Pas 5 përballjeve të forta, studenti i UET, Mal Sahiti, shpallet kampion në EUSA 2026

Jo përmes një rruge të lehtë, por me një fitore bindëse. Pas pesë përballjeve me studentë ndërkombëtarë, Mal Sahiti është shpallur kampion në sportin luftarak taekwondo. Ai ka siguruar medaljen e artë si përfaqësues i Universitetit Europian të Tiranës në Kampionatin Evropian të Sporteve Luftarake Universitare 2026.
Kampionati, i organizuar nga Federata Shqiptare e Sporteve Universitare, u zhvillua në Tiranë, në datat 8-16 shtator, dhe mirëpriti 1600 përfaqësues të universiteteve nga e gjithë Evropa, të cilët garuan në disiplinat xhudo, karate, taekwondo dhe kikboks.
Mal Sahiti u shpall Kampion Europian Universitar në kategorinë senior –80 kg. Ndeshjen e parë e zhvilloi me përfaqësuesin nga Turqia, ndaj të cilit fitoi me rezultatin 2 me 1. Ndeshja e dytë ishte kundër studentit nga Gjermania dhe u mbyll 2 me 1 për Sahitin. Çerekfinalja kundër përfaqësuesit nga Portugalia rezultoi me një tjetër sukses, ku ai fitoi 2 me 0 me nokaut. Në gjysmëfinale u përball me përfaqësuesin e Turqisë, ndërsa në finale me atë të Portugalisë, duke fituar me rezultatin 2 me 1.

“Ishte një ditë e vështirë, për shkak se bëra 5 ndeshje, por jam i lumtur që arrita rezultate pozitive dhe mora medalje ari”, thotë Mali.
Kjo fitore i shtohet tashmë listës së gjatë të medaljeve që ka siguruar ndër vite, në këtë pasion fëmijërie të nisur që në moshën 6-vjeçare. Kujton se medaljen e parë e mori në një garë rajonale në Kosovë, për të vijuar më pas me shumë medalje dhe fitore të tjera në kompeticione ndërkombëtare, në të cilat ai ka përfaqësuar shtetin e Kosovës, nën stërvitjen e trajnerit Nuhi Gashi dhe me mbështetjen e klubit Akademia e Arteve Marciale “Prishtina” Zyrtare.
Mal Sahiti ka dalë i pari në nivel junior, ka siguruar medalje në turne ndërkombëtare si dhe ka marrë medalje ari në President Cup Europe 2024, të mbajtur në Estoni. Në kategorinë e tij 68 kg konkurronin 31 sportistë.
“Sfida më e vështirë ka qenë kalimi nga Junior në Senior, për shkak se ky është niveli më i lartë dhe, për rrjedhojë, edhe më i vështiri. Aty përballesh me garues shumë më të vjetër dhe me më shumë eksperiencë se ti”, tregon studenti i UET.
Pas mbarimit të shkollës së mesme në fushën e ekonomisë në Kosovë, Mali është zhvendosur këtë vit në Shqipëri, për të ndjekur studimet në programin Menaxhim Biznesi. Pavarësisht mundësive për studim dhe ofertave për bursë në Kosovë, ai vendosi të vijë në Tiranë, për të qenë afër familjes dhe angazhimeve profesionale të prindërve.
E teksa vijon studimet, ai thotë se nuk do të lërë pas pasionin e tij për sportin e taekwondos, me ambicien për të arritur rezultate dhe suksese të reja, në ngjarjet e mëdha që e presin përpara.
“Ambicia ime kryesore në sport është të bëhem më i mirë se sa isha dje, si dhe të vazhdoj konkurrimin në kampionate evropiane dhe botërore”, thekson ai.
Teksa ndjek studimet universitare, Mali do të vijojë përgatitjen për të konkurruar në Lojërat Olimpike të Los Angeles, të cilat do të zhvillohen në datat 26-29 korrik 2028.


