Kthimi i tretë i “Vilës me tre porta” të Vera Bekteshit
Panairi i 23-të i Librit solli për lexuesin shqiptar botimin e tretë të romanit autobiografik “Vila me tre porta” të shkrimtares Vera Bekteshi. Në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, me praninë e pedagogëve, shkrimtarëve dhe dashamirësve të autores, u organizua promovimi i këtij botimi, shoqëruar me një diskutim mbi vlerën dhe rëndësinë e letërsisë së kujtesës.
Botimi i tretë, me një kopertinë të re nga Arben Theodhosi, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës i të njëjtit brez, me elementin e flokëve që identifikojnë autoren, si një pikë referimi rreth së cilës zhvillohet dhe vërtitet gjithë historia e jetës së një vajze, e një familjeje, e një klase shoqërore, erdhi si kërkesë e lexuesve, e kërshërisë së tyre për të zbuluar një tjetër dimension real, faktik, të një periudhe sa të dhimbshme, aq edhe të errët dhe me shumë të panjohura. Libri sjell historinë e vërtetë të familjes së gjeneral Sadik Bekteshit, përmes rrëfimit të së bijës, nga jeta në ish-Bllok, internimi dhe më pas liria dhe përpjekja për një rifillim të ri, në një ‘botë’ tashmë të po hidhte themelet mbi të vjetrën.
Drejtuesja e UET Press, Suela Mino theksoi se lexuesi kërkon ta ketë romanin “Vila me tre porta” për shkak të mesazhit që mbart dhe urave të komunikimit që autorja ndërton me lexuesin, teksa e cilësoi këtë libër si një himn mbi jetën.
“Jemi në situatë që “Vila me tre porta” botohet për herë të tretë, sepse kërkohet, se lexuesi do ta ketë, por besoj se edhe në rrafshe të tjera që janë të rëndësishme në leximin e tekstit dhe të mesazhit që mbart dhe të urave të komunikimit që ndërton libri, autori me lexuesin. Gjithë teksti, gjithë rrëfimi mbetet himn për jetën. Fuqia për të tejkaluar gjithë atë mjedis, atë zymtësi dhe për të bërë art, është një fuqi që e veçon dhe besoj përkufizon edhe marrëdhënien solide të këtij libri me lexuesin shqiptar”, u shpreh Mino.
Ndërsa shkrimtari Loer Kume, fituesi i “Çmimit Kadare” solli në vëmendje edhe botime të tjera të autores, siç ishte edhe “Grupi Bella Ciao”, i vlerësuar me çmimin “Libri i Karantinës”. Kume vlerësoi kontributin e librave të autores dhe dimensionet e reja që sjell për letërsinë shqiptare.
Të zbulosh të mirën mes të keqes
Romani “Vila me tre porta” vjen pas botimit të romanit “Vila me dy porta” në vitin 2014, ku autorja sillte dy portat e jetës së saj, atë të para internimit dhe më pas internimin, apo siç edhe i ka quajtur, parajsa dhe ferri. Më pas, Bekteshi vendosi që t’i shtojë këtij romani portën e tretë, për ta plotësuar dhe përmbyllur në një cikël jetësor, që tashmë vazhdon si një purgator, në përpjekjen për të gjetur jetën e re dhe për të ‘rehabilituar’ e shëruar veten nga gjithë fatkeqësia e jetuar.
Mes të pranishmëve, Bekteshi ndau momente nga procesi i përpunimit të këtij romani, duke zbuluar edhe arsyen pse vendosi që ta botojë pas 20 vitesh që kishte dalë nga internimi. Një rikthim në kohë, një rijetim i dytë përmes kujtimeve dhe memorizimeve të atyre viteve, shoqëruar me një katarsis dhe çlirim të fortë, që dukej se ishte mbajtur brenda për vite të tëra.
“Në momentet që vendosa të shkruaj, ulesha në kompjuter dhe më vinin të gjitha mendimet, madje më vinin edhe aromat e fshatit. Për të shkruajtur e pata shumë të vështirë emocionalisht. Duke shkruar unë qaja pa pushim. Aty e zëvendësova vuajtjen, sepse në internim nuk e kisha ndjerë aq. Gjatë shkrimit qava dhe u çlirova. Librin e botova gati 20 vjet pas internimit, sepse u mbushëm kaq shumë me qarjet e njerëzve dhe nuk ndjehesha mirë kur i dëgjoja. Doja të vija me diçka që të mos i mërziste njerëzit”, tregoi autorja.
Rrëfimi përshkruhet nga ironia dhe grotesku, si mënyrë stilistikore e zgjedhur nga autorja për të treguar gjithë ironinë fatit të familjes dhe kohës. Po pavarësisht përmbysjes së gjithë jetës së ndërtuar deri në periudhën e internimit, vuajtjeve të kaluara pastaj në fshat, mes pamundësive e punëve të rënda, Vera Bekteshi zbulon anën pozitive, të mirën që erdhi prej gjithë te keqes, duke e vulosur tashmë si një shkrimtare të lexuar, të vlerësuar dhe që do të mbetet gjatë në letërsinë shqiptare.
