[:en]Dita 1 në auditor/ Studentët e mi të parë në Universitetin e Barit[:]
[:en]
Dita 1 në auditor/ Studentët e mi të parë në Universitetin e Barit
Rektorja e Universitetit Europian të Tiranës rrëfen eksperiencën e saj të parë të mësimdhënies, në auditorët e Universitetit të Barit.
Ndjesia e bukur e përballjes për herë të parë me auditorin shoqërohet jo pak herë me pasiguri, e megjithatë kjo tërësi përjetimesh nuk harrohet kurrë. Dita e parë e mësimdhënies shënjon një nga çastet më kuptimplota dhe të paharrueshme të çdo lektori. Është fillimi i një udhëtimi të mahnitshëm, me dëshirën për të lënë një gjurmë dhe vizionin për të frymëzuar brezat. Është sa përgjegjësi po aq edhe kënaqësi.
Një histori mjaft e veçantë është ajo e historianes dhe arkivistes së njohur Nevila Nika. Pas përfundimit të studimeve në degën Histori, Nika u bë shumë shpejt pjesë e botës së arkivistikës. Për shumë vite ajo ka investuar përkushtimin dhe dijet e saj në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, ku për një periudhe disavjeçare ka qenë edhe drejtuese. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar të jetë pjesë e botës akademike, përkundrazi e ka bërë këtë eksperiencë krejt të veçantë. Pas një përvoje të gjatë në jetën akademike, Prof. Dr. Nevila Nika prej tetorit të vitit të kaluar është edhe Rektore e Universitetit Europian të Tiranës.
Rrugëtimi drejt auditorit
Studimet e saj ajo i filloi në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega Histori. Ndonëse që në krye të herës e dinte se mësimdhënia do të bëhej pjesë e pandashme e jetës së saj, Nevila Nika tregon se takimi i parë me auditorin e universitetit nuk ishte ashtu siç ajo e kishte paramenduar në fillimet e studimeve.
“Unë kam mbaruar studimet për Histori dhe natyrisht mbarimi i një fakulteti të tillë nënkuptonte që do të ishe automatikisht në mësimdhënie, që fillimisht do të ishe në një shkollë të mesme dhe pastaj mund të mendoje edhe për në auditor. Ata të cilët mund të fillonin mësimdhënien menjëherë në auditor ishin studentët ekselentë. Ishte viti i fundit i studimeve të mia, kur Ministria e Arsimit i ndaloi të gjithë nxënësit që mbaronin me mesatare të lartë të ishin pjesë e stafeve akademike, një praktikë që deri një vit më parë lejohej. Në përfundim të katër viteve kam bërë një vit stazh dhe pastaj jam diplomuar, kishim thuajse pesë vite fakultet”, tregon Nika.
Krahas kësaj, një tjetër arsye e pengonte Nevila Nikën të bëhej pjesë e botës akademike pas përfundimit të studimeve, ndonëse ishte një ndër studentet ekselente të fakultetit.
“Kam tentuar të jem pjesë e universitetit si pedagoge, por kjo nuk m’u lejua, për shkak se unë kisha tim atë profesor në universitet, por edhe bashkëshortin tim, edhe përse inxhinier, një profil krejt i largët nga imi. Për këtë arsye nuk lejohej të isha dhe unë. Im atë u përpoq të dilte në pension në mënyrë që të futesha unë, por as kjo nuk u lejua.”
Sidoqoftë pas përfundimit të studimeve Prof. Dr. Nika u bë shumë shpejt pjesë e botës së arkivistikës, për të cilën shprehet se është befasuar kur e ka zbuluar, pasi në atë kohë nuk flitej thuajse fare për Arkivin Qendror Shtetëror. Ky angazhim që e ka mbajtur larg auditorit të universitetit për një farë periudhe, në të njëjtën kohë është shndërruar në një oportunitet për të qenë pjesë e Akademisë si pedagoge, pasi në vitin ’95, Nevila Nika ka dhënë leksionin e saj të parë në Universitetin e Barit.
