Bujar Kapexhiu: Mos e braktisni librin, shoku më i mirë në jetë!
Bujar Kapexhiu: Mos e braktisni librin, shoku më i mirë në jetë!
Sot, një ditë e shënuar për të gjithë ne që jemi mbledhur këtu në mjedisin e këtij Universiteti. Ditë e shënuar për ju që përfunduat studimet dhe ballëhapur, krenarë me ëndrra për të ardhmen. Do të bëni hapat e parë në jetë si profesionistë. Natyrisht kjo ditë është e shënuar edhe për ne këtu në podium, ose më saktë edhe për mua që në këtë çast po ju drejtohem me disa fjalë të ndjera, të sinqerta e të vërteta. Që sot, në CV-të tuaja ju do shënoni germat që plotësojnë frazën “Përfundova studimet në Universitetin Europian të Tiranës”. Dhe unë në memorien e jetës sime do të shënoj “Një fjalim përshëndetjeje për studentët e Universitetit Europian”. Për të mos harruar dhe diçka tjetër të rëndësishme, që në këtë përshëndetje kanë racionin e tyre të lëvdatave edhe pedagogët dhe personeli administrativ i këtij universiteti, se të gjithë së bashku e mbyllëm me sukses këtë periudhë studimesh. Unë në këtë çast kam kënaqësinë, emocionin dhe vështirësinë se me pak fjalë më duhet të përmbledh disa çaste të jetës sime studentore, më pas pedagogjike e sot si një njeri, person i lirë që i ka mbaruar të gjitha detyrat, si pensionist. Më kujtohet në këtë çast një miku im, avokat i njohur, që për herë të parë po çonte djalin e tij 6-vjeçar në klasë të parë.
Në hyrje të shkollës me djalin për dore takoi drejtorin e shkollës, pasi e përshëndeti u kthye nga djali dhe i tha: “Biri im, ky është drejtori i shkollës dhe vëre vëth në vesh, sot që je 6 vjeç e deri në 65 vjeç, tërë jetën tënde do të kesh mbi kokë një drejtor”, e kështu dhe unë… kam kaluar tërë jetën time me një drejtor, edhe kur kam qenë vetë drejtor kisha mbi kokë një superdrejtor dhe më në fund dola në pension dhe thashë, shpëtova nga drejtorët. Por jo nuk qe e thënë, mbas daljes në pension m’u shtuan dhe 10 vite të tjera me Henri Çilin mbi kokë. Dhe ja në çastin që mendova se shpëtova nga drejtorët, Henri më thotë: “Sot të lutem do të bësh një fjalim përshëndetjeje”.
Pak më lart thashë, mbi kokë, por e sakta është se Çili është dhe në mendje, është dhe në zemër, por edhe në një vend të rëndësishëm, në bordero ku unë vë firmën. Dhe pranova. E thashë tërë këtë se edhe ju në jetën tuaj që do të filloni punë në sektorë të ndryshëm, me siguri do të keni një epror, e unë në këto pak fjalë nuk dua t’ju shpjegoj e t’ju këshilloj se si ju do të silleni me eprorët, por ju them, fitojeni respektin e tyre jo me peqe e lepe dhe me servilizëm, por me punë, ndershmëri, sinqeritet e dinjitet. Ndoshta ndonjëri nga ju mund të jetë që në fillim epror dhe si i tillë fitoni respektin e vartësve me dashamirësinë, urtësinë, mençurinë dhe respektin për ta.
Meqë e nisa si këshillë, po e vazhdoj dhe me një tjetër. Mos e braktisni librin, shoku më i mirë në jetë! Vazhdoni të kualifikoheni se kështu do të fitoni respektin e eprorëve, për ata që do të jenë tërë jetën vartës dhe për ata që në një ditë do të jenë eprorë, të mos heqin dorë nga libri, që të jenë të respektuar nga vartësit. E përmenda librin, sepse natyrisht nuk mund të kuptohet fjala student apo universitet pa libër. Por ka edhe raste dhe jo të pakta, që fjala student dhe libër përjashtojnë njëri-tjetrin, nga eksperienca ime në universitet.
Në klasë. Fillim leksioni, në bankat e para të ulura në përgjithësi vajzat, me libra dhe me fletore shënimesh që vazhdimisht shkruajnë gjatë leksionit. Djemtë, edhe kjo në përgjithësi, në leksion me duar në xhepa. Pa libra, pa fletore shënimesh. Dhe unë u thosha studentëve: A e dini përse vajzat kanë libra dhe fletore? Sepse ato kanë çanta. Dhe është e rrallë të shikosh një djalë me çantë. E pazakontë. E megjithatë edhe pa çanta, djemtë e mbarojnë shkollën dhe me sukses. Duke hedhur vështrimin te ju, më kujtohet jeta ime studentore, pasioni im për artin, për teatrin dhe për pikturën dhe kundërshtinë e prindërve të mi, të cilët donin që unë të vazhdoja studimet për inxhinier. Duhet të dini që para 60 vjetësh degët më të preferuara ishin Inxhinieria dhe Mjekësia.
E megjithatë ikja ime klandestine nga inxhinieria, që e mbarova një vit në shkollën e lartë, për aktor, bëri që sot të jem ky, punonjës arti. Nuk kishim veshje të tillë kur mbaruam studimet dhe më vjen keq që edhe unë nuk kam pasur fatin të hedh kapelën në ajër… Dhe kjo hedhje sot ju duket sikur thoni ik se na plase, 3 vjet… por jo, do të vijë dita ta kujtoni se sa i çmuar është ky çast, sa me vlerë është ky send i vogël, që më vonë do t’ju marrë me vete të fluturoni bashkë me të në kujtimet e kësaj kohe më të bukur, të jetës suaj. Kam punuar me shumë pasion si student dhe më pas në jetë, deri sa kam arritur këtu. Më tej si pedagog në Universitetin e Arteve, krijues nëpër filma, përsëri studime për pikturë dhe sot akoma nuk e kam braktisur penën, çdo ditë një karikaturë.
Mendova një kohë të largohem nga pedagogjia e të jem i lirë për t’u marrë me krijimtari artistike. U shkëputa nga Universiteti i Arteve dhe pikërisht në momentin që e ndjeva veten të lirë me krijimtari artistike … një telefonatë, Henri Çili … “Bujar, të dua pedagog në Universitetin Europian të Tiranës!”… Hë… Ç’të bëja? Kjo thirrje në telefon, kjo ftesë që njëlloj sikur je në kokërr të gjumit dhe vjen e të zgjon dikush … Çohu! Uff… e çfarë thuhet në atë çast? Secili nga ju thotë tekstin e vet… E pra dhe unë thashë tekstin tim dhe pranova të jem pedagog në Universitetin Europian. Kemi bërë shumë punë, shumë gjëra të bukura, për herë të parë hapëm një degë shumë interesante, Komunikim-Dizajn dhe mesa duket kjo pati këmbën e mbarë dhe sot është Fakulteti i Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale.
E për këtë fillimisht falënderoj z. Henri Çili që më “zgjoi nga gjumi” dhe gjithë miqtë e mi pedagogë që së bashku punuam në këto 10 vite. Ja pra sot ju po ikni, ne po ju përcjellim me gëzim dhe emocion, me urimin jetë të gjatë, punë të mbarë e çaste të lumtura në jetë. Të gjithëve mbarësi!