Tryeza në UET: Polarizimi, problemi i tregut të punës në Shqipëri
Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingit në UET zhvilloi tryezën e diskutimit me aktorë të rëndësishëm në sektorin publik dhe privat me synim orientimin e studentëve në tregun e punës.
Shefja e Departamentit të Menaxxhimit në UET Prof. Asoc. Dr. Arlinda Ymeraj gjatë një interviste tregon se tryeza e diskutimit “Të Rinjtë dhe Tregu i Punës” me aktorë të rëndësishëm të sektorit publik dhe atij privat synonte të ndikonte ndërgjegjësimin e studentëve përsa i përket kërkesës dhe ofertës në tregun e punës, ku u ngritën një sërë pyetjesh nga studentët me anë të prezantimeve të tyrë, që nga tendeca etë rinjëve për tu larguar nga Shqipëria e deri tek roli i Arsimit të Lartë për punësimin e studentëve që diplomohen
Profesoreshë, para disa ditësh Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingut në UET që ju drejtoni zhvilloi një takim me aktorë të rëndësishëm të sektorit publik dhe privat me synim orientimin e studentëve në tregun e punës. Si fillim cili ishte qëllimi i këtij takimi ku prezentë kishte edhe studentë?
Tryeza e diskutimit “Të Rinjtë dhe Tregu i Punës” e organizuar nga Departamenti i Menaxhimit në 22 Janar 2020 synonte të ndikonte në ndërgjegjësimin e studentëve mbi “Nevojën e njohjes dhe analizës të kërkesës dhe ofertës në tregun e punës”, nëpërmjet diskutimit të një liste çështjesh për të lehtësuar perceptimin e të rinjve rreth tregut të punës, me të cilat ata shumë shpejt do të përballen.
Çështjet që u diskutuan, ishin: Çfarë synojnë të rinjtë e sapodiplomuar? Sa i njohin të rinjtë kërkesat e tregut? Arsimi i lartë, sa ndikon në punësim? Përse largohen të rinjtë nga Shqipëria?
Sa miqësor është arsimi i lartë në raport me lehtësimin e tranzicionit nga shkolla në tregun e punës? A janë më të favorizuar studentët e UET në tregun e punës?
UET prej vitesh tashmë ka një bashkëpunim të ngushtë me bizneset dhe insitucionet publike në sektor të ndryshëm, çfarë sugjerimesh u dhanë nga përfaqësuesit e sektorit publik dhe atij privat, për të afruar më shumë në tregun e punës UET dhe studentët që diplomohen nga ky institucion?
Jo rastësisht të ftuarit përfaqësonin institucione të ndryshme, nxitur nga idea e mbledhjes së sa më shumë eksperiencave të larmishme, për të rritur shkallën e njohjes dhe mundësitë e përdorimit të rrjeteve të aktorëve nga studentët përgjatë procesit të planifkimit të karierës së tyre. Strategjia e zgjedhur nga Departamenti i prodhoi rezultatet e saj.
Znj. Dajna Sorensen, zv/Ministre e Ekonomisë dhe Financave, me një eksperiencë jashtëzakonisht të pasur në fushën e politikave të punësimit, e cila zhvilloi një diskutim të plotë, kompleks dhe harmonik mbi kërkesat e tregut të punës ndaj të rinjve sot dhe në të ardhmen, në raport edhe me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe shoqëror të vendit, theksoi se Shqipëria ka nevojë për Vende pune, Punë më cilësore dhe Punësim të qëndrueshëm. Sipas saj, që të plotësohen këto tre kërkesa, si edhe duke konsideruar zhvillimin tejet të shpejtë të kërkesës për profesione të reja (koha kur një individ në jetën e tij mund të bënte 1,2,3 apo 4 punë ka kaluar), rezulton se kualifikimi dhe rikualifikimi I të rinjve është kërkesë imediate dhe e pandërprerë, për rrjedhojë është përgjegjësi e bashkëndarë, dmth e institucioneve të politikave, e biznesit privat, e akademisë, e familjes dhe e vetë të rinjve.
Znj. Sorensen dhe Znj. Valbona Zeneli në cilësinë e Drejtores së Përgjithshme e Burimeve Njerëzore në bankën Raifeissen argumentuan me fakte dhe të dhëna se karakteristika më thelbësore e tregut të sotëm të punës është polarizimi i tij, çka do të thotë që krijohen vende pune ose me vlerë të shtuar shumë të ulët, ose me vlerë të shtuar shumë të lartë. Përballë këtij tregu të segmentuar, janë të rinjtë me një nivel arsimimi të caktuar, të cilët nuk tregojnë se çfarë janë të aftë të bëjnë. Për rrjedhojë, tregu i punës mund të kërkojë nga sistemi arsimor që të paisë të rinjtë me cilësi dhe aftësi fleksibël për t’iu përshtatur kërkesave si edhe me “Soft skills” (aftësi të buta), kryesisht aftësi për komunikim, për të punuar në ekip, për të bashkëpunuar, për të pranuar ndryshimin dhe gadishmëri për t’iu përshtatur ndryshimit dhe teknologjisë.
