[:en]Risia e UET/ Për herë të parë Panairi Ndërkombëtar i Studimit[:]
[:en]
Risia e UET/ Për herë të parë Panairi Ndërkombëtar i Studimit
Me një format risi për Shqipërinë, zhvillohet për herë të parë “Panairi Ndërkombëtar për Studimin dhe Bashkëpunimin”, i cili vjen në kuadrin e “Javës Ndërkombëtare” që zhvillohet në Universitetin Europian të Tiranës përgjatë datave 9 – 13 prill.
“Java Ndërkombëtare” është një praktikë e njohur në universitetet europiane dhe ky është edicioni i tretë që zhvillohet në UET. Ajo i dedikohet tërësisht procesit të ndërkombëtarizimit, duke mirëpritur këtë vit 20 institucione të arsimit të lartë nga rajoni dhe Europa, si edhe përfaqësues të DAAD dhe British Council në Shqipëri. Krahas larmishmërisë së aktiviteteve që përfshijnë sesionet kulturore, rrjetëzimin, si dhe prezantime nga lektorë të huaj, “Java Ndërkombëtare” sjell risi këtë vit edhe “Panairin Ndërkombëtar për Studimin dhe Bashkëpunimin”.
Plot 20 universitete dhe institucione ndërkombëtare ishin të pranishme në këtë panair. Studentët kanë pasur mundësinë të njihen me programet e studimit që ofrohen, kriteret dhe procedurat e aplikimit për të përfituar bursat që ofrohen për të studiuar në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për shkëmbim studentor për një periudhë mobiliteti që varion nga 3 deri në 10 muaj.
Drejtoresha e Zyrës së Projekteve dhe Partneriteteve në UET, Dr. Ketrina Çabiri Mijo, shprehet se: “Universiteti Europian i Tiranës sjell për herë të parë në Shqipëri, një panair të një formati të tillë. 20 universitete partnere, si dhe përfaqësues të DAAD dhe British Council në Shqipëri, janë të pranishëm në këtë panair për të prezantuar projektet e tyre, mundësitë e partneritetit, si dhe mundësitë e studimit jashtë kufijve të Shqipërisë, për të gjithë studentët e UET.”
Administratori i UET, Prof. Asoc. Dr. Arbi Agalliu, theksoi se ky universitet e ka pasur procesin e ndërkombëtarizimit në fokus që në krye të herës dhe se investimi në këtë aspekt do të vijojë të jetë intensiv edhe në të ardhmen.
“Është kënaqësi për mua, që si Administrator i Universitetit Europian të Tiranës, të shoh që për herë të parë zhvillohet një panair i këtij formati, i cili sjell në UET një përfaqësi të tillë nga universitetet europiane. Si institucion, ne kemi qenë të fokusuar në projekte, në kuadrin e ndërkombëtarizimit, dhe për më tepër se shtatë vite ‘Zyra për Projekte dhe Partneritete’ në UET ka përfituar nga projekte të Bashkimit Europian dhe fonde rajonale një buxhet më tepër se 3 milionë euro, si dhe aktualisht universiteti po menaxhon projekte me buxhet 2 milionë euro. Është objektivi ynë bashkëpunimi me universitetet e tjera, si dhe aktivizimi në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Administratori i UET, në fjalën e tij.
Përgjegjësja e Njësisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Zyrën e Projekteve dhe Partneriteteve në UET, znj. Lutjona Lula, duke falënderuar përfaqësuesit e universiteteve për pjesëmarrjen e tyre, u shpreh se: “Një nga aktivitetet më interesante dhe interaktive të ‘Javës Ndërkombëtare’ është ky Panair, në të cilin studentët mund të njihen me mundësitë e shumta që ofrohen për ta.”
UET ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me institucione jo vetëm brenda Europës, por edhe jashtë kufijve të kontinentit, si p.sh. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Kinë etj. Gjithashtu ky institucion është bërë pjesë me sukses e një numri të konsiderueshëm projektesh europiane, zhvilluese, akademike e shkencore në kuadrin e arsimit të lartë.
