Forumi i Shëndetit Publik nga UET dhe IEP: Një takim brezash mes mjekësisë së tanishme dhe asaj të ardhshme
Forumi i Shëndetit Publik nga UET dhe IEP: Një takim brezash mes mjekësisë së tanishme dhe asaj të ardhshme
Në një organizim treditor janë mbledhur së bashku për të diskutuar mbi tematika të rëndësishme që kanë të bëjnë me shëndetin publik, një sërë figurash të shquara të fushës së mjekësisë, mjekë dhe pedagogë të nderuar, por edhe maturantë, studentë dhe mësues. Përgjatë datave 7 – 9 dhjetor, në qytetin e Elbasanit është organizuar Forumi i parë i Shëndetit Publik, në të cilin u diskutua mbi formimin e personelit mjekësor në Shqipëri, shkollimin, specializimin dhe kualifikimin e tyre.
Ata janë të rinj të ardhur nga qytete dhe gjimnaze të ndryshme të vendit por me një të përbashkët, pasionin për mjekësinë. Pjesë e aktivitetit të parë të këtij lloji “Forumi i Shëndetit Publik 2018”, maturantë nga e gjithë Shqipëria kanë patur mundësinë të bëhen pjesë e diskutimeve të shumta mbi sektorin e shëndetësisë në vend. Ata, së bashku me mësues por edhe studentë të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike u njohën me disa nga problematikat që shoqërojnë mjekësinë sot si dhe mënyrat se si mund të zgjidhen ato. Në atë që mund të konsiderohet një ‘takim brezash’ veçanërisht të rinjtë përfituan nga eksperienca e rrëfyer, e shumë prej mjekëve më në zë shqiptarë që ishin të ftuar në këtë aktivitetet edhe si lektorë. Pedagogët e nderuar prezantuan në një sallë ku gjendeshin jo vetëm ata të cilët aspirojnë të bëhen e ardhmja e mjekësisë në vend por edhe profesionistë të konsoliduar tashmë, që kanë qenë studentët e tyre në vite.
Forumi i Shëndetit Publik organizohet për herë të parë këtë vit dhe ka për qëllim të shndërrohet në një traditë të mirëfilltë. Ky është një nga 11 aktivitetet rinore që UET organizon përgjatë gjithë vitit në bashkëpunim me Institutin Europian Pashko dhe vjen në kuadër të hapjes së Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike që ofron për studentët mundësi studimi si në ciklin Bachelor ashtu edhe Master, në degët Fizioterapi, Imazheri dhe Infermieri. Në vitin e tij të parë të funksionimit, ky fakultet ka si objektiv ofrimin e dijes cilësore, si dhe angazhimin e studentëve në po të njëjtat standarde si fakultetet që ekzistojnë prej më shumë se 10 vitesh në UET.
Forumi i cili zgjati tre ditë, në datat 7 – 9 dhjetor, ishte mjaft dinamik. Emra të njohur të fushës, të tillë si prof. dr. Fedhon Meksi, prof. asoc. dr. Tritan Kalo, prof. asoc. dr. Albana Fico – Drejtore e ISHP, znj. Besa Dakli përfaqësuese e QKEV, dr. Fatmir Brahimaj – kryetar i Urdhrit të Mjekëve, prof. asoc. dr. Zef Delia, prof. dr. Robert Andoni, prof. dr. Tahir Hysa, ishin lektorë në këtë forum dhe prezantimet e tyre jo vetëm informuan por edhe “provokuan” debate mes të pranishmëve.
Në pamundësi për të qenë vetë i pranishëm në këtë forum, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në UET i ka përshëndetur pjesëmarrësit me anë të një letre në të cilën shprehet se: “Unë me flokët tashmë të zbardhur nga mosha do doja me këtë letër t’ju ftoja, së pari, ju maturantët e rinj të vini si fllad i freskët për të na zëvendësuar dhe të merrni stafetën për ta çuar atë më tej, ashtu siç bëmë ne dikur me brezin e ish-mësuesve të nderuar. Kërkesat për ju sot por dhe mundësitë janë shumë më të mëdha, prandaj dhe edukimi dhe formimi i punonjësve të rinj të shëndetësisë është ngritur shkencërisht dhe metodologjikisht në kompleksitet dhe në lartësi të reja. Universiteti Europian i Tiranës dhe Fakulteti i tij i ri, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, falë programeve bashkëkohore të tij synon pikërisht formimin e gjithanshëm të një brezi dhe tipi të ri profesionistësh të bluzave të bardha, jo vetëm me njohuri teknike mjekësore por edhe me shprehitë dhe normat etike, kulturore, menaxheriale, dhe qytetare europiane, siç e ka edhe emrin që meriton”.