“Internimi më ka vlejtur shumë. Po të mos kishin ndodhur sëmundjet në familje, unë do ta kujtoja si pasuri të madhe këtë gjë, pavarësisht vuajtjeve, privacioneve. Unë kam studiuar fizikë, dhe kam punuar në kërkim, dhe profesionalisht internimi më dëmtoi shumë. Nuk u bëra fizikante e vërtetë, të paktën të bëhem një shkrimtare e mirë.
Përveç kësaj, njoha mirë edhe vendin tim, njoha gratë shqiptare dhe nga fshati kam kuptuar që fshati është një vend grash. Diçka e tillë është edhe në qytet, pavarësisht se ka disa burra yje. Kështu që ajo periudhë më bëri të njoh gruan dhe ta respektoj jashtëzakonisht gruan shqiptare”, rrëfeu Bekteshi.
Mes të tjerash, autorja ndau me të pranishmit edhe planet e saj për sjelljen e një libri të ri, me një tematikë krejt ndryshe, duke hyrë në lëkurën e një të riu, e një të sëmuri mendor, por pa përcjellë shumë detaje, për t’ia lënë gjithçka lexuesit ta zbulojë në fund.
Ilir Yzeiri: Pse romani i Bekteshit do të mbetet në historinë e letërsisë shqiptare
Pedagogu Ilir Yzeiri solli një kritikë mjaft shteruese mbi romanin “Vila me tre porta”, duke zbërthyer me mjaft profesionalizëm dhe kujdes subjektin e këtij romani, vlerën që ai mbart, detajet e fuqishme që të ngjiten dhe mbeten gjatë të momorizuara, aq të forta dhe dramatike janë ngjarjet e jetuara dhe të përjetësuara përmes shkrimit nga dora e autores. Yzeiri kujtoi edhe momentet e njohjes me autoren, për të cilën kishte dëgjuar në vitet ’70, për bukurinë dhe karakterin e saj, të cilat vazhdon t’i ruajë edhe sot me fanatizëm, pavarësisht peshës së ngjarjeve dhe historive jetësore që mban mbi shpatulla.
“Edhe sot, Vera i ka tiparet e asaj kohe, tipari i femrës klasike, e gjate, bionde, mes femrës noridike dhe asaj mesdhetare. Kisha dëgjuar edhe për legjendën urbane, që qarkullonte në vitet ’70, si një nga femrat dinjitoze dhe mendje hapura të Tiranës. Edhe tani, edhe pse ajo nuk i shfaq, ti duhet të përgatitesh të kuptosh se ajo mban mbi shpinë tragjedinë, që edhe nëse dikush do t’i thotë, ti nuk kishe për t’i besuar. Kur e sheh nga afër, duket sikur ka ardhur nga një tokë e errët, e zymtë, mbushur me të gjitha gjërat e kësaj jete, por pa e humbur bardhësinë e fytyrës dhe dritën në vështrim”, tha Yzeiri.
Duke iu referuar “Poetikës” së Aristotelit dhe përkufizimit të tij mbi tragjedinë, pedagogu tha se edhe tragjedia që ndodhi në shoqërinë shqiptare, brenda elitës komuniste, i ngjet tragjedisë aristoteliane, ku konflikti bëhet i fuqishëm kur ndodh brenda gjakut, brenda familjes.
Ai çmoi mjeshtërinë e autores për ta kthyer librin nga një vepër dokumentare në atë letrare, duke riprodhuar ngjarjet reale dhe duke i qëmtuar ato deri në detaje, aq sa tashmë personazhet nuk personifikojnë vetëm veten, por personifikojnë fatin e një klase shoqërore, e një nocioni, e një ideologjie.
“Në pamje të parë duket sikur Vera tregon sagën e familjes së saj, sepse edhe ajo ashtu e quan librin, roman autobiografik, por çfarë të befason në këtë libër është talenti i saj i spikatur për ta kthyer librin nga një vepër dokumentare, autobiografike, në një roman artistik, ku rrëfen jo vetëm fatin e saj dhe të familjes, por fatin e një shoqërie të tërë të zhytur në mjerim, varfëri, krim. Kjo vepër meriton të studiohet në kurse të posaçme, si modeli që prish kufijtë e gjinive letrare.
Autorja tregon me besnikëri, historinë e familjes së saj, ardhjen nga zona e Plavë-Gucisë, ardhja në Tiranë, vendosja në një vilë të shpronësuarish, jeta universitare, shkëlqimi i përkohshëm, dhe pastaj represioni i elitës komuniste. Saga vazhdon me vuajtjen në Berat, burgosja e vëllait, vuajtjet dhe pastaj ardhja në Tiranë, jeta në godinat e kohës, arrestimi sërish i vëllait, rifillimi i jetës dhe shuarja e shpresës për të rilindur.
