[:en]Roli i universiteteve, në tregun dinamik të punës[:]
[:en]
Roli i universiteteve, në tregun dinamik të punës
Për t’u ofruar studentëve mbështetjen e duhur, në mënyrë që të sigurojnë suksesin në një botë që ndryshon dhe zhvillohet vazhdimisht, institucionet e arsimit të lartë përpiqen të sigurojnë përgatitje të forta dhe relevante për studentët e tyre. Ata integrojnë në mënyrë proaktive dhe të mirëmenduar teknologjitë më të fundit edukuese – në kurrikulë dhe instruksione, laboratorë, dizajnim të detyrave, biblioteka, shërbime mbështetëse dhe më shumë. Por gjithnjë e më shumë, industritë, punëdhënësit, kanë për studentët e sapodiplomuar pritshmëri shumë herë më të larta në krahasim me disa dekada më parë.
Pritshmëritë për të sapodiplomuarit
Punëdhënësit presin që një i sapodiplomuar të hyjë në organizatat e tyre publike ose private dhe të jetë një vlerë e shtuar që në hapat e parë. Ata presin që punonjësit e tyre të rinj të mësojnë shpejt se si organizata punon dhe të jenë në gjendje të performojnë mirë brenda këtij konteksti, për të bërë një ndryshim pozitiv. Dinamika e strukturave të ndërlikuara organizative duhet të jetë e kuptueshme prej tyre dhe prej tyre pritet që të zbatojnë atë dijeni me aftësi analitike dhe arsyetim më të lartë, për të ndërtuar një kuptim të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe adaptues ndaj organizatës.
Punëdhënësit kanë pritshmëri që personeli i ri të ketë aftësi komunikuese të rafinuara dhe shkathtësinë e nevojshme për të punuar me sukses, në një kontekst organizativ, me një gamë të gjerë të aktorëve. Ata presin që pjesëtarët e rinj të ekipit të jenë në gjendje të kuptojnë perspektivat e këtyre aktorëve të ndryshëm dhe të formojnë komunikimet në përputhje me rrethanat për t’i bërë ato të efektshme dhe të qëllimshme për avantazhin e organizatës. Pritshmëritë e tyre janë që të rinjtë të përdorin teknologjinë lehtësisht dhe në një spektër të gjerë në varësi të aspekteve të punës, si dhe të bëhen pjesë e një ekonomie të bazuar në njohuri / të dhëna / informacion, në mënyrë që qëllimisht dhe strategjikisht të çojnë përpara organizatën. Punëdhënësit gjithashtu e vlerësojnë shumë punën efektive në grupe të ndryshme të projektit (në person apo virtuale), që përfaqësojnë fusha specifike të ekspertizës, nivele dhe lloje eksperiencash, gjini dhe mosha të ndryshme, sfondin socio-ekonomik dhe etnik, kontekstit global dhe më shumë. Në këto skuadra, punëdhënësit presin nga punonjësit e tyre të rinj që të nxisin risi, të zhvillojnë zgjidhje praktike për sfidat dhe të njohin e t’u përgjigjen mundësive në zhvillim. Të diplomuarit duhet të jenë të zotë dhe të kualifikuar në disiplinën për të cilën kanë fituar një diplomë, me përgatitjen, përvojën, vlerat profesionale dhe lidhjet e nevojshme për të qëndruar koherentë dhe të angazhuar në këtë fushë dhe për t’i lidhur këto modele dhe praktika të industrisë së përparësisë me avancimin e organizatës. Këtyre pritshmërive i shtohet edhe një aspekt shumë i rëndësishëm, mendimi kritik dhe i avancuar rreth sfidave dhe mundësive, sjellë në një këndvështrim të ndryshëm, i cili vë në dyshim supozimet tradicionale organizative dhe të industrisë, me qëllim eksplorimin e mundësive të reja, si për të kuptuar si ndryshojnë industritë dhe tregjet. Punonjësit e rinj duhet gjithashtu të nxisin përsosmërinë dhe të jenë pjesë e zhvillimit të talenteve brenda organizatës dhe të kontribuojë në evolucionin e qëllimshëm të organizatës duke shtuar rregullisht vlerën dhe aftësitë.
