Shkolla e Humaniteteve/ Vijon tradita e UET dhe World Vision Albania
Nga Llogaraja në praninë e njerëzve të letrave dhe të mediave, por edhe pedagogëve të tij, Universiteti Europian i Tiranës rinisin shkollat sezonale duke e filluar me Fakultetin e Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale
Tashmë UET e ka kthyer organizimin e shkollave sezonale në një traditë të mirëfilltë. Ashtu si në universitetet perëndimore, shkollat sezonale organizohen prej disa vitesh edhe në Universitetin Europian të Tiranës duke patur si pjesëmarrës maturantë nga e gjithë Shqipëria.
Organizimet tre-katër ditore që mbahen në një ambient jashtë Tirane ofrojnë ndër të tjera leksione me të ftuar pedagogët më në zë të fushës apo personalitete me emër që ndajnë me të rinjtë eksperienën dhe këndvështrimet e tyre origjinale mbi temat e trajtuara.
Që prej ditës së djeshme, pedagogë e maturantë u nisën drejt Llogarasë, ku e nisën me shkollën e parë atë të Humaniteteve. Të pranishëm në këtë takim tre ditor përveç profesorëve të UET ishin edhe figura të njohura të ekranit, por gjithashtu edhe fitues ndër vite të “Çmimit Kadare”.
I gjithë qëllimi është që rreth 50 maturantë nga e gjithë Shqipëria të mësojnë se si Shkencat Humane mund të ndikojnë si opsion për zgjedhjen e karrierës që ata duan të vazhdojnë. Gjatë leksionit tre ditor ata do të njihen me aspekte të ndryshme nga filozofia e jetës, tek edukimi, komunikimi si dhe artet dhe sportet.
I pari që e hapi diskutimin ishte administratori i UET, Tildi Çadri i cili iu uroi mirëseardhjen të gjithë maturantëve.
E më pas Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, Prof.Asoc.Dr. Belina Budini iu prezantoi maturantëve por edhe të pranishëve temën “Si ta krijojmë të ardhmen”. Ndërsa në cilësinë e saj si pedagoge, Budini foli gjerë e gjatë për komunikimin: si të komunikosh me instrumentat e duhura; komunikimi profesional përmes mediave sociale dhe rrugët e marketingut, PR-it dhe biznesit të lidhura me komunikimin.
Dita e shtunë do të jetë pak me e ngjeshur me referime të tjera ku tema interesante i presin maturantët, si lidershpi, apo karriera.
Dr. Klementin Mile do të flasë rreth: diferenca Lider-Lidership, “veset” e liderit, si dhe teknika të lidershpirt që garantojnë sukses.
Ndërsa më pas moderatorja e njohur, Ori Nebiaj dhe gazetari Artur Zheji do të bëjnë një bashkëbisedim mbi rrugëtimin e tyre në media. Dr. Irena Myzeqari, pedagoge e UET ka zgjedhur që të flasë për aftësistë e të folurit në publik.
Ndërsa të pranishëm do të jenë edhe fituesi i edicionit të parë të Çmimit Kadare, Rudolf Marku, po ashtu edhe Loer Kume, si dhe fituesi i këtij edicioni Gani Mehmetaj që po ashtu do të bëjnë një bashkëbisedim më maturantët dhe jo vetëm.
Dhe radhën e kanë pedagogët e Artit dhe Sportit në UET, Igli Zerka dhe Gert Metani të cilët do të flasin rreth sipërmarrjes në industritë kulturore, të edukimit, komunikimit apo të sportit, plani i biznesit dhe marketingut etj.
Po ashtu pedagogët Irena Myzeqari, Suela Laskaj dhe Hemeraldi Agolli do të mentorojnë punën e maturantëve me temë “Përgatitja dhe prezantimi i një aplikimi për në universitet”.
Ditën e dielë Dr. Elsida Sinaj do të orientojë maturantët nëpërmjet leksioneve të saj drejt karrierës, ku do të flasë rreth, punës, profesionit, karrierës, burimet e punësimit etj.
Prof. Asoc. Dr. Belina Budini së bashku me kolegët e saj do të orientojnë në karrierë për shkencat humane 50 maturantët nga i gjithë vendi.
Pasi të prezantojnë pesë punimet më të mira të tyret, maturantët do të marrin disa çertifikata si dhe do të bëhet shpërndarja e bursës së ekselencës “World Vision”.