Leksioni i parë i këtij forumi kishte të bënte pikërisht me shëndetin publik. Drejtoresha e ISHP (Instituti i Shëndetit Publik) prof. asoc. dr. Albana Fico, ka shpjeguar për të pranishmit termin shëndet publik si dhe ka prezantuar këtë institucion.
“Instituti i Shëndetit Publik ka si mision zhvillimin dhe zbatimin e parandalimit dhe kontrollit të sëmundjeve, lëndimeve, paaftësive, rreziqeve të shëndetit mjedisor dhe promovimit të shëndetit, duke bashkëpunuar me agjencitë kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë ajo duke shtuar se veprimtaritë e tij janë disa, të tilla si: “Monitorimi i statusit të shëndetit të popullatës në mënyrë që të identifikohen me kohë dhe të zgjidhen shkencërisht problemet e hasura shëndetësore, identifikimi dhe monitorimi i determinantëve të rrezikut të shëndetit, ndërmarrja dhe përmirësimi i informatave, edukimit dhe ndërgjegjësimit të njerëzve për problemet shëndetësore. Nxitja, koordinimi dhe mbështetja e iniciativave të institucioneve dhe komuniteteve lidhur me aktivitetet e tyre në identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve shëndetësore”.
Krahas prezantimit, prof. Fico u shpreh mjaft e emocionuar për faktin se në këtë forum gjendeshin pikërisht disa nga pedagogët e saj.
“Unë në fakt jam e emocionuar, për faktin se në këtë tryezë ndodhen profesorët që mua më kanë mësuar në Fakultet të Mjekësisë. Është diçka që nuk është për t’u marrë kaq lehtë dhe është fati juaj që ata janë tashmë pjesë integrale e Universitetit Europian të Tiranës”, u është drejtuar ajo maturantëve duke shtuar “Jeta më ka çuar në disa vende dhe asnjëherë nuk më janë dridhur këmbët për nga dija që kam marrë nga këta profesorë”.
Përgatitja e personelit mjekësor në Shqipëri, shkollimi, specializimi dhe kualifikimi kanë qenë në fokus të forumit.
Mjeku i shquar prof. dr. Fedhon Meksi ngriti shqetësimin e përgatitjes së mjekëve në shkolla, duke theksuar problematikën aktuale të mungesës së mjekut të familjes në Shqipëri, profesion i cili në vendet perëndimore merr një rëndësi mjaft të madhe.
“Shëndeti publik në Shqipëri është një zgavër e madhe akoma. Shqiptarët vazhdojnë të shërbehen nga mjekë të cilët janë vetëm me formimin bazë gjashtëvjeçar. Në qoftë se ne duam që të bëhet reformë në Shqipëri, nëse duam që qytetarët të marrin atë ndihmë siç marrin qytetarët e Europës, duhet që të funksionojë mjeku i familjes. Këtu te ne nuk funksionon. Këtu te ne ‘prodhohen’ specialistë të cilët dalin pasi fitojnë konkursin, por pjesa tjetër pastaj shkon me gjashtë vjet. Pra, ne shërbehemi akoma si në kohën e sovjetikëve, me gjashtë vjet shkollë. Kjo është e padurueshme, duhet ndryshuar menjëherë. Kjo duhet ndryshuar duke rënë dakord me qeverinë që, së pari, të bëjë të mundur që si kudo në Europë, të ketë të drejtë të vizitojë njerëz ai që ka mbaruar ose specialistin gjashtë plus pesë vjet, ose mjekun e familjes gjashtë plus tre vjet”.
Ndërkohë që krahas kësaj problematike të ngritur, prof. dr. Fedhon Meksi ka folur gjithashtu mbi rolin e mjekut në shoqëri dhe raportin që ai ka me pacientin.
