Budini, cikël bisedash me “Tranzicionin” si objekt studimi në UET
Me ndërrimin e epokave, që shënoi pandemia, në të gjitha drejtimet, Tranzicioni rikthehet tanimë me anë të kujtimeve, refleksioneve e rrëfimeve të disa prej protagonistëve më të lartë të politikës shqiptare si ish-Presidentë, ish-Kryeministra e ish-Kryetarë Kuvendi
Tranzicioni në kujtimet, refleksionet e rrëfimet e disa prej protagonistëve më të lartë të politikës shqiptare si ish-Presidentë, ish-Kryeministra e ish-Kryetarë Kuvendi do të jetë cikli më i ri i bisedave që do të zhvillohen në Universitetin Europian të Tiranës.
Modeluar sipas një projekti të ngjashëm të aplikuar në Oxford University me biseda të zgjeruara rreth ngjarjeve dhe zhvillimeve politike konkrete, këto biseda do të shërbejnë si një mënyrë për vetë protagonistët që të tregojnë një epokë të rëndësishme ngjarjesh, të vendosura në perspektivë komunikative. Sipari i këtij forumi publik hapet nesër me të ftuarin e parë, Presidentin e Republikës, Ilir Meta, ndërsa do të vijojë me personalitete të tjera të ftuara nga lista prej 19 emrash që kanë drejtuar institucionet më të larta të vendit. Ky cikël bisedash është konceptuar si një projekt studimi për periudhën e Tranzicionit shqiptar, 30 vjet pas rënies së komunizmit, duke e parë tanimë këtë periudhë si objekt studimi, mjaftueshëm të largët për t’u vrojtuar me objektivitet dhe të përmbyllur tanimë si të tillë, me pandeminë botërore që shënon tanimë një ndërrim epokash në të gjitha drejtimet.
Në rolin e drejtueses së kërkimeve për këtë projekt të rëndësishëm studimor, Prof. As. Dr. Belina Budini ka përgatitur metodologjinë e kërkimit bazuar kryesisht në intervista të strukturuara, me përfshirjen edhe të studentëve të ekselencës së UET. Ky cikël bisedash të moderuara nga Dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, përbën edhe një projekt botimi me qëllim vlerësimin dhe analizimin e periudhës së Tranzicionit demokratik shqiptar. Ai vjen pas përmbylljes me sukses të ciklit të forumeve me gazetarë dhe publicistë, të cilën Budini e finalizoi me publikimin e librit “Ndikuesit/Influencers”, vitin e kaluar, libër i cili u vlerësua edhe me Çmimin Kombëtar të Publicistikës, “At Zef Pllumi” 2019.
Edhe pse për Tranzicionin demokratik është folur shumë, ai është analizuar pak dhe nxehtë. Po kaq të munguara janë edhe refleksionet e vetë protagonistëve për këtë periudhë, ndaj ky cikël bisedash do të shërbejë si një takim reflektiv me ish drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar pas viteve ’90. I ftuari i parë do të jetë presidenti aktual Ilir Meta, i cili i ka ushtruar në fakt edhe të tre funksionet që janë objekt studimi për këtë projekt kërkimor, atë të Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit si edhe Presidentit.
Bisedat konsistojnë në 5 blloqe me nga 5 pyetje tip për secilin nga protagonistët, në formën e një pyetësori të zgjeruar që nis me periudhën e rënies së komunizmit dhe fillimin e karrierës së tyre politike, si një lloj retrospektive, vijon me reflektimet e tyre për këtë periudhë dhe vlerësimet për rrugëtimin e mëtejshëm. Bisedat do të jenë kësisoj një mënyrë për të rikonsideruar se cilat kanë qenë sfidat më të mëdha dhe arritjet më të rëndësishme të institucioneve shqiptare në kontekstin e tranzicionit demokratik. Cilët e kanë përcaktuar trajektoren e zhvillimeve dhe ngjarjeve pas rënies së komunizmit, institucionet apo aktorët? Cili ka qenë burimi i tensioneve institucionale që kanë karakterizuar dhe vijojnë të jenë të pranishme në politikën shqiptare? Si u gjendën protagonistët e këtyre ngjarjeve në periudhën e transformimeve demokratike dhe çfarë domethënie patën ato në nivelin e përjetimit por edhe të reflektimit të mëvonshëm ndaj tyre? Sipas njërit prej autorëve të librit “Drita që u shua, Ivan Krastev, që vlerëson zhvillimet e demokratike në vendet ish-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, pas rënies së Murit të Berlinit të gjithëpranishme ishin tensionet e imitimit demokratik sipas modelit perëndimor, por jo ushtrimi i pushtetit në rrugë demokratike. A ka qenë ky edhe rasti i Shqipërisë? Këto janë disa nga linjat e bisedës, ndërsa do të diskutohen edhe konkretisht shpresat dhe zhgënjimet që erdhën me transformimet e deri tek përfytyrimet për të ardhmen.