Ditmir Bushati në UET: Rendi i ri ndërkombëtar do bazohet te forca, Shqipëria duhet të respektojë veten

Rendi i ri nuk ka lindur akoma, por ai nuk do të jetë i bazuar në rregulla. Do të jetë një rend i bazuar në fuqi, duke përmbysur kështu rendin e deritanishëm, cilësuar si rend liberal, mbështetur në të drejtat bazë të njeriut dhe orientuar kah bashkëpunimeve dhe organizmave ndërkombëtarë. Ishte ky konkluzioni i ish-ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashmtme (2013-2019), z. Ditmir Bushati, gjatë një bashkëbisedimi me studentët e Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, i cili tha se ndihet nostalgjik ndaj këtij rendi që bashkoi Evropën dhe i dha pavarësinë Kosovës.
Ai iu përgjigj shqetësimeve dhe pyetjeve të pedagogëve dhe studentëve, jo vetëm për rikonfigurimet ndërkombëtare, fuqitë dhe aleancat e reja, por edhe për qëndrimet që po mban apo duhet të mbajë Shqipëria, e gjendur mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bushati tha se bota ndodhet në një paradoks, e dukshme nga veprimet e vetë SHBA-ve, të cilat nga themeluese të rendit që njohim u kthyen në kritikuese, duke dalë nga disa prej organizatave ndërkombëtare që trajtojnë çështjet problematike të planetit. Nga ana tjetër, Kina po pozicionohet si ruajtëse e rendit dhe po zgjeron ndikimin e vet përmes pjesëmarrjes në çështje që kanë të bëjnë me politikën, ekonominë, teknologjinë. Pozicioni i Rusisë është më i qartë, pasi ajo vijon të mbetet e pakënaqur, edhe për shkak të së kaluarës së saj historike.
Sipas Bushatit, e ardhmja varet nga ripozicionimi i këtyre tre poleve dhe kush do të quhet në të ardhmen Perëndimi. “Po jetojmë në një recesion gjeopolitik, ku pllakat sizmike, në rastin e këtij recesioni, kanë një cikël më afatgjatë se ato të recesionit ekonomik”, u shpreh Bushati, duke shtuar se ka tre drejtime ku mund të shkojë rendi ndërkombëtar. “I pari është ristrukturimi i gjithë institucioneve ndërkombëtare, ku janë hedhur teza të ndryshme për të zgjeruar Këshillin e Sigurimit deri në 21 shtete, 7 prej të cilëve duhet të kenë të drejtën e vetos së përhershme. Kjo do ta ndryshonte komplet dinamikën e ngjarjeve dhe do të çonte në një reformim të institucioneve, të FMN-së, të Bankës Botërore; sidomos pjesa e arkitekturës ekonomike është shumë e rëndësishme.”
Drejtimi i dytë është fuqizimi i bashkëpunimit rajonal dhe forcimi i organizmave të tillë siç është Bashkimi Europian, apo bashkimet e tjera rajonale në Azi dhe Afrikë. I treti është unilateralizmi, qasje e politikës së jashtme ku një shtet vepron vetëm, duke ndjekur interesat e veta pa u konsultuar me aleatët apo organizmat ndërkombëtarë. Rasti më i fundit ishte ai i SHBA-ve dhe Venezuelës.

Ish-ministri foli më tej edhe për situatën e Shqipërisë, qëndrimin që ka mbajtur deri tani dhe si duhet të ripozicionohet në të ardhmen përballë fuqisë apo rregullave ndërkombëtare. Bushati u tregua kritik për qëndrimet në OKB, pasi në mënyrë kontradiktore janë votuar dy rezoluta me qëndrime diametralisht të kundërta. Ai tha se Shqipëria duhet të dëshmojë një lloj respekti ndaj vetvetes e të theksojë se çfarë ofron në këtë rend të ri.
“Nuk dua të bëhem cinik, por situata më kujton thënien e Henri Kisingerit: ‘Mund të jetë e rrezikshme të jesh armik i Amerikës, por të jesh mik i Amerikës është fatale’. Mendoj se gjëja e parë që na mungon janë vlerat për t’u identifikuar, pra cili është boshti mbi të cilin ne lëvizim në politikën e jashtme. Së dyti janë interesat. Nëse ne bëjmë një balancë midis vlerave dhe interesave, e sigurt është që respekti për një vend të vogël do të jetë më i madh sesa kur ne e konsiderojmë politikën e jashtme në funksion të bursës së politikës. E treta është fuqia. Për vende të vogla është shumë e vështirë të flitet për fuqi. Sot për sot po vihet në pyetje edhe fuqia e mesme, siç është rasti i Francës, Gjermanisë apo i Mbretërisë së Bashkuar. Fuqia për një vend të vogël është relativisht rezultante e kombinimit në mënyrë të mirë me interesat për të ndërtuar koalicione fituese.”
Duke folur për çështjen e Hagës, ku po gjykohen për krime lufte krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bushati tha se ne harrojmë dhe nuk nxjerrim mësime nga historia. “Sjellja e politikës sonë shtetërore me Gjykatën e Hagës është si sjellja e një pacienti që injoron të gjitha arrestet kardiake dhe, kur shkon në fazën terminale, i kërkon llogari kardiologut apo mjekut të kirurgjisë se pse nuk e sjell dot në jetë.”
I pyetur nga studentët për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, të iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, Bushati tha se nuk sheh asgjë të keqe, por e mbështet këtë vendimmarrje.
“E vetmja gjë me të cilën nuk do të bie dakord është diversioni; ne nuk e shohim Bordin e Paqes si Evropa. Nuk kemi pse të bëjmë diversion, siç ndodhi në 2003-shin me Zhak Shirakun, ku i flisnim për një Europë të re. Ne duhet t’i shtrijmë këmbët sa e kemi jorganin. Jemi aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe s’kemi pse të mos kontribuojmë në Gaza, aq më tepër që jemi një popullsi me shumicë myslimane.”
Sipas tij, nuk ka pse të ndryshohet narrativa ndaj institucioneve ndërkombëtare, aq më tepër ndaj OKB-së, ku para tre vitesh Shqipëria e cilësoi arritje të madhe drejtimin e Këshillit të Sigurimit. “I treguam vendin ambasadorit rus. U bëmë më katolikë se Papa. Thamë që po na rriten turistët për shkak se vendi mori vizibilitet në Këshillin e Sigurimit. Që ti të kesh frustrim ndaj një organizate siç është OKB-ja, duhet të jesh në gjendje të tregosh edhe çfarë nismash ke ndërmarrë në këtë organizatë dhe të janë penguar,” u shpreh Bushati, duke ftuar universitetin të zgjerojë kërkimin edhe në këtë drejtim.
Si anëtar i programit të bursave Weatherhead në Universitetin e Harvardit, ish-ministri sqaroi përplasjen e bujshme të vitit të kaluar mes universitetit dhe presidentit Trump, i cili ndërpreu fondet dhe vendosi kufizime ndaj një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit në Amerikë. Sipas tij, Harvardi është një ndër universitetet më të pasura, ndërsa marrëdhëniet me administratën mbeten të ndera, fakt që e vërteton refuzimi i ftesës për në konferencat e mëdha ndërkombëtare që u zhvilluan muajt e fundit.