Gjithashtu gjatë kësaj treyeze diskutimi u diskutuan gjerësisht gjetjet e Anketës së Matjes së Nevojave për Aftësi, anketë kjo e realizuar në vitin 2018 e zhvilluar në vendet e rajonit tonë, përfshirë Shqipërinë, e cila tregoi se “Koha e përgatitjes së specialistëve dhe drejtuesve në organizata “On boarding time” në Shqipëri është 3 herë më e lartë se sa në vendet fqinje të rajonit, gjë që dëshmon për efiçensën tejet të ulët të organizatave në vendin tonë, edhe të atyre të biznesit.
Znj. Zeneli në prezantimin e saj të titulluar “ A jeni kurioz të dini se çfarë kërkojmë nga aplikantët për punë?”, nënvizoi se të rinjtë janë të qartë në objektivat e tyre. Ata kërkojnë: ambjent miqësor pune, avancim të shpejtë në karrierë, të kuptojnë çdo gjë, të kenë një punë që të ofrojë ekuilibër ndërmjet”punës dhe jetës”, ambjent të sigurtë por njëkohësisht edhe fleksibël, vëmëndje dhe mbështetje. Por natyrshëm lind pyetja: Sa janë të aftë të rinjtë të arrijnë pritshmëritë e tyre? Për rrjedhojë, përveç përgatitjes profesionale, të rinjtë duhet të demonstrojnë kreativitet, dëshirë për të mësuar, bashkëpunim, inisiativë dhe gadishmëri për të gjetur zgjidhje, aftësi për të punuar të pavarur dhe përshtatshmëri, cilësi të cilat vijnë nga një sistem akademik që vlerëson punën dhe motivon mendimin kritik, analitik dhe krijues.
Në të njëtën frymë diskutoi edhe Z. Endri Ndoni, Konsulent i Burimeve Njerëzore, AIMS International Albania si edhe Znj. Daklea Shtylla (Xinxo), Drejtore Ekzekutive, Qendra MIKE dhe Shtëpia e zotërinjve. Sipas z. Ndoni, të rinjtë duhet të krijojnë një vizion të qartë individual mbi karrierën e ardhshme, i cili duhet të përputhet me personalitetin, aftësitë, dhe faktorët motivues personalë të çdo studenti. Ndonëse bizneset/punëdhënësit kërkojnë disa aftësi të caktuara, që jo domosdoshmërisht kultivohen në shkollë, sot ekzistojnë mjete shkencore për matje talenti dhe potenciali, të cilat krijojnë një gjuhë të përbashkët midis studentëve dhe punëdhënësve. Për rrjedhojë, krijimi i rrjeteve dhe përdorimi efektiv i tyre nga njera anë, si edhe teknologjia, prezenca e duhur online, dhe forma e aplikimit për punë në anën tjetër, luajnë rol thelbësor në punësueshmërinë e studentëve.
Znj. Daklea nënvizoi njohjen e kërkesave të tregut të punës jo vetëm në përgjithësi por edhe në veçoritë e tyre cilësore, për të gjykuar mbi mundësitë dhe zgjedhjen e drejtimit të duhur. Gjithsesi, çdo zgjedhje duhet të mbështetet nga motivimi dhe përkushtimi, për të arritur rezultatet e dëshiruara. Sipas saj, ndonëse fusha e sipërmarrjeve sociale, është ende e pazbuluar në vendin tonë, e aq më tepër, pak e pranishme në projektet e të rinjve, kjo fushë ofron mundësi të larmishme dhe inovatore, në të cilat idetë e sipërmarrjes mund të lulëzojnë, nëse ushqehen në mënyrën e duhur.
Gjatë këtij takimi kishte edhe prezantime nga studentë, për mënyrën se si e shohin ata tregun e punës ku pas diplomimit do të duhen të integrohen. Sa pranë ishin në përqasjen e tyre studentët për mënyrën se si funksionon tregu i punës në Shqipëri.
