar.” Në mënyrë frojdiste, ti mendon se ai ka xhelozi ndaj autorëve. Pushteti më i madh nuk është ai i përkohshmi që kanë liderët, pushteti më i madh dhe i përjetshëm është pushteti i fjalës.
Klementin Mile: Në “Enveriada” ju keni skemën “paraardhësi, pasardhësi, udhëheqësi i ri”. Kjo gjen veprim vetëm në sisteme të tilla si diktatura, apo edhe në demokraci problematike apo të reja siç quhet kjo e jona, apo në ato të konsoliduara?
Ne e kemi shembullin. Saliu e ka emëruar pasardhësin dhe ky është një eksperiment i dështuar. Po të isha këshilltari i tij nuk do t’ia rekomandoja. Gjëja e parë që bëri Ramiz Alia kur u ndërrua sistemi, ishte që futi në burg Nexhmije Hoxhën. Kështu që, historia do të përsëritet. Ekziston edhe në demokraci, por për mua është një eksperiment i dështuar. Mund të funksiononte në diktaturë, sepse atje mekanizmat funksionojnë ndryshe nga ato në demokraci. Për mua, krahasimet kanë vlerë në sisteme të njëjta.