Karriera pa mbarim e rektores Nevila Nika
Përfundon mandati dy vjeçar në krye të UET, për të përmbyllur procesin e ristrukturimit 2018-2020
Historiania e njohur Nevila Nika e ka përfunduar mandatin e saj dy vjeçar si Rektore e Universitetit Europian të Tiranës. Në një ceremoni falënderimi pas mbylljes së mandatit të saj, ajo tha se lidhja e saj me institucionin nuk e ka zhgënjyer asnjëherë, prandaj kontributin e saj ajo e konsideron si një lloj detyrimi ndaj të tjerëve.
“Lidhja ime e parë me një institucion në rininë time të hershme ka qenë një gjë që mua nuk më ka zhgënjyer asnjëherë. Aq sa identifikohem jo me mbiemrin tim, por me punën që unë kam bërë dhe kjo më jep kënaqësi, por edhe një lloj detyrimi ndaj të tjerëve”, u shpreh Nika duke falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, mundësinë dhe besimin që i kanë dhënë.
Ardhja e saj si rektore shënoi disa zhvillime të rëndësishme në UET, kur për herë të parë pas dymbëdhjetë vitesh kontribut në historinë e arsimit të lartë shqiptar, UET ristrukturoi ofertën e tij akademike.
Tashmë fakultetet e UET u bënë 5, ku tri fakulteteve të mëparshme iu shtuan dhe dy të tjerë; Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike me dy departamente, ai i Imazherisë dhe Departamenti i Infermierisë dhe Fiziotrapisë, si dhe Fakulteti i Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, i cili përbëhet nga dy departamente gjithashtu, i Inxhinierisë dhe Arkitekturës dhe Departamenti i Teknologjisë dhe Informatikës.
Nika iu bashkua skuadrës së madhe të Universitetit Europian të Tiranës që në vitin 2015, e ndërsa në 2017 mori postin e Dekanes së Fakultetit Juridik.
Universiteti tashmë ishte bërë si shtëpia e saj e dytë, ndërsa ishte hera e parë kur në 2018-n u emërua në një post kaq të rëndësishëm si ai i Rektores së një universiteti.
Por përkushtimi dhe vullneti i zysh Nevilës, nuk ndalet këtu! Udhëtimi i saj profesional në UET do të vazhdojë, jo vetëm në mësimdhënie, por edhe me anagzhime të tjera e projekte të reja, siç mund të jetë ai i koordinimit të Kolegjit të Profesorëve Emeritus.
Të gjithë e njohin për natyrën e saj të qetë dhe mirëkuptuese, por edhe për gjurmët që la pas, pasi me një plotësim kuadri thuajse të plotë të fushave dhe disiplinave, Universiteti Europian i Tiranës, tashmë mund të quhet “polivalent”.
Krijimi i një hapësire të tillë, e shndërron atë në universitetin e të gjithëve, ku mundësitë janë të shumta për shumëkënd.
Për shumë vite ajo ka investuar përkushtimin dhe dijet e saj në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, ku për një periudhe disavjeçare ka qenë edhe drejtuese.
Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar të jetë pjesë e botës akademike, përkundrazi e ka bërë këtë eksperiencë krejt të veçantë.
Para se të bëhej pjesë UET
Profesoreshë Nika njihet për një karrierë të gjatë akademike dhe për praninë e saj publike.
Studimet e saj i filloi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në degën Histori, ndërsa gjatë jetës së saj të lartë akademike ajo ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme.
Po ashtu ka qenë bashkë koordinatore me prof. Antonella Ercolani, Universiteti “S.Pio V”-Romë, e projektit “Marrëdhëniet italo-shqiptare midis dy Luftërave Botërore dhe problemi i minoriteteve”, financuar nga qeveritë italiane e shqiptare.
Ajo ka qenë drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror, drejtoreshë e Përgjithshme e DPA, gjithashtu titullare dhe hartuese e programit të masterit në Arkivistikë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës.
Disa detyra të rëndësishme ka patur në fushën e shkrimit si Kryeredaktore e revistës “Arkivi Shqiptar”, Kryetare e Këshillit të Lartë të Arkivave, Kryetare e Komisionit të Deklasifikimit, drejtuese e seminareve të kualifikimit për arkivistët e rinj të sistemit arkivor në rang Republike.
Ka qenë pjesë e shumë intervistave për mediat e shkruara dhe pjesëmarrjeve në biseda e debate në televizione e radio shtetërore e private shqiptare e të huaja (italiane, amerikane, gjermane dhe kosovare).