Jo shumë kohë më parë, organizatat mund të kenë pasur të tilla pritshmëri vetëm nga drejtuesit më të lartë të drejtuesve të tyre. Ky është një nga ndryshimet më të mëdha në botën bashkëkohore të punës: punëdhënësit kanë nevojë për aftësi lidershipi, aftësi konceptuale të avancuara, të mësuarit e avancuar të teknologjisë, si dhe aftësi profesionale me vlerë të lartë, nga të gjithë punonjësit e përgatitur nga universitetet apo kolegjet dhe jo vetëm nga disa.
Strategjitë e universiteteve
Në përgjigje të këtyre sfidave të reja, edhe universitetet kanë zhvilluar strategji të reja për përgatitjen e studentëve të tyre, në mënyrë që përballja me tregun kompetitiv global të punës të jetë më e kollajtë.
Lidhja e hulumtimeve me strategjitë mësimore, në mënyrë që studentët të punojnë ngushtë me fakultetin për të zhvilluar aftësitë kërkimore në fushën përkatëse dhe për të mësuar të punojnë në skuadra të ndryshme për të aplikuar kërkime në praktikë për dizajnimin e zgjidhjeve, inovacionin dhe krijimin, është një ndër hapat e ndërmarrë. Universitetet sigurohen që të gjithë studentët të kuptojnë rëndësinë e grupit, si dhe të zhvillojnë më tepër detyra të cilat kërkojnë mendim kritik dhe kërkim në fushat përkatëse të studimit, me qëllim angazhimin dhe koherencën e kërkesave të industrisë. Universitetet sigurohen që, nga ana tjetër, i gjithë stafi i tyre akademik të jetë në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin apo tregun e punës, për të kuptuar me mirë se si duhet të zhvillohen talentet dhe aftësitë në përputhje me realitetet e fushave përkatëse të studimit. Kjo u mundëson institucioneve të arsimit të lartë të hartojnë plane mësimore, detyra apo strategji në mësimdhënie të nevojshme për të siguruar një lidhje gjithnjë e më të fortë mes përgatitjes që këto institucione ofrojnë dhe asaj çfarë do të pritet nga të diplomuarit në tregun e punës nga punëdhënësit. Universitetet gjithashtu sigurohen që teknologjia në arsim të vijojë të përdoret gjerësisht dhe në mënyrë të kujdesshme në të gjitha aspektet e përvojës studimore dhe që studentët të kenë mundësi të shtojnë kapacitetet teknike të institucionit përmes përdorimeve inovatore të teknologjisë në lëndët dhe projektet e tyre.
Në këtë aspekt është detyrë e arsimit të lartë që të rrisë gatishmërinë në mënyra që zgjerojnë qasjen dhe përdorimin e pikave kryesore të traditave të tyre si: mësimdhënia, bursat, puna krijuese, hulumti dhe aftësia për të transformuar jetën. Universitetet duhet të përgatisin studentët e sotëm për të marrë rolet udhëheqëse. Ato duhet të krijojnë një lidhje më të ngushtë dhe më angazhuese mes të diplomuarve dhe punës së vazhdueshme edukative dhe kërkimore të universiteteve në të gjithë hapësirën e karrierës. Teknologjia do të luajë një rol të rëndësishëm në aftësinë e këtyre institucioneve për të arritur këto qëllime, pasi duke shfrytëzuar mundësitë e saj dhe duke zbatuar përmirësimet kurrikulare dhe organizative, fuqia transformuese e arsimit të lartë mund të përforcohet, ndërsa përgatiten të diplomuar të aftë për të arritur sukses në tregun e punës gjithnjë në zhvillim.
[:]