“Thuhet shpesh se mjekët janë të privilegjuar. Ata janë të privilegjuar sepse janë të vendosur në linjën e parë të frontit në luftën e tyre të pafundme kundër vuajtjeve dhe vdekjes dhe qëndrojnë në një pozicion të përshtatshëm nga ku reflektojnë mbi sekretet e jetës si edhe për progresin e mjekësisë. Mjekët vlerësojnë në mënyrë kritike edhe pasojat që mund të sjellë ‘progresi’ ose modernizimi i mjekësisë dhe i jetës në përgjithësi. Me zgjuarsinë, ndjeshmërinë dhe njohuritë e tyre, ushtrojnë një profesion ku shpesh gjejnë kënaqësi intelektuale dhe manuale, si në asnjë profesion tjetër”, ka theksuar profesor Meksi duke shtuar se është detyrë e Fakulteteve të Mjekësisë përgatitja e një personeli mjekësor cilësor në Shqipëri. Për këtë përgatitje, shprehet ai, nuk mjafton vetëm trajtimi i lëndëve të profesionit por duhet një formim edhe përtej tyre, në fusha të tilla si letërsia, gjuhët e huaja, artet figurative, historia e botës dhe historia jonë etj.
“Mjekët e aftë dhe të ndërgjegjshëm që e konsiderojnë kulturën e përgjithshme jo si stoli, por si një forcë më tepër në ushtrimin e profesionit me pasion e përkushtim nuk tuten, por paraqiten me dinjitet përpara të sëmurit, familjarëve, qoftë edhe kolegëve të tyre”, -tha prof. dr. Fedhon Meksi.
Ndërkohë që një institucion mjaft i rëndësishëm për formimin e një stafi të kualifikuar mjekësor, është edhe QEKV (Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim). Edukimi në Vazhdim për profesionistët e shëndetësisë është procesi nëpërmjet të cilit profesionistët e shëndetësisë përditësojnë dijet dhe aftësitë e tyre për të plotësuar nevojat e pacientëve, të shërbimeve shëndetësore dhe ato të zhvillimit të tyre profesional. Përfaqësuesja e këtij institucioni në këtë forum, znj. Besa Dhakli u shpreh se misioni i tij është “Përmirësimi i cilësisë së kujdesit shëndetësor në Shqipëri përmes zhvillimit dhe promovimit të standardeve të cilësisë të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e shëndetësisë”.
Sigurisht që një nga çështjet më të diskutuara kur vjen fjala te profesionistët në fushën e mjekësisë është etika dhe përgjegjshmëria në punë. Ajo është pjesë e rëndësishme e formimit profesional dhe domosdoshmëri për një performancë të lartë në shërbimin mjekësor. Për këtë temë ka folur dr. Fatmir Brahimaj, i cili është kryetar i Urdhrit të Mjekëve.
“Sipas Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore etika mjekësore është një bashkësi rregullash dhe principesh të cilat mjeku është i detyruar t’i njohë dhe t’i respektojë gjatë ushtrimit të profesionit”, ka shpjeguar ai.
“Etika Mjekësore është pjesë e rëndësishme e formimit profesional dhe domosdoshmëri për një performancë të lartë në shërbimin mjekësor. Ajo është rregullatori i marrëdhënieve të mjekut me pacientin, kolegët, institucionet shëndetësore dhe me gjithë shoqërinë”.
Dr. Brahimaj, gjithashtu, u shpjegoi pjesëmarrësve se në rast të shkeljes së etikës profesionale parashikohen sanksione ligjore. Marrëdhëniet mjek-pacient përbëjnë thelbin e etikës mjekësore dhe besimi reciprok është themeli i këtyre marrëdhënieve ku tri janë principet bazë të saj: “e drejta e pacientit për t’u këshilluar me mjekun sipas zgjedhjes së tij, e drejta e pacientit për të komunikuar në mënyrë të pavarur me një mjek i cili vë shëndetin dhe interesat e pacientit si parësore gjatë punës së tij, si dhe respektimi i jetës private dhe ruajtja e konfidencialitetit”.
Edhe tematika të tjera që kanë të bëjnë me shëndetin publik dhe formimin e stafit mjekësor janë trajtuar në këtë forum. Leksionet kanë patur për qëllim t’i informojnë dhe edukojnë maturantët në lidhje me profesionin që duan të ndjekin në të ardhmen në fushat e ndryshme të mjekësisë por edhe për një informacion më të shtuar për ata të cilët janë studentë aktualisht.
Prof. asoc. dr. Tritan Kalo mjek infeksionist në QSUT ka folur mbi infeksionet seksualisht të transmetueshme, një leksion sa informues aq edhe edukues. Përmasat e këtij problemi nuk janë të njohura plotësisht, por mund të thuhet se në vendet në zhvillim renditen në pesë sëmundjet më të përhapura.
“Në këto kushte, është detyrë e gjithë secilit të mësoj mbi këto infeksione si dhe të jetë i hapur me partnerin dhe mjekun, në mënyrë që të reduktojë mundësinë e marrjes apo të transmetimit të tyre. Shumë prej jush shpesh ngurojnë të kërkojnë informacion dhe ndihmë, pa ditur se koha është vendimtare në trajtimin e tyre dhe pa ditur pasojat që ato lenë, nëse trajtimi vonohet. Shumica e infeksioneve trajtohen pa vështirësi dhe sa më shpejt personi, i cili dyshon se ka infeksion të kërkojë trajtim dhe të njoftojë partnerin, aq më e vogël është mundësia që infeksioni të shkaktojë dëme të pakorrigjueshme, të përhapet te partneri, ose të kalojë nga nëna te foshnja”, është shprehur profesor Kalo duke shpjeguar më pas llojet e infeksioneve, mënyrat e përhapjes, parandalimit dhe kurimit të tyre.
Ndërkohë që prof. asoc. dr. Zef Delia, mjeku i njohur obstetër-gjinekolog, ka nënvijëzuar domosdoshmërinë e organizimit të shërbimit shëndetësor të nënës dhe fëmijës në nivel kombëtar në Shqipëri. Ai ka vënë në dukje problematikat që shoqërojnë ende sot këtë sektor të shëndetit në shumë qytete të Shqipërisë si dhe ka shprehur rekomandimet e tij mbi këtë çështje.
Ndërkohë që mbi rolin e laboratorit mikrobiologjik në diagnostikim dhe parandalimin e sëmundjeve ka folur prof. dr. Robert Andoni duke ilustruar jo vetëm një historik të zhvillimit të mikrobiologjisë por edhe të mënyrës se ajo ka ndikuar ndër vite në parandalimin e epidemive të ndryshme vdekjeprurëse.
Për sa i përket ecurisë së zhvillimit në vite të teknikave, metodave dhe aparaturave imazherike ka folur prof. dr. Tahir Hysa. Duke shpjeguar objektin e studimit të imazherisë si dhe ka prezantuar një historinë e zbulimi të rrezeve X. Njëkohësisht një çështje mjaft interesante e trajtuar prej tij ishte edhe historia e radiologjisë në Shqipëri.
“Aparati i parë radiologjik u vendos në spitalin civil të Tiranës në vitin 1928. Mjeku i parë radiolog ishte nga Durrësi dhe quhej Ismail Tartari, i cili studioi për Mjekësi në Itali dhe u specializua për radiologji në Romë. Ndërsa në vitin 1957 nga Instituti i Lartë Mjekësor diplomohen mjekët e parë në vend”.
Profesor Hysa tregoi se radiologët e parë u përgatitën në kushte 6-mujore që gradualisht u kthyen në shkolla të mirëfillta dhe që aktualisht specializimi i Imazheristëve është 4-vjeçar duke përfshirë të gjitha fushat.
Pjesëmarrësit në këtë forum tregojnë për eksperiencën e tyre në këtë organizim që zgjati tre ditë.
Ani Hysenaj: Një forum i veçantë dhe mjaft i vlefshëm për formimin tim
Ani Hysenaj është maturante në shkollën Qemal Stafa. Ajo është bërë pjesë e Forumit të Shëndetit Publik 2018, për shkak se mjekësia është pasioni i saj. Ani rrëfen se sapo pa thirrjen që u drejtohej maturantëve për të qenë pjesë e këtij forumi u interesua dhe aplikoi pa asnjë hezitim.
“Një mundësi të tillë e kam dashur gjithmonë dhe e kërkoja vazhdimisht pasi mjekësia është pasioni im. Kisha nevojë të shprehja mendimin tim, të dëgjoja mendimin e të tjerëve, të flisja rreth kësaj teme… Një forum të tillë nuk kisha hasur më përpara. Kam marrë pjesë në organizime të ndryshme rinore ku flitej për debatin, për të folurën në publik, për tema sociale, ndërkohë që për mjekësinë apo lëndët natyrore nuk ishte organizuar asnjëherë më përpara diçka e tillë në dijeninë time”, shprehet Ani mbi arsyet që e shtynë të aplikonte për të qenë pjesë e Forumit të Shëndetit Publik.