Po ashtu studentët e ardhshëm do të kenë mundësinë që të vizitojnë monumentet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Dhërmiut, apo Himarës.
Humanitetet, zgjedhja ideale e studimeve në shoqërinë e sotme
Humanitetet janë disiplinat akademike që kërkojnë të kuptojnë dhe interpretojnë eksperiencën njerëzore, që nga individi tek kulturat në tërësi, duke u angazhuar në eksplorimin, ruajtjen dhe komunikimit të të shkuarës dhe të tashmes, për të mundësuar një kuptim më “në thellësi” të shoqërisë së sotme. Shkencat Humane janë një pjesë e domosdoshme e çdo hapësire universitare pa të cilat nuk mund të kuptohet madje as formimi i profesionistëve të degëve praktike. Programet e studimit në shkencat humane janë të vlefshme për të themeluar dije të qëndrueshme dhe diploma tejet praktike. Në të kundërt nga shkencat ekzakte, shkencat humane janë studime që përdorin metoda subjektive dhe racionale për të hetuar botën njerëzore. Mjetet hulumtuese që përdorin ato, nuk janë eksperimente të kontrolluara dhe matje të sakta; por janë analiza racionale, depërtim emocional dhe imagjinatë. Gjithashtu, degët në humanitete janë esenciale për një shoqëri në elaborim e në këtë kontekst në veçanti për shoqërinë shqiptare.
Në kushtet kur studentët priren të zgjedhin degë të tilla si biznesi, informatika dhe deri tek inxhinieritë, që e kanë të garantuar kontingjentin e studentëve, ofrimi i studimeve në shkenca humane përbën një sfidë për sa i përket zgjimit të interesit dhe tërheqjes drejt edukimit human, krijues dhe artistik. Mirëpo u takon mjediseve universitare ta ruajnë dhe ta kultivojnë interesin për këto drejtime studimi, duke i përshtatur ato me kohën. Në përgjigje të kësaj sfide, Universiteti Europian i Tiranës ka riformatuar këto programe studimi duke ofruar për herë të gamën e plotë të humaniteteve si dhe njëkohësisht profile të tilla studimi si Shkrim Krijues apo Filozofi Politike, Histori dhe Kritikë Arti apo gjuhët e huaja të lidhura me studimet bazë në linguistikë, duke synuar aplikueshmërinë e tyre në proceset krijuese, ato politike dhe të kritikës letrare apo të përkthimit dhe editimit, si edhe të menaxhimit dhe vlerësimit të projekteve për secilin prej këtyre drejtimeve.
Të gjitha këto janë jo thjesht mundësi studimi, por edhe pjesë të industrive dhe kërkesave të tregut për ekspertë në këto drejtime që nga mediat dhe entet botuese deri te partitë politike dhe organizatat jofitimprurëse, apo mjediset artistike dhe krijuese.
Studimi në humanitete përforcon shumë aftësi tek studentët, u mëson atyre si të analizojnë njerëzit dhe apo një situatë të caktuar si dhe të argumentojnë mendimet e tyre, ndërkohë që i aftëson ata të strukturojnë dhe artikulojnë idetë që nga ato më të thjeshtat tek ato më të komplikuarat. Tregu i punës në ditët e sotme ka treguar se ka po aq vende për të diplomuarit e Shkencave Humane, sa ka për të diplomuarit e IT-së dhe Ekonomisë. Duke studiuar në programet e shkencave humane, mësohet se si të zhvillohet një ide dhe si të merresh drejtpërdrejtë me njerëzit. Avantazhet e këtyre studimeve qëndrojnë edhe në faktin se në këtë mënyrë formësohet individi në tërësinë e tij, veçanërisht sa u përket njohurive kulturore. Studimet e humaniteteve vënë më në pah aftësitë dhe inteligjencën emocionale, të cilat sot janë një domosdoshmëri në tregun e punës, aq më tepër për pozicionet drejtuese.
Ndërkohë humanitetet janë të lidhura pazgjidhshmërisht edhe me teknologjinë dhe inteligjencën artificiale, pa të cilat zhvillimi konstant është tashmë thuajse i pamundur.