Në të njëjtën linjë me përzgjedhjen e të ftuarve, ishin sugjeruar edhe tematikat që do të trajtoheshin nga studentët. Studentët u përfshinë seriozisht në këtë projekt, pavarësisht detyrimeve akademike. Rezultatet e punës së tyre ishin mbresëlënëse. Studentët adresuan “Punësimi i të rinjve në tregun e punës/sfida dhe probleme në sistemin banker, Megi Mehmeti dhe Denison Meta studentë të vitit të 3-të, Bachelor, dega Financë, “Emigrimin e të rinjve dhe lidhja me tregun e punës, Darli Xhara viti i 3-të, Bachelor, dega Menaxhim; “Vullnetarizmi i të rinjve dhe biznesi social, Deborah Karanxha gjithashtu studente e vitit të 3-të, Bachelor dega Financë dhe “Kariera në tregun e punës e studentëve të UET, Aldjona Mahmutaj, Kamela Berberi dhe Ariol Sako të programit të studimt Financë në ciklin e studimit Bachelor.
Ndonëse në vështrim sipërfaqësor tematika e trajtuar nga ata mund të duket jashtë kornizës së tryezës, analiza e gjetjeve të tyre dhe komentet përkatëse jo vetëm përkojnë me linjën e përgjithshmë të diskutimeve, por sjellin argumenta të tjerë, duke përforcuar idetë e mëparshme, në sensin që ndonëse të gjithë studentët kërkojnë “karierë”, jo të gjithë ata e dinë rrugën që duhet të ndjekin, ndërsa numri i atyre që përpiqen edhe të plotësojnë kushtet minimale të aplikimit për një vend të çfarëdoshëm pune, është edhe më i vogël.
Shpesh herë, emigracioni, sidomos nëpërmjet arsimit shihet si zgjidhja më e shpejtë dhe më e sigurtë, por vetëm pas largimit, në sajë të rregullave të tjera të lojës në vendin pritës, të rinjtë ndërgjegjësohen për sfidat me të cilat duhet të përballen. Një pjesë e tyre kanë dëshira të eksplorojnë mundësi të sipërmarrjes, por fusha e tyre e interesit është e kufizuar. Sidoqoftë, praktikat e mira të UET në drejtim të nxitjes së sipërmarrjes mund dhe duhet të promovohen, jo vetëm nëpërmjet aktiviteteteve, por edhe si pjesë e programit akademik.
Si përfundim profesoreshë, çfarë konkluzionesh dolën nga ky takim dhe sa mundet UET të përshtatet me tregun e punës?
Nga takimi u konkludua që, sistemi arsimor, e sidomos ai i arsimit të lartë dhe pas universitar ka përgjegjësi dhe mundësi që të ndikojë jo vetëm nëpërmjet programeve të mësimdhënies, por çfarë është më e rëndësishmja nëpërmjet nxitjes së një bashkëpunimi real dhe efektiv të studentëve me tregun. Për rrjedhojë, së bashku me nivelin e lartë akademik e professional, institucionet e arsimit të lartë duhet të sigurojnë lidhje të hershme dhe të qëndrueshme me tregun e punës.
Të rinjtë vetë duhet të mbajnë peshën e investimit të tyre. Ndryshe nga ç’duket, Shqipëria ofron shumë mundësi për ata që kanë potencial. Thjesht duhet krijuar ura e duhur lidhëse midis talentit dhe punës.
Organizatat gjithashtu, pavarësisht nga tipologjia dhe struktura, duhet të adoptojnë praktika më miqësore ndaj të rinjve si edhe transmetojnë mbështetje dhe besueshmëri.
I fundit, por jo më pak I rëndësishëm, Politikat Publike të Nxitjes së Sipërmarrjes dhe Punësimit të të Rinjve, pa mohuar vëmëndjen ndaj standarteve, duhet të sigurojnë “gjithëpërfshirjen”, çka do të thotë se çdo I ri apo e re mund dhe duhet të mbështetet që të gjejë vendin e tij, edhe në vendin tonë të vogël, shpesh herë me hapësira të kufizuara.
Mbështetur në këto përfundime, të gjithë pjesëmarrësit pranuan se “Punësimi, kariera e të rinjve në tregun e punës”, është “përgjegjësi e bashkëndarë”. Në këtë kontekst, UET ka rolin e tij, si një institucion akademik “elitar”. Vetëm nëse ndërgjegjësohemi për kuptimin e përgjegjësisë së bashkëndarë, do të mund të investojmë me efektivitet për të garantuar kualifikimin e vazhdueshëm të brezave të të rinjve dhe rritur efiçensën e organizatave në tregun e prodhimit, që në analizë të fundit do të prodhojë më shumë mirëqenie për të gjithë.