[:en]Panairet e Karrierës UET, festival talentesh[:]
[:en]
Panairet e Karrierës UET, festival talentesh
Organizmi i panaireve të punës në ambientet e universiteteve ka ardhur për shumë vite në një mënyrë tradicionale. Dinamika e ditëve të sotme imponon një koncept të ri të këtyre organizimeve.
Elda Dedja
Teksa tregjet e punës janë dinamike, në lëvizje të përhershme dhe me kërkesa të vazhdueshme për burime njerëzore, koha që njerëzit kanë në dispozicion për të siguruar pozitën e dëshiruar të punës duhet të përdoret mirë. Po si mund të arrihet kjo sa më efektivisht? Një nga alternativat më të dobishme për të eksploruar mundësi të reja pune janë Panairet e Karrierës. Universitetet në mbarë botën e kanë vendosur të vënë në praktikë këtë lloj organizimi si një mënyrë për t’u dhënë oportunitete studentëve jo vetëm për punësim, por edhe për “network” dhe praktikë. Në një organizim tipik, kompanitë kanë stendën e tyre prezantuese, ku të interesuarit njihen me pozicionet e lira të punës. Krijimi i një rrjeti njohjesh është një nga efektet më të shpejta pozitive të këtyre panaireve. Punëdhënësit kanë gjasa t’i shohin studentët si një potencial për kompanitë e tyre nëse ata arrijnë të lënë një përshtypje të mirë dhe të prezantojnë pikat e forta nëpërmjet një komunikimi profesional dhe miqësor në ato pak minuta kur shëtisin në stendat e kompanive. Pjesëmarrja në panaire të tilla ofron në duart e studentëve një mundësi për praktikë, në mënyrë që të zgjerojnë aftësinë e tyre në njohjen e tregut, kërkesat e punëdhënësve apo pyetjet gjatë një interviste pune. Kjo përballje e shpejtë me terrenin konkurrues është mjaft e dobishme.
Risia e formatit të ri në Panairin e Karrierës
Një sallë plot stenda të mbushura me logot e kompanisë, grumbuj kartëvizitash biznesi e broshura dhe ndoshta edhe disa dhurata të stampuara për të tërhequr studentët, janë standarde për një panair pune, por vetëm kjo nuk mjafton … Ndonëse për shumë vite kjo mënyrë ka rezultuar në sukses, ritmet e shpejta të ndryshimeve imponojnë edhe një strukturim më kreativ të këtyre panaireve. Ky është një ndryshim që vjen natyrshëm dhe i lejon si sipërmarrësit ashtu edhe punëkërkuesit të marrin frymë lirisht dhe të jenë më kreativë në kërkesat e tyre. Kështu që në vend të vërtitjeve në stendat e shumta të kompanive me intervista të shpejta dhe të atypëratyshme, studentët po bëhen pjesë e një modeli të ri panairi që sapo ka filluar të praktikohet në universitetet perëndimore dhe që gjatë muajit maj do të vijë edhe në UET.
Një festival talentesh krijuese do të mund të cilësohej, për shkak të standardit dhe frymës së re që përcjell. Qëllimi është që studentët të prezantohen në tërësinë e aftësive të tyre. Duke marrë për bazë formatin tradicional, në këtë format të ri, prezantimi vjen më interaktiv dhe më inspirues për të sjellë në qendrën e vëmendjes talentin dhe karakteristikat e të rinjve, të diplomuarve dhe punëdhënësve. Risia vjen në krijimin e një “skene” ku gjithkush mund të shpërfaqë aftësitë e tij. Për studentët e talentuar të arteve, merr edhe një kuptim të drejtpërdrejtë, atyre u krijohet mundësia e një performance apo ekspozite. Ndërkohë që panele të krijuara enkas për krijimin e një jetëshkrimi, tryeza diskutimi, si dhe fjalime motivuese nga mentorë që vijnë nga jeta e biznesit, sipërmarrës dhe profesionistë që kontribuojnë në këtë udhëtim për kërkimin e një pune ku studentët të jenë sa më të përgatitur. Në universitetet ku kjo metodë e re është vënë në zbatim, janë ftuar shpeshherë ekspertë, të cilët zhvillojnë seminare zhvilluese për të inkurajuar studentët që të bëhen pjesë e kësaj eksperience dhe për t’i përgatitur ata paraprakisht. Si të krijojnë një rrjet kontaktesh, si të stabilizojnë një imazh personal, menaxhimi i kohës dhe efektiviteti në vendin e punës. Kjo mendësi është një praktikë e mirë jo thjesht për efektin afatshkurtër gjatë të cilit e ndihmon studentin të shkojë më i përgatitur përballë kërkesave të aktorëve të tregut që ofrojnë një pozicion pune në panairin disaditor, por kontribuojnë fuqishëm në formimin e studentit, i cili këtë përballje deri diku minimale e konsideron si eksperiencë në momentin kur i duhet të përballet vërtet me realitetin e egër të një tregu që kërkon vetëm më të mirin. Nga ana tjetër, pjesëmarrja në të tilla panaire i aftëson studentët edhe në aspektin e komunikimit, atij verbal, si dhe praktikimit të gjuhës së trupit. Heqja e drojes dhe fitimi i sigurisë në vetvete janë një hap më para drejt një karriere të afirmuar si profesionistë. Duke eksploruar pikat e forta dhe të dobëta, si dhe duke kuptuar se çfarë realisht kërkojnë punëdhënësit, studentët fillojnë të krijojnë një ide më të qartë edhe mbi objektivat e tyre profesionalë. Panairet tradicionale të karrierës janë kryesisht të “populluara” nga korporata të mëdha që promovojnë kryesisht skema punësimi për të diplomuarit. Kjo shpeshherë e kryen punën bindëse, por ka nga ata studentë të cilët duan një pozicion pune më kreative dhe që ndoshta të jetë “mjet” për t’u vetëndërgjegjësuar mbi hapat e ardhshëm pas përfundimit të arsimit të lartë. Organizimi i panaireve që promovojnë risinë, të jep ndër të tjera mundësinë e prezantimit me kompani që ofrojnë rrugë të ndryshme pas diplomimit. Duke zhvilluar biseda individuale, në mjedise miqësore, me përfaqësues të bizneseve, studentët mund të frymëzohen për zgjedhjet e tyre. Në panelet e punësimit nuk diskutohet vetëm mbi mënyrën se si mund të fitohet një pozicion pune, por edhe jeta pasuniversitare, si dhe përballimi i stresit që mund të krijohet gjatë kërkimit. Ky është një aspekt që shpesh anashkalohet, por në fund të ditës është një nga më të rëndësishmit.
Kjo mënyrë e të menduarit vë në lëvizje një sërë elementesh, të cilat në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë shumë herë më rezultative sesa panairet tradicionale të punës, jo vetëm për studentët, por edhe për punëdhënësit.
[:]