Është e vërtetë se zhvillimi i inteligjencës artificiale është i varur nga inxhinieria dhe shkencat ekzakte, por për të krijuar një produkt që do të jetë një pikë e parë e kontaktit me klientët, arti dhe kreativiteti, dhe komunikimi – janë po aq të rëndësishme. Në mënyrë që teknologjia të bëhet pjesë e botës por njëkohësisht edhe zhvillimi të vijojë, “prekja njerëzore” është e domosdoshme në pikëpamjen e krijimit të një personaliteti, vlerave të markave të kompanive dhe mesazhin, në mënyrë që të jepet me të vërtetë një përvojë autentike për klientët. Gjuha dhe komunikimi do të jenë gurët e themelit të inteligjencës artificiale në të ardhmen.
Ndërsa i afrohemi një të ardhmeje ku zhvillimet e mëtejshme teknologjike do të integrohen më shumë brenda shoqërisë sonë, ne duhet të vazhdojmë të sigurojmë që komunikimi të jetë një faktor lëvizës në zhvillimin teknologjik, dhe në thelb të kësaj qëndron një bazë humane, që çon të gjithë procesin në sukses. Bota po bëhet më shumë “inteligjente” dhe me këtë vjen përgjegjësi e madhe për zhvillimin e moralit dhe etikës përkrah makinerive. Për ta bërë këtë, shoqërisë nuk i nevojitet vetëm një “fluks” të diplomuarish në shkenca ekzakte, teknologji apo biznes por njëkohësisht edhe të diplomuar në arte dhe shkencat humane. Duke qenë të vetëdijshëm për ndikimin që tekonologjia do ta ketë në botë, çështjet komplekse që lidhen me integrimin e saj në shoqërinë njerëzore, procese si marrja e vendimeve etike, janë me të vërtetë e rëndësishme për t’u zotëruar.
Pse shkollat sezonale janë kaq të rëndësishme
Zhvillimet e ditëve sotme janë shumë të shpejta dhe përfshijnë një sërë fushash, duke filluar që nga ajo sociale deri tek ajo teknologjike. Në përshtatje me këto ndryshime universitetet ofrojnë tanimë jo thjesht programe standarde studimi por janë në tentativë të përhershme që të ecin krah për krah me inovacionin.
Prej kohësh universitet perëndimore kanë vënë në zbatim një praktikë mjaft kreative siç është zhvillimi i shkollave sezonale për të rinjtë. Këto organizime janë një metodë arsimimi gjithë e më popullore dhe ofrohen nga një numër i konsiderueshëm universitetesh në thuajse gjithë botën. Shumëllojshmëria e asaj që ofrohet nga shkollat sezonale në Evropë apo jashtë saj është e madhe.
Disa programe fokusohen për shembull në një lëndë të caktuar duke zhvilluar dijet për të, me anë të një kursi intensiv kohëzgjatja e të cilit varion nga disa ditë në tetë javë. Sigurisht që metodat janë interaktive dhe argëtuese në mënyrë që procesi i nxënies të jetë sa më i frytshëm për të rinjtë. Këto shkolla vlerësohen për përfitimet e shumta që u ofrojnë pjesëmarrësve duke filluar që nga aspekti akademik por dhe përtej tej tij, tek ai kulturor dhe social.
Përmirësimi i aftësive personale, krijmi i miqësive të reja, zgjerimi i rrjetit të njohjeve, kontakti me pedagogë dhe përfitimi i njohurive të reja si dhe frymëzimi për të ardhmen apo argëtimi janë vetëm disa oportunitet.
Shkolla e Humaniteteve vjen në këtë vit e riformatuar ku, janë bashkuar Ditët Letrare të Razmës dhe Anuarët e Filozofisë, dy aktivitete të cila vijnë të bashkuara pas riformatimit të të Fakultetit të Shkencave Humane Edukimit dhe Arteve Liberale, të cilat më parë zhvilloheshin të ndara. Në javën e parë të janarit organizohej “Anuarët e Filozofisë” ku Departamenti i Shkencave Humane dhe Komunikimit në UET, në bashkëpunim me klubin e filozofisë “Russell” zhvillonte çdo vit konferencën shkencore “Anuarët e Filozofisë”, me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve, maturantëve, studiuesve të filozofisë, gazetarëve, politikanëve, think tank-ve etj. “Anuarët e Filozofisë” prej vitesh zhvillohet në Llogara dhe u mundëson pjesëmarrëve të debatojnë dhe të diskutojnë mbi temën e përcaktuar duke shpalosur edhe pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre. Nga ana tjetër Ditët Letrare të Razmës e cila zhvillohej në gjatë muajit Qershor në Razëm, ku fokusi ishte tek letërsia shqipe, ku gjatë kësaj konference shpallej dhe Çmimi Kadare.