Mesazh nga Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës
Të dashur studentë dhe staf i Universitetit Europian të Tiranës,
Së pari dëshiroj që në këto ditë të vështira dhe të jashtëzakonshme që po kalon mbarë shoqëria, të gëzoni shëndet të plotë bashkë me familjet dhe të dashurit tuaj! Me vullnet dhe zbatimin e rregullave të kujdesit që duhen ndjekur me rigorozitet nga të gjithë, së bashku edhe këtë situatë të vështirë do ta kalojmë me sukses! Sot kërkohet që të gjithë ne të ndjekim me përpikmëri gjithshka që autoritetet publike na kërkojnë, si shenjë e respektit ndaj vetes, familjes dhe shoqërisë.
UET do të marrë të gjitha masat që semestri i dytë i vitit akademik 2019-2020 të përfundojë brenda afateve normale. Në zbatim të plotë rregullave të përcaktuara nga Ministria e Arsimit lidhur me ecurinë e mëtejshme të procesit mësimor, UET do të zhvillojë mësimdhënjen në auditore kur autoritet publike do të japin lejimin përkatës. Ndërkohë, Rektorati ka bërë ndryshimet e saj në rregulloren mësimore në mënyrë që përmes ndjekjes on line të procesit mësimor, të mundësohet zbatimi i plotë i kalendarit akademik. Përmes faqes së web të UET mund të njiheni me gjithë informacionet e duhura për vazhdimësinë e procesit akademik.
Këto momente të mbylljes në shtëpi, ndoshta janë dhe një moment për të reflektuar më shumë se përtej botës materiale, mund të eksplorojmë një dimension të rëndësishëm të jetës sonë, anën metafizike. Nuk ka dyshim se shumëcka do të jetë ndryshe në jetët tona pasi kjo gjendje të ketë kaluar. Gjetja dhe zhvillimi i pasioneve duke kërkuar në botën e librave dhe shkencës sot gjejnë një shtrat ku mund të zhvillohen nga studentët e kësaj gjenerate. Edhe adresimi i kësaj sfide të paprecedentë në kohët moderne, na tregon se sa e rëndësishme është shkenca dhe teknologjia, sa shumë pret njerëzimi prej nesh, njerëzve të dijes.
Prej kohësh, edhe natyra e universiteteve ka ndryshuar, por ngjarje të tilla na e zbulojnë atë më me forcë dhe na e bëjnë më të qartë. Teknologjia dhe edukimi janë kaq shumë të ndërlidhura saqë ato do të jenë fytyra të njëra-tjetrës. Nëse deri më sot e kemi parë teknologjinë si një mjet kryesisht për nevoja të natyrës hedoniste, tani duhet të shohim tek ajo instrumentin e duhur për të zhvilluar vetveten dhe aftësitë tona teknike e shkencore. UET ka ngritur një grup kërkimor që do të reflektojë mbi këto prirje të arsimit të lartë në shekullin e ri, në mënyrë që të përgatitemi për të përshtatur sistemin tonë sipas nevojave që do të diktojë e ardhmja.
Me siguri që bota nesër do të jetë ndryshe dhe se forca të tilla transformuese që do të ndeshen edhe në të ardhmen, do të na ndihmojnë të gjejmë veten në kontekstet e reja sociale dhe globale.
Ju uroj ta kaloni me sa më pak shqetësime këtë periudhë të vështirë dhe të gjithë së bashku të takohemi sa më shpejt në auditoret tona!