[:en]Promovimi në UET: Regjisori Leka Bungo sjell librin “Testamenti i mitomanit”[:]
[:en]
Promovimi në UET: Regjisori Leka Bungo sjell librin “Testamenti i mitomanit”
Është promovuar në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës libri me titull “Testamenti i mitomanit” me autor Leka Bungo. Ky është libri i parë që regjisori dhe skenaristi i njohur shqiptar ka shkruar. Libri i tij karakterizohet nga satira për artistin i cili ka jetuar në dy kohë; komunizmin dhe tranzicionin e gjatë që ende vazhdon. Me personazh kryesor një shkrimtar, “Testamenti i motomantit”, është një libër që krahas gjuhës satirike ka mjaft të vërteta që tregojnë realitetin e trishtë e të qenurit artist në kohën e komunizmit.
Leka Bungo shpërfaq me këtë vepër karakterin e tij poliedrik më së miri. Aktori i njohur i skenës shqiptare, Rikard Larja, në parathënien e këtij libri e ka vlerësuar guximin e Bungos për këtë krijim.
“Po gjatë këtyre pesëdhjetë viteve Leka ka shkruar dhjetëra drama, radiodrama, i ka vënë në skenë, i ka regjistruar në radio… Tradicionale. Po këtë rradhë ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Në stilin që kishte brenda vetes po e kishte harruar rrugës. Libri që unë lexova në prinshkrim më befasoi. Është një libër me një fantazi të çmendur që shkon deri në absurd.”
Ndërkohë që shton se është gjuha e mprehtë satirike që përbën dhe esencën e këtij libri dhe e dallon atë nga të tjerët: “Ironi dhe sarkazëm ka nga kreu e deri në fund. Është një libër i veçantë nga ana stilistike, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të lexojmë.”
E pranishme në promovim ishte edhe Përgjegjësja e Departamentit të Arteve të Aplikuara në UET, Dr. Mirela Oktrova e cila ndau me të pranishmit mbresat për këtë libër të parë të artistit Leka Bungo.
“Atmosfera në të cilën mëton ta na fusë autori në këtë libër, është në përputhje edhe me formimin e Lekës, skena e madhe e një teatri absurd. Me një lloj veprimi tragji-komik që i thyen të gjitha llojet e konvencioneve, përfshirë edhe konvencionin e kohës dhe hapësirës. Prandaj ne lëvizimin në një mishmash në të kaluarën, në të tashmen, në vende dhe kohë të ndryshme, me personazhe të ndryshme, ku na ngatërrohen personazhet që kemi parë sot me ata të cilët kemi lexuar në libra, personazhet që kemi patur frikë me ata që duam, personazhet komikë me ata tragjikë e kështu me rradhë”, është shprehur ajo duke shtuar se ky libër është një miksim jo vetëm i ‘absurdit’ por edhe një vepër plot me të vërteta.
“Ka shumë edhe nga jeta jonë e përditshme. Nga kjo jetë, që ecën në një mënyrë që do ta quaja pa busull, që nuk e dimë që ecën para apo pas, por për një gjë jemi të sigurtë, që vazhdon ecën anash. Por natyrisht ka edhe shumë Lekë brenda. Janë brenda shumë histori të treguara netëve apo drekave me një gotë verë, ka shumë shaka, ka shumë anekdoda, ka shumë përjetime, ka trillim, përjetim dhe natyrisht ka një fuqi gati-gati të papërballueshme, për të bërë shaka dhe luajtur me gjithçka, përfshirë edhe veten. Për këtë arsye libri përveçse të jep kënaqësi kur e lexon, të ve në mëndime. Për rrugën që kemi kaluar deri më sot, por edhe jetën që jetojmë sot e aq më shumë për të ardhmen.”
Ndërkohë që për librin është shprehur edhe artisti Bujar Kapexhiu.
“Unë jam i sigurt që ky libër do të jetë shumë i suksesshëm. E kam lexuar në dorëshkrim dhe më është dukur tepër interesant. Për nga forma, ndoshta është një formë që ne nuk e kemi parë në autorë të tjerë dhe për përmbajtjen që ka. Fillon me diktaturën por brenda diktaturës shohim ditët e sotme, politikanët që janë sot, njerëzit që merren me politikë, njerëzit që e pësojnë nga politika, njerëzit që e duan poltikën… Është një gërshetim jashtëzakonisht i bukur, por gjithmonë me shumë humor dhe me një satirë shumë me vlerë”, tha Kapexhiu.
Gjatë promovimit autori vetë, ka zgjedhur të lexojë disa pasazhe nga libri i tij. Duke veçuar këtu hyrjen e librit të tij:
“Njerëzit bëhen shkrimtarë nga dëshira për t’u bërë të famshëm, nga makutëria për të fituar para, ose të frymëzuar nga ideale të larta. Unë nuk hy as te të parët, as te të dytët! Mirëpo veprat e njerëzve si puna ime që nuk kanë bërë emër në fushën e letrave, zënë pluhur në vitrinat e librarive, sepse nuk i njeh njeri. Kjo është arsyeja që vendosa të bëj atë që nuk arrita ta bëja pesëdhjetë vjet më parë. Luftova dhëmb për dhëmb me armiqtë e këtij vendi, por nuk ish thënë që plumbi të më merrte në lule të ballit, të bija në fushën e betejës bashkë me njëzet e tetë mijë të tjerët që edhe trupi im të prehej në tokë me ta në kodrat e Tiranës, pranë monumentit ‘Nënë Shqipëri’”, ka lexuar ai pasazhin hyrës të librit të tij, duke vijuar me tej edhe me disa pjesë të tjera mjaft interesante.
Të pranishëm në këtë promovim ishin një sërë figurash të njohura të artit dhe kulturës shqiptare.[:]