Nuk është trilli, por narrativë rrëfimtare. Autorja e vendos kamerën tek personazhet dhe e lë atë të tregojë veprimet. Mjeshtëria e saj është se arrin të ritregojë, apo të riprodhojë ngjarjet reale, duke i qëmtuar detajet. Vepra nga letërsi dokumentare kthehet në letërsi artistike dhe personazhet e saj nga njerëz realë me emër dhe mbiemër, kthehen në personazhe të reja që mbajnë mbi shpinë jo vetëm fatin e tyre, por edhe një kohë, një ide, një nocion të caktuar”, nënvizoi Yzeiri.
Pedagogu tha më tej se romani “Vila me tre porta”, është pasqyra më e plotë për një nga periudhat më të vështira të historisë shqiptare, duke dëshmuar fundin e saj në tre aspekte, në atë ekonomik, në atë politik dhe atë shoqëror.
“Përmes fatit të saj dhe familjes, autorja sjell anën më tragjike të socializmit shqiptar. Në rrafshin politik, ajo tregon luftën e egër mes klasave dhe të diktatorit për të qëndruar deri në fund me gjak, madje duke eliminuar edhe bashkëpunëtorët e tij të afërt.
Në rrafshin ekonomik, sjell një pasqyrim të shkartërrimit që pëson ekonomia shqiptare, sidomos në fshat, me kolektizimin që e ktheu popullsinë në skllavëri.
Në anën shoqërore, bekteshi tregon shpërfytyrimin që kishte pësuar shoqëria shqiptare, e cila kishte humbur humanitetin. Ndarja klasore bëri që tjetri të shihej si armik, një copëtim soacila dhe ndjenja që i mbante të lidhur ishte urrejtja. Prandaj nuk pajtohemi dot sot, sepse jemi mbjellë kështu”, u shpreh Yzeiri.
Mbi autoren
Vera Bekteshi u lind dhe u rrit në Tiranë në të ashtuquajturin Bllok të Udhëheqjes, si vajza e njërit prej ushtarakëve të lartë të asaj kohe, ish – drejtues komunist në Shkodër gjatë luftës, Sadik Bekteshit. Mbaroi më 1969 studimet në Degën e Fizikës të Universitetit të Tiranës, po këtu dha mësim si pedagoge deri në spastrimet e mëdha të Enver Hoxhës mbi ushtarakët e lartë në vitin 1974, në kuadrin e të ashtuquajturës Fshesë e Hekurt.
Në këtë kohë vjen divorci i imponuar dhe internimi, humbja e profesionit dhe e të drejtave më elementare, më pas arrestimi i babait dhe vuajtje pa fund. Për gati 16 vjet Vera jetoi e izoluar së bashku me familjen e saj në Kutalli e Vodëz të Beratit në kushtet e diskriminimit shoqëror dhe varfërisë ekstreme. Kjo periudhë e jetës së saj përbën lëndën kryesore të këtij libri. Pas kthimit në Tiranë më 1991 punon përsëri në Institutin Hidrometereologjik. Më 1997 mbrojti doktoraturën.
Panairi i Librit, aktivitetet e UET Press
Në kuadër të ditëve të Panairit të Librit, Universiteti Europian i Tiranës organizon një sërë aktivitetesh, përmes promovimeve të botimeve të reja, por edhe përmes diskutimeve dhe rrahjes së tematikave të ndryshme.
Ditën e parë të hapjes së panairit, u promovua libri i kritikut Josif Papagjoni, “Fjala-Loja-Imazhi – Vramendje mbi Artin shqiptar”, i shoqëruar me një diskutim mbri vlerën e kritikës letrare dhe ndikimi që ka ajo tek lexuesi.
Po ashtu, studentë të Arteve në UET u njohën ditën e premte me tre vepra të rëndësishme, të cilat mbeten një ftesë e vlerë leximi për ta, në formimin si artistë – romani “ Kohë pas Kohe” i autores Lisa Grunëald, sjellë në shqip nga Anisa Trifoni; “Dy Botë paralele” i autores së mirënjohur postmoderiste Ali Smith, përkthyer nga Elisa Ivanaj dhe “Anatomia e Njeriut për artistët” një tekst i jashtëzakonshëm formues për studentët, nga autori John Raynes, sjellë në shqip nga Gejsi Tafa, pedagog pranë departamentit të Arteve në UET. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me shtëpinë Botuese Ombra GVG.
Po ashtu, ditën e shtunë, në orën 12:00, në mjediset e UET-së, do të zhvillohet promovimi i Triptikut me novela të autorit Preç Zogaj, “Hedhja/Bija e vjetër e nënës së re/Kompleksi”, një prurje cilësore e autorit në prozën shqipe.