[:en]Perspektivat e reja në tregun e punës për studentët e UET [:]
[:en]
Perspektivat e reja në tregun e punës për studentët e UET
Është zhvilluar në Universitetin Europian të Tiranës “Java e Hapur”, e cila është karakterizuar nga një dinamikë në aktivitete, duke filluar që nga UET Tour me maturantët e gjimnazeve në vend të “Dita e Ligjit dhe Lidershipit” që i kushtohej krijimit të urave të bashkëpunimit mes botës së biznesit, universitetit dhe studentëve.
Me qëllim këshillimin e karrierës dhe informimin e maturantëve, gjithashtu krijimin e urave të bashkëpunimit mes botës së biznesit, universitetit dhe studentëve, Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar “Javën e Hapur”, ku këtë herë në fokus ishte Fakulteti i Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Përgjatë gjithë javës maturantët nga gjimnaze të ndryshme të vendit janë bërë pjesë e leksioneve të hapura dhe tureve që i kanë prezantuar ata me ambientet, pedagogët dhe jetën studentore të UET. Në këtë mënyrë ata kanë mundur të krijojnë një ide më të qartë mbi preferencat e tyre në lidhje me universitetin apo karrierën e tyre të ardhshme, duke u prezantuar me një sërë mundësish, që nga financat e menaxhimit, te juridiku, inxhinieria dhe arkitektura, nga teknologjia e informacionit tek imazheria, infermieria, sportet, gama e plotë e degëve sokratike, artet muzikore, skenike, pamore etj. Ata janë njohur me të gjitha mundësitë që UET ofron, që tek opsionet e zgjedhjes përfshirë këtu edhe diplomat profesionale dyvjeçare dhe programet e integruara pesëvjeçare, te bursat dhe mundësitë e financimit të studimeve.
Krahas kësaj, UET Tour, “Java e Hapur” ka pasur në fokus edhe studentët, bizneset dhe shoqërinë. Në vazhdën e një praktike të re që vjen me ristrukturimin dhe zgjerimin e UET në dekadën e tij të dytë, ku secili prej pesë fakulteteve zhvillon e ditën e tij, kjo e enjte i është dedikuar Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare me “Ditën e Ligjit dhe Lidershipit”. Kjo ditë ishte tërësisht e fokusuar në fushat e studimit të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, me aktivitete të shumta duke krijuar një atmosferë të karakterizuar nga dinamika dhe ndërveprimi.
Duke filluar nga Panairi i Punës, përgjatë të cilit studentët janë me ofertat për punësim dhe internship të mbi 40 studiove ligjore, zyrave të avokatisë, zyrave të konsulencës, si dhe bizneseve të ndryshme, për të vijuar me promovimin e UET&Partners Legal Studio, më pas me zhvillimin e një tryeze diskutimi me të ftuar, pedagogë dhe studentë, për të shkëmbyer më pas gjatë ditës ide dhe zhvilluar diskutime në takimin e Bordit të Tregut të Punës dhe për të përfunduar me zhvillimin e forumit “Edukimi juridik dhe tregu i punës”.
Panairi i Punës me pjesëmarrje nga zyrat ligjore tek organizatat
Ashtu si në panairin e kaluar edhe këtë të enjte studentët u prezantuan me mbi 40 kompani që operojnë në fushat përkatëse të fakultetit dhe u njohën me mundësitë që ato ofrojnë për punësim dhe internship.
“Open Weeks krijon një lidhje mes universitetit dhe tregut të punës, duke krijuar një këndvështrim të ri mbi bashkëpunimin mes studentëve që në fazën e studimeve dhe mundësive në tregun e punës. Java e kaluar i takoi Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit, ndërkohë që kjo javë i dedikohet ligjit dhe lidershipit. Përgjatë ditës së sotme do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, së pari me Panairin e Punës, më pas me Workshops, seminare, në forume me tematika të ndryshme që konsistojnë në evidentimin e problematikave dhe mundësive të bashkëpunimit universitet, treg, administratë, institucione shtetërore”, është shprehur Prof. Asoc. Dr. Endira Bushati, Dekane e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në fjalën e saj gjatë hapjes së Panairit.
Këtë panair e kanë përshëndetur znj. Erinda Ballanca, Avokat i Popullit, si dhe edhe znj. Suzana Jahollari, Prefekte e Tiranës, të cilat ndër të tjera kanë inkurajuar studentët të jenë të përkushtuar ndaj arritjes së ambicieve të tyre.
“Nëse ne punojmë dhe nuk harxhojmë kohën në kafe i bëjmë mirë vetes tonë. Edhe me pak para, edhe pa para, ju duhet të aftësoheni që të keni një kualitet ndryshe nga njerëzit e tjerë, për të dalluar tek punëdhënësit. Duhet të tregoni jo vetëm notat, një rezultat i shkëlqyer në fakultet është minimumi i mundshëm për këdo, do të duhet që këtë rezultat të shkëlqyer ta përktheni në aftësi të tjera, të cilat do ju bëjnë ju të jeni liderët e së ardhmes. Mos reshtni së punuari, sepse vetëm kjo do t’ju kthehet në një investim për veten tuaj, që nuk mund t’jua heqë kurrkush”, ka thënë znj. Erinda Ballanca, Avokat i Popullit.
