Brezi i 16-të i të diplomuarve, në 18 vite/ Rreth 400 studentë përfundojnë ciklin e studimeve bachelor
Treqind e tetëdhjetë e dy studentë fluturuan kapelat në ajër, duke përmbyllur ciklin e studimeve bachelor. Një rrugëtim që finalizohet për brezin e 16-të të diplomuarve, në 18 vitet e UET. Në këtë ditë të veçantë për studentët e pesë fakulteteve, por edhe për drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës, dekanët e të ftuarit specialë, nuk munguan urimet dhe përgëzimet për punën e palodhur, por edhe këshillat e fjalët inspiruese për të mos u ndalur.
Mbledhje brezash dhe larmi emocionesh. Si rrallë herë, Amfiteatri i Tiranës gjalloi nga buzëqeshjet, lotët e gëzimit, brohoritmat e lirisë, përqafimet e familjeve dhe të dashurve. Të porsalindur, fëmijë, të rinj, prindër e gjyshër u bënë dëshmitarë të një ngjarje të veçantë në jetën e çdo njeriu: diplomimi. Rreth 400 studentë, nga pesë fakultetet e Universitetit Europian të Tiranës, kremtuan mbrëmjen e 4 korrikut mbylljen e studimeve në ciklin bachelor.
Ky është brezi i 16-të i të diplomuarve në këtë universitet, në 18 vitet e jetës së tij. Shumë gjëra kanë ndryshuar nga brezi i parë i 2009-ës, si: shtimi i fakulteteve nga tre në pesë; shtimi apo sintetizimi i programeve e profileve në përshtatje me ndryshimet e tregut të punës; ndërkombëtarizimi dhe rritja e bashkëpunimeve brenda dhe jashtë vendit. UET është i pari universitet në Shqipëri që mori akreditimin ndërkombëtar në vitin 2022 nga Agjencia Britanike e Cilësisë (QAA).
Jo vetëm për të diplomuarit, por edhe për drejtuesit e universitetit, dekanët e pedagogët, kjo ngjarje u kremtua me emocione, pasi mbyllet një rrugëtim tre vjeçar e hapen dyer të reja, të ndjekura nga krenaria dhe dashamirësia.
President i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa i quajti të sapo diplomuarit profesionistë të fushave që kanë zgjedhur për të bërë karrierë. Pavarësisht dinamikave të tregut dhe shoqërisë, Xhepa u shpreh se eksperienca ka treguar se diploma e UET është një status i respektuar.
“Zhvillimet që po ndodhin në botën e sotme kurrë nuk kanë qenë kaq dinamike, të shpejta dhe komplekse. Si të tilla, rreziqet janë të mëdha, por dhe mundësitë dhe shanset tuaja për realizim janë të jashtëzakonshme. …Diploma e UET është një status i respektuar në tregun e punës dhe, siç është dëshmuar nga eksperiencat e ish-paraardhësve tuaj, ata kanë zhvilluar karriera nga më të suksesshmet jo vetëm në institucionet publike e private brenda vendit, por edhe në korporata dhe organizata ndërkombëtare dhe në institucione të reputacionit botëror.”
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ndau momente nga jeta e vet në rrugën e dijes e të arsimimit. “E ardhmja që keni përpara nuk do të jetë e thjeshtë, e sheshtë, rozë”, iu drejtua ajo studentëve, duke i këshilluar që në jetë të ndjekin yllin e tyre, sepse vetëm ashtu do të ndjehen të plotësuar e do të gjejnë suksesin.
“Vetëm duke dhënë më tepër, do të ndizeni, do të ndriçoheni, do të digjeni, do të shkëlqeni. Për të luftuar korrupsionin, thonë se SPAK ndjek paratë. Për ta begatuar Shqipërinë, ti ndiq yllin. Ndiq yllin dhe bota është e jotja!”
E ftuar nderi në këtë ceremoni ishte rektorja e Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare Romë, prof. Mariagrazia Russo, e cila e cilësoi një moment historik jo vetëm për studentët po për të gjithë pedagogët.
“Ajo që ne festojmë sot këtu është padyshim një moment historik për ju, por është gjithashtu një moment historik për të gjithë stafin në universitetin tuaj, si dhe për të afërmit dhe miqtë tuaj: të gjithë së bashku keni fituar, të gjithë së bashku e keni arritur këtë qëllim, këtë moment historik është arritur kolektivisht nga të gjithë ju.”
Pas një rrugëtimi 18-vjeçar në këtë universitet, prof. dr. Tonin Gjuraj, tashmë i zgjedhur si rektor i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, mbajti fjalimin e tij të fundit si rektor i UET. Një udhëtim të jashtëzakonshëm e quajti Gjuraj, që filloi me themelimin e universitetit ku ka mbajtur tre mandate si rektor e zv. rektor.
“Sot, pas 18 vitesh, më intensivet në jetën time, në këtë universitet, ndjej një grusht emocionesh të ndryshme teksa flas para jush, për herë të fundit, si rektori juaj. Kemi arritur bashkë të kryejmë këtë udhëtim rritës të UET, i cili ka qenë shpesh frymëzues edhe për institucione të tjera simotra.”
Prof. dr. Drita Kruja, në fjalën e parë zyrtare tashmë si rektorja e re e Universitetit Europian të Tiranës theksoi se ky universitet vendos gjithmonë në qendër studentin.
“Në Universitetin Europian të Tiranës, kemi vendosur gjithmonë studentin në qendër të çdo gjëje që bëjmë. Besojmë se suksesi i vërtetë arrihet kur çdo student ndihet i vlerësuar, i mbështetur dhe i inkurajuar për të ndjekur pasionet e tij apo të saj. Kjo qasje na ka udhëhequr në krijimin e një mjedisi ku studentët kanë mundësi të zhvillohen akademikisht, profesionalisht dhe personalisht.”
Kurorëzimi i këtij çasti të madh u përmbyll me fjalët përshëndetëse të pesë dekaneve, të cilat sipas fakulteteve thirrën të diplomuarit e tyre. Treqind e tetëdhjetë e dy emra jehuan në Amfiteatër, e treqind e tetëdhjetë e dy kapele hapën rrugën e sukseseve të reja.