Klubet studentore në UET, mes dëshirës dhe domosdoshmërisë
Universiteti është institucioni që garanton rritjen profesionale dhe kulturore të qytetarëve të një vendi. Qëllimet e tij, përveç formimit të profesionistëve të rinj, janë shtuar shumë me kalimin e viteve, duke synuar një përgatitje të gjithanshme të studentit. Aktivizimi social dhe nxitja e lidershipit te të rinjtë shihet si një objektiv primar, i cili duhet realizuar përmes edukimit në auditor. Për këtë arsye është parë e nevojshme të nxitet iniciativa e lirë e studentëve në forma të ndryshme në universitet, duke i bërë bashkëpunëtorë në hartimin e projekteve dhe duke i mbështetur në idetë që kanë mbi zhvillimin e jetës studentore.
Në Universitetin Europian të Tiranës klubet studentore janë parë si një mekanizëm shumë efikas dhe tashmë i suksesshëm për të arritur objektivat e lartpërmendura. Me kalimin e viteve këto klube, nën shembujt e universiteteve më prestigjioze anglo-saksone, kanë rritur performancën duke tërhequr një numër të madh studentësh në radhët e tyre. Struktura e klubeve është e mirëpërcaktuar, duke ndërthurur rolin koordinues të vetë studentëve me atë mbikëqyrës dhe udhëheqës të pedagogëve. Ato janë një vatër e socializimit mes të rinjve, ku secili mund të shprehë veten dhe të promovojë aftësitë më të mira personale. Qendra e gravitetit është studenti, duke bërë që çdo resurs material e human të jetë në dispozicion dhe në funksion të tij.
Dekania e Studentëve, Odeta Cacaj, rrëfen se si klubet studentore të UET janë tashmë një nga shtyllat më të rëndësishme, në organizimin e jetës studentore.
“Klubet studentore në UET janë një strukturë shumë e rëndësishme që përbën jetën studentore. Këto organizime iu mundësojnë studentëve të quhen studentë në kuptimin e plotë të fjalës, jo vetëm në aspektin akademik. Ato u mundësojnë atyre një hapësirë ndryshe ku mund të përfitojnë një orientim në karrierë si edhe fitimin apo përforcimin e aftësive ndërpersonale dhe një jetë sociale më aktive. Në filozofinë e UET studentët inkurajohen të japin idetë e tyre dhe të jenë kreativë ndaj klubet janë hapësira e ndërtuar posaçërisht që ata të jenë kreativë dhe të vënë në praktikë idetë e tyre”.
Klubet studentore nuk janë vetëm një mënyrë argëtimi apo shpenzimi për kohën e lirë por gjithashtu një alternativë interesante për të investuar në dije.
Tërësia e klubeve studentore në UET, të tillë si Klubi i Sociologjisë, i Artit, i Mendimit Kritik, i Debatit, Sportit, Arkitekturws, Teknologjisë, Menaxhimit, etj., nëpërmjet aktiviteteve që zhvillojnë, bashkëpunimeve me institucione të tjera arsimore apo organizata të njohura, u mundësojnë studentëve përmirësim në shumë aspekte, të përfitojnë aftësi lidershipi, aftësi komunikuese zhvillim të mendimit kritik.
Natyra e studentëve, diktuar nga mosha dhe aspiratat, është të jenë të paduruar. Ata kërkojnë që të thithin në një kohë sa më të shkurtër të gjithë informacionin që do t’u vlejë nesër në tregun e punës. Pikërisht, për të plotësuar nevojat e thellimit në studimet e tyre përkatëse dhe për të mundësuar takimin me personalitete të fushave të ndryshme, janë krijuar edhe klubet me një afërsi më specifike me programet e studimit, ku prej dy vitesh UET ka shtuar ofertën e tij akademike.
Studentët janë të shumëllojshëm në sjelljet dhe dëshirat e tyre, ndaj universiteti duhet të garantojë dhe të respektojë çdo iniciativë të lirë të studentëve. Mesa duket kjo teoremë zbatohet më së miri në Universitetin Europian të Tiranës, ku shumëllojshmëria e klubeve studentore tregon fare qartë për larminë e dëshirave dhe pasioneve që kanë studentët. Të jesh student do të thotë të kërkosh të ndryshosh botën, t’i japësh ngjyra mjedisit rrethues, të kërkosh të gabosh për të mësuar, të jesh gjithmonë i ndryshëm nga të tjerët dhe të kërkosh të jesh zot i jetës tënde. Dhe nëse ke gjetur mjedisin e duhur që të mbështet për çdo “çmenduri” tënden, atëherë duhet të ndihesh me të vërtetë me fat.