Ish-ministri Arbjan Mazniku në UET për reformën administrativo-territoriale: Bashkitë jo plotësisht eficente

Bashkitë sot në Shqipëri janë eficente, por jo mjaftueshëm për të kryer të gjitha funksionet që duhet të kryejnë. Kështu u shpreh bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale, Arbjan Mazniku gjatë bashkëbisedimit me studentët e Universitetit Europian të Tiranës ku foli për ndryshimet që synon të sjellë ndarja e re territoriale.
Sistemi i para 2014-ës, me 373 njësi vendore, bashki dhe komuna, sipas tij, nuk ia dilte të përmbushte funksionet dhe detyrat e kërkuara, kështu që u kalua në ndarjen territoriale me 61 bashki. Mazniku vlerësoi se bashkive u janë deleguar një sërë funksionesh që ato sërish nuk arrijnë t’i përmbushin me sukses, për arsye të mungesës së burimeve financiare dhe të burimeve njerëzore.
“Ne kemi funksione si planifikimi urban, shërbimet sociale, menaxhimi i ujërave të bardha apo të zeza, menaxhimi i pyjeve që janë të gjitha funksionet të cilat i janë deleguar pushtetit vendor. Ndërkohë kemi bashki s’kanë asnjë arkitekt, s’kanë asnjë inxhinier, s’kanë asnjë jurist. Ka bashki qe s’kanë jurist. Si mund t’i kërkojmë një bashkie që të bëjë plan urbanistik kur nuk ka arkitekt apo inxhinier, apo të bëjë një plan për menaxhimin e strehimit në territorin e saj kur s’ka asnjë njeri që është specialist i shërbimeve sociale apo i strehimit?”, u shpreh Mazniku.
Këtë mungesë, ish-ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore e gjeti te fenomeni i migrimit dhe largimit drejt kryeqytetit, ku sidomos të rinjtë, pas diplomimit nuk rikthehen në vendlindjen e tyre për të investuar dhe për ta zhvilluar. Teksa theksoi se ky nuk është një fenomen jo shqiptar, por ndërkombëtar, i vërejtur në shumë qytete evropiane, Mazniku tha se në Shqipëri ka nevojë të bëhet një vlerësim i qenësishëm, jo i nisur nga harta dhe territori, por nga pjesa administrative: se çfarë funksionesh do të kenë këto bashki, çfarë mjetesh dhe burimesh u duhen.
“Logjika e territorit për ne është shumë e thjeshtë. Elementi i dytë janë funksionet, pra çfarë funksionesh ushtrohen brenda këtij territori në mënyrë autonome. Dhe elementi i tretë, po aq i rëndësishëm sa dy të parat, janë financat. Si i gjeneron të ardhurat ky territor? I paguajnë banorët e këtij territori shërbimet, i vijnë nga një transferim nga qeveria qendrore, ka të drejtë të marrë borxh? Këto elementë janë të lidhur me njëri- tjetrin. Ne nuk kemi një analizë dhe një reformë mirëfilltë, prandaj Shqipëria ka nevojë për një rishikim në këtë kontekst”, theksoi më tej Mazniku.

Ish-ministri tha se Shqipëria është në një moment kyç pasi pritet që brenda 2027-ës të mbyllet gjithë kapitulli i negocimit me Bashkimin Europian.
“Sot janë 272.600 faqe të cilat ne duhet t’i linjëzojmë me ligjet tona. Kjo është puna deri në 2027. Vitet 2027-2029 është procesi politik. Vendet anëtare duhet teorikisht të pranojnë Shqipërinë si vend anëtare. Me gjasa, më shumë gjasa po, sesa jo, në 2029 Shqipëria është vend anëtar i Bashkimit Europian”, tha më tej Mazniku.
Në momentin që vendi ynë integrohet në BE, ai bëhet pjesë e programeve evropaine, njëri prej të cilëve është ai i kohezionit social, i cili synon të ndihmojë zona të caktuara të Evropës të cilat janë më pak të zhvilluara, në mënyrë që të ecin dhe të kapin ritmin e zhvillimit të vendeve të tjera.
“Këto janë fonde të cilat janë ngushtësisht të lidhura me nivelin vendor. Negocimi për ligjet po ndodh midis Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Financës apo Ministrisë së Shëndetësisë dhe Brukselit dhe zbatimi i tyre në jetë reale ndodh në nivel vendore. Ne na duhet, siç shkodranët thonë, që përveç kasavetit, që është gjithë adoptimi i ligjeve, rregullave, detyrimeve, janë edhe financat potenciale që mund të na vijnë për të zhvilluar Shqipërinë me një ritëm më të shpejtë se sa janë sesa është brumi i shtëpisë”,
Gjatë dy muajve në vijim, Komision i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo- Territoriale do të vijojë fazën e konsultimeve në terren për dëgjesat me komunitetet dhe kryetarët e bashkive në 12 qarqet e vendit. Drafti i plotë me ndryshimet e parashikuara territoriale dhe administrative pritet të dorëzohet në korrik të këtij viti.