Ndërkohë që znj. Jahollari është shprehur se: “Ky panair sot dhe kjo ditë që ju organizoni për ligjin dhe lidershipin do të ofrojë informim, trajnim dhe besimin që ne mund të gjenerojmë rritje ekonomike, ne mund të rrisim standardin e jetesës dhe ne mund të sigurojmë shanse të reja për të gjithë.”
Përgjatë këtij aktiviteti studentët kanë mundur të zhvillojnë intervistat paraprake, si dhe të bëjnë aplikimet e para për një pozicion pune në kompanitë që ata kanë konsideruar të përshtatshme për profilin dhe interesat e tyre.
UET & Partners Legal Studio, mundësia më e re për praktikumin e studentëve të drejtësisë
Përgjatë ditës së “Ligjit dhe Lidershipit” është promovuar edhe studioja më e re ligjore në vend “UET & Partners Legal Studio”, një bashkëpunim mes universitetit dhe pedagogëve të Departamentit Juridik, të cilët gjithashtu ushtrojnë dhe profesionin e avokatit dhe konsulentit në fushat civile, administrative, tregtare etj. Kjo është gjithashtu një mundësi për studentët e UET, që dijet teorike t’i vendosin në praktikë.
“Kjo iniciativë është nisur me idenë fillestare se meqenëse funksioni primar i institucionit tonë është i fokusuar në jetën akademike, ku ne kemi një ‘know how’ të thelluar në fushën e jurisprudencës, menduam se kishte ardhur koha që të bënim edhe një hap më tej duke përdorur markën tonë të mirëformuar prej më shumë se një dekade, edhe në fushën e konsulencave, për diversifikim të mëtejshëm të shërbimeve të ofruara nga UET”, ka thënë gjatë promovimit, administratori i kësaj studioje, dr. Ardvin Kraja.
Shërbimet e ofruara nga zyra do të jenë të fokusuara në fushën e të drejtës civile, administrative, tregtare, arbitrazhit, si dhe penale. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe klinikës ligjore të UET, që do të kontribuojë në dhënien e kosulencave falas për personat në nevojë si dhe një sërë shërbimesh të tjera të kësaj natyre.
Debati mbi diplomacinë e nesërme
Dita ka vijuar me një tryezë diskutimi mes pedagogëve, studentëve dhe z. Arjan Dyrmishi, përfaqësues i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, mbi temën: “Gjetja e ekuilibrit ndërmjet marrëdhënieve bilaterale dhe tendencat në marrëdhëniet euroatlantike”.
Z. Dyrmishi, gjatë prezantimit të tij, ka bërë një panoramë të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, që prej fillimit të tyre. Duke i sjellë këto marrëdhënie në kontekstin kohor ku jetojmë, ai gjithashtu ka shpjeguar se cilat janë interesat, si ndikon politika e Turqisë sot në Shqipëri dhe cilat janë implikimet e saj sot për marrëdhëniet euroatlantike. Ky prezantim ka pasuar me një sërë diskutimesh që përfshijnë studentë e pedagogë nga Departamenti i Shkencave Sociale të Aplikuara.
Bordi i Tregut të Punës, forcimi i traditës ALUMNI
Edhe këtë javë, Universiteti Europian i Tiranës ka zhvilluar një takim me Bordin e Tregut të Punës, me ish-studentë të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në kuadrin e zhvillimeve të fundit që e kanë shndërruar UET në një universitet “polivalent” dhe shumëfunksional, kjo strukturë e cila funksionon prej vitesh në UET, vjen e ristrukturuar duke u fokusuar te secili prej pesë fakulteteve. Universiteti Europian i Tiranës po investon prej vitesh në krijimin e një kulture dhe tradite të qëndrueshme për ALUMNI, dhe ky bord shërben për krijimin e një rrjeti dhe rritjen e mundësive të punësimit të studentëve të UET.
Forumi për edukimin juridik dhe politik në tregun e punës
Është zhvilluar edhe Forumi “Edukimi juridik dhe politik në tregun e punës” ku të ftuar për një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë, ishin z. Toni Gogu, zv.ministër i Drejtësisë, znj. Joana Qeleshi, kryetare e Gjykatës Durrës, si dhe Lauresha Grezda, Drejtoreshë e Politikave te Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njëkohësisht konsulente në lidhje me politikat e burimeve njerëzore. Ata kanë folur mbi karakteristikat kryesore sot të tregut të punës, cilat janë kërkesat dhe pritshmëritë e punëdhënësve ndaj studentëve dhe cilat janë hapësirat për punësim pas përfundimit të studimeve, në fushat përkatëse të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Të ftuarit kanë ndarë me audiencën opinionet e tyre, nisur nga ekspertiza, por edhe eksperienca, në lidhje me tendencat që ka tregu sot për profilizim dhe si do të duhej të reagonte universiteti ndaj këtyre zhvillimeve. Ata gjithashtu kanë folur mbi pritshmëritë e punëdhënësve duke u dhënë edhe sugjerimet e tyre studentëve, në lidhje se si mund të kenë sukses në tregun gjithnjë e më konkurrues të punës.
[:]