UET-KPT: projekti i përbashkët për zhvillimin strategjik ’20-’25
Universiteti Europian i Tiranës dhe Kolegji Profesional i Tiranës firmosën një marrëveshje partneriteti, në kuadrin jo vetëm të optimizimit të burimeve financiare, teknologjike dhe njerëzore, por edhe të krijimit të kushteve sa më cilësore të edukimit dhe shkëmbimit akademik mes dy institucioneve.
Ky partneritet në fillim të këtij viti akademik, nuk është një bashkëpunim i ardhur rishtazi, por i gjen të dy këto institucione të arsimit të lartë me mjaft të përbashkëta, duke shtruar kështu vijimin e një rruge që pritet të sjellë përftime për të dyja palët, për institucionet por mbi të gjitha për studentët që zgjedhin ta zhvillojnë formësimin e tyre profesional në këto dy institucione.
Para së gjithash, UET, themeluar në vitin 2006 dhe Kolegji Europian i Tiranës, themeluar në vitin 2015, kanë pasur në grupin e tyre themelues të njëjtët persona. Së dyti, Universiteti Europian i Tiranës i dalluar për një përvojë të gjatë në shumë fusha dhe për një hapje të re drejt degëve teknike, të inxhinierisë, informatikës, mjekësisë teknike, gjen tek Kolegji Profesional i Tiranës një partner të besueshëm dhe të akredituar dhe një lider në mjetet teknike, laboratorët, në dispozicion të Diplomave Profesionale. Po ashtu, stafet e këtyre dy institucioneve janë mjaft komunikues me njëri-tjetrin dhe kjo marrëveshje do ta çoje në një stad të ri këtë bashkëpunim.
Rektori i Kolegjit Profesional të Tiranës, Prof. Dr. Luan Karçanaj, teksa evidentoi vlerat dhe cilësitë që mbartin këto dy institucione në arsimin e lartë shqiptar, theksoi se ky bashkëpunim do të jetë pozitiv dhe frytdhënës, me projekte afatgjata në arsimin e lartë.
“UET është një universitet me ndikim të lartë në shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha e ka kthyer strategjinë e tij në një qendër ekspertize në fushën e studimeve shoqërore, humane, juridike, ekonomike dhe teknologjisë së informacionit dhe Kolegji Profesional që unë përfaqësoj sot njeh vlerën e kësaj eksperience, e cila buron nga modelet më të mira të universiteteve anglo-saksone.
Por edhe Kolegji Profesional i Tiranës megjithëse është një institucion relativisht i ri, ai ka ndërtuar një rrjet shumë mbresëlënës të partnerëve në Shqipëri dhe Evropë ku ofron dije praktike dhe të adaptueshëm për studentët e tij në një mjedis shumë komod.
Në planin afatgjatë, kjo marrëveshje nuk është vetëm një bashkëpunim akademik por një strategji e ngritur mbi frymën pozitive në bashkimin e përvojave të dy institucioneve në një sinergji me qëllim të realizimit të një sërë projektesh afatgjata në sektorin e arsimit të lartë.
Ky bashkëpunim i ri dypalësh midis Universitetit Europian të Tiranës dhe Kolegjit Profesional rrit përpjekjet për të hulumtuar dhe zgjidhur sfidat dhe problemet më të fundit me të cilat po përballen të gjithë sektorët, ku dhe sektori i arsimit të lartë nuk mund të ngelej pas”, u shpreh Rektori Karçanaj.
Po në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe Presidenti i UET, Selami Xhepa, i cili e quajti këtë partneritet si një nevojë emergjente, për shkak të problemeve që po paraqiten në sektorin e arsimit të lartë, jo vetëm nga kushtet që krijoi pandemia, por edhe nga faktorët e tjerë politikë, ekonomikë e socialë.
“Konsolidimi i institucioneve të arsimit të lartë përmes formave të ndryshme të partneriteteve, në të gjitha nivelet e tij, po bëhet një nevojë gjithnjë e më shumë emergjente. Kjo për shkak të ndryshimeve demografike, të një tregu që po vjen në tkurrje të fortë nga viti në vit, nevojave për më shumë investime në burimet njerëzore dhe teknologjike që duhen bërë në mënyrë që të modernizohen teksnikat e mësimdhënies dhe përmirësoeht cilësia në arsim, profilizimit më të lartë të programeve studimore dhe diferencimit të dijes sipas niveleve të ndryshme të edukimit dhe formimit profesional, dhe optimizimit të shpenzimeve administrative të mbajtjes dhe drejtimit të institucioneve.
Ndikimet e panemisë në sistemin universitar, gjithashtu pritet të shtrihen në më shumë se një dekadë. Dhe kjo do të thotë se burimet financiare do të jenë më të kufizuara, ndërkohë që investimet në teknologji do të jenë më të mëdha”, tha ndër të tjera Xhepa.
Si rrjedhojë e këtij partneriteti, institucionet do të ndajnë tani e tutje laboratorët, stafet, bibliotekat, burimet e dokumentacionit për studentët e të dy institucioneve dhe do të ndërtojnë një plan të përbashkët strategjik 5 – vjeçar që të dy institucionet janë duke përgatitur. Po ashtu shoqëritë tregtare që kanë në pronësi këto dy institucione, në kuadrin e jetësimit të planit të përbashkët strategjik do të menaxhojnë interesat e tyre ekonomike për forcimin e dy institucioneve mjaft të rëndësishëm në peizazhin e arsimit të lartë shqiptar. Kjo tendencë e agregimit të institucioneve të arsimit të lartë privat është ilustrim i parë i një faze që ndoshta ka ardhur për të rritur konkurrueshmërinë e këtij sektori me pjesën tjetër të arsimit të lartë në përgjithësi në Shqipëri dhe të këtyre dy institucioneve në veçanti në kuadrin e panoramës të arsimit të lartë privat në këtë vend.
Kolegji Profesional i Tiranës, u themelua më vitin 2015, duke qenë një risi e veçantë në fushën e arsimit të lartë. Ai ofron 12 programe studimi të larta profesionale, me kohë të plotë, të akredituara që zgjasin 2 vjet dhe me 120 kredite. Profesionet që kanë përqindjen më të lartë të punësimit, janë ato që KPT ofron për studentët. Po ashtu një përfitim tjetër për studentët është se ata diplomohen me titullin Teknik i larte në fushën përkatëse të studimit.