“Për herë të parë kam dhënë leksion në një auditor në universitet në vitin ’95, në Universitetin e Barit. Leksionin tim të parë nuk e kam dhënë në Shqipëri. Me Universitetin e Barit dhe Arkivin e Barit, kishim kontakte të vazhdueshme për hir të punës. Në atë kohë disa prej studentëve të Departamentit të Demografisë dhe Gjeografisë u ishte kërkuan të bënin kërkime arkivore për të realizuar temat e diplomave që u ishin ngarkuar. Kështu që punova me ta në Shqipëri për t’i drejtuar në fondet arkivore të Arkivit Shqiptar dhe më vonë u thirra atje për të dhënë leksione në auditor, me më shumë se ata dy-tre studentë që ishin këtu për të zhvilluar temat e diplomimit me dokumente arkivore shqiptare”, rrëfen Nika.
Çdokush do të ishte nervoz në një moment të tillë, ndoshta dhe i pasigurt, por Nevila Nika tregon se pavarësisht emocionit mësimdhënia e saj e parë ishte një eksperiencë shumë pozitive.
“Dita ime e parë në akademi ka qenë atje. Natyrisht leksioni nuk ka qenë në shqip, por për mua përbënte problem, gjithsesi ishte një ndjesi krejt ndryshe. Studentë të huaj, disa prej tyre ishin me origjinë arbëreshe. Ishin djem dhe vajza shumë simpatikë, shumë të interesuar kuptohet, sepse një student që u takon këtyre fushave, por edhe çdo lloj fushe tjetër, e ka përparësore t’i drejtohet jo vetëm një biblioteke, por natyrisht edhe arkivave. Është më i vlerësuar punimi i bazuar mbi një kërkim arkivor, në botë”, shprehet Nika, e cila shton se në vijimësi mësimdhënia është bërë pjesë e pandashme e karrierës së saj.
Ndër specialistët e spikatur të arkivistikës në Shqipëri, ajo është gjithashtu titullare dhe hartuese e programit të masterit në Arkivistikë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në UT.
Duke ndarë me ata që kërkonin të kualifikoheshin si arkivistë dijenitë e saj, në mungesë të një shkolle të mirëfilltë për arkivat në Shqipëri, Nika rrëfen se ndërmori iniciativën e hapjes së një masteri profesional, pasi e shihte si një domosdoshmëri, për shkak edhe të mungesës shumë të madhe për administratën shqiptare që njohuritë në arkivistikë i ka të domosdoshme.
Që nga momenti i parë i mësimdhënies e deri më tani, dashuria për historinë, arkivistikën dhe mësimdhënien mbetet e njëjtë për Rektoren e UET-it.
“Nga dita e parë në Itali me ata studentë që kërkonin burimin arkivor u bënë mjaft vjet. Kanë kaluar 24 vjet që jam në mësimdhënie të vazhdueshme, qoftë me një cikël të plotë, një vit akademik, qoftë me periudha të shkurtra, me kurse trajnimi, qoftë në mastera më të shkurtër në kohë … Të them të drejtën është gjithnjë kënaqësi. Prej katër vitesh jam pjesë e UET-it, ku nuk jap lëndën e arkivistikës, jap atë të historisë për të cilën jam diplomuar realisht. Histori Qytetërimesh, Histori Bashkëkohore … do të thotë që jam pak a shumë aty ku do të kisha qenë që në fillim, nëse nuk do të kisha devijuar, për mirë e cilësoj, të isha bërë arkiviste. Për këtë të fundit nuk më kishte shkuar mendja ndonjëherë që mund të bëhesha, sepse askujt prej nesh nuk i thoshin që ka një arkiv Shqipëria. Për mua ka qenë një befasi kur kam kuptuar sa afër e kisha pasur një thesar, një minierë ari, që pak njerëz e dinin. Sot fatmirësisht e dinë shumë.”
[:]