Ani është një nxënëse e shkëlqyer në studime, me një mesatare 10 dhe dëshira e saj është që të bëhet mjeke.
“Këtu mësova shumë gjëra që nuk i dija të cilat jam e bindur që do të më shërbejnë si baza për të ardhmen”, tregon Ani mbi eksperiencën e saj në këtë forum.
Elvis Tota: Ishte një privilegj të mësoje nga mjekët më të mirë të vendit
Elvis Tota është maturant në gjimnazin e përgjithshëm “Vajdin Lamaj” dhe dëshiron që në të ardhmen të bëhet mjek.
“Vendosa të aplikoj për t’u bërë pjesë e këtij forumi pasi qëllimi im është që të ndjek shkollën e lartë në fushën e mjekësisë. Fillimisht dëshiroj të fitoj të drejtën e studimit për degën Mjekësi e Përgjithshme dhe më pas do dëshiroja të specializohesha si mjek kirurg”, tregon Elvisi për pasionin dhe dëshirat e tij.
Ai rrëfen se eksperienca në këtë forum e ka inkurajuar atë të besojë më tepër në ëndrrat e tij dhe të jetë edhe më i vendosur për t’i shndërruar ato në realitet. Elvisi tregon se mesatarja e tij e përgjithshme është aktualisht 9.9 dhe shprehet se është më se i motivuar që ta përmirësojë edhe më tej atë në mënyrë që të fitojë të drejtën e studimit për mjekësi.
“Mendoj se kam përfituar mjaft nga pjesëmarrja në këtë forum. Si fillim më shërbeu si nxitje për ta dashur edhe më shumë profesionin e mjekut dhe mësova mbi disa fusha të mjekësisë për të cilat nuk kisha shumë informacione më parë. Prezenca e mjekëve të shquar dhe pedagogëve ishte një ndër aspektet më motivuese për mua, pasi ishte një privilegj mjaft i madh të mësoje nga eksperiencat e disa prej mjekëve më të mirë të vendit”.
Erisa Buraj: Mësimi në mënyrë interaktive
Ashtu si pjesa më e madhe e maturantëve të cilët morën pjesë në këtë Forum të parë të organizuar për Shëndetin Publik, edhe maturantja Erisa Buraj aspiron që në të ardhmen të bëhet një profesioniste në fushën e mjekësisë.
“Sapo mësova mbi këtë forum vendosa të aplikoj për shkak se dëshira ime është që vitin tjetër të filloj studimet e mia në degën Imazherisë. Kjo m’u duk një mundësi shumë e mirë nisur nga fakti që falë këtij forumi do të mund të mësoja më tepër rreth fushave të ndryshme të mjekësisë si dhe të fitoja disa njohuri paraprake mbi atë se si janë këto profesione në realitet”, tregon Erisa.
Ajo shprehet se organizimi treditor i plotësoi më së miri pritshmëritë e saj.
“Forumi i Shëndetit Publik ishte me dobi për të gjithë ne për shkak se dha informacione jo vetëm të përgjithshme por edhe të specifikuara për degë të ndryshme duke informuar edhe maturantët për degët që aspirojnë të ndjekin por edhe studentët të cilët janë në vitin e parë të studimeve. Të tilla organizime i shoh shumë pozitive sepse na ndihmojnë të mësojmë një mënyrë ndryshe, në grup duke bashkëpunuar me të tjerët por edhe duke na nxitur që falë dijes së përftuar ta duam degën që do të zgjedhim edhe më shumë, të kemi edhe më tepër pasion për profesionin që synojmë”, tregon Erisa.
Sinan Krasniqi: Mësuam më tepër mbi atë çfarë na pret nesër në profesion
Sinan Krasniqi është maturant në gjimnazin “Isa Boletini”. Ai është një nxënës ekselent me një mesatare 9.8 dhe ka pasion mjekësinë..
“Sapo dëgjova që kishin filluar aplikimet për të marrë pjesë në Forumin e Shëndetit Publik, isha një ndër të parët në shkollën time që u interesova. Kjo pa shkak sepse unë synoj që vitin tjetër, të ndjek studimet në fushën e mjekësisë”, tregon Sinani.
Ai shprehet në tërësi organizimi ishte shumë i mirë dhe shumë i dobishëm për të por edhe për moshatarët e tij.
“Mund të them se organizimi i këtij forumi ishte perfekt. Ato që mësuam ishin të reja për mua dhe pikërisht aplikimi që bëra në fillim ishte sepse kisha nevojë për një orientim më të mirë. Organizimi që bëri UET dhe IEP, ishte organizimi më i mirë jo vetëm për mua por për të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet sepse na informoi mbi atë çka na pret nesër jo vetëm në mjekësinë e përgjithshme por edhe në degët e tjera”, tregon Sinani.
Zamrika Pajo: Forumi i Shëndetit Publik, një mundësi e shtuar për nxënësit
Zamrika Pajo është mësuese e bio-kimisë në gjimnazin “Fuat Babani” në qytetin e Bilishtit. Së bashku me disa studentë nga kjo shkollë, ajo ishte pjesë e Forumit të Shëndetit Publik.
“Të tilla aktivitete janë vërtetë informuese dhe të dobishme për nxënësit. Organizimi i këtij forumi në tërësi më pëlqeu shumë dhe veçanërisht prezantimet e lektorëve, të cilët janë figura të njohura të fushës së mjekësisë”, shprehet znj. Pajo.
Ajo tregon se disa prej maturantëve të këtij gjimnazi kanë marrë pjesë edhe në aktivitete të tjera rinore që UET dhe IEP organizojnë përgjatë vitit. Eksperienca shumë pozitive që këta nxënës kanë patur, ka nxitur që edhe të tjerët të aplikojnë për të qenë pjesë e këtyre organizimeve.
“Nxënësit aplikuan në këtë forum nisur edhe nga eksperiencat që të tjerët kanë patur në aktivitetet e mëparshme si për shembull Kolonia e Artit, ku disa nga nxënësit tanë kanë fituar bursë studimi në UET. Përgjatë viteve në këtë universitet ka patur shumë studentë nga gjimnazi jonë, studentë ekselentë të cilët kanë përfituar edhe bursa studimi Erasmus+”, tregon znj. Zamrika Pajo.
Ndriçime Kuçi: Të tilla organizime ndihmojnë për një këshillim efektiv karriere
Ndriçime Kuçi është një nga mësueset pjesëmarrëse në këtë Forum të parë të Shëndetit Publik. Ajo vjen nga gjimnazi “Isa Boletini” dhe tregon se interesimi për të marrë pjesë në këtë aktivitet vjen si pasojë e lëndëve që jep mësim, biologji dhe kimi. Këto dy lëndë janë shumë të rëndësishme për të gjithë nxënësit që dëshirojnë të ndjekin në të ardhmen studimet e larta në një nga degët e mjekësisë. Znj. Kuçi shprehet se ky organizim është mjaft i rëndësishëm për shkak se i ndihmon maturantët të krijojnë një ide më të qartë mbi profesionin që dëshirojnë të zgjedhin.
“Nxënësit gjatë kohës që është zhvilluar ky trajnim që Universiteti Europian i Tiranës dhe Instituti Europian Pashko kanë organizuar, kanë marrë informacion, kanë marrë këshillimet e duhura që kur ata të mbarojnë gjimnazin t’i kenë synimet e qarta për të vazhduar më tej”, shprehet ajo.
Laura Qerreti: Një mundësi shumë e mirë për të mësuar përtej auditorit
Laura Qerreti është studente e vitit të parë në degën Fizioterapi në UET. Ajo tregon se e ka zgjedhur këtë degë për shkak se ka qenë pasioni i saj që në moshë të hershme. Ndërkohë që tregon se e zgjodhi UET për shkak të reputacionit të tij si një universitet me cilësi dhe standarde.
“Duke parë të gjithë historikun e UET si dhe faktin që ma kanë rekomanduar shumë njerëz që njoh, vendosa t’i besoj në zgjedhjen time”.
Ndërkohë që për organizimin e forumit shprehet mjaft pozitive: “Ishte një organizim social, interaktiv në të cilin ne kishim mundësi të shprehnim qartë mendimet tona. Duke qenë se ne kemi vetëm pak muaj që kemi nisur studimet të tilla aktivitete janë mundësi shumë të mira për ne, për të mësuar jo thjesht në mënyrën tradicionale me anë të leksioneve në auditor”, shprehet ajo.