Mundësitë e studimeve ndërkombëtare për studentët e UET
Universitetet që marrin pjesë në këtë panair janë me traditë në mësimdhënie, të tilla si Universiteti i Varshavës, i cili është themeluar që në vitin 1816 dhe ka 21 fakultete me një gamë të gjerë degësh, Universiteti i Valladolidit në Spanjë, i cili është një nga institucionet më të vjetra të arsimit të lartë në botë, i themeluar që prej vitit 1241, London South Bank University që ka kontribuuar në edukim që prej vitit 1892 etj.
Një pjesë e universiteteve pjesëmarrëse në panair rrëfejnë mbi mundësitë e shumta që ofrojnë për studentët e UET.
“FH-Joanneum”, universiteti që ndodhet në Graz të Austrisë, krahas oportunitetit për shkëmbim studentor për të paktën një semestër në kuadër të skemës Erasmus+, ofron edhe mundësi të tjera të tilla si pjesëmarrja në Shkollën Verore, që ky institucion organizon në mënyrë të përvitshme.
“Universiteti “FH-Joanneum” ofron një sërë mundësish për studentët e UET. Ata mund të aplikojnë për të studiuar në universitetin tonë për një semestër nëpërmjet programit të shkëmbimit studentor Erasmus+ ose mund të zgjedhin të bëhen pjesë e Shkollës sonë verore për Biznes. Ne ofrojmë degë të veçanta studimi që zhvillohen në anglisht për studentët ndërkombëtarë”, është shprehur z. Bojan Jovanovski, përfaqësues i këtij universiteti në Panair, duke shtuar se është e mundur të përfitohen edhe bursa studimi.
Ndërkohë që studentët kanë mundësi të përfitojnë bursa studimi edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku një prej tyre është edhe bursa “Chevening”.
“Bursa ‘Chevening’ ofron një mundësi unike për studentët, të cilët dëshirojnë të ndjekin studimet e tyre për një vit, në Master të Shkencave, për degën që ata duan. Bursa mbulon kostot e edukimit, përfshirë edhe shpenzimet e jetesës e të udhëtimit”, ka shpjeguar z. Suel Kodra, përfaqësues i ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.
Universidade NOVA de Lisboa, në Portugali, ofron gjithashtu një sërë mundësish.
“Duke studiuar në Universidade NOVA de Lisboa studentët kanë mundësinë të zgjedhin në një gamë të gjerë degësh, nga Mjekësia te Shkencat Humane, nga Shkencat e Teknologjisë te degët e Biznesit dhe Menaxhimit. Ne kemi rreth 20 000 studentë çdo vit dhe mirëpresim më shumë se 2000 studentë që vijnë falë shkëmbimit studentor që mundëson programi Erasmus+. Të gjithë këtyre studentëve u ofrojmë mbështetjen tonë që nga akomodimi, te suporti shëndetësor, aktivizimi në jetën kulturore të vendit, si dhe bursa të ndryshme prej të cilave mund të përfitojnë”, ka thënë z. Andre Diniz, përfaqësues i këtij universiteti, i cili ka mirëpritur ndër vite dhe studentë të UET, që kanë zhvilluar një semestër studimi atje.
Mundësitë për të ndjekur studimet në universitetet gjermane janë po ashtu të shumta. Për një prezantim të tyre ishin të pranishëm edhe përfaqësues të DAAD, që është organizata më e madhe e fondeve në botë për shkëmbimin ndërkombëtar të studentëve dhe studiuesve në Gjermani. Të pranishëm në Panair ishin edhe përfaqësuesit e një prej universiteteve gjermane partnere me UET, “Hochschule Ludwigshafen am Rhein”, të cilët u shprehën se për studentët ka shumë mundësi, veçanërisht në kuadër të shkëmbimit studentor Erasmus+
[:]