Studentët hapin në Galerinë Kalo ekspozitën dy-ditore ARK EXPO 2026

Për të pestin vit radhazi, studentët e Departamentit të Arkitekturës dhe Inxhinierisë së Ndërtimit organizuan ekspozitën vjetore me punimet më të mira të vitit akademik 2025-2026.
Piktura, skica, grafika, makete, projektime vilash dhe ndërtesash shumëkatëshe banimi u ekspozuan për studentët, pedagogët dhe dashamirësit e kësaj fushe. Ndryshe nga vitet e kaluara, e veçanta e këtij edicioni ishte kapërcimi i mureve të auditorëve dhe universitetit.
Ekspozita u hap në ambientet e Galerisë Kalo në Tiranë, duke pritur gjatë dy ditëve, 9 dhe 10 qershor, vizitorë të ndryshëm, studentë dhe artistë, arkitektë, pedagogë.
Në ceremoninë e hapjes, dekania e Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, Prof. Asoc. Dr. Teuta Xhindi përgëzoi studentët dhe pedagogët përgjegjës të lëndëve, të cilët kanë orientuar dhe udhëhequr gjithë procesin, për realizimin e kwsaj ekspozite dhe sjelljen e arkitekturës më pranë qytetit dhe komunitetit.
Ekspozita ARK EXPO 2025 erdhi nën kujdesin e përgjegjëses së Departamentit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Otjela Lubonja, dhe të pedagoges Dr. Blegina Bezo.
Në këtë mbrëmje të veçantë nuk munguan as tingujt e muzikës dhe interpretimet nga studentët e Arteve Pamore në UET, talenti dhe përkushtimi i të cilëve i bën ngjarje dhe evente të tilla më të paharrueshme.


