UET- Open Week 2018-2019: Bujar Nishani në UET
Bujar Nishani në UET: Shpeshherë e keqkuptojmë demokracinë
Në kuadrin e javës së hapur në Universitetin Europian të Tiranës, një ndër aktivitetet e shumta janë edhe ditët e orientimit, të cilat tashmë janë kthyer në traditë në UET dhe kanë për qëllim të ndihmojnë studentët e rinj në ciklin akademik Bachelor dhe Master, që të njihen më shumë me programet, pedagogët, ambientet dhe disa nga rregullat bazë të universitetit.
Duke patur parasysh rëndësinë që ka për studentët e vitit të parë orientimi i tyre për programet, pedagogët, njohjen e ambienteve, rregullave dhe gjithçka ka lidhje me atë që do të përballen gjatë 3 viteve të ardhshme, Universiteti Europian i Tiranës zhvillon çdo vit në fillim të tetorit Javën Orientuese.
UET vjen këtë vit akademik me pesë fakultete në tërësi, tri fakultete të riorganizuara, si dhe dy krejtësisht të reja. Drejtuesit e universitetit, dekanët, shefat e departamenteve të çdo fakulteti kanë pritur studentët e rinj të UET-it, duke prezantuar tek ata universitetin, kurrikulat dhe pedagogët që do të kenë në 3 vitet e ardhshme.
Gjithmonë në Javën Orientuese janë të ftuar personazhe publike për të mbajtur fjalimet e tyre të inkurajimit. Këtë vit, lektorë të ftuar ishin ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, si dhe sipërmarrësi Samir Mane.
Bujar Nishani: Asnjëherë nuk do të ketë fund përpjekja për të studiuar
Së pari, unë ju falënderoj për ftesën. Këtë bashkëbisedim me ju studentë dhe pedagogë dua ta nis me një rrëfenjë personale. Ekzaktësisht, nuk po them si datë, por si periudhë shtator-tetor, i tridhjetë viteve më parë 1988, ka qenë koha kur unë kam dhënë leksionin e parë për studentët. Në atë kohë isha vetë i sapodiplomuar, 22 vjeç, dhe studentët i kisha 20-vjeçarë. Për mua ka një domethënie, është një lloj kënaqësie t’i referohesh kontaktit më studentët dhe me botën akademike. Kanë evoluar shumë gjëra. Gjenerata e studentëve është krejt e ndryshme nga ajo e 30 viteve më parë, infrastruktura, interesat janë shumë më të ndryshëm, rrethanat etj. Por gjithsesi kënaqësia, pasioni, përjetimi nuk kanë shumë ndryshime, sidomos në ambientin akademik. Jam munduar të mbaj kontakte me auditorët e universiteteve edhe gjatë kohës kur isha president i Republikës së Shqipërisë, edhe këtu në UET kam qenë. Veçanërisht kur UET ofroi disa bursa për fëmijët e oficerëve të rënë në krye të detyrës. Fusha që keni zgjedhur për të studiuar është e një rëndësie jetike, kërkon një lloj kontributi të disa lloj dimensioneve, të dimensionit akademik, shoqëror dhe social, pra kërkon përgjegjësi institucionale, por edhe dimensionin human. Koha kalon shumë shpejt. Por asnjëherë nuk do të ketë fund përpjekja për të studiuar, eksploruar dhe përpjekja për të konsoliduar dijet dhe eksperiencat. Për të folur për drejtësinë nuk është dhe aq e lehtë, kjo gjë kërkon kohë. Ka këndvështrime të ndryshme për të folur për drejtësinë. Shpeshherë e keqkuptojmë demokracinë. Është e bukur dhe e gjerë, por unë besoj që, demokracia megjithëse është e bukur, e madhe, do ishte shumë e rrezikshme nëse nuk do të kishte rregullshmërinë e shtetit ligjor, do shkonim në një lloj kaosi